Psikopati Amerikan/Spartak Lalaj

in Kinema by

Spartak Lalaj

Ka një ftohtësi kriminale kapitalizmi. Jeta e kthyer në numra ndrydh diçka të madhe te njeriu. Ndoshta ndaj i jam kthyer disa herë filmit “Psikopati Amerikan” pa e ditur mirë përse, i tërhequr nga humori i zi, nga personazhi i errët i Patrik Bejtmanit, që shkakton të qeshura, ndonëse është vrasës serial.
Patrik Bejtmani është këshillues financiar në një nga kompanitë e mëdha të Wall Street-it në vitet 80 ku bumi ekonomik dhe tepria materiale i japin formës jetës, shërbejnë si matës suksesi dhe si themel i identitetit të njeriut.
Patriku i kushton shumë rëndësi vetes, domethënë aparencës, trupit të tij, stërvitjes, kremrave për lëkurën, apartamentit, shijeve muzikore, veshjeve, vendeve ku rezervon, bisedave të zgjedhura, të spërkatura me moralitet dhe mesazhe të forta për shoqërinë. Ai është një perfeksionist në këto detaje. Vetëm se Patrik Bejtmani, siç e shpreh edhe vetë që në fillim të rrëfimit, nuk është gjë tjetër veçse një fiksion; një ide abstrakte që të tjerët kanë për të, pasi ai vetë thotë “thjesht nuk jam aty”.
Gjithçka që ai bën, përfshirë edhe punën, është një mënyrë e sofistikuar për të maskuar veten, për t’u dukur si një anëtar normal i shoqërisë. Brenda vetes, ai nuk ka identitet, është njeri bosh, një njeri totalisht i çmendur, që kohën e lirë e kalon duke vrarë ta pastrehë dhe prostituta.
Bota ku e gjen veten Patriku nuk është më pak e marrë se dhuna e tij. Në disa raste ai ua pranon njerëzve që është një vrasës serial, por fjalët e tij keqdëgjohen dhe interpretohen si profesion më vete dhe pyetjet që merr lidhen me vështirësitë e punës. Në kompaninë ku ai punon, jo të gjithë e dinë se kush është, madje një personazh tjetër, i quajtur Pol Alan, e ngatërron krejtësisht identitetin e tij me atë të një kolegu tjetër që bënte pikërisht të njëjtën punë si Patriku, që vishet njësoj dhe që qethet tek i njëjti berber. Dikush e ngatërron me një koleg tjetër dhe gjithmonë e pyet se si është gruaja me shëndet, ndonëse Patriku është i pamartuar dhe ka një të dashur që ia njeh shoqëria.
Ndryshe nga shumë filma të tjerë, ku antagonisti zakonisht është një njeri tjetër me qëllime të kundërta me personazhin kryesor, tek Patriku mund të thuhet se antagonisti është më abstrakt, herë merr formën e një kartëvizite më të bukur nga kartvizita e tij, herë merr formën e një restoranti prestigjoz me emrin Dorsia ku ai nuk mund të bëjë dot rezervim, e herë merr formën e kolegut të tij më të suksesshëm, Pol Alanit, që duket sikur jeton në një sferë tjetër, që është i mirëlidhur në shoqëri, ka një kartëvizitë origjinale, bën rezervime në restorantin Dorsia dhe dukshëm është një shkallë më lart në Piramidën shoqërore se Patriku. Patriku, i lidhur aq shumë me identitetin e tij të jashtëm, percepton si kërcënim këdo që ka një apartament më të mirë, me pamje më të bukur, një kartëvizitë më të mirë, një kostum më të mirë, që futet lehtësisht në vende prestigjioze ku ai vetë nuk shkel dot. Çdo njeri më i suksesshëm se ai vetë është kërcënim për të sepse është kërcënim për identitetin e tij. Patriku e di që është një psikopat që po përpiqet të jetë pjesë e shoqërisë, e di që identiteti i tij është një konstrukt material, e përbuz të gjithë hipokrizinë e shoqërisë dhe të rrethit të tij shoqëror, e megjithatë i ka ngulur thonjtë në këtë identitet dhe nuk pranon që askush apo asgjë ta kërcënojë imazhin e jashtëm që ai ka ndërtuar.
Patriku vendos ta vrasë Pol Alanin dhe e kryen vrasjen në një mënyrë brutale, me sëpatë. Ndërkohë që i ngul sëpatën në kokë, Patriku bërtet: “Tani bëje rezervimin tek Dorsia, more bastard budalla!” Në historinë e vrasjeve në botën e fiksionit, për shkak të zilisë, vrasja e Pol Alanit është ndër më qesharaket. Ndonëse motivi i zilisë dhe xhelozisë është krejt i zakonshëm në fiksion dhe histori, vrasja është mbuluar zakonisht me justifikime më të larta, është veshur me narrativa të mëdha, shpesh duke përdor dhe fatet e kombeve dhe të njerëzimit mbarë. Ndërsa te ky film vrasja del e zhveshur nga çdo narrativë, brutaliteti i vrasjes dështon të japë një pështjellim moral ndaj aktit, madje shkakton të qeshura, pasi del hapur vogëlsia e kriminelit dhe arsyet e vërteta të krimit. Sa krime të ngjashme ka kryer njeriu!
