A MUND TË BËHESH SHKRIMTAR DUKE NDJEKUR KURSE TË KRIJIMIT LETRAR?/Visar Zhiti

in A(rt)ktivizëm/Esé/Letërsi by

Revista defekt-teknik u drejtoi një pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë.
A mund të bëhesh shkrimtar duke ndjekur kurse të krijimit letrar?
A mund të mësohet shkrimtaria?
Disa prej përgjigjeve erdhën menjëherë, të tjera janë duke u shkruar si esé të veçanta; një prej të cilave është kjo që vijon, shkruar nga Visar Zhiti.

Visar Zhiti

Jo! Shkrimtar nuk të bën asnjë kurs letrar a shkollë letrare, nxitoj të them, as të diplomuarit për letërsi, masterat e doktoraturat, specializimet pasuniversitare brenda dhe jashtë vendit, çmimet, etj, madje as ajo që quhet shkolla e jetës. Me këtë nuk dua të them se këto janë të tëpërta e nuk duhen, përkundrazi, kanë rëndësi, edhe të madhe, ndikojnë, edhe fuqishëm, mbi të gjitha “shkolla e jetës” dhe leximet, leximet patjetër, lexime të vazhdueshme, të gjera dhe të thella, të lexosh jo vetëm letërsi, por gjithçka, filozofi, shkencë e politikë, të githa këto së bashku janë për ta bërë shkrimtarin e jo për të bërë shkrimtar.
Po çfarë të bën shkrimtar? Kush e zbulon që brenda teje është shkrimtari dhe kur dhe si? Mos është autodidakte dhe s’ka kohë të caktuar, as me mbarimin e adoleshencës apo të fakultetit apo pas martese apo ushtrisë, Zoti mos e dhëntë, kur të dalësh në pension e ke kohë me tepri? Mjerë ajo letërsi që del nga koha e tepërt!
Po si bëhesh shkrimtar? Sigurisht me vepra. Por ndodh të kesh botime dhe prapë s’je shkrimtar tamam apo i vërtetë. Dhe mund te jesh vetëm me një vepër, me një poezi. A ka shkrimtar pa vepra dhe jo të vërtetë? Po ca që merren vesh që janë shkrimtarë pas vdekjes? E ca që zbulohen që gjimnazistë? Po ca që e dinë se janë shkrimtarë, të tillë e bëjnë jetën, madje s’i kuptojnë krizat e brendshme, kalojnë në kritikë e në fund s’mbetet gjë prej tyre. As dhe një porosi se si dështuan.
Pra ç’të bën shkrimtar? Vetëm të shkruarit nuk mjaftuakërka. Duhet të të pranojnë si të tillë? Nuk mbaron me kaq. Duhet dhe më… Çfarë?!
 
Brezi im e disa breza nën diktaturë u rritëm me rudimentet që shkrimtar të bën shoqëria, partia, shteti, populli, atdheu me shkollën që të jep, ashtu besohej kur sundonte Realizmi Socialist si metodë letrare dhe i ndau shkrimtarët në dysh, ca i shpalli të sajët, u krijoi kushte, i bëri profesionistë dhe ca s’i lejoi si të tillë, i ndali madje, i futi dhe në burgje, edhe i pushkatoi, duke ua mohuar veprat që kishin dhe duke mos lejuar të shkruheshin më tej…
Unë di shumë e më shumë përvojën e dytë, atë të përndjekjes dhe të dënimeve drastike për të mos shkruar, për të mos qenë shkrimtar, por që çuditërsht ndoca mbeten shkrimtarë, por njoh dhe nga ata që i bënë shkrimtarë, disa dhe profesionistë e të tjerë që u jepnin leje krijuese me muaj dhe vite, botonin, u siguronin dhe famë e për groteskun e tyre, nuk kanë mbetur si të tillë shumica dërrmuese…
Pra, unë, si të thuash, mund të flas për kurset drastike që ishin për të mos u bërë dot shkrimtar, siç ishin përndjekja, internimet, burgjet e deri dhe pushkatimet, pra ato ia dalin të të ndërpresin mizorisht, madje ka patur dhe dënime veprash, janë ndaluar dhe djegur libra edhe tek ne…    
Eh, nuk e nxjerrin dot kurset letrare shkrimtarin, po atë mund ta vrasë mizoria sociale, mosmirënjohja dhe mediokriteti,
E megjithatë nga hiri del një feniks bukurie e dhembjeje letrare.
Në fund të fundit te shkrimtari, te poeti, ka një mister, një frymë qiellore do të thosha, e quajmë talent, që nuk ia jep kush në tokë e nuk ia ka borxh kujt dhe s’ia merr dot askush, megjithëse mizoritë ia dalin të mos e shpalosë, e ndërpresin, e gjymtojnë apo ta asgjësojnë.
Shkrimtari është një dhuratë hyjnore. Popujt që e kuptojnë dhe e vlerësojnë këtë gjë, kanë arritur të kenë letërsi të madhe, pra shpirt të madh, duke i parë shkrimtarët e tyre dhe si profetë dhe paraprijës. Ndërkaq mjafton t’i duash thjesht si shkrimtarë. Një shkrimtar i madh krahasohet me një pushtet të dytë.
Dhe vepra e tyre është kurs letrar për shkrimtarët në vazhdimësi…

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top