Izmir-Tinka Kurti

in Letërsi/Tharm by

Izmir-Tinka Kurti

 

Quhem Izmir
Jam fëmija imagjinar i nënës sime
emrin e mora prej një romi
dashnor i saj
kur ishin gjashtë vjeç,
nëna më tha se poezia është pështjellim fjalësh
babai më dha sallatat e ngrohta të hamburgerëve
të globalizmit
mërzinë e mësova vetë
dhe iu thashë
vuajtja s’është, pos përpëlitja e lindjes së poezisë
mendova gabim
pasthirrmat janë fjalët e vetme të vërteta
e frazat e shkruara mes luftrash
marrin vlerë pa të drejtë
lufta është e përditshmja
me zotat e ndërgjegjes
quhem Izmir
dhe emri është një shpagim i historisë njerëzore
nëna ime humbi shumë kohë në redaktimin
e letrës së vetëvrasjes
s’e vrau as poezinë
jetoi me mallkimin që e refuzoi romin sepse ishte i zi
të dy do të ishin vrarë rrugës
sikur të kishte pirë ujë nga duart e tij
nën një mal me gështenja
ose do të bënin kurora me ujë ujëvare
dhe kurrë nuk do t’ia mësynin parajsës
quhem Izmir,
s’ka rëndësi sa vjeç
para meje ishte një Izmir tjetër
me alamet sy
me mimikë shumë të gjallë
mirësinë e mori me vete në fatin rom
quhem Izmir
nëna ime nuk bëri asnjë hap
për të flakur tutje asnjë emocion
nga dashuria për Izmirin
lotët i ngacmon me pamje të lajmeve ndërkombëtare
quhem Izmir,
jam pendesa e nënës sime
quhem Izmir
nuk më pëlqen Z-ja në emrin tim
nuk ka zonja e zotërinj në qenien time
nuk ka emocione të drunjta
ka përçmim për ata që iu frikuan fundit
ka veç kujtime si inçizime të turbullta
quhem Izmir
jam zemërgjerësia e babait tim
magjepsja e grave me sytë e zi
jam një poezi e mjegullt
rivale e festivaleve
ma gjasë jam analfabet
por di që poezia është një vdekje e vogël
vargu i saj i fundit
është çasti pasorgazmik
nuk jam purgator
jam hapësira në mes dy të dashuruarve

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top