Szymborska e kishte zakon të mos vendoste pikë në fund të vargjeve dhe asistenti i saj gjithmonë ia korrigjonte poezitë duke ia shtuar ato. “Libri i saj i fundit përmban shumë pika nga të miat. Ky ishte kontributi im për poezinë polake”, thotë ai me një autoironi të këndshme. Shpesh ata e kishin zakon të bënin humor me njëri-tjetrin se ndonjë ditë ai mund të botonte një libër me përmbledhje të pikave të tij më të zgjedhura.
Arlinda Guma
Sa herë që përkthej një poezi të poetes polake Wislawa Szymborska, them me vete: “Kjo është poezia e saj më e mirë!” Por nuk kalon pak kohë, gjej një tjetër poezi të saj dhe serish përsëris: “Kjo është poezia e saj më e mirë!”
E kështu, ndërsa zhytem herë pas here në përkthimet e poezive të saj, është bërë një varg i gjatë e i bukur me “poezitë e saj më të mira”.
Në të vërtetë të gjitha poezitë e saj janë të përkora, kjo poete gjithmonë ka ditur t’i ruajë lartësitë.
Por, si e arrinte ajo këtë përsosmëri?
Wislawa Szymborska ka shkruar gjithsej 350 poezi gjatë gjithë jetës së saj. Ndokujt do t’i duken pak për një jetë të tërë. Por ajo botonte një libër të ri një herë në 6 apo në 7 vjet. (Përfytyroni tani poetët shqiptarë që shkruajnë poezi përditë, ndonjëherë edhe dy-tre në ditë. E çfarë i kanë ata 350 poezi? Aq do t’i shkruanin vetëm për një vit.)
Një poezi, për të cilën nuk ishte e sigurt, poetja e mbante gjatë në sirtar, me muaj të tërë, ndoshta edhe me vite. Një poezie të vetme ajo i shkruante me dhjetëra versione dhe me kalimin e kohës zgjidhte më të mirin. Në të vërtetë skrupuloziteti i punës së saj është lehtësisht i dallueshëm; vargjet janë të skalitura, të dendura me mendim, fuqishëm fshikulluese, thellësisht ironike.
E midis shumë poezive të saj të përsosura, dua të ndalem te njëra që e kam mjaft për zemër: “Kampi i urisë në Jaslo”, sepse më ka tronditur aq shumë kur e kam lexuar për herë të parë dhe kur më pas fillova ta përktheja.
Teknika e ndërtimit të kësaj poezie është e jashtëzakonshme. Poezia hapet me një dialog (midis dy historianësh ndoshta, apo midis një historiani dhe një gazetari) mbi atë që ka ndodhur në një ish-kamp të burgosurisht në Jaslo, në jug të Polonisë. Lindur në vitin 1923, Wislawa Szymborska u bë dëshmitare e tmerreve të nazizmit. Ajo ishte vetëm 16 vjeç kur Gjermania naziste pushtoi Poloninë në vitin 1939. Në poezinë “Kampi i urisë në Jaslo” folësit apo zhvilluesit e dialogut, e studiojnë ngjarjen thjesht si një pjesë mekanike të profesionit të tyre, si një punë rutinë, pa kurrfarë emocioni. Ata janë aq të ftohtë dhe teknikë në përshkrimin e asaj që ka ndodhur në atë kamp përqendrimi, saqë lexuesi dalëngadalë fillon të ndiejë indinjatë ndaj dialogut të tyre. Me një teknicitet inxhinierik, historianët flasin për numrin e rrumbullakosur të viktimave, se ku ato prehen, etj, dhe pikërisht këtu qëndron edhe çelesi i suksesit të kësaj poezie. Sepse sa më i ftohtë, shpërfillës dhe i largët bëhet përshkrimi i kësaj ngjarjeje prej tyre, aq më shumë rritet empatia tek lexuesi.
“Shkruaj, nuk e di, historia i numëron skeletet e saj në numra të rrumbullakosur.”
Qysh në këto vargje të para, poetja fshikullon historinë dhe përgjithësimet e saj të pandjeshme:
“Është një livadh i madh, sa bar për secilin?”
Cinizmi këtu është në shkallën më të lartë, dhe ai e ka një qëllim; ta bëjë lexuesin të reagojë.
“Dhe livadhi është i heshtur si një dëshmitar i rremë”
Poetja rebelohet ndaj gjithçkaje, edhe ndaj qetësisë së natyrës… Si mundet të jetë aq i qetë ky livadh që mban në barkun e tij aq kobe?
