Pse kaq pak burra lexojnë libra nga gratë shkrimtare?/MA Sieghart

in A(rt)ktivizëm/Feminizëm/Letërsi by

Pavarësisht nëse është Austen-i apo Atwood-i, Brontetë apo Fitueset e Çmimit Booker, të dhënat tregojnë se burrat hezitojnë t’i lexojnë autoret gra – dhe kjo sjell ndërlikime në botën reale.

        MA Sieghart

 Përktheu: Arlinda Guma

Rreshti në krye të kësaj pjese lexon MA Sieghart, jo Mary Ann. Pse? Sepse me të vërtetë dua që edhe burrat ta lexojnë. Autoret gra ndër shekuj, nga Motrat Bronte te George Eliot-i e deri te JK Rowling, janë ndier të detyruara ta maskojnë gjininë e tyre për të bindur djemtë dhe burrat që ata t’i lexojnë librat e tyre. Por tani? A është me të vërtetë ende e nevojshme? Përgjigjia e trishtë është që po.
Për librin tim “The Authority Gap“, i cili analizon pse gratë ende merren më pak seriozisht se burrat, unë kërkova në Nielsen Book Research për të gjetur saktësisht se kush po lexonte çfarë. Doja të dija nëse autoret gra jo vetëm konsiderohen thjesht me më pak autoritet se burrat, por nëse në radhë të parë ato lexoheshin nga burrat Dhe rezultatet konfirmuan dyshimin tim se burrat nuk kishin mundësi proporcionale qoftë të hapnin madje një libër nga një grua.
Për 10 autoret kryesore gra më të shitura (që përfshijnë Jane Austen dhe Margaret Atwood, si dhe Danielle Steel dhe Jojo Moyes), vetëm 19% e lexuesve të tyre janë burra dhe 81%, gra. Por për 10 autorët kryesorë burra më të shitur (që përfshijnë Charles Dickens-in dhe JRR Tolkien-in, si dhe Lee Child-in dhe Stephen King-un), ndarja është shumë më e barabartë: 55% burra dhe 45% gra.
Me fjalë të tjera, gratë janë të prirura të lexojnë libra nga burrat, por shumë më pak burra janë të prirur të lexojnë libra nga gratë. Edhe autorja grua në top dhjetëshen që kishte lexueshmërinë më të madhe mashkullore – shkrimtarja thriller LJ Ross – përdor inicialet e saj, kështu që është e mundur që djemtë të kenë menduar se ajo ishte një prej tyre. Çfarë na tregon kjo rreth faktit sesa ngurrojnë burrat për t’u dhënë autoritet të barabartë – intelektual, artistik, kulturor – si grave si burrave?
Margaret Atwood, një shkrimtare që duhet të jetë në raftet e librave të kujtdo që i pëlqen fiction-i letrar, ka një lexueshmëri që është e përbërë vetëm në 21% nga meshkuj. Fituesit e çmimeve të tjerë Booker: Julian Barnes dhe Yann Martel kanë gati dy herë më shumë (39% dhe 40%). Nuk duket që gratë të jenë më pak të mira për të shkruar fiction letrar. Të pesë romanet letrarë më të shitur në vitin 2017 ishin nga gratë dhe nëntë nga 10 më të mirët. Dhe jo se burrat nuk pëlqejnë të lexojnë libra nga gratë kur i shfletojnë; në fakt, ata pak i preferojnë ato. Vlerësimi mesatar që burrat u japin librave të shkruar nga gratë në Goodreads është 3.9 nga 5; për librat nga burrat, është 3.8.
Duke iu kthyer letërsisë nonficton, e cila lexohet nga burrat pak më shumë sesa nga gratë, modeli është i ngjashëm, megjithëse jo aq i habitshëm. Burrat ende lexojnë autorët e gjinisë së tyre shumë më shumë sesa autoret gra, por mospërputhja nuk është aq e madhe, sepse gratë priren të bëjnë të njëjtën gjë në favor të autoreve gra. Por ka ende një ndryshim. Gratë kanë 65% më shumë gjasa sesa burrat të lexojnë një libër nonfiction nga gjinia tjetër. E gjithë kjo tregon që burrat, në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme, nuk u japin autoreve gra po aq autoritet sa atyre të gjinisë tyre. Ose ata bëjnë supozimin dembel se librat e grave nuk janë për ta, pa i provuar për të parë nëse kjo është e vërtetë.
