Njĕ recensë nga Cineuropa për dokumentarin “Edhe Një Ditë” të regjisorit Eneos Çarka/Savina Petkova

in Kinema by

Eneos Çarka ka realizuar një dokumentar sa të fuqishëm aq edhe delikat, që vjen si kulminimi i disa viteve, duke ndjekur dy artistë rruge nga Shqipëria që performonin në Italinë e Veriut.

     Savina Petkova

I lindur në Shqipëri por i bazuar në SHBA, Eneos Çarka ka një aftësi për të kapur rryma të padukshme, të shtrira në një kohë të zgjeruar, që rrjedhin mes njerëzve. Filmi i tij debutues me metrazh të gjatë, “Edhe Një Ditë”, vjen si kulminimi i disa viteve duke ndjekur dy artistë rruge nga Shqipëria, që performonin në Italinë e Veriut, duke përfshirë shfaqjen e tyre që përmban akrobaci dhe pantonimë, ashtu si edhe eksplorimin e vëllazërisë që ata ndajnë. Vitin e kaluar, filmi i shkurtër i Çarkës, “Heshtja e Pemëve të Bananes”, pati premierën në IDFA, dhe këtë vit, ai rikthehet në Amsterdam me “Edhe Një Ditë”, i cili pati premierën në kategorinë Luminous të festivalit më të madh të dokumentarit në botë.
Besmiri dhe Rafaeli janë dy performues të cilët perzantohen në publik si “vëllezërit Ping dhe Pong.” “Ne jemi vëllezër jete,” shprehet Rafaeli kur dikush nga publiku e pyet në fund të shfaqjes për marrëdhënien e tyre vëllazërore. ‘Uniforma’ e tyre përbëhet nga pantallona të kuqe, bluza me vija të bardha e të kuqe, dhe doreza të bardha, një paraqitje klasike që i jep hijeshi hapjes të filmit. Shohim akrobalance, break dance, dhe ndërveprime plot dashamirësi me publikun, i cili tregon veçse dashuri për ta. Duartrokitje, pozime për fotografi me fëmijë dhe familje, dhe ngaherë edhe bakshishe të bollshme mbushin ditët e tyre.
Pa patur nevojë për shumë kontekst apo histori, “Edhe Një Ditë” e fton shikuesin të dëshmojë përditshmërinë që shfaqet si diçka e shenjtë e që mban çdo gjë të lidhur bashkë. Detajet e ndërlikuara të performances së tyre të rrugës, planifikimi, dhe vetë puna e dy djemve janë ato që ne shohim në fillim, çka përbën shtresën e parë të filmit. Krahas këtyre praktikaliteteve, një botë tjetër fillon e shfaqet, e cila na kujton natyrën sublime të njeriut. Përgëzimi më i madh ndaj këtij filmi i shkon dramaturgjisë, e cila krijon një ndjesi zbulimi te personazhet që na shpërfaqen përgjatë kohështrirjes filmike, duke e arritur këtë në një menyrë organike dhe pa ndërhyrje në jetët e protagonistve.
Si fillim, takojmë Besin dhe trajnerin e tij përgjatë një sesioni trajnimi në Shkodër, në verën e vitit 2019. Nëpërmjet fjalëve inkurajuese të trajnerit, ne e njohim Besin si person me një vullnet dhe me një pasion të fortë. Ata flasin hapur për ostogenozën e Besit që e kushtëzon atë, çka tregon që autori është i ndërgjegjshëm për këtë fakt, por ka zgjedhur të mos ta vendosë në qendër të vëmendjes. Si rrjedhojë, filmi nuk shndërrohet në një histori të thjeshtë motivimi; Besi është një frymëzim për të tërë ne, por ai është pikësëpari një njeri i thjeshtë. Pas çdo plani dhe prerjeje fshihet një humanizëm dhe dashuri, që veprojnë si forca motivuese, çka e bën “Edhe Një Ditë” një përzierje të veçantë e poetike mes një realizmi plot vërtetësi dhe një himni ndaj njeriut me të mirat e të këqijat e tij.
Në të njëjtën kohë, Rafaeli, i porsadiplomuar në aktrim, merr pjesë në një audicion në Tiranë. Që prej vitit 2019 (vera e tyre e fundit së bashku), filmi na çon prapa në kohë dhe kërcen mes viteve dhe vendeve të ndryshme ku djemtë ndodhen, duke qepur kështu një portret të dyshes dhe të dinamikës së marrëdhënies së tyre, e cila nga pak fillon e shpërbëhet. Pas prezantimit të secilit prej tyre (ose konkluzionit sipas kronologjisë), ka diçka disi trishtuese në mungesën e tjetrit në kuadër: rrallë gjenden të dy në të njëjtin kompozim. Në fakt, që prej fillmit të filmit, me intuitë ne mund të parashikojmë që një ndarje mund të shfaqet në horizont. Çarka ka një sy mjeshtëror të fshehur në estetikën e filmit. Ai e xhiroi, montoi (bashkë me producentin e filmit Joni Shanaj), dhe bëri regjinë e filmit, por prapë, filmi është i tyre, i Besit dhe i Rafaelit.
“Edhe Një Ditë” është shumë më shumë sesa një film për largimin dhe shpërbërjen e një marrëdhëniejeje. Në njëfare mënyre, butësia me të cilën portretizohen vitet e miqësisë dhe partneritetit profesional dëshmon sesa e pamundur është për dy njërëz që të ndahen plotësisht. Një ndarje që nuk vjen si diçka që shkakton dhimbje apo që lë shenjë, por si një histori mes dy njerëzish që, përgjatë viteve, kanë lënë gjurmë te njëri-tjetri. Të gjitha këto emocione e ndjesi janë rryma që gjenden nën të; nuk shpërfaqen në film. Në të kundërt, dokumentari ka një mbyllje të hapur; merr frymë dhe u jep protagonistëve hapsirën që u nevojitet, edhe kur ata vetë nuk ia mundësojnë dot shoku-shokut. Kinemaja nuk mund të mbyllë çdo plagë, por duke qenë e pranishme aty ku përçarja zgjerohet, mund të shërbejë si një antidozë kundrejt vetmisë.

“Edhe Një Ditë” është një produksion shqiptar, realizim i shtëpisë filmike SCRB & NKNB.

23/11/2023

Marrë nga: Cineuropa

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Kinema

Go to Top