SHTËPI NË PEMË- JORGOS PREVEDHURAKIS
Prapa kodrave nuk ka jetë
prapa kodrave
është vetëm shajnia e saj,
veli, manteli, shamia
diçka që e merr era, gjithsesi,
ka greva dhe pamflete akademike
për rolin e grevëthyesve në shoqërinë moderniste,
tortura të klasifikuara, zoologji, piano me bisht
dhe një keqkuptim masiv
që kundërmon si faqja e foshnjës
rreth së cilës mblidhemi të gjithë,
ka v e p r i m t a r i dhe ujë me vitamina,
kureshtje trupëzuar me macet e ngordhura,
kontribute vjetore dhe ushtrime për kofshët,
kirurgji prostetike – pendesa, jahte piktoreske,
natyrë hyjnore si tablo
prapa kodrës ndodhet nisma e re e bashkisë
azot me përmbajtje silikoni, depozita metani, gjurmë kromi në ushqim,
“mos u shqetëso”, ka matës të veçantë për gjithçka,
dëmtueshmëri me gjithë tentakulat e saj – a b r a z i o n,
ka frikëra si “fëmija ka të nxehtë” ka termometër me zhivë
ka “këto janë të besueshme, jo elektroniket”,
“komentoni lirshëm” dhe “më mirë mos themi gjë”,
36 orë më këmbë dhe 754 shkallare
(me gjithë dukuritë
nuk ka karrige për çdonjërin prej nesh
as ashensor që na nxë të gjithëve)
një gjë është e vërtetë:
prapa kodrave ka shumë urrejtje
urrejtje e trashë
si pambuku në skenën e Krishtlindjes,
mëhallat përballë që vezullojnë në mjegull
brenda cingos së përvëluar nga blasfemitë e qashtra,
ka discourses, shumë discourses
për çdo blegërimë dhe nga një discourse, palestra nëntokësore
shenja të gardhuara – fara misri për klloçkat
ka – mirë e gjete – h i d h ë r i m e
(hidhërime sa s’t’i kanë parë sytë
hidhërime – si jeta që e ndeze nga ana e filtrit,
vite të athëta, protokolle terapie, ka
“s’po të mbaj, se ngutesh”
hidhërime për të gjitha shijet)
marshe mortore dhe violina të akorduara mirë
taksë zero, rendimente të larta në X,
zverqet e përparimit në çengelet e tyre,
kushërinj të largët që të mendojnë teksa mallkojnë dhe skuqin patate,
ka një darë ortodokse që të lidh mendjen me zinxhirë
kurse lista e çmimeve ta pluhurzon,
dhe një minoritet i heshtur që pret një prokurë të thjeshtë
që “të zgjidhë çështjen e vet”,
je dhe ti që kontrollon pijen dhe pija që, natyrisht, të kontrollon ty,
prapa kodrave nuk ka jetë
ka të panjohura si të thëna mijëra herë,
sharra hekuri institucionale, torno dhe trepanë të galvanizuar,
komisione të së vërtetës, ceremoni miqësimi, “Diga pa dhimbje”, amnisti ndërkombëtare
– edhe nga këto ka – ajo çka kundrohet me qepallat e skleposura
në një aerodrom të pafundmë, të verdhë – p o r t o f o l e m i n i s t r a s h,
drita të paepura hoteli, dezinfektim, valëzim të platinit,
një perde e hapur që të recitojë Gogun[1] me maskarë të zezë në sy
çdo shkërdhatë emëruar nga lart,
atje ka, gjithashtu, edhe zbrazëti, me gjithë ata që ulërijnë më kot në të,
shkretëtirë dhe mjegull, brohorima, lajka,
rrëqethje të befta në tempujt e ithit,
klaustrofobi dhe “tani ç’do të bëjmë?” “thirre zjarrfikësen”,
rrotullime të rregullta, dobishmërinë tënde të skajshme, specializim,
gjysmëkuvende në darka smirëzinjsh, vaj tartufi dhe vaj hashashi,
ka shumë vetë që flasin me buzë të shtrënguara
brenda një uturime të huazuar;
je dhe ti që përsëritesh, përsëritesh, përsëritesh————-
ka shumë nga ata që koleksionojnë monedha të rralla;
po edhe më shumë nga ata që pesë grosh u bën
o k a
prapa kodrave nuk ka jetë
është vetëm idhulli i saj
hija, pasqyrimi, jehona
diçka – në fund të fundit – mbetur peng
ndaj dëshirave të greminës dhe të pasqyrës,
ka skena për të qara
dhe një pjatë ushqim që hahet bashkë me pjatën
dhe ata që hanë mishrat e tyre për çdo thërrime që tepron,
malin Ararat dhe katër doracakë që shpjegojnë si t’i ngjitesh,
miqësi dhe një depozitë vigane përqafimesh
si dhe një thikë e gatshme për shpinën e gjithkujt,
thikë gustoze, lëbyrëse,
“gjej diçka më të goditur—për thikat kanë shkruar shumë”,
janë dukuritë që, siç thuhet, mashtrojnë
dhe “çfarë nuk është ar… nuk na bën, zotëri… nuk na bën punë”
ka – mirë të shkoi mendja – që shqiptohen shumë, me zemër të lehtë,
të rinj që rriten në shoqëri, rrotull familjeve të ngrohta,
nën një gijotinë————-
——-jetë familjare batanije për një abis,
gësterrë prerë hollë, iniciativa bamirëse
ka “pasuria e të varfërve”, dhe “kënaqësitë e thjeshta të përditshme”;
dhe “ç’do të ishim, pa këto?” dhe [duke rënkuar-në kor] “asgjë s’do të kishim qenë,
sigurisht” – je ti që vuan në heshtje – ti që vuan mbytazi, ti që
dikush të bindi se gjithmonë ke për të vuajtur-hordhi pelegrinësh drejt luginës së
Kanaanit me kuponë uljesh çmimi, përgënjeshtrimi (me-ose-pa-lot)-kuti të zeza-
“të shijshme”-“plot tigani”;
je edhe ti që më kujton vetëm kur je i lumtur
edhe ti që vetëm më mban larg
thonjtë e kafshuar të pritjes-sa e paduruar turp de-të presësh,
je dhe ti që u katandise ta tejkaloje pak detyrën
dhe ende rri hundë e buzë,
jam dhe unë që dalëngadalë u mësova, dalëngadalë u mësova, dalëngadalë…
prapa kodrave
nuk ka jetë
është fantazma, profili, portreti i saj,
dhe – që ta mbyllim –
i ngjan.
Jorgos Prevedhurakis (Γιώργος Πρεβεδουράκης) ka lindur në Athinë më 1977, ku edhe banon. Është autor i katër përmbledhjeve me poezi: Στιγμιόγραφο (2011), Κλέφτικο (2013), Οδός Ρόδων (2018), Χαρτάκια (2019). Ka përkthyer dhe përgatitur dy antologji të poetit gjerman Hans Magnus Enzensberger: History of Clouds and Other Poems (2016) dhe Defense of the Wolves and Other Poems (2019).
Shkëputur nga: Antologji e Poezisë Bashkëkohore Greke, përzgjedhur dhe përkthyer nga Sokol Çunga, Shtëpia botuese BERK, Tiranë, 2021, fq. 323-331.
[1]KaterinaGogu (1940 – 1993), aktore, poete dhe aktiviste, e njohur për personalitetin pa kompromis dhe poezitë jokonvencionale.