Author

Admin - page 102

Admin has 1899 articles published.

Aksinja Mihaylova – moderniteti i një poeteshe europiane

in Letërsi/Përkthim/Tharm/Tirana Review by

Fituese e dy çmimeve të mëdhenj poetikë në Francë, veç çmimit Kombëtar të Poezisë (2011) që ka marrë në Sofie, kjo poete mjaft e ndjerë dhe metaforike radhitet si një nga poetet më të mira të poezisë bashkëhore europiane.

Luan Rama

Aksinja Mihaylova është një nga poetet më të njohura të Bullgarisë dhe njëkohësisht përkthyese e letërsisë bullgare dhe e asaj franceze. E njoha gjatë një simpoziumi të shkrimtarëve të gjuhës frënge në Sofie në tetorin e vitit 2019 ku e përgëzova për veprën e saj që i kapërcen kufijtë e Bullgarisë.

Pas librit të parë poetik të shkruar në gjuhën frënge: ”Qiell për t’u humbur” më 2014, ku në Francë u nderua me çmimin ”Apollinaire”, ajo botoi librin e dytë “Le baiser du temps” (Puthja e kohës), të botuar po nga shtëpia botuese franceze Gallimard, nga më prestigjiozet e Francës. Pikërisht me këtë vëllim ku në qendër është njeriu dhe koha, koha e nostalgjisë, e fëmijërisë, rinisë, dashurisë, koha gjatë së cilës njeriu transformohet dhe vështron gjithnjë nga pas, ajo u nderua me çmimin e madh poetik ”Max Jacob”, por në mars të këtij viti ajo nuk mundi të ishte e pranishme në ceremoninë e çmimit për shkak të epidemisë virusale.
Mihaylova ka lindur në vitin 1963, në Rakevo, në veri-perëndim të Bullgarisë dhe ka studiuar në një lice francez e më pas është specializuar në gjuhën frënge. Sot ajo është specialiste e letërsisë dhe e gjuhës franceze në Universitetin e Sofjes ”Clement d’Ohrid”. Gjatë shumë viteve ajo ka përkthyer vepra të shumta të autorëve francezë (rreth 30 libra në prozë e poezi), si të Georges Bataille, Jean Genet, Pierre Bourgeade, Sylvie Germain, Linda Maria Baros, Tahar Ben Jelloun, etj.

Është interesant se që të dy ne kemi përkthyer poema të një prej poeteve të njohura libano-franceze Venus Khoury Ghata. Poezia e saj është një poezi shumë origjinale, moderne, tepër jetësore, mjaft tokësore dhe plot detaje, përmes të cilave përshkruan jetën e thjeshtë njerëzore, ku prin ndjesia humane. Në një nga poezitë ajo shkruan:

Në çfarëdo që shkruan
ti nuk shpreh aspak kuptimin
sepse në fillim nuk ishte Verbi
por gëzimi i trupave…”

Fituese e dy çmimeve të mëdhenj poetikë në Francë, veç çmimit Kombëtar të Poezisë (2011) që ka marrë në Sofie, kjo poete mjaft e ndjerë dhe metaforike radhitet si një nga poetet më të mira të poezisë bashkëhore europiane. Poezitë e saj janë përkthyer në gjuhë të ndryshme si në Belgjikë, Kanada, Francë, Spanjë, Itali, Kinë, Japoni, Rumani, Greqi, Slloveni, etj.

”Çdo herë që më thua se e nesërmja nuk ekziston
një erë mashkullore vërshon drejt meje
dhe fustanin ma ngre e më merr me vete
drejt taracave të larta të një shtatori
ku gjatë mund të vështroj hijen tënde
tek të afrohem nga të gjitha anët…”

 

Ata janë shumë- Aksinia Mihaylova

 

Nga erdhi këtë fund maji kjo borë në Sarajevë?
Duket se koha ka marrë zakonet e këqija të njerëzve.
Gjithçka përsëritet thonë pleqtë nëpër taverna
Ballkani i ngjan një vene të fryrë gjaku
që kohë më kohë Europa e pret
për të pastruar gjakun e vjetër të saj.
Gjërat me të rëndësishme nisin në një treg,
në një pazar të shqetësuar, në fillim apo fund shekulli.
Meqë pranvera mbërrin në këto vende
gjithnjë të premten
dhe zgjedh tavernën me tavolina rrumbullake
ku kuptimi i çdo fjale vret dukshëm
nga të gjitha anët, 
ashtu dhe duart tona të pafajshme
qëndrojnë mes të tavolinës
që mban në vetvete kërthizën e botës.

PUNËT E MIA-Henri Michaux

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

PUNËT E MIA-Henri Michaux

 

Rrallë më ndodh të shoh dikë e të mos e rrah.
Të tjerëve u pëlqen monologu i brendshëm. Mua jo.
Mua më pëlqen të grindem.
Ka njerëz që ulen përballë meje në restorant dhe nuk thonë asgjë, rrinë njëfarë kohe, sepse kanë vendosur të hanë.
Ja tek është njëri.
E kap, e mbërthej, fap.
Prapë e mbërthej, fap.
E var në portmanto.
E heq prej andej.
E var prapë.
Prapë e heq.
E plas mbi tryezë, e shtrëngoj, ia zë frymën.
E zhdëp krejt, e mbyt.
Ai prap merr frymë.
E zë më dru, e marr zvarrë (filloj të nevrikosem, duhet t’i jap fund), e shtyp, e shtrydh, e përmbledh dhe e fut në gotë, e derdh haptazi përdhe dhe i them kamerierit: “Më sill një gotë më të pastër.”
Por ndihem keq, paguaj shpejt e shpejt llogarinë dhe iki.

