Recensë mbi tregimin «Këpucët» të Arlinda Gumës/Kujtim Drishti

in Letërsi/Tirana Review by

Jeta e vërtetë është shpesh ajo që ne nuk bëjmë-Oscar Wilde

 Kujtim Drishti    

                                    “Këpucët” 

Fill pas leximit të këtij tregimi të realizmit fantastik, pa e kuptuar akoma se si, ndjeva veten të pushtuar fort nga mesazhi i tij sublim, i cili më nxori menjëherë nga kujtesa fjalët e Oscar Wilde-it:

«Jeta e vërtetë është shpesh ajo që ne nuk bëjmë.»

Ndjeva sytë të njomur ndërkohë që mbushesha me frymë, duke menduar se ç’kam dashur e që nuk e kam arritur.

I habitur nga ky reagim imi u ktheva ta rilexoj për të kërkuar mjetet me të cilat ky tregim i shkurtër kishte arritur të më lëshonte këtë mesazh me kaq forcë (?)

Ëndrra si dëshirë dhe ëndrra e gjumit…

Ngjarja më e rëndësishme në këtë tregim ndodh në një ëndërr të vërtetë, në atë që ndodh zakonisht kur flemë gjumë. Por pavarësisht nga ideja që ne kemi se ëndrra është një iluzion, koherenca e saj në tregim akuzon ëndrrën-dëshirë si shkak themelor të ngjarjes.

Ёndrra e gjumit ka marrë gjatë historisë së njerëzimit dy funksione shumë të rëndësishme për jetën e njeriut e të shoqërisë. Në kohët e lashta ajo ishte një institucion që drejtonte njerëzit në paragjykimet dhe veprimet e tyre. Kështu Kassandra deklaroi se Parisi nuk duhej të kthehej në Trojë, sepse nëna e tij një ditë përpara se ta lindte kishte parë në ëndërr sikur kishte lindur një pishtar. Kjo është ndoshta kohë kur ëndrra filloi të përdoret edhe në artin e përrallës ose poemës.

Ёndrra i ka dhënë njeriut imazhe nga më sublimet, deri tek më makabret, që i tejkalojnë ato të realitetit.

Me zhvillimin e shkencave determinuese, ëndrra filloi të konsiderohet në mënyrë banale si një iluzion, pavarësisht se ajo është përfaqësuese e fizikës kuantike tek njeriu. Por këte fakt e ndiejnë vetëm artistët, të cilët nuk panë banalitetin e saj, por cilësinë e imazhit, simbolit e fantastikes, elemente që puqin ëndrrën me artin. Arti ka marrë aq shumë nga ëndrra, sa në njëfarë mënyre mund të themi se arti është një ëndërr.

Kështu ka bërë dhe Arlinda Guma në këtë tregim, mesazhet e të cilit dalin nga jeta e një gruaje që sheh një ëndërr. Por ëndrra e saj shpreh një nevojë të thellë të njeriut, nevojën për dashuri

Larg një tragjedie të rëndomtë, me një penë të lehtë, të shkathët, e në një tregim të shkurtër, autorja na konkretizon këtë të vërtetë të madhe të çdo njeriu; ai jeton në të njëjtën kohë dy jetë; atë që bën dhe atë që do të kishte dëshirë të bënte. Është jeta reale që i jep vlerë negative apo pozitive jetës së ëndrrës? Apo është jeta e ëndrrës që i jep këto vlera realitetit? Mesa duket të dyja kanë nevojë për njëra-tjetrën dhe lidhen fort në mënyrë të pashqitshme tek njeriu.

Duket sikur ëndrra e vërtetë, ajo që jetohet gjatë gjumit, ka tendencë të fshehë këto pyetje që i përkasin ëndrrës dëshirë (ende të parealizuar ose asnjëherë të realizuar) me banalitetin e saj, por në të vërtetë, vetë ëndrra në këtë tregim na bën të shtrojmë këto pyetje, sepse ajo vihet përballë realitetit me dy mjete simbolike të forta.