Duket sikur poezitë e Wislawa Szymborska-s nuk përshkohen nga ndjenja dhe emocione, por, ashtu siç mund të vërehet edhe në këtë poezi, poetja shfrytëzon me sukses kontrastin midis dialogut të ftohtë të historianëve dhe ngjarjes tejet të dhimbshme, për të na zbuluar një humanizëm të thellë e një empati të madhe, të cilën ajo nuk e bërtet, por e maskon hijshëm.
Aty pranë, një pyll i drunjtë për t’u përtypur dhe me ujë nën lëvore –
çdo ditë një racion të plotë të pamjes derisa të verbohesh. Sipër, një zog
Poetja kërkon dëshpërimisht elemente të ndryshëm në natyrë, sikur të dojë të ndryshojë finalen e historisë dhe t’i ushqejë të burgosurit me ç’të mundet…
Natën, hëna e drapërt shkëlqente në qiell
dhe korrte grurë për bukën e tyre.
Duart vinin duke u zhvendosur prej ikonave të nxira,
gota boshe në gishtat e tyre.
Në një hell teli me gjemba,
një burrë rrotullohej.
Këto vargje kanë një bukuri të frikshme. Gjithçka në këtë sfond është ngjyrosur me një atmosferê psikedelike.
Ata këndonin me gojët plot me dhé.
“Një këngë të bukur sesi lufta godet
drejt e në zemër.”
Dhe makabriteti i dy vargjeve të parafundit, që janë edhe pika më e lartë dhe më kulminante e tragjedisë, shuhet papritur nga dialogu i ftohtë, përmbyllës, i historianëve:
Shkruaj: Sa qetësi.” “Po.”
I jam kthyer e rikthyer shumë herë kësaj poezie… dhe të gjitha herët më ka tronditur, por edhe mahnitur prej teknikës së lartë. Një teknikë të tillë, të jashtëzakonshme e të ngjashme kam vërejtur edhe te poezia tjetër e saj “Vietnam“, edhe në atë poezi Szymborska shfrytëzon kontrastin për të ngjallur empatinë e lexuesit. Të dyja janë poezi të mëdha, ashtu sìç është i madh i gjithë arti i saj.
Do ta quaja poezi mendimi pooezinë e Wislawa Szymborska-s. Gjatë përkthimit të poezive të saj nuk kam dashur t’i zbukuroj fjalët që ajo zgjedh, sepse poetja nuk i përket kategorisë së poetëve që krijojnë poezi me tingullin apo ritmin. Ritmi i Szymborska-s është vetë pesha e mendimit. E kam hasur poezinë e saj të përkthyer nga përkthyes që e zbukurojnë panevojshmërisht vargun e saj, që përpiqen ta ëmbëltojnë mendimin e saj të rëndë dhe kjo më duket tërësisht e gabuar. Një guxim i pavend që vjen nga mosnjohja dhe nga mosthellimi në studimin e poezive të saj. Stili i kësaj poeteje është i rëndë plumb, ai nuk mund të zbukurohet, përndryshe nuk do lexonim Szymborska-n, por një version të shëmtuar të saj. Për të mos përmendur faktin që të tjerë përkthyes shtojnë dhe diçka nga vetja, të cilën ajo nuk e ka thënë kurrë. Për shembull, versione tërësisht jokorrekte të poezive të saj kam gjetur në gjuhën italiane, i kam krahasuar me ato në gjuhën angleze dhe më ka rezultuar se versionet anglisht janë shumë më të mira dhe më besnike ndaj origjinalit.
Poezia e Wislawa Szymborska-s qendërzohet nga fabula, ajo flet per diçka te prekshme; një ngjarje e ndodhur më parë apo që është duke ndodhur. Ajo nuk bën lojëra fjalësh që në fund nuk të lënë gjë në mendje. Fabulat e poezive të saj të mbeten në mendje gjatë, ato janë të punuara si nga një artizan me përvojë. Çdo gjë gatuhet me një masë elegante në poezinë e saj.
Szymborska të fton të shohësh me vëmendje të veçantë; sende, dukuri dhe ngjarje, që në jetën e përditshme ti nuk u kushton kurrë interes dhe pastaj kur sheh se me to ajo ndërton poezi të mrekullueshme, sikur të zgjerohet shikimi për t’i parë edhe ti në atë imtësi dhe denduri njëherazi që i sheh edhe ajo. Poezia e Wislawa Szymborska-s ka një stil lojcak brenda një inteligjence të rrallë dhe peshës së madhe të fjalës. Shënjestra e vargjeve të saj është e përllogaritur me saktësi snajpereje (nëse do të përdorja një metaforë të saj nga poezia “Urrejtja”.) Edhe kur flet për gjërat më të errëta e më të dhimbshme, ajo të lë gjithmonë një buzëqeshje në cepin e buzës.