 

Përktheu: Alket Çani

SILVIA-Carlos Fuentes

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

CARLOS FUENTES

E para dhe e fundit, thotë Gerard de Nerval te poezia e mrekullueshme «Artemisa»… «Et c’ést toujours la seule – ou c’ést le seul moment*»… Nëse gjithë femrat që kam dashur do të përmblidheshin në një të vetme, do t’i përfshinte të gjitha ajo, do të ishte ajo, e vetmja grua që kam dashur përgjithmonë. Ato të gjitha janë yje, por Silvia është vetë galaksia. Ajo i rrok të gjitha. Ajo është bukuria, kënaqësia erotike, por edhe thjeshtë mrekullia për të qenë së bashku, për të ngrënë, për të fjetur dhe për t’u zgjuar së bashku, për të shëtitur dhe udhëtuar së bashku, për t’i pasur miqtë së bashku, për t’i ndarë të gjitha së bashku: mëdyshjet, planet, të metat, gabimet, dashurinë; duam dhe atë që mund të mos na pëlqejë apo të na pezmatojë në personalitetet dhe sjelljet tona. E përbashkët kënaqësia për të pasur fëmijë dhe hidhërimi për t’i humbur ata. Të përbashkëta kujtimet, respekti për të shkuarën dhe shijet e ndryshme. Bashkëpërmbushja profesionale, intelektuale dhe emocionale: jemi të ndryshëm, por secili i jep tjetrit diçka që të mos i mungojë më, në mënyrë që e imja ndikon tek ajo, ashtu siç ndikon e saja tek unë. Ndërthurje gjenealogjish, miqësish, qytetesh të preferuara;vogëlima shkëlqimtare të ngrënash, restorantesh; pasioni ynë i përbashkët për kinemanë, teatrin, operën. Çdo gjë që na bashkon, madje edhe ajo që mund të na ndajë, kthehet në një pikë takimi, hetimi dhe në fund bashkimi. Fizikisht jemi shumë të ndryshëm. Ajo është delikate, vajzë e çlirët, bionde dhe me ca sy sensualë që ndërrojnë nga e kaltra në të gjelbër apo në gri, sipas kohës. Pamja e saj është europiane, por cipën e ka të brymtë, me një vezullim të bukur oriental. Shija e saj për t’u veshur është e jashtëzakonshme dhe më kënaq. E dua sepse unë jam njeriu më i përpiktë mbi këtë tokë dhe ajo, me përpikëri, mbërrin gjithnjë me vonesë. Është pjesë e magjisë së saj. Të bën të presësh. Europianët e shekullit XVII prisnin që vdekja t’u vinte nga Spanja, në mënyrë që të arrinte sa më vonë. Jo, mua dhe asaj na mbërriti shpejt, kur humbëm Karlosin. Të bashkuar përgjithmonë, na erdhi një vdekje që na bashkoi më shumë se kurrë. Ajo e ka pranë Karlosin çdo çast. Mua, më pak i ndjeshëm apo më burracak, më është bërë zakon ta thërras tim bir, me një forcë që vetë mua më habit, gjatë kohës kur shkruaj. Ky është momenti kur im bir vjen pranë meje, dhe ndiej se gjatë përpjekjes sime të përditshme për të shkruar, ai e përmbush qëllimin e tij të cunguar. Kësisoj, ndodh që gjithçka zgjatet dhe kthehet për t’u mishëruar në bashkimin e një çifti. Ka thënë Apolineri se ka nga ata që vdesin për të qenë të dashuruar. Në rastin tonë, biri ynë është gjallë, sepse dashuria që na bashkoi (Silvian, Karlosin dhe mua) është e gjallë në jetët tona. Ama është ajo, gruaja, e cila zbulon aftësinë për ta bërë dashurinë të veçantë dhe përfshirëse. Është ajo, Silvia, e cila kurorëzon ngrohtësisht përpjekjen time vitale për t’i kushtuar vëmendje seksuale, erotike, politike, letrare. Tregohu i vëmendshëm, ndryshe nuk do të kesh të drejtë që të të dua dhe të më duash. Miku ynë i shtrenjtë argjentinas, Tomas Eloi Martines, kur humbi gruan e tij të bukur Suzana Rotker, shkroi një rekuiem të fuqishëm dhe të dhimbshëm që përfundonte kështu: «Do të jepja gjithçka jam dhe gjithçka kam për të qenë në vendin e saj. Sa do të doja ta shihja të plakej! Sa do të doja që ajo të shihte vdekjen time!»
Një çift nuk e di se cili do ta përcjellë tjetrin, apo nëse do të vdesin së bashku. Veç ai që mbetet pas, nuk do të jetë thjeshtë një i pikëlluar, por një përfaqësues i vdekjes. Dashuria që vazhdon edhe pas vdekjes quhet eros. Ajo vazhdon edhe pas netëve, ditëve dhe viteve me gjallje, kur nuk është më, por vetëm përmes imagjinatës erotike. «Erotizëm do të thotë ta miratosh jetën deri në vdekje», thotë Georges Bataille te romani i shkrimtares britanike Emily Bronte: «Maja të stuhishme». Seksualiteti të çon drejt vdekjes, sepse të riprodhohesh do të thotë të zhdukesh. Të kuptosh këtë do të thotë të kuptosh jetën erotike pas zhdukjes së çiftit. Të kuptosh këtë do të thotë t’i shtosh në maksimum marrëdhëniet seksuale të së tashmes, duke u zbrazur, erotikisht, gjithë kohën dhe në çdo moment, që fizikisht s’ka për t’u kthyer më.
Pra, vallë a nuk duhet pasur edhe në dashurinë më të plotë një paraprirje humbjeje që ta intensifikojë të tashmen?
Nganjëherë, duke parë Silvian që fle, do të doja t’i vidhja emrin, pamjen, përvojën dhe të qenit zot absolut i ekzistencës së saj, rojtari xheloz i të fshehtave të saj. Pa atë, vetëm e përfytyroj dashurinë përpara një pasqyre që dridhet nga kujtimet. Kthehem i nxituar, i shqetësuar dhe i uritur pranë saj. E trajtoj trupin e saj si të ishte imi. Me Silvian mësoj të jem, i apasionuar e, njëherazi, ta respektoj trupin femëror të bashkuar me trupin tim. E lëvdoj vetëm në emër të përsosmërisë që i dhuroj, edhe pse nuk është, dhe që ajo ma ofron, edhe pse nuk e shikon.
Çdo natë lë një shënim të padukshëm mbi nënkresën e saj që thotë: «Sa më pëlqen!»
Gratë janë udhëtare të agimit. Secila prej tyre është bartëse e një fati të ndryshëm. Fati im ka qenë të gjej Silvian dhe ta kthej fatin tim në të sajin.

