Lutja-Georgios Kordis

in Letërsi by

Lutja-Georgios Kordis

 

E dënuan. I dhanë dënimin më të tmerrshëm
që mund t’u shkonte ndër mend.
E futën në një qeli katrore,
të bardhë dhe të zbrazët.
Si fillim e pati shumë të vështirë,
më pas e përqendroi shikimin
tek cepat dhe këndet e mureve,
ku nisi të shquante largësitë,
mungesat dhe pranitë,
dhe kjo e qetësoi.
Kur e kuptuan,
e zhvendosën në një qeli të bardhë
në trajtë sfere,
pa asnjë cep apo kënd në mure.
Ai hoqi rrobat
dhe me to caktoi kufij,
krijoi sërish largësi dhe përmasa.
Më pas ia hoqën rrobat,
e lanë të zhveshur
në qelinë e bardhë në trajtë sfere.
Gjakosi dorën
dhe me gjakun e vet
krijoi sërish një botë me kufij
dhe jetonte në atë botë të kufizuar.
Ata, të dëshpëruar, i fikën dritat,
që të mos shihte,
që të mos kish mundësi të sajonte këso gjërat.
Atëherë, në atë errësirë të plotë,
i mbeti vetëm lutja
dhe prania e atyre që dashuronte
e mbushi me gëzim.
Dhe në atë vetmi të plotë,
qenë të shumtë ata që dashuronte.

 

Perktheu: Stefan Zhupa

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top