Për këtë e krijuam teknologjinë?/Arlinda Guma

in A(rt)ktivizëm/Esé by

Jeta sot është një scroll i përhershëm pa ndalur askund. Diku në newsfeed të del para syve një fëmijë i plagosur nga tërmeti, ndien keqardhje për të në të mijtën e sekondës, por më poshtë një friend ka bërë një batutë që të shkul së qeshuri! Për një sekondë njeriu i ri teknologjik kalon nëpërmjet scroll-it nga një gjendje emocionale në tjetrën, si një pacient bipolar.

 

    Arlinda Guma

Të gjithë e pamë furinë e zemërimit me të cilën këngëtari i ri Blanco shkelmonte dekorin e trëndafiltë të Teatrit Ariston gjatë Festivalit të Sanremos, 2023. Them se ai është akti më revolucionar dhe më dinjitoz që një artist mund të kryejë!
(Në të vërtetë, kushedi sa herë edhe unë e kam kryer në mendjen time atë akt, në eventet e shpëlara dhe primitive letrare të Tiranës. Ndaj e kuptoj mjaft mirë zemërimin e tij. E ç’duhet dekori luksoz rrotull, nëse këngëtari nuk arrin ta performojë siç duhet këngën e tij prej një pakujdesie teknike?)

Në Festivalin e Sanremos këtë vit i ishte kushtuar aq shumë vëmendje dukjes, ekzibicionit, provokimit, saqë ishte harruar që aty duhej edhe të këndohej ndonjëherë.
Ai djalosh ia kujtoi këtë establishmentit muzikor italian me protestën e tij rinore dhe gjenuine. Nuk qenë thjesht shkelma ndaj një dekori; qenë sbkelma ndaj dukjes, fasadës, cektësisë së përgjithshme, kësaj patalogjie të rrezikshme që ka pushtuar gjithë shoqërinë globale. Ata shkelma i kujtuan establishmentit muzikor italian se në një festival kënge, parësi duhet të ketë kënga, këngëtari dhe jo ekzibicionizmi bosh.
Për të gjithë ne që jemi rritur me Rai-n është një trishtim i madh që një stacion shtetëror serioz dhe prestigjoz italian të katandiset deri këtu. Është i trishtë fakti sesi, për të rritur numrin e ndjekësve, ky televizion fton në këtë festival emblematik njerëz pa asnjë kontribut shoqëror: influencerat! (Një personazh në romanin tim të fundit shprehet kështu për influencerat: “Në kohën time influencer i thoshin një mendimtari që i kishte kaluar të njëqindat, ndërsa sot i thonë një adoleshenti që ha akoma gëlqere.”)
Dhe gjëja më groteske ishte se, pas aktit gjenuin të këngëtarit të ri, i cili, me të drejtë mori mjaft vëmendje nga mediat dhe rrjetet sociale, të gjithë të tjerët në atë festival u vunë në garë si e si të shkaktonin ndonjë skandal për të marrë vëmendje edhe ata! Një kërkim i sforcuar!


Një influencere (Chiara Ferragni), që një Zot e di se çfarë infuencon, doli në skenë me veshje ku ishin shkruar fyerjet në rrjetet sociale. Pastaj ngriti dhe gishtin për t’u thënë komentuesve se nuk i bëhej vonë për ta. Kështu që e mori edhe ajo vëmendjen e kërkuar me aq sforcë; rriti numrin e followersave; të saj, të prezantuesit Amadeus dhe të vetë festivalit. Sepse, tekefundit, për këtë punë e kishin ftuar në festival. Sepse Rai, ky stacion i dashur, që na edukoi edhe ne shqiptarëve me shijen e muzikës së mirë, deri këtu është katandisur. A mund të quhet akti i saj revolucionar? Kurrsesi jo. Gjesti i saj mbetet thjesht një ekzibicion sipërfaqësor. Çfarë ka bërë për njerëzimin ky njeri që meritoka kaq nderime?
Dhe gara e skandaleve vazhdoi.
Në skenë u ngjit Rocio Muñez, aktore dhe prezantuese, por që më shumë njihet si e dashura e aktorit Raul Bova, e cila e puthi prezantuesin në buzë, ndërkohë që bashkëshortja e këtij të fundit ishte ulur në rreshtin e parë të sallës së Teatrit Ariston. Kushedi sesi është ndier ajo kur e ka parë skenën… apo i dashuri i puthëses…