Përktheu: Bajram Karabolli

__________

*Dhe është përherë e Vetmja – apo është i vetmi çast…

Shënim: Shkrimtari i shquar meksikan Karlos Fuentes dhe miku më i afërt i nobelistit Gabriel Garsia Markes, kaloi një fëmijëri dhe adoleshencë të gëzuar. Por jeta e tij familjare qe e mbushur, njëherazi, me lumturi e dhimbje. Fuentesi shquhej për bukurinë e tij mashkullore dhe shijen e hollë për t’u veshur, gjë që bëri të adhurohej prej femrave të kohës dhe sërës së tij. Më 1958, kur ishte 30 vjeç, Fuentes ra në dashuri me aktoren e famshme meksikane Rita Masedo (María de la Concepción Macedo Guzmán), e cila ishte tre vite më e madhe dhe që la burrin e dytë për shkrimtarin e ri simpatik. Bashkë patën një vajzë. Edhe pse Fuentesi e donte shumë, Rita divorcohet (1969) për shkak të tradhtive të tij me të tjera femra. Rita, më 1993, kur ishte 67 vjeçe, vret veten, pasi merr vesh se ishte me kancer. Kjo e plagosi Karlosin.
Po atë vit (1969) Karlosi martohet me aktoren amerikane Jean Seberg që ishte dhjetë vjeçe më e vogël. Pas një romance intensive, por të shkurtër, pas pak muajsh ata ndahen. «Ishte brilante, inteligjente, e bukur… ishte një femër mjaft vulnerable (e lëndueshme).», thotë Fuentes për të. Më 1979, kur ishte ende 41 vjeçe, edhe Jean Seberg i jep fund jetës, duke gëlltitur një mbidozë barbirutikos.
Më 1971 Fuentes humbet të atin, me të cilin kishte lidhje të forta. Por, po atë vit u njoh me gazetaren Silvia Lemus, gjë që do ta quaj ngjarje vendimtare në jetën e tij. Pas një viti u martuan. Bashkë patën dy fëmijë: Karlosin dhe Natashën. Më 1999, kur sapo kishte mbushur 25 vjeç, biri i tyre, Karlosi, që vuante prej hemofilisë qysh i vogël, vdes. Dhimbjen për të Fuentesi e tregon tek eseja e mësipërme. Por fatkeqësia nuk do të mbaronte këtu. Më 24 Gusht të vitit 2005 në gazetat e mbrëmjes njoftojnë se diku pranë lagjes Tepito të kryeqytetit qe gjetur trupi i pajetë i vajzës së Karlos Fuentes, Natashës, e cila sapo kishte mbushur 30 vjeçe.
Në tekstin kushtuar fëmijëve të tij, shkrimtari do të shkruajë për Natashën: «Ishte një vajzë lojcake, e gëzuar, plot imagjinatë dhe humor. Iluzioni i madh i një prindi është që bija e tij të jetë përherë një burim dashurie dhe përherë ta shikojë në sallon duke kërcyer…»
Më 23 Korrik të vitit 2015, kur Karlos Fuentes bënte tre vjet që s’ishte më, Silvia Lemus prezantoi librin me kujtime për të shoqin, me titull “Shkrime dhe përshkrime”.

Gjysmat e së tërës-Sueton Zhugri

in Letërsi/Tharm by

Gjysmat e së tërës-Sueton Zhugri

 

Ajo e la buzëqeshjen përgjysmë
atëherë kur dhe hëna nxori gjysmën e kokës së saj në diell.
Mandej tha një gjysmë fjale
në gjysmë errësirë
me gjysmë zemre
që tingëlloi;

si gjysmë note

dhe pikëlloi- si një gjysmë nate;

Gjestet e saj të pambaruara u rrokullisën kalldrëmit të rrugicës
Dhe hija që mori me vete…
gjysmën e tyre.

