Çfarë ndodh me artin nëse ai u gjunjëzohet influencerave për shkak të numrit të madh të ndjekësve?/Visar Zhiti

in A(rt)ktivizëm by

Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa njerëzve të artit dhe të mendimit në Shqipëri dhe jashtë saj.
Përgjigjia e radhës erdhi nga Amerika, prej poetit Visar Zhiti.
Vijon më poshtë:

Arlinda Guma: Në Festivalin e Filmit të Berlinit, aktori Ethan Hawke rrëfeu diçka që më tërhoqi vëmendjen. Ai tha se sa herë që është duke xhiruar një film të ri, ndonjë prej bashkëpunëtorëve të tij e këshillon: “Merr X-in si aktore kryesore!”. “Dakord”, përgjigjet ai, “por a ka kryer ndonjë shkollë aktrimi?” “Jo”, vazhdon bashkëpunëtori, “por ajo ka një numër të madh ndjekësish në median sociale.” Ç’mendim keni ju për këtë? A nuk ju duket se po rrëshkasim “natyrshëm” në këtë realitet të ri të çuditshëm? Si të thuash në një tjetër “Reality Bites”? Mos po biem në një rreth vicioz dhe po i japim masës atë që ajo do dhe bluan më lehtë, në vend që ta edukojmë me shijen e artit të mirë që e bën të mendojë? (Dhe dihet që arti që të bën të mendosh nuk i tërheq dhe aq turmat.) Ku do përfundojë arti cilësor pas kësaj? Nëse protagonistë të tij në çdo fushë do të bëhen influencerat?

Arti në Epokën e Influencerave: Një Rrezik për Cilësinë apo Një Riorientim i Pashmangshëm?

Visar Zhiti

Kur Ethan Hawke rrëfen se përzgjedhja e aktorëve sot mund të bazohet më shumë në ndjekësit e tyre në rrjetet sociale sesa në talentin apo në formimin e tyre artistik, ai vë gishtin mbi një fenomen të kohës: triumfi i famës mbi meritën. Kjo prirje, që dikur ishte një shqetësim për industrinë e argëtimit, tashmë ka infektuar të gjitha fushat e artit, duke vënë në pikëpyetje vetë standardet e tij cilësore.
Arti, – mund të themi, madje dhe të shtojmë: në të kaluarën, – ka qenë edhe një mjet zgjimi për mendjen dhe ndjenjat, jo vetëm të një personi, madje të popullit dhe kombit, të marrëdhënieve mes popujve, shprehës i identitetit dhe i kulturës shpirtërore, etj., etj., kjo edhe për të sfiduar konvencionalen dhe për të ofruar vizione të reja mbi jetën. Në epokën e rrjeteve sociale, kemi një ndryshim paradigme: arti po i nënshtrohet logjikës së tregut të klikimeve. Influencerat, duke pasur një audiencë të gjerë, të gatshme për t’i ndjekur deri edhe marrëzisht, janë bërë më tërheqës për producentët, botuesit dhe galeristët, dhe ndoshta ende jo dhe aq për artistët me mjeshtëri të mirëfilltë.
Për pasojë, ajo që dikur konsiderohej përzgjedhje e bazuar në talent dhe përkushtim artistik, po i nënshtrohet një realiteti të ri, ku arti vlerësohet mbi bazën e algoritmeve dhe statistikave.
Por a duhet parë kjo si fundi i artit cilësor? I artit të madh? Apo ndoshta është vetëm një fazë e re e evolucionit kulturor, sa dhe e artit?Historia na mëson se artet shpesh e gjithmonë kanë kaluar nëpër kriza të tilla. Impresionistët p.sh., u përçmuan në fillim si shkelës të normave akademike, modernistët si rrënues të formave tradicionale, ndërsa arti konceptual shpesh është quajtur një provokim pa përmbajtje. E megjithatë, këto lëvizje mbijetuan sepse patën diçka thelbësore: një qëllim më të madh se vetëm pëlqimi i publikut.
Nëse arti sot rrezikon të bjerë viktimë e dëshirave më të sipërfaqshme të shumicës, që s’merret dhe me art, atëherë përgjegjësia e artistëve të mirëfilltë është të qëndrojnë. Ata duhet të vazhdojnë të krijojnë jo vetëm për shije të përgjithshme, gjenerale, të konsumueshme lehtë – sa trishtim të përdorësh terma tregu për artin, – por për të sfiduar, të vetënxiten dhe të mos pengohen për të menduar, frymëzuar dhe punuar, për të dhënë, duke ndërtuar një trashëgimi më të thellë. Pra, të influencojë arti dhe jo influencerat.
Shqetësimi është kardinal, i rikthehem: a duhet ta mbrojmë artin cilësor nga ky realitet i ri, apo duhet të gjejmë një zgjidhje për ta përshtatur atë? Mendoj se ka që mendojnë as njëra dhe as tjetra., por një drejpeshim mes të dyjave.

1.

Mbrojtje do të thotë të ruajmë lartësitë estetike dhe standartet e duhura intelektuale, të mos lejojmë që arti të shndërrohet thjesht në një produkt viral. Dhe mbetet si detyrë që artistët, kritikët dhe institucionet kulturore, por edhe njerëzit në përgjithësi të mësohen të refuzojnë kompromise, sado të lehta, dhe të vazhdojnë të duan vepra, për të cilat kohët dhe gjeneratat, avantguardat e tyre janë mirëkuptuar, jo thjesht në planin akademik, institucional, por dhe të heshtur, vetanak që sfidojnë, mësojnë dhe zgjojnë ndjenjat e thella njerëzore.

2.

Zgjidhja, nga ana tjetër mund të qëndrojë në përdorimin e këtij realiteti të ri në favor të artit të mirëfilltë. Në vend që ta luftojmë fenomenin e influencerave, ndoshta duhet të pyesim: si mund të përdoren këto mjete për të promovuar art me vlerë? A mund të ndërtojmë strategji që sjellin më shumë njerëz drejt artit të vërtetë, pa e degraduar atë në një spektakël të konsumueshëm, që dhe ikën si era?
Në fund të fundit, çdo epokë ka pasur luftërat e saj për artin. Po si do të reagojmë ne? Me ankth e nostalgji për të kaluarën, apo me mençuri për të ndërtuar të ardhmen? Të ndërtojmë për të prishur apo të prishim për të ndërtuar. Apo do të përzgjedhim? Dashuria dhe liria e guximi artistik, – vazhdoj të besoj se do të dinë ende ta gjejnë rrugën e tyre për te njeriu, duke e kuptuar se arti i madh edhe sot s’ka pse të matet me ndjekës apo klikime, as vetëm me përurime e festivale e dekorata, statuja, muzeume e dispensa, etj, por se ç’bën ai me shpirtin, si të një njeriu, ashtu edhe të një populli, me mendjen e një epoke, duke pasuruar shijet, duke i rafinuar ato, guximin për të jetuar bukur, që s’do të thotë jetë e lehtë, por edhe me dramat e artit, për t’ia kthyer jetës si art i të jetuarit…


 

 

 

https://www.askasalla.com/

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top