SHKRIMTARI-Agota Kristof

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Agota Kristof

Hoqa dorë nga gjithçka për të shkruar veprën e jetës sime.
Jam shkrimtar i madh. Askush s’e di këtë, ngaqë ende s’kam shkruar asgjë. Por kur ta shkruaj, ama, librin, romanin tim…
Kjo është arsyeja pse hoqa dorë nga puna e zyrtarit dhe si… nga çfarë tjetër? Nga asgjë tjetër. Sepse miq s’kam pasur kurrë; mikesha, ca më pak. Megjithatë u veçova nga bota për të shkruar një roman të madh.
E keqja është se nuk e di cili do jetë subjekti i romanit. Është shkruar tashmë kaq shumë e për shumëçka.
E parashoh, e ndiej që jam shkrimtar i madh, por asnjë subjekt nuk më duket aq i mirë, aq madhështor, aq interesant për talentin tim.
Prandaj pres. Dhe, duke pritur, s’do mend që vuaj nga vetmia, herë-herë edhe nga uria, por kjo vuajtje është shkaku që më bën të shpresoj se do arrij në një gjendje shpirtërore që do më shtyjë drejt zbulimit të një subjekti të denjë për talentin tim.
Fatkeqësisht, subjekti vonohet së shfaquri dhe vetmia më bëhet gjithnjë e më e rëndë, heshtja më rrethon, zbrazëtia zë vend kudo, edhe pse shtëpinë e kam të vogël.
Por këto tri gjëra të llahtarshme, vetmia, heshtja dhe zbrazëtia e shpërthejnë çatinë, ngjiten gjer në yjet, shtrihen në pafundësi dhe nuk di më nëse bie shi a dëborë, nëse fryn foena apo musoni.
Dhe thërras:
– Do shkruaj gjithçka, gjithçka që mund të shkruhet.
Dhe një zë më përgjigjet, ironik, por tekefundit një zë:
– Në rregull, djalosh. Gjithçka, por jo më tepër, ë?

Përktheu: Alket Çani

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top