GJUMË-Marcel Proust

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Marcel Proust

Në kohën e asaj paraditeje, kujtimin e së cilës nuk di pse dua ta ngulit, isha i sëmurë, rrija zgjuar gjithë natën, shtrihesha në mëngjes dhe flija gjatë ditës. Por atëherë më ishte shumë pranë një kohë, që shpresoja të kthehej sërish e që sot më ngjan si e jetuar nga tjetërkush, kur futesha në shtrat në orën dhjetë të mbrëmjes dhe, me disa zgjime të shkurtra, flija deri në mëngjesin e së nesërmes. Shpeshherë, me të fikur llambën, bija në gjumë aq shpejt sa nuk kisha kohë as t’i thosha vetes se po më zinte gjumi. Dhe ndonja gjysmë ore më vonë, mendimi se ishte koha për të fjetur më zgjonte, doja ta flakja tej gazetën që pandehja se e kisha ende në dorë, thosha me vete: “Është koha të shuaj llambën dhe të kërkoj gjumin”, dhe isha tejet i habitur teksa shihja rreth meje veçse një errësirë që ndoshta ende nuk më ishte po aq rehatuese për sytë sa edhe për mendjen, së cilës ajo i shfaqej si diçka pa shkak dhe e pakuptueshme, si diçka përnjëmend e errët.

Ndizja llambën, vështroja orën: ende nuk kish rënë mesnata. Dëgjoja fishkëllimën herë më të largët e herë më të afërt të trenave, që përshkruan hapësirën e fushës së shkretuar ku ngutet udhëtari për të mbërritur në stacionin tjetër në një rrugë, një nga ato netët e stolisura me dritë hëne, duke regjistruar në kujtesë kënaqësinë e shijuar me miqtë që porsa i la, kënaqësinë e kthimit. Mbështesja faqet e mia mbi faqet e bukura të jastëkut që, gjithnjë të plota e të freskëta, janë si faqet e fëmijërisë sonë që i rrokim pas vetes. Ndizja një çast llambën për të parë orën; ende s’kish rënë mesnata. Është ora kur i sëmuri, që e shkon natën në një hotel të huaj e që një krizë e tmerrshme i ka nxjerrë gjumin, ngazëllehet tek pikas poshtë derës një vrajë drite. Ç’lumturi, paska zbardhur dita, pas pak të gjithë do zgjohen në hotel, ai do mund t’i bjerë ziles dhe kësisoj do t’i sjellin ndihmë! Dhimbja e bën të duruar. Hapat që ka dëgjuar s’paskan qenë të rremë… Atë çast vraja e dritës që rrezëllinte poshtë derës shuhet. Është mesnatë, sapo fikën gazin që i qe dashur për mëngjes dhe do t’i duhet të rrijë gjithë natën e gjatë duke duruar dhimbjen e padurueshme, pa ndihmë.

Fikja llambën, bija sërishmi në gjumë. Nganjëherë, ashtu siç lindte Eva nga një brinjë e Adamit, një grua lindte nga një pozicion i gabuar i kofshës sime; e krijuar nga kënaqësia që isha gati të shijoja, përfytyroja veten sikur ishte ajo që ma falte. Trupi im që ndiente brenda saj ngrohtësinë e afërt dëshironte t’i bashkohej asaj; zgjohesha. Gjithë njerëzit e tjerë më dukeshin si tepër larg asaj gruaje nga e cila sapo kisha ikur, e kisha faqen ende të nxehtë nga puthjet e saj, trupin të dërrmuar nga pesha e saj e shtatit. Ca nga ca kujtimi i saj humbiste, e kisha harruar vajzën e ëndrrës sime po aq shpejt si të kish qenë një dashnore e vërtetë. Herë të tjera, shëtisja duke fjetur në ato ditët e fëmijërisë sonë, përjetoja pa mundim ato ndijime që janë zhdukur përgjithmonë bashkë me dhjetëvjetorin e që në parëndësinë e tyre do donim shumë t’i riprovonim, si dikush që, ndonëse e di se s’do ta shohë më kurrë verën, ka nostalgjinë edhe të zhurmës së mizave në dhomë, që nënkupton diellin përvëlak përjashta, edhe të zëzëllimës së mushkonjave që nënkupton natën plot aroma. Shihja në ëndërr sikur prifti ynë plak do më shkulte krelat, çka e kam patur tmerr, ligj të ashpër të fëmijërisë. As rënia e Kronosit, as zbulimi i Prometeut, as lindja e Krishtit nuk mundën dot ta ngrejnë aq lart qiellin mbi njerëzimin gjer atëherë të bërë fërtele, sa ç’mundi të bëjë prerja e krelave të mia, që kish marrë me vete përgjithmonë makthi i lemerishëm. Në të vërtetë, të tjera dhimbje dhe të tjera frikëra kishin bujtur, por boshti i botës qe zhvendosur. Në atë botë të ligjit të vjetër, unë rihyja lehtësisht duke fjetur, zgjohesha vetëm në çastin kur, duke u rrekur së koti të shpëtoja nga prifti i gjorë, vdekur pas shumë vitesh, ndieja krelat të shkulura me forcë prapa kokës. Dhe para se të përgjumesha sërish, duke u kujtuar që prifti kishte vdekur e që flokët i kisha të shkurtër, prapëseprapë kujdesesha të ngjeshesha pas jastëkut, batanijes, shamisë dhe murit mbrojtës, para se të rihyja në atë botë të çuditshme ku megjithatë prifti qe gjallë dhe unë kisha krela.