Pse ka rëndësi kjo? Si fillim, ngushton përvojat e burrave në botë. “Unë e di këtë prej shumë kohësh, që burrat thjesht nuk janë të interesuar ta lexojnë letërsinë tonë,” më tha romancierja fituese e Çmimit Booker, Bernardine Evaristo në një intervistë për librin “The Authority Gap“. “Letërsia jonë është një nga mënyrat me të cilat ne hulumtojmë narrativën, eksplorojmë idetë tona, zhvillojmë intelektin tonë, imagjinatën tonë.”
Nëse shkruajmë histori të grave, do të flasim për përvojat e grave. Ne flasim edhe për përvojat mashkullore nga këndvështrimi i grave. Dhe kështu, nëse ata nuk janë të interesuar për këtë, unë mendoj se kjo është shumë dëmtuese dhe jashtëzakonisht shqetësuese.”
Nëse burrat nuk lexojnë libra nga dhe për gratë, ata do të dështojnë ta kuptojnë psikikën tonë dhe përvojën tonë të të jetuarit. Ata do të vazhdojnë ta shohin botën përmes një lenteje pothuajse tërësisht mashkullore, me përvojën mashkullore si të paracaktuar. Dhe ky fokus i ngushtë do të ndikojë në marrëdhëniet tona me ta, si kolegë, si miq dhe si partnerë. Por gjithashtu varfëron edhe shkrimtaret gra, vepra e të cilave shihet si një klishe mainstream nëse konsumohet kryesisht nga gra të tjera. Ato do të fitojnë më pak respekt, më pak status dhe më pak pará.
Novelistja Kamila Shamsie ka qenë në një numër panelesh të jurive për çmime dhe ka dëshmuar saktësisht këtë asimetri. “Gratë në juri nominojnë libra të shkruar nga burra dhe nga gra,” më tha ajo. “Dhe burrat në juri kryesisht nominojnë libra të shkruar nga burra.”
Dolly Alderton është një shkrimtare mjaft e suksesshme, kujtimet e së cilës në librin “Gjithçka Di për Dashurinë” fituan Çmimin Kombëtar të Librit për vitin 2018 për autobiografinë më të mirë. Megjithatë, në Britani, të paktën, nuk kishte pothuajse asnjë interes për të nga burrat. Gazetarët që dërgoheshin për ta intervistuar ishin gjithmonë gra dhe ishte, siç më tha ajo, “marketuar dhe perceptuar si diçka tepër klishe nga gjinia ime. Megjithatë, një përvojë femërore nuk është një përvojë klishe; është një interes i përbashkët universal”.
E megjithatë, kur ajo shkoi në një turne publicitar në Danimarkë, rezultoi krejt ndryshe. Ajo i tha gazetarit që ishte dërguar për ta intervistuar se ai ishte i pari burrë që po e intervistonte. “Ai nuk mund të besonte sesa e çuditshme ishte kjo. Ai ishte rreth të njëzetave dhe tha se ai dhe miqtë e tij lexonin kujtime ose fiction nga gratë po aq sa dhe nga burrat.” Gjërat mund të jenë ndryshe. Dhe është një problem shumë i lehtë për t’u rregulluar nga burrat. Gjithë çfarë duhet të bëjnë është të kërkojnë në mënyrë aktive libra nga autoret gra.
Në qoftë se burrat janë skeptikë nëse gratë do të shkruajnë për tema që u interesojnë atyre, ata mund të gjykojnë Pat Barker-in në luftën e parë botërore ose Hilary Mantel-in në makinacionet e gjykatës së Henry-t të VIII. Sapo të mësohen, ata madje mund të zbulojnë se këto shndërrohen në histori njerëzore më tepër se në tipin klishe të gruas – dhe se i shijojnë ato.
Burrat mund të fitojnë një hapësirë të madhe nga zgjerimi i mendjes dhe i shijeve së tyre. Vetëm për shkak se një libër është shkruar nga një grua ose se ka të bëjë me gratë, nuk do të thotë se nuk ka asgjë për t’u ofruar atyre. U hap sytë sesi është të jetosh si grua në botë, është hapi i parë për të mësuar ndjeshmërinë. Dhe mund të ndihmojë për të çarë flluskën në të cilën kanë jetuar pa dashje shumë burra, duke bërë që të buitin mendime dhe njohuri të reja. A nuk është kjo arsyeja pse na duhet arti?

Marrë nga: The Guardian

Përkthimi: © Arlinda Guma

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top