Pas nderimit me Çmimin Nobel, poetja u tërhoq edhe më shumë në botën e saj, ajo kurrë nuk kishte pëlqyer të jepte intervista. E dëshmon këtë edhe një poezi e saj me titull “Shtëpia e një njeriu të madh“, ku ajo rrëfen nëpërmjet atij maskimit të hijshëm tipik që u bën emocioneve, sesi “dhunohet” intimiteti i këtij njeriu, sesi “dhunohen” ditarët e tij kur u ekspozohen vizitorëve të panjohur. Poetja jetonte në një apartament të tipit sovjetik në Krakow, gati në anonimitet, por gjithçka ndryshoi pasi fitoi Çmimin Nobel. Ashtu, në përulësinë e saj, Szymborska u trondit shumë nga ajo ngjarje që i prishi rutinën e këndshme të jetës, saqë për vite të tërë pas kësaj nuk shkroi dot më poezi. Ajo u nderua me Çmimin Nobel në vitin 1996 dhe për katër vjet muk mundi të shkruante. Për fat të mirë ajo iu rikthye poezisë në vitin 2000. Ajo punësoi një asistent, vetëm për pak kohë, disa javë pasi u nderua me Çmimin Nobel dhe ai përfundoi duke e bërë atë punë për 15 vjet. Ai rrëfen sesi Symborska i kërkoi t’i jepte përshtypjet për poezitë që ajo shkruante. “Nëse do t’i kritikosh do më lëndosh“, i tha ajo, “por nëse do më lavdërosh nuk do të të besoj”. Szymborska e kishte zakon të mos vendoste pikë në fund të vargjeve dhe asistenti i saj gjithmonë ia korrigjonte poezitë duke ia shtuar ato. “Libri i saj i fundit përmban shumë pika nga të miat. Ky ishte kontributi im për poezinë polake”, thotë ai me një autoironi të këndshme. Shpesh ata e kishin zakon të bënin humor me njëri-tjetrin se ndonjë ditë ai mund të botonte një libër me përmbledhje të pikave të tij më të zgjedhura.
Szymborska, ashtu si të gjithë njerëzit e mençur që e çmojnë privatsy-në, është shprehur se promovimet e librave të saj kanë qenë një torturë e madhe për të dhe se gjithçka që njerëzit duan të dinë rreth saj ajo e ka thënë në poezi. Madje një herë që pranoi të bëjë një shfaqje publike, ajo mblodhi një numër aq të madh njerëzish, që edhe një pop star do ta kishte zili.
Wislawa Szymborska është poetja e preferuar e regjisorit Woody Allen, madje nuk është çudi që ai duhet të jetë ndikuar nga letërsia e saj për filmat e tij. Mëse e kuptueshme. Të dy ata kanë përdorur një lloj humori të zi për të fshikulluar botën. Woody Allen ka thënë në një dokumentar për të të vitit 2010, të titulluar: “Ndonjëherë jeta është e durueshme”, se: “Ajo është në gjendje të kapë pakuptimësinë dhe trishtimin e jetës, por ende të mbetet disi pozitive”.
Unë do të thosha se ajo ka një shikim universal mbi botën dhe njerëzit dhe ky nuk është një këndvështrim gjinor. Është sikur ta ketë parë botën nga një planet tjetër, një shikim si nga një krijesë jashtëgjinore.
Akademikët e Çmimit Nobel kanë thënë për të: “Për poezinë që me saktësi ironike lejon që konteksti historik dhe biologjik të dalë në dritë në fragmente të realitetit njerëzor” dhe: “Ajo përdori imazhet e përditshme për të reflektuar të vërtetën e madhe në poezitë e saj – një qepë, një mace – për subjekte të mëdha të jetës si dashuria, vdekja, koha që kalon”.
Po kjo Akademi e ka cilësuar poeten si Mozartin e poezisë, por edhe me pak furi prej Bethoveni.
Ndërsa një gazetë italiane e ka quajtur atë “Greta Garboja e poezisë”.
E për mua, admiruesen e poezisë së saj, ajo mbetet poetja më e fuqishme që ka patur civilizimi botëror. Dhe më vjen mirë që e gjithë kjo fuqi, botës i erdhi prej një gruaje.
©Arlinda Guma
19 Korrik, 2021
_________
Poezinë “Kampi i Urisë në Jaslo” e gjeni këtu: