Pritja për barbarët-Kostandin Kavafi

in Letërsi/Përkthim/Tharm/Uncategorized by

Pritja për barbarët-Kostandin Kavafi

Çfarë po presim në shesh apo kemi dalë kot?
Barbarët, barbarët vijnë sot.

Pse Senati po rri e s’punon asnjeri?
Senatorët shullëhen, asnjë ligj s’kalojnë dot?
Se barbarët, barbarët vijnë sot.

Pse të lodhen senatorët e të kalojnë ligje më kot?
Barbarët kur të vijnë do kalojnë ligje plot.

Perandori kaq herët pse vallë qenka zgjuar
Përse na është ulur përmbi fron të praruar
Te porta më e madhe e qytetit
Stolisur me mantelin dhe kurorën e mbretit?

Se barbarët, barbarët vijnë sot.

Perandori prijësin e barbarëve po e pret
Ka bërë gati gjithçka që t’i japë një dekret
Që ta veshë me tituj, me ofiqe e nderim
Jo vetëm me fjalë por edhe me shkrim.

Po konsujt edhe pretorët pse paskan dalë vallë
Me togat purpur që qëndisur qëndrojnë?
Me byzylykë ametistësh të rrallë
Dhe unaza smeraldësh që vizllojnë?

Pse na paskan nxjerrë sot edhe skeptrat e çmuar
Të punuar me argjend dhe me ar të praruar?

Se barbarët, barbarët, po afrojnë
Dhe me gjërat e tilla barbarët i hutojnë.

Pse s’kanë dalë sot në shesh oratorët si përditë
Që të mbajnë fjalime, që me fjalë të bëjnë dritë?

Se barbarët, barbarët, për tek ne janë nisë
Elokuenca e fjalimet ata veç i bezdis.

Po pse vallë u tronditët kështu si papritur?
Si kaq shpejt që të gjithë të vreruar?
Pse krejt rrugët e sheshet na u zbrazën
Dhe të çdokush vrap në shtëpi i shqetësuar?

Se ra muzgu po barbarët nuk erdhën as sot
Dhe dikush që vinte prej kufijve
Na tha se s’kanë mbetur më barbarë as për farë
Ç’do bëhet vallë tash me ne, mbetur të pabarbarë?

Ata njerëz i kishim si zgjidhje.

Përktheu: Arbër Zaimi

Imazhi: Fëmijë me drita në Provincetown, Robert Frank

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top