Këpucët dhe këmbët e zbathura…

Për të hyrë në jetën pa dashuri, në realitetin e ashpër, mbathen këpucë; simbol që mban mbi vete gjurmët e egra të këtij realiteti. Është në fakt e pamundur të luftosh për ëndrrën tënde pa u mbrojtur nga realiteti, pa mbathur këpucë. Por shpesh kjo mbrojtje na bën aq të dobët, sa të mos arrijmë ta kapim ëndrrën tonë.

Por të hysh në jetën që nuk bëjmë, që është një jetë më e bukur; «jeta e vërtetë», nuk ke nevojë për këpucë; aty hyn pa merak, me këmbët e zbathura që nuk duan t’ia dinë për realitetin, ato e «abstragojnë» atë siç e «abstragon» një somnambul që niset drejt rrezikut pa qenë i vetëdijshëm.

Këpucët e njeriut të zgjuar dhe e kundërta e tyre; këmbët e zbathura të somnambulit, janë metafora në një antitezë të fuqishme, mjete të gjetura instiktivisht nga artistja, e cila ndjen se ëndrra kërkon sakrificë, sepse jeta që nuk bëjmë është më e bukur.

Ëndrra dhe fundi i saj…

Kriza dhe zgjidhja krizës në këtë tregim bëjnë thelbin e tij dhe të dy të vërtetave në dukje të kundërta, që zhvillohen me shpejtësi dhe bien me forcë në receptorët interpretues të ndjenjave tona; ëndrra për të mbajtur jetën dhe ëndrra që përfundon në një vetëvrasje, kuptimi filozofik i së cilës është në koherencë totale me ëndrrën.

Gruaja e ndjen veten në krize kur konstaton se nuk mund të ëndërrojë më të bukurën ndjenjë të dashurisë. E ç’mund të jetë njeriu pa këtë ndjenjë?

Por tek ajo është krijuar një varësi totale nga kjo ndjenjë, saqë e kërkon edhe kur trupi nuk ia jep më mundësinë, e kërkon me një artific aq të tepruar sa i mbyll rrugën e ekzistencës: ajo nuk zgjohet më kurrë.

Përse e kërkon ajo me kaq insistim këtë ndjenjë?

Varësia nga ëndrra ? Kjo mund t’i japë një mësim ëndërrimtarëve dhe realistëve, por ajo është shumë e rëndomtë si përgjigje për pyetjen që bëmë më sipër.

Imazhi i zotërisë nuk ishte imazhi i Romeos, një njeriu konkret. Imazhi i tij ishte simbol që plotëson një nevojë humane. Dozimi i mjetit artistik është ralizuar saktë, i pagabuar.

Përgjigjia është shumë e thjeshtë. Është ajo që shpjegon edhe fundin e këtij tregimi: Pa dashuri nuk ka jetë.

Ky tregim godet fort substancën e një bote ku mbretëron interesi; realitetin tonë.

Gruaja nuk donte të vdiste, ajo donte të jetonte. Jetën e vërtetë, atë të këmbëve të zbathura, të cilat vishnin këpucët çdo mëngjes për të hyrë në realitet…

Francë, 11 Gusht 2018

Tregimin e gjeni këtu:

Këpucët-Arlinda Guma

2 Comments

  1. Me pelqeu shume lidhja qe behet me endrren dhe ate qe s’ndodh dhe kjo behet nje shtyse e forte per te lexuar dhe tregimin. Ashtu siç e gjej veten dhe ato qe une vete besoj se arti eshte nje enderr disi e prekshme dhe reale, qe behet perjashtues dhe njekohesisht gjitheperfshires te ekzistences dhe mos ekzistences. Ne art ashtu si ne jete mundemi te kuptojme se ndonjehere mos realizimi nuk eshte mohim, por pjesez e jetes ose e endrres.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top