Kur të jesh plakur-William Butler Yeats

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Më 30 Janar, 1889, Yeats-i takohet për të parën herë me zonjushën Maud Gonne. Ajo mbërrin në shtëpinë e prindërve të saj, në rrugën “Blenhein” në Londër. Takimit epik i paraprin rrëfimi që John O’Leary (udhërrëfyesi artistik i Yeats-it), i pati bërë shkrimtarit të ri, se sa e admironte ajo veprën e tij “Ishulli i Statujave”.

Gruaja e re, me vetëbesim të hekurt, e shëtitur thuajse gjithkund, e bukur dhe rrezatuese, me flokët e kuqtë e të gjatë dhe lëkurë të bardhë si mëndafshi, ishte kërkuar jo pak herë në martesë, që para se të mbushte tetëmbëdhjetë vjeç.

Por, ajo ishte devotshmërisht e përkushtuar ndaj çështjes së nxehtë të nacionalizmit Irlandez. Çështje, të cilën, vetë Yeats-i e kishte tepër për zemër, anipse, nacionalizmi i tij shpaloste nota më tepër filozofike, teksa, i saji ishte më praktik dhe aktiv (Maud Gonne luftoi pareshtur e trimërisht për Pavarësinë e Irlandës).

Që nga ky çast jeta e Yeats-it ndyshoi kryekëput: takimi i papritur me gruan e re ishte dashuri me shikim të parë – a coup de foundre – fillesa e një historie të ethshme dashurie e pasioni kurrshlyer, që zgjati thuajse tridhjetë vjet.
Vite më vonë ai do të shkruante mbi këtë kryqëzim fatesh se, pikërisht në ato çaste u mbarsën shqetësimet e jetës së tij.

Maud dhe Yeats-i ishin miq të ngushtë e bashkëbisedues të zjarrtë. Ai madje e prezantoi atë në shoqërinë okulte ku Yeats-i bënte pjesë, “The Golden Dawn”. Dy të rinjtë ndanin mes vedit detaje prej eksperiencave të praktikave të fshehta.

Mirëpo, për Maud Gonne-në marrëdhenia e tyre nuk ishte assesi një lidhje romantike, por, një fuzion platonik i mendjeve dhe shpirtrave të tyre. Anipse, shkrimtari i kuptonte ndjenjat e saj, kjo nuk e ndaloi atë t’i kërkonte dorën plot tri herë në martesë.

Kësisoj, në vitin 1891, Yeats-i e profetizoi pasionin dhe dashurinë e tij, në poezinë “Kur të jesh plakur”:

Kur të jesh plakur-William Butler Yeats

 

Kur plakur, zbardhur e përgjumur t’jesh
E ndanë zjarrit kotesh, kët’ libër n’qeti lexo,
Për shikimin tënd t’kadiftë ëndërro
Dhe hijet e tyre përthellë, që më nuk janë.

Sa të tjerë t’i deshtën çastet e lavdishme,
Sa të tjerë bukurinë tënde lakmuan
me dashuri t’rreme apo t’vërtetë,
Ama, veç nji burrë dashuroi shpirtin tënd pelegrin
E ndër deje dhimbjesh mbi fytyrën tënde gdhendur, ai u tret.

Dhe duke trazuar thëngjijtë, trishtë do t’ndihesh
Duke murmuritur se si Dashnia aq shpejt u largu
Kah maleve atje tej u tret
Dhe fytyrën e fshehu mes yjësish.

_____________

“Biografi e Shkurtër e Yeats-it”
Kreu 6 | Shpirti Pelegrin – Maud Gonne

Përktheu: Iva Çaushaj Vaso

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top