Ndijime të tilla, që vetëm në ëndërr mund të kthehen prapë, karakterizojnë vitet që shkojnë dhe, sado pak poetike qofshin, ato ngarkohen me gjithë poezinë e asaj kohe, sikur asgjë të mos ishte aq e mbushur me tingullin e kambanave të Pashkëve dhe manushaqet e para sesa ato ftohmat e fundme të vitit, që t’i prishin pushimet dhe të shtrëngojnë të ndezësh zjarr për drekën. Për këto ndijime, që atëherë më ktheheshin ndonjëherë në gjumë, nuk do guxoja të flisja nëse nuk do ishin shfaqur pothuajse poetike, të shkëputura nga krejt jeta ime e tanishme, të bardha si ato lulet e ujit që s’i kanë rrënjët në tokë. La Rochefoucauld ka thënë se vetëm dashuritë tona të para janë të pavullnetshme. Kështu ndodh edhe me ato kënaqësitë vetmitare, që më vonë i përdorim sa për të mashtruar mungesën e një gruaje, sa për të pandehur se ajo është me ne. Por në të dymbëdhjetat, kur shkova e u mbylla për të parën herë në kthinën që ndodhej në pjesën e sipërme të shtëpisë sonë në Combray, ku vareshin gjerdanët e luleshpatoreve, ajo që kërkova ishte një kënaqësi e panjohur, zanafillore, që nuk zëvendësonte një tjetër.

Ishte një dhomëz e madhe për t’u quajtur kthinë. Mbyllej fort mirë me çelës, por dritarja rrinte përherë e hapur, duke lënë të hynte një jargavan që kish mbirë në murin e jashtëm dhe kish futur nëpër hapësirën e pakët kokën e tij aromatike. Në atë lartësi (në majat e kështjellës), isha krejt i vetëm, por ajo dukje e të qenit përjashtë në ajri i shtonte një turbullim të këndshëm ndjesisë së sigurisë që i jepnin vetmisë sime shulet e patundshëm.

Eksplorimi që i bëra atëherë vetes, në kërkim të një kënaqësie të panjohur, nuk do më kish falur më shumë emocion, më shumë tmerr, edhe sikur të praktikoja në palcë e në tru një operacion kirurgjikal. Çdo çast pandehja se do vdisja. Por s’më bëhej vonë. Mendimi i galduar nga kënaqësia e ndiente se ishte më i gjerë, më i fuqishëm se universi që po më shfaqej së largu nga dritarja, në pafundësinë dhe përjetësinë e të cilit në kohë të zakonta mendoja me trishtim se isha vetëm një grimcë jetëshkurtër. Në atë çast, në atë masë që retë rrumbullakoseshin në largësi sipër pyllit, ndieja si mendja më shkonte edhe ca më larg, nuk ishte plotësisht e mbushur me të, linte ende një boshllëk të vockël. Ndieja si vështrimi im i fuqishëm në bebëza mbartte si pasqyrime të thjeshta e të pavërteta kodrat e bukura të gufuara që ngriheshin si sisë nga të dyja anët e lumit. E gjitha kjo prehej mbi mua, nuk isha tjetër veçse e gjitha kjo, nuk mund të vdisja. Për një çast mora frymë; për t’u ulur mbi ndenjëse pa u bezdisur nga dielli që e ngrohte, i thashë: “Hiqmu andej, vogëlush, që të ulem” dhe ula perden e dritares, por dega e jargavanit e pengonte të mbyllej. Më së fundi, një fiskajë ngjyrëopali u ngrit me hovje të njëpasnjëshme si në çastin kur shpërthen shatërvani në Saint-Cloud, që mund ta dallojmë mirë – sepse, në rrjedhën e pareshtur të ujërave të tij, ai ka tiparet e veta që krijojnë plot hir një lakore të qëndrueshme – duke parë portretin që na ka lënë Hubert Robert-i…

Në atë çast, ndjeva një si dashuri që më rrethonte. Ishte aroma e jargavanit që vinte tek unë e që në ngazëllim e sipër e kisha reshtur së nuhaturi. Por me të përzihej një aromë e athët, një aromë lëngu, a thua se kisha thyer degën. Unë vetëm sa kisha lënë mbi gjethe një gjurmë të argjenduar e natyrore, si ajo që lë fija e merimangës së argjendtë apo kërmilli. Por mbi atë degë, ajo më dukej si fruti i ndaluar mbi pemën e së keqes. Dhe si popujt që u japin hyjve të vet forma të paorganizuara, ishte mu nën pamjen e asaj fijeje argjendi, të cilën mund ta zgjasje gati pafundësisht pa e parë të soste e që mua më duhej ta tërhiqja nga vetja duke shkuar përkundër jetës sime të natyrshme, që ç’prej atëherë për ca kohë përfytyrova djallin.