Pastaj erdhi puthja “pasionante” midis Fedez-it dhe e Rosa Chemical…

Hëm…. Asgjë e jashtëzakonshme! Followersat vijnë të parët, ata vijnë para dinjitetit të njeriut që ke në krah. Në gojët e tyre të etura duhet hedhur ndonjë skandal, qoftë ky edhe i sajuar…
Por, unë nuk u ula t’i shkruaj të gjitha këto për të analizuar një festival që tekefundit realizohet në një vend tjetër. U ula të shkruaj sepse diçka tjetër më shqetëson në shoqërinë ku bëj pjesë.
Mënyra sesi teknologjia po e modelon personalitetin e njeriut në ditët e sotme është e frikshme. Është një garë e çmendur për sensacion atje jashtë. Njerëzit puthin njerëz që nuk i duan për të rritur numrin e followersave. Lidhen me njerëz që nuk i duan sepse diçka e tillë do t’u sigurojë famë, emër në shoqëri. Përpiqen të impresionojnë me sukseset e tyre individë në rrjetet sociale, të cilët thellë-thellë i urrejnë. Kur kanë marrë një lajm të lumtur nxitojnë ta shkruajnë në rrjetet sociale, t’ia plasin fytyrës lumturinë e tyre njerëzve që nuk i duan dhe që i vëzhgojnë heshturazi. (Kanë harruar tashmë të pyesin veten se me cilin person duan me të vërtetë ta ndajnë atë lajm. Sepse lumturia nuk ka pikë kuptimi po nuk e tregove në rrjetet sociale, apo jo? Dhe duke u munduar ta tregojnë sa më mirë atje këtë lumturi, harrojnë ta përjetojnë vetë dhe pastaj ajo ikën dhe u lë shëndenë…) Kur ndihen të frustruar, të zymtë dhe të trishtë, i lajnë rrobat e palara në wall-in e facebook-ut. A thua se ai është divani i psikologut apo i psikiatrit…
Unë nuk e di nëse shkencëtarët kanë bërë ndonjë studim për IQ-në e njeriut para dhe pas rrjeteve sociale. Por them se ajo duhet të jetë ulur ndjeshëm me mbërritjen e tyre.
Dhe vetiu të lind një pyetje: Me të vërtetë për këtë e krijoi njeriu teknologjinë? Për këtë lloj idiotizmi? Po pse u mundua aq shumë tekefundit? Në të vërtetë njeriu e krijoi teknologjinë që ajo të vihet në shërbim të tij dhe t’ia bëjë jetën më të lehtë. Por duke qenë se ky krijim erdhi në një botë kaotike, të cilës ai i ishte i panjohur, munguan rregullat, ligjësitë, mungoi vigjilenca, mungoi vetëmbrojtja. E kështu, ky krijim, i dobishëm në konceptin utopik, i doli duarsh dhe tashmë po ndodh e kundërta; njeriu, vetë ai që e krijoi, është vënë në shërbim të teknologjisë. Në shërbim të plotë të saj.
Askush nuk na paralajmëroi për këtë. Në shkolla sot fëmijët mësojnë sesi ta përdorin teknologjinë, por nuk ka asnjë lëndë mësimore që t’u mësojë sesi ajo të mos t’i përdorë ata. 
Në të vërtetë, teknologjia, rrjetet sociale, kanë krijuar një refleks të kushtëzuar edhe në marrëdhëniet e dashurisë. Nëse pyet sot individë të divorcuar për arsyen e divorcit të tyre, ata do të të kthejnë të gjithë të njëjtën përgjigje: “U konsumua marrëdhënia!” Është e çuditshme sesi fjala “konsum” ka zaptuar sot gjithçka në psikikën e shqiptarit përjetësisht tranzicional. Për shembull, shqiptari sot nuk thotë “piva një kafe”, por thotë “konsumova një kafe”. Sepse në pavetëdijen e tij gjithçka është bërë e konsumueshme; si kafja, si një marrëdhënie dashurie. A thua se njerëzit janë mallra!