Historia e filmit merr kthesë pas kësaj vrasjeje. Nis një hetim për të investiguar zhdukjen e Pol Alanit. Ndër të dyshuarit kryesor, si njeriu i fundit që e ka takuar atë, është Patrik Bejtmani.
Ndërkohë Patriku vazhdon me vrasjen e prostitutave në apartamentin e tij. Ndërsa bën seks me to, ai filmon veten dhe merr poza, sikur të ishte para një audience që e admiron burrërinë e tij, trupin me muskuj si në katalogje. Si pjesë e maskës, ai iu flet prostitutave për muzikën si një kritik arti tepër i ndjeshëm. Fjalët e tij për Uitni Hjustonin e prekin audiencën, gati e bindin se ka një anë tjetër të Patrikut, një anë njerëzore, artistike. Mirëpo pas fjalëve për dashurinë ndaj vetes, Patriku i masakron dy prostitutat.
Me detektivin që nuk i ndahet dhe me presionin e brendshëm për të mos jetuar në një hipokrizi identitare, Patriku vendos të rrëfejë se është një psikopat dhe vrasës. Në një çast ekstaze, pasi ka gjuajtur me armë në rrugë, Patriku telefonon avokatin e tij dhe i rrëfehet se ka vrarë shumë njerëz, se madje ka vrarë edhe Pol Alanin, të cilin e njeh dhe avokati. I çliruar nga ky rrëfim ai pret arrestimin e tij. Por për habi asksush nuk e beson që ai është një vrasës serial. As avokati i tij nuk e beson. “More bastard budallla, pse nuk e beson që e kam vrarë Pol Alanin?” – e pyet Bejtmani. “Sepse unë kam ngrënë drekë me Pol Alanin dy herë në Londër para dhjetë ditësh,” – i përgjigjet avokati, që mendon se Bejtmani, të cilin ai e ngatërron me njëfarë Dejvis, po e çon shumë larg shakanë. Askush në shoqërinë përreth nuk e beson se ai është vrasës serial. Secili është i zhytur, ashtu si Bejtmani, në garën e aparencës dhe statusit, si duket, si flet, çfarë do të blejë dhe se ku do të rezervojë e nuk vë re, ose hiqet sikur nuk vë re çfarë ndodh përreth. Fytyrat e tyre nuk tregojnë naivitet, por llogari të ftohta. Përderisa avokati e ngatërron Patrikun me dikë tjetër me emrin Dejvis, është krejt e logjikshme që ai mund të ketë ngatërruar dhe Pol Alanin me dikë tjetër. Patriku gjen një alibi qesharake dhe hiqet nga lista e të dyshuarve kryesorë.
Në këtë narcizëm kolektiv nuk mund të ketë zgjidhje për problemet e njeriut, madje as që mendohet seriozisht për to. Gjithçka, që nga apartamenti, orenditë e shtëpisë, shijet muzikore, restoranti, klubet, femrat, përfshirë këtu dhe dijen apo oratoritë morale, nuk janë veçse objekte për të vendosur superioritetin kundrejt tjetrit, gjithçka bërtet: “Unë jam më i mirë se ti”. Identiteti i njeriut është i lidhur me identitetin e të tjerëve dhe identiteti i të tjerëve është i lidhur me objektet që ata kanë. Qenia nuk ka bosht të pavarur nga tjetri, por përkufizohet në raport me objektet e tjetrit.
Narcizmi, ambicia, instiktet predatore të njeriut deri te vrasja, për sa kohë janë ekonomikisht të përfitueshme, për sa kohë lëvizin mekanizmin kapitalist, për sa kohë janë në marrëdhënie me paranë, janë të justifikueshme dhe morale.
Përgjatë gjithë rrëfimit, ndërkohë që Patriku përshkron ciklin e një vrasësi serial, pengesa e vetme që ai ka për të përmbushur veten si një vrasës serial, janë copëzat e moralit që vijnë nga një botë tjetër, e që përdoren nga të gjithë për të ruajtur aparancat. Kjo hipokrizi që Bejtmani detyrohet të ruajë i shkakton dhimbje. Kur më në fund ai pranon se kush është, pra, më në fund e vë në vend identitetin e tij prej njeriu të çmendur të etur për gjak, ai mëson se nuk ndëshkohet, se nuk ka “Krim dhe Ndëshkrim” për të. Konfuzioni i identiteteve përreth tij, i bën atij të kuptojë që është i sigurt, ai mund të jetojë me këto impulse të errëta, mund të jetojë duke vrarë të pastrehë dhe prostituta, mund të jetojë me një apati totale për veprimet që kryen, pasi bota ku ai jeton nuk është veçse një konfuzion i madh, që në thelb ka apatinë. Askush nuk e njeh më tjetrin. Gjithkush është pjesë e burgut që krijojnë pasqyrat e të tjerëve.