Megjithë atë aromë dege të thyer, të linjtash të njomura, ajo që pluskonte në ajër ishte aroma e butë e jargavanëve. Ajo mbërrinte tek unë si çdo ditë, kur shkoja të luaja në parkun jashtë qytetit, madje shumë më parë se të shihja së largu portën e bardhë pranë së cilës lëkundeshin, si dama plaka të pashme e lojcake, me shtat të epshëm, kokën stolisur me pupla, aroma e jargavanëve vinte para nesh, na uronte mirëseardhjen mbi udhën e vogël që shkonte ndanë lumit, atje ku kalamajtë kishin vënë shishe në rrymë për të kapur peshk, duke dhënë një ide të dyfishtë freskie, ngaqë ato nuk përmbajnë vetëm ujin, si mbi një tryezë ku i japin pamjen e kristalit, por dhe përbëhen prej tij duke përftuar një lloj lëngëzimi, aty ku, rreth topthave të bukës që hidhnim, mblidheshin si re të dendura fulterëzat, krejt të shkrira me ujin e që s’dihej nga kishin mbirë, pak para se të kalonim urën e vogël prej druri në qoshen e së cilës, në verë, një peshkatar me kapelë kashte ia behte mes kumbullave blu. Ai përshëndeste tim ungj që me sa dukej e njihte dhe na bënte shenjë të mos bënim zhurmë. Por kurrë s’e kisha ditur kush ishte, kurrë s’e kisha hasur në qytet dhe ndërsa këngëtari, fëmijët e korit dhe rojtari i kishës, si zotat e Olimpit, nuk ishin aq të lavdishëm në jetën reale ku i njihja si nallban, si shitës bulmeti e si bir të bakalles, nga ana tjetër, ashtu siç nuk kisha parë kurrë përveçse duke punuar kopshtarin e vogël prej stukoje në kopshtin e noterit, nuk e kisha parë kurrë as peshkatarin përveçse duke peshkuar, gjatë stinës kur udha mbushej plot fletë kumbullash, me xhaketën prej leshi dhe kapelën prej kashte, në atë orë kur edhe vetë kambanat dhe retë enden me limonti nëpër qiellin e zbrazët, kur krapët nuk mbartin dot më mërzinë e orës dhe në një angështi nervoze kërcejnë vrulltaz në ajër për moskund, kur guvernantet shohin sahatin për të thënë se ende nuk ka ardhur ora e zëmrës.

