SI IA VJEDHIM “PARADOKSET” AMERIKËS-Kolec Traboini

in Letërsi/Tharm by

Kolec Traboini

Dr. Bob Moorehead, ishte një pastor i kishës së krishterë në Overlake Seattle të Amerikës, i cili ka dalë në pension në vitin 1998, pas 29 vitesh në shërbimin kishtar. Eseja e tij: “The Paradox or our age” është nxjerrë nga koleksioni i vitit 1995, ku Dr. Moorehead përfshin lutje, biseda dhe monologje të përdorura gjatë shërbesës dhe emisioneve fetare në radio. Dikush që ka qenë dëshmitar i masakrës në shkollën Columbine High School, në Kolorado të Amerikës, më 20 Prill 1999, ku u vranë dymbëdhjetë nxënës me mësuesin e tyre, e rimori dhe e përcolli në internet mesa duket, si aktualizim i ngjarjes tragjike. Titulli “The Paradox of our Age”, në internet është përcjellë me një ndryshim fare të vogël në titull, nga “Age”’, në “Time”. Pra, nga Paradokset e shekullit tonë në Paradokset e kohës tonë. Kjo esé është mjaft e popullarizuar, megjithëse një autor eksentrik si Xhorxh Karlin thotë se, nuk është kurrsesi poezi, por një jashtëqitje. E megjithatë është vjedhur aq shumë nga poetucët shqiptarë sa thuajse e gjen tek çdo fillestar, por edhe ndër autorë që mbahen rëndë por janë shterur e mbetur në pikë të hallit e pinë ujë në çdo pellg që u del përpara.

PARADOKSET E KOHËS SONË-Dr. Bob Moorehead

 

Paradoksi i kohës sonë në histori është se,
kemi ndërtesa të larta, por kemi edhe ndjesinë
e shtypjes po aq; me rrugë krejtësisht të lira,
por me pikë vështrime të ngushta,
harxhojmë pa hesap, por kemi shumë humbje;
blejmë më tepër, por shijojmë së paku,
kemi shtëpi të mëdha dhe familje të vogla,
më shumë rehati, por kohë s’kemi fare,
kemi më shumë tituj, por më pak mendim,
më shumë dije, por më pak gjykim,
shumë specialistë, por më shumë probleme:
më shumë ilaçe, por më pak shëndet…
Tymosim shumë, pimë shumë,
shpenzojmë të shkujdesur, gazmojmë më pak,
udhëtojmë më shpejt, zemërohemi menjëherë,
qëndrojmë deri vonë, zgjohemi më të lodhur,
lexojmë më pak, shohim TV më shumë,
e lutemi gjithnjë pak e më pak.
I kemi shumëfishuar pasuritë,
por pakësuar vlerat e shpirtit.
Flasim tepër, duam rrallë dhe urrejmë shumë shpesh.
Ne kemi mësuar të krijojmë mjedisin, por jo jetën.
Ne i shtuam vitet jetës, por jo jetën viteve.
Ne udhëtuam në hënë dhe u kthyem,
por kemi drojë të kalojmë rrugën për të takuar fqinjin e ri.
Jemi pushtues të hapësirave të jashtme,
por jo të hapësirave të brendshme.
Ne kemi bërë gjëra të mëdha, por jo gjërat më të mira.
Ne e pastrojmë ajrin, por fëlliqim shpirtin,
ne e zotërojmë atomin, por jo paragjykimin.
Ne shkruajmë shumë, por mësojmë pak,
Ne thurim shumë plane, por realizojmë pak.
Ne kemi mësuar të ngutemi, por jo të presim.
Ne krijojmë shumë kompjutera, i mbushim plot informacione, prodhojmë më shumë kopje se kurrë,
por veç komunikojmë pak e më pak…
Kjo është koha e ushqimeve të shpejta
por e tretjeve të ngadalshme:
burrave të mëdhenj dhe e karaktereve të vogla,
përfitimeve të mëdha dhe marrëdhënieve të cekëta.
Këto janë ditë të dy rrogave në familje,
por më shumë divorce, godinave të hijshme,
por familjeve të prishura.
Këto janë ditët e udhëtimeve të shpejta,
hedhjes së pelenave, braktisjes së moralit,
një natemë qejfi dhe aq,
mbipeshës së trupit e tabletave
që mund të bëjnë gjithçka nga harendjellja,
të heshtin, të vrasin.
Është koha kur ka aq shumë mallra në vitrinë
e gjë prej gjëje në magazinë nuk ka.
Mos harroni, kaloni ca kohë me të dashurit tuaj,
sepse ata nuk do të jenë përreth përgjithmonë.
Jeta nuk matet me sasinë e frymëve që marrim,
por me çastet kur fryma ikën prej nesh.

 

Botuar për herë të parë në librin me esé: “Bukuri Shkodrane”, 2007-Kolec Traboini

Shqipëruesi: K. P. Traboini

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top