Bejtmani e përfundon rrëfimin e tij makabër duke thënë se ai nuk mësoi asgjë nga këto ngjarje. Pavarësisht se e tejkaloi barrierën morale dhe më në fund e pranoi veten si një njeri krejtëisht jashtë kontrollit, si një vrasës serial, nga kjo ai nuk mësoi asgjë gjë më të thellë për veten, nuk ka asnjë epifani për të. “Ky rrëfim nuk ka asnjë kuptim” – janë fjalët e fundit të filmit.
Filmi dukshëm është një satirë e hidhur për këtë botë aparencash, statusi social, për këtë garë burrash, ku gjithkush e identifikon veten në mënyë materialiste, një garë për të bërë jetë katalogjesh.
Kjo diagnozë e hidhur e një kanceri shoqëror, a thotë diçka të re për natyrën njerëzore? A mund të shërbejë si një mësim për shoqëritë, si një kambanë, si një paralajmërim, si një ilaç? Përgjatë historisë së civilizimit, a e ka shmangur dot njeriu lojën e statusit, aparanceve dhe pushtetit? Përgjigjia është jo, dhe nga ky rrëfim nuk mësohet asgjë e re për njeriun nga perspektiva historike, veç ndoshta në raport me banalitetin. Kurrë pushteti nuk ka qënë kaq banal dhe pa shije sa në kapitalizëm. Të gjitha krimet kapitaliste, për çfarë kryhen, në çfarë përkthehen? Në blerje shtëpish, në orendi apartamentesh, në pushime, në vila, në veshje të shtrenjta, në ritualin e restorantit, në lojën e varfër të prestigjit dhe VIP-ave, pra, në banalitet, tepri dhe zhbërje identitetesh. Nga këto iluzione krijohet një elitë gjakatare, e bindur se është më e mirë se pjesa tjetër, por e pamundur të identifikohet pa varfërinë. Mungesa e objekteve te i varfri u jep kuptim jetëve të tyre. Ata, nga maja e banalitetit thërrasin njerëzit poshtë dhe thonë: “Na admironi o njerëz leckamanë që ne ju përbuzim dhe ju urrejmë kaq shumë, se pa varfërinë tuaj ne kot jetojmë.”
Nga ana tjetër lind pyetja e errët: Pa këto iluzione mjerane dhe banale, a do të kishte njeriu histori? Nëse historia është “autobiografia e një të çmenduri” siç shkruan Herzeni, a është e destinuar të mbetet e tillë? Që nga koha kur ky film u shfaq për herë të parë dhe deri tani, i jemi larguar apo afruar Patrik Bejtmanit?
Bota e rrjeteve sociale ku secili mburret me çfarë ha, çfarë vesh, ku i bën pushimet, çfarë partneri ka zgjedhur, sa jetë të bukur përrallore që ka, pra, një dëshirë e tmerrshme narciste për vëmendje banale, rrëfen se i jemi afruar Patrik Bejtmanit dhe kjo gjë na pëlqen. Patrik Bejtmani do të ishte sot një star i rrjeteve sociale, me miliona ndjekës.
Ndërkohë që Bejtmani mban monologun e tij të errët në fund të filmit, në televizor po flet presidenti Regan. Ky kompozim shërben si urë ndërlidhëse midis psikopatisë së Bejtmanit dhe psikopatisë së Piramidës së Pushtetit, që ashtu si Bejtmani, luan lojën e hipokrizisë në ekran, që ashtu si Bejtmani flet me fjali klishe mbi rrugën e duhur për të zgjidhur problemet e mëdha të njeriut, e që ashtu si Bejtmani, në thelb nuk do t’ia dijë për asnjë problem veç interesave banale vetjake, që ashtu si Bejtmani e ka pranuar veten për atë që është dhe vepron lirisht, pa barriera të brendshme morale.
Personazhi i Bejtmanit na thotë se stili i jetës që sugjerojnë imazhet e botës moderne nuk e përmbush njeriun, se ai është një karrem ekonomik dhe politik, se e lënë njeriun bosh dhe në këtë boshllëk, në këtë dhimbje vakumi, i shkëputur krejtësisht nga vetja, në këtë uri të pashueshme objektesh, i vetmi çlirim është dhuna me të gjitha format e saj, loja e ftohtë e numrave me pjesën tjetër të Piramidës, deri te vrasja.
Fjalët e fundit të Bejtmanit janë profetike. Rrëfimi nuk ka asnjë domethënie, pasi trenin narcist ku ka hipur shoqëria moderne nuk e ndal asnjë leksion morali dhe asnjë vetëdije intelektuali. Askush nuk e di nëse ky tren do të ndalojë dhe se si do të jetë njeriu që do zbresë nga ky udhëtim banal dhe sipërfaqësor. Ajo që dimë është se për momentin psikopati është i lirë të vrasë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Kinema

Go to Top