Përktheu: Alket Çani

Faik bej Konica/Guillaume Apollinaire

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

Guillaume Apollinaire

Ndër njerëzit që kam njohur, që më kujtohen me kënaqësi të madhe, Faik Konica është patjetër ndër më të veçantët.
Ai lindi në Shqipëri, 40 vjet më parë, në një familje që e ka ruajtur besimin katolik. Ky shqiptar (Ce Chkipe), mësoi në Francë; rreth moshës 20-vjeçare pati një çast të bëhej fetar në Grabd Chartreuse, por megjithatë ai s’e bëri aspak këtë gjë; pak nga pak besimi i tij do të shpërblehej, do të kthehej në indiferencë, madje në kuptimin e antiklerikalizmit të vendosur, që të kujton atë të Merimesë.
Ai vazhdoi studimet, por pasi posedonte një shkallë të lartë të atdhedashurisë për vendin e vet, u kthye dhe në Shqipëri, ku, sipas thënieve të tij, u dënua dy herë me vdekje në mungesë për komplot ndaj pushtetit otoman.
Ai u rikthye në Francë ku njohu shkëlqyeshëm gjuhën dhe literaturën franceze dhe u lidh me të gjithë ata që e admironin Shqipërinë.
Megjithatë liria që gëzonte në Francë i dukej e pamjaftueshme dhe shkoi dhe u rregullua në Bruksel, në rrugën “Albania” për të themeluar revistën erudite “Albania”, ku u mor me politikë e akoma më tepër me letërsi, histori, filiologji, etj.
Ia kushtoi pjesën më të madhe të jetës lëvizjes kombëtare shqiptare, duke e pastruar gjuhën shqipe prej termave të pasaktë ose parazitarë që ishin futur. Ai bëri, në pak vite, me pathos, një gjuhë të bukur, të pasur, të zhdërvjelltë.
Megjithatë, edhe në Bruksel, liria nuk i pëlqeu tanam si në Paris. Njëherë ai pati një ngjarje në rrugë me një polic.
Polici e pyeti:
– Kombësia juaj?
– Unë jam shqiptar (albanes).
– Ku banoni?
– Në rrugën “Shqipëria” (Albania).
– Cili është profesioni juaj?
– Drejtoj “Shqipërinë” (“Albanian”).
– A e dini se unë besoj se po talleni me mua, – tha atëherë polici dhe atdhetari shqiptar e kaloi natën në postën e policisë.
I zvjerdhur nga Brukseli, Faik Konica shkoi në Londër. E braktisi shtypshkronjën e vet të bukur, të bërë vetëm për veten, ku ai krijoi vepra të vogla, shumë të rralla sot. Kjo veprimtari e shtypshkronjës nuk zgjati shumë, se punëtori i vetëm që ai vuri në punë në të, do ta bënte të panevojshme.
Në Londër unë e njoha Faik Konicën në vitin 1903.
Ai banonte në Oakley Cseacent, City Road E.C.
Më kish ftuar të kaloja disa ditë te ai, si mik. Ai vetë do të vinte të më merrte në stacion. Duhej një shenjë që unë ta njihja.
Ai kishte vendosur që të mbante një orkide në thilenë e xhaketës. Treni im arriti me shumë vonesë dhe në stacionin “Viktoria” vura re se shumë njerëz mbanin nga një orkide në thilenë e xhaketës. Si do ta njihja shqiptarin tim? Mora një karrocë e arrita tek ai, sipas adresës, në çastin që ai po dilte nga shtëpia për të blerë orkidenë.
Qëndrimi im në Londër qe i këndshëm. Faik Konica kishte pasion klarinetën, oboen, si dhe kornenë angleze. Ai kishte në sallonin e tij një koleksion të vjetër të instrumenteve muzikore prej druri. Në mëngjes, duke pritur për të ngrënë, gjithmonë me vonesë, miku im luante arie të vjetra me hundë e qëndronte në këmbë me pamje serioze përballë tavolinës. Hanim mëngjes sipas mënyrës shqiptare, domethënë pa mbarim. Një herë në dy ditë ai përdorte ëmbëlsirë, kek, që unë nuk e shijoja aspak.
Ditën tjetër kishte ushqim të mirë, të cilin unë e pëlqeja, por ai nuk e shijonte. Mëngjeset zgjatnin aq shumë, saqë unë nuk kisha kohë të vizitoja muzetë e Londrës, sepse arrija në portat e tyre kur ato mbylleshin. Megjithatë ne bënim shëtitje të gjata, dhe gjatë tyre unë mësova se çfarë shpirti fin e të kulturuar kishte Faik Konica. Gati si të gjithē shqiptarët e racës së mirë, ai ishte pak tekanjoz, por unë isha kaq i prekur nga miqësia e tij, saqë kjo gjë nuk binte në sy si diçka e tepërt.
Tekat e tij manifestoheshin në mënyrë të çuditshme. P.sh., nëse hynte në një magazinë për të blerë diçka, dilte me shpejtësi prej andej se mos e ndiqte tregtari, duke dyshuar se kishte vjedhur dicka. – Me të vërtetë, – më shpjegohej ai, – kjo më ndodh, ndonëse unë kurrë s’kam vjedhur gjë. Kur e takova në Londër Faik Konicën, më tregoi boblotekën e tij. Ai i kishte shitur të tërë librat e tij të mëparshëm për të blerë edicione angleze, ku tekstet qenë shtypur me germa të vogla. Duhej lente zmadhuese për t’i lexuar. Ai kishte formuar kështu një biblotekë të re të konsiderueshme, që përmblidhej në një dollap të vogël dhe kishte ruajtur prej librave të vjetër vetëm fjalorin e Darmasterit.
Faik Konica, si një bej i dytë, ka patur përherë maninë e pseudonimeve. Ai i ndryshonte ata shpesh. Në periudhën kur e njoha, ai nënshkruante Thrank-Spiro beg. Sipas emrit të një personazhi të një romani historik të Leon Kahynit, njëfarë kryevepre, më e mira vepër e frymëzuar prej historisë shoqërore të shqiptarëve.
Por duke parë që tipografët e ortografisnin përherë pseudonimin e tij Thrank-Spirobeg, Faik Konica vendosi ta shënonte pikërisht kështu. Kjo nuk zgjati më shumë se dy ose tre vjet dhe ai mori atëherë një tjetër pseudonim, me të cilin do të nënshkruante një vepër mjaft të pasur, të shkruar mjaft mirë, të titulluar “Ese mbi gjuhët artificiale” prej Pyrrhus Bardylit.
Unë kalova edhe njëherë tjetër pak kohë në Londër te Faik Konica, që ishte martuar dhe banonte në Shing Ford. Ishte pranverë, ne shëtisnim, në fusha kalonim orët duke parë lojërat e golfit. Pak para shkuarjes sime, Faiku kishte blerë pula për të patur prej tyre vezë të freskëta.
Kur pulat i bënin vezët, për të qe e pamundur që t’i hante. Në të vërtetë, si mund t’i hante vezët e pulave që i njihte dhe i ushqente me dorën e vet? Pulat s’vonuan që t’i hanin vetë vezët e tyre. Ky fakt e tmerroi Faik Konicën, saqë ai i shihte me tmerr tani e tutje shpendët e varfra, duke mos i lënë të dilnin nga kafazi, gjersa ato nisën të hanë njëra-tjetrën, me përjashtim të njërës që mbeti fitimtare e jetoi pak kohë në vetminë e saj. Ishte pikërisht kjo pulë që unë pashë. Ajo qe bërë e egër dhe e çmendur, ishte e dobët dhe e zezë e ngjau së shpejti me një korb dhe pak para ikjes sime qe shndërruar në një lloj miu.
Faik Komica botonte atëherë revistën “Albania” me shumë kujdes. Mbi kopertinën e saj ai kishte vendosur një shenjë: armët (stemën) e shtetit të ardhshëm shqiptar, pikturuar nga një skulptor i talentuar francez. Gjithashtu Faik Konica i kishtonte vëmendje përpilimit të artikujve, por ngadalësia bëhej shkak që revista e tij të dilte në dritë me shumë vonesë.
Në vitin 1904 u botuan numrat e vitit 1902 dhe në vitin 1907 u dukën rregullisht numrat e vitit 1904.
Vetëm revista franceze: “L’Occident” mund të rivalizonte në këtë pikë me “Albaninë”.
Kur u bë revolucioni xhonturk, Faik Konica mendoi të kthehej në atdheun e vet. Por ngjarjet nuk ndodhën aspak ashtu siç donte ai. Ai u nis me shpejtësi për në Amerikë ku sapo po merrte hov kryengritja shqiptare. Ai më shkroi për herë të fundit para se të nisej në Amerikë, pastaj nuk mora më vesh për të. Dija se ishte në Amerikë, në një koloni shqiptare të rëndësishme dhe të pasur. Unë mendoja se ajo do ta kishte pritur me dëshirë restauratorin e madh të gjuhës shqipe. Më vinte keq që ai nuk më vinte në dijeni të aventurave të veta, por vitin e fundit gjeta rastësisht, te një librari, numrin e parë të një reviste të titulluar: “Trumpeta e Krujës”, sipas emrit të kryeqytetit të Skënderbeut. Aty mësova se Faik Konica banonte në Sent Luis, në Misuri dhe që kishte hequr dorë së shkruari në frëngjisht, që ai e njihte aq mirë, për të shkruar në anglishten, që e fliste mjaft keq. Unë i shkrova në adresën e Sent Luisit, por nuk mora përgjigje prej tij, kur, ja, ditën e fundit një letër nga Çikagoja ma kujtoi prapë shqiptarin tim. Letra qe dërguar e nënshkruar nga një Beniamin Decaseres. Por shkrimi i zarfit nuk më la asnjë dyshim se qe tamam shkrimi i Faik Konicës, shkrim i vogël, i formuar mirë, që u ngjante atyre të shtypshkronjës dhe që kanë qenë kopjuar nga shkrimi i Petriarkës.
Hapa letrën. Ajo përmbante një lloj prospekti të shtypur në dy faqe, në anglisht, të titulluar: “Prelude” dhe u ishte kushtuar të gjithë atyre që e kishin ndihmuar egoizmin e tij militant. Ishte në fakt një lloj poeme në prozë, plot fraza filozofike e imazhe biblike, ku përmendej edhe Bethoveni, Gëtja, etj. Kjo lamtumirë e veçantë, e lëshuar prej Faik Konicës, për ata që i kishte njohur, me të cilët i ishin këputur lidhjet e miqësisë, nuk më la asnjë shpresë se do ta rishihja prapë. Ai tani ka hequr dorë nga Evropa, nuk e boton më “Trumpetën e Krujës”, ndoshta tani as vetë Shqipëria nuk bën pjesë në preokupacionet e tij dhe mbi të gjitha llojet e punëve të Miçiganit, ky stërnip i shokëve të Gjergj Kastëriotit shfaq tani melankolinë e evropiamit mjaft të kultivuar, të poetit të zhgënjyer, po në hypokondrinë e tij nuk mund të ekzistojë, padyshim, pa katër vëllimet e fjalorit të Beylit (Bejlit).