E kështu edhe marrëdhëniet e dashurisë janë kthyer sot si ato statuset që na dalin në newsfeed-in e facebook-ut, me vlerë vetëm 24 orë, të cilave shumica u lexon vetëm rreshtin e parë dhe pastaj kalon e babëzitur te statusi tjetër; ku edhe atij tjetrit i lexon vetëm rreshtin e parë… “I lexon” vetëm rreshtin e parë një marrëdhënieje dashurie; një vëllimi të tërë, dhe kaq mjafton që ta quajë “të konsumuar”, për të rendur te tjetra… dhe kështu vazhdon në pambarim…
Në një uri të vazhdueshme për të gjetur “të pakonsumueshmen” e pagjetshme… Teknologjia, rrjetet sociale, kanë kontribuar mjaft për t’ia ulur njeriut përqendrimin; dhe ai sot nuk thellohet më në asgjë. As në çështjet e tij më jetike. Jeta sot është një scroll i përhershëm pa ndalur askund. Diku në newsfeed të del para syve një fëmijë i plagosur nga tërmeti, ndien keqardhje për të në të mijtën e sekondës, por më poshtë një friend ka bërë një batutë që të shkul së qeshuri! Për një sekondë njeriu i ri teknologjik kalon nëpërmjet scroll-it nga një gjendje emocionale në tjetrën, si një pacient bipolar. 
Ky është ai modelimi i heshtur, i vazhdueshëm, i rrezikshëm, më i rëndë edhe se një katasrofë natyrore. E gjithë kjo është e frikshme, por edhe më e frikshme është cenueshmëria jonë dhe lehtësia për t’u manipuluar. Mungesa e rezistencës.
Në të vërtetë, sot botës nuk i nevojiten followersat, aq sa i nevojiten njerëzit që punojnë tokën, që kanë kontakt të drejtpërdrejtë me natyrën, zanatçinjtë e urtë, vullnetarët që ndihmojnë njerëzimin për kapërcimin e katastrofave natyrore… Por mbi të gjitha, sot botës i duhet më shumë shpirtësi… Robërimi prej teknologjisë i ka tharë shpirtrat njerëzorë, ka nxitur vanitetin, mendjelehtësinë, arrivizmin dhe një lloj megallomanie të rrezikshme.
Më kujtohet një thënie inteligjente e Jim Carrey-t. Gjithkush në këtë botë duhet të bëhet i famshëm, sepse vetëm kështu do ta kuptojë se fama nuk është përgjigjia…
Por them se deri sa ta kuptojë këtë, do të kemi breza të tërë që do t’i martirizohen teknologjisë…
Kam lexuar dikur një lajm për një turiste bullgare që donte të bënte një selfie me një mjelmë. Ajo e kapi shpendin e gjorë dhe e tërhoqi aq shumë sa mjelma ngordhi…
Jam e sigurt që numri i followersave të saj u rrit përbindshëm…

12 Shkurt, 2023

©Arlinda Guma

Arlinda Guma është autore e tre romaneve: “Bulevardi i Yjeve”- 2014, “Terma humanitarë si fjala bombardim”- 2016, dhe “Bob Legjenda” – 2021. Ajo është krijuese e faqes defekt-teknik.com.

Imazhi: “No Followers”, Banksy Stret Art.

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top