Tost me avokado-Edvin Thomollari
Përtej tostit me avokado
dhe melankolisë së zemrave të thyera,
apo kur u futëm në gjithë qendrat tregtare
dhe u lumturuam për gjithsej tri minuta,
kur gjetëm bashkëjetesën me tjetrin, pa ndenjur me të,
i mblodhëm gjithë fletët e qytetit
dhe bëmë nje kripore me gjëegjeza.
Nga kriporja na dalin zogj të trembur,
që fluturojnë për forcë zakoni.
E bëjmë shuk kriporen, që të mos dëgjojmë më zhurma,
duhet të ulim sipërfaqen e kontaktit,
të mos i përgjigjemi telefonit, të ulim grilat,
të mos dëgjojmë makinat jashtë,
çdo shenjë lëvizjeje na prek të ardhmen.
Duart nuk i binden planit,
duart duan duar të tjera, poret, pore të tjera,
me duar rrotullojmë çelësat nëpër brava,
vrapojmë nëpër shkallë, nëpër rrugë,
duam të mbërrijmë në vendin ku janë të tjerët, të cilëve nuk u janë bindur duart.
Po, na pëlqen lodhja, djersa, marrja e frymës;
janë të gjitha shenja autentike të vetes sonë,
që zgjodhi zhurmën e përplasjen
dhe qetësinë ua la të qetëve.
Identitet-Edvin Thomollari
Identitet-Edvin Thomollari Kalojnë përditë avionë gri, në qiellin gri, grija është klishe dhe gjithë klishetë