Disa tipa lexuesish

in Letërsi by

Sipas revistës së kulturore CULTURAMAS, ka 11 tipa lexuesish:

 

1. LEXUESI I DYSHIMTË

Nuk e ka për gjë ta lërë në mes një libër të nisur prej tij, për të filluar një tjetër. Atij i pëlqen të lexojë, veç nuk di të thotë se çfarë lexon.

 

2. LEXUESI IDHNAK

Është kërkues dhe i pangopur. Ai kurrë nuk e lë përgjysmë librin, edhe sikur të mos i pëlqejë apo t’i duket se autori nuk di të ndërtojë dot dy fraza me kuptim. Vetëm pasi e ka mbaruar një libër të tillë e përplas në mur.

 

3. LEXUESI KRONOLOGJIK

Pasi mbaron një libër së lexuari, shkon përsëri në librari dhe blen një tjetër. Mund ta ndërpresë së lexuari një libër vetëm nëse ka një motiv mjaft të fortë për të vepruar kështu, gjë për të cilën do ta vrasë gjithmonë ndërgjegjjia. Është e kundërta e lexuesit të dyshimtë.

 

4. LEXUESI SHKATARRAQ

I hedh librat gjithandej. Hallakatet nëpër libra, duke i lënë të gjithë të hapur, me kapakë të grisur apo të njollosur dhe me fletët të zverdhura, nga lënia shkretë dhe përdorimi shkel e shko.

 

5. LEXUESI I ZËNË ME PUNË I

I pëlqejnë aq shumë librat sa mund të blejë disa njëherazi, por, me të mbërritur në shtëpi, i vendos në raft dhe i lë atje muaj të tërë pa i prekur me dorë. Kur, më në fund, i lexon, i vjen keq pse nuk i ka lexuar më parë.

 

6. LEXUESI I ZËNË ME PUNË II

Në të vërtetë nuk i pëlqen të lexojë, por hiqet sikur lexon dhe blen libra.

 

7. LEXUESI LIBROFIL

Këtij tipi lexuesi më shumë i pëlqen t’i blejë librat për t’i pasur si objekt, sesa t’i blejë për t’i lexuar. Erën dhe ngjyrën, faqet e tyre të zverdhura, librat e vjetër dhe librat e rinj, çdo gjë e konsideron si një vepër arti.

 

8. ANTILEXUESI

I duket se librat janë tepër të gjatë dhe nuk i lexon kurrë.

 

9. LEXUESI ME SHPIRT TË LIRË

Është i rritur dhe lexon libra për fëmijë, apo është fëmijë dhe lexon libra për të rritur. Çdo herë e më shumë shoqëria i pranon këta shpirtra të lirë të letërsisë, pa më të voglin turp.

 

10. LEXUESI I PËRZIER

Çdo libër që merr në dorë e lexon, por pa mbaruar atë nis e lexon një tjetër. Pra lexon njëherazi disa libra dhe kur i ka mbaruar së lexuari, i bën lëmsh, duke i ngatërruar personazhet, emrat, temat e gjithçka.

 

11. LEXUESI I PËRGJUMUR

Koha më e mirë për të është të lexojë kur shtrihet për të fjetur, por, duke qenë tejet i rehatuar, e kap gjumi dhe vetëm në mëngjes, kur zgjohet, shuan dritën dhe mbyll librin.

 

Marrë nga Revista: CULTURAMAS

Përktheu: Bajram Karabolli

S’ka