Paul Lynch: “Kur fiton Çmimin Booker, të thonë se nuk do të shkruash më për një vit.”

in Letërsi/Përkthim by

Romancieri irlandez flet për lundrimin drejt suksesit menjëherë pasi u diagnostikua me kancer dhe pas një martese të marrëfund, për rilindjen në shkrimin irlandez dhe për mënyrën sesi “botëkuptimi i tij tragjik” u përshtatet kohërave.

Intervistoi: Lisa Allardice

Paul Lynch është autor i pesë romaneve. Lndur në vitin 1977, ai u rrit në Malin Head, pika më veriore në bregdetin irlandez. Romani i tij i fundit, Prophet Song, përshkruan një vizion makth të Irlandës që rrëshqet në një regjim autoritar.
I shkruar me fjali të gjata poetike – pa shenja pikësimi dhe pa ndërprerje paragrafësh – romani e tërheq lexuesin në botën klaustrofobike të një qyteti të rrethuar. I përshkruar nga Lit Hub si një “sulm paniku me 300 faqe”, Prophet Song i sapobotuar, fitoi çmimin Booker vitin e shkuar. Lynch-i është krahasuar me Cormac McCarthy-n dhe William Faulkner-in.

Si ka qenë jeta juaj që kur fituat Booker-in?

Nuk e mas më kohën me javë dhe muaj. E mas me intervista. Në Krishtlindje, e kisha kaluar njëqindëshen. Jam te e 170-a tani. Më duket ende e pabesueshme, madje edhe e mrekullueshme, që çmimi “Booker” më erdhi, megjithëse vajza ime tetëvjeçare nuk është e impresionuar. Ajo së fundmi deklaroi: “Më ka ardhur në majë të hundës dhe jam e lodhur nga njerëzit që të ndalojnë në rrugë e të thonë ‘urime’.” Përbuzja me të cilën ajo e tha atë fjalë të ngjethte mishin.

Një vit më parë, në ditën kur zbuluat se ishit në listën e të perzgjedhurve për çmimin Booker, ju ishit në tryezën e operacionit, pasi u diagnostikuat me kancer. Djali juaj ka lindur në vitin 2018 dhe martesa juaj ka përfunduar së fundmi. Si do t’i përshkruanit vitet tuaja të fundit?

Është një foto imja e bërë disa sekonda pasi fitova Booker-in. Botuesja ime, Juliet Mabey, më mbeshtjell në krahë, ndërsa agjenti im Simon Trewin, brof në këmbë duke duartrokitur. Por unë kam vënë duart në fytyrë. Ajo është fotografia e një burri që nuk mundet ta përpunojë më realitetin, i cili u përball me një diagnozë kanceri dhe me një operacion të vështirë 15 muaj më parë dhe që e pa martesën e tij të përfundonte papritur ndërkohë që po merrte veten.
Dhjetë sekonda pasi u bë ajo foto, unë isha në këmbë duke kapur çastin. Kam patur fatin të bëj imunoterapi parandaluese dhe më kanë thënë se sëmundja nuk ka gjasa që të përsëritet. Nuk mund t’ju them se sa i lumtur jam që po vazhdoj me pjesën tjetër të jetës sime.

Për shumë muaj keni punuar për “romanin e gabuar”. Si ndryshuat për të hyrë në rrugën e duhur me atë të duhurin?

Po shkruaja romanin e gabuar për rreth gjashtë muaj, thjesht duke shpuar një shkëmb dhe duke mos mbërritur askund. Dhe pastaj një të premte pasdite mendova: Ky nuk është roman, unë kam mbaruar.” Të hënën tjetër u ktheva i qetë në tavolinën time pa asnjë ide se çfarë do të bëja. Krijova një dokument të ri dhe prita. Dhe më pas faqja e hapjes së Prophet Song mbërriti dhe e dija se ajo kishte lëngun, atë substancë të pashprehur që ti shpreson që ta gjesh në shkrimin tënd. Në jetë, unë jam ithtar i madh i devijimit. Nëse Satanai, kur u dëbua nga qielli, do të kishte devijuar, ku mund të kishte zbritur? Më pëlqen kjo ide. Të gjithë duhet të devijojmë herë pas here.

Duke lexuar romanin sot, është e pamundur të mos të të kujtohet lufta në Ukrainë dhe konflikti Izrael-Gaza. Por ju keni filluar të shkruani në vjeshtën e vitit 2018.

Padyshim që po përpiqesha të shihja kaosin modern duke shkruar këtë libër, megjithëse nuk u befasova kur pashë Mariupol-in duke u rrafshuar apo Gaza-n shkrumb e hi. Më kanë thënë se kam shkruar një roman zeitgeist, por për mua ky është një roman për atë që ka qenë, për atë që vazhdon të jetë dhe për atë që do të jetë gjithmonë. Ekziston një mjerim i ndërtuar mbi gjendjen njerëzore. Nuk ka fund të ditëve biblike. Ne e shkatërrojmë botën sërish dhe sërish dhe sërish dhe ti e shikon këtë në lajme.

Ishin katër shkrimtarë irlandezë në listën e Booker-it vitin e shkuar. Ndërsa fiction-i irlandez është gjithmonë në një kategori më vete, duket se tani për tani ai po dominon. Pse?

Irlanda është në mes të një revolucioni social dhe ai ka një ndikim të thellë në artin tonë. Aty ku dikur jetonim nën hijen e kryqit, tani jemi evropianë kozmopolitë duke krijuar një shoqëri post-katolike, duke eksploruar dhe riidentifikuar se çfarë do të thotë të jesh irlandez në një botë të globalizuar. Arti ynë ka shpërthyer me energji të egër për ta takuar këtë çast. Prophet Song më duket një roman global, por është padiskutim irlandez.

Keni qenë student i mirë?

Kur isha 12 vjeç, një mësues më goditi me grushte për një problem matematike dhe kjo më shkaktoi probleme me shkollën. Në vitin e katërt në shkollën e mesme, mësuesi im i anglishtes më përjashtoi nga anglishtja.
Mendova se ishte budalla. U ula me anglishten për disa javë dhe më pas i rifitova ato që kisha humbur. Nëna ime më tha vite më vonë se disa mësues ishin tronditur dhe së bashku me prindërit e mi shkuan te drejtori. Sa me fat jam për këtë. Shkrimtarët që gëlltita gjatë dy viteve të ardhshme – Hardy, Eliot, Shakespeare, Manley Hopkins – hynë në ADN-në time dhe më bënë ky që jam.

Jeni rikthyer tashmë në kabinën tuaj të shkrimit?

Po rremoj me diçka në ditët kur nuk kam intervista apo udhëtime, por në të vërtetë kam kaq pak kohë. Kur fiton Booker-in, të thonë se nuk do të shkruash më për një vit. Kam takuar në rrugë disa fitues të kohëve të fundit, të cilët kanë thënë se kjo mund të zgjasë shumë më tepër se kaq. Ndikimi në psikikën e fitimit të një çmimi të kësaj shkalle nuk është për t’u nënvlerësuar.

Çfarë bëni kur nuk shkruani?

Kaloj një kohë të çuditshme në supermarkete. Unë gatuaj shumë dhe tentoj ta bëj shumicën e vakteve vetë. Vërtet duhet të ketë një kufi se sa herë në javë lejohet të hysh në Lidl. Kur kam kohë joproduktive ose kur nuk kam fëmijët, luaj xhaz, shikoj filma klasikë, lexoj dhe qaj. Prirem të mos shikoj TV.

Ju e keni përshkruar botëkuptimin tuaj si tragjik. A mendoni se ka ndonjë shpresë për ne?

Dostojevski donte të dinte se sa qenie njerëzore ka në një qenie njerëzore. E konsideroj këtë projektin tim. Të pesë librat e mi i përkasin botëkuptimit tragjik. Me fjalë të tjera, ata janë paturpshëm metafizikë dhe flasin për pashmangshmërinë e vuajtjes dhe të humbjes brenda botës sonë të përhershme. Nocione të tilla mund të duken të çuditshme, por do të bënim mirë të reflektonim mbi to në çastin tonë të pamend modern. Jo pa arsye Edipi dhe Mbreti Lir erdhën deri në ditët e sotme.

Na thoni një barsoletë.

Një qukapik hyn në një lokal, ulet dhe thotë: “Më falni, a është banakieri këtu?”

_______

• Prophet Song i autorit Paul Lynch është botuar nga Oneworld (£9.99).

Përktheu: Arlinda Guma

Marrë nga: The Guardian

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Librashitësi-Rozafa Shpuza

Librashitësi-Rozafa Shpuza Kapakë historish të zverdhunastivon përditë n’thembër t’bulevardit, e njajtë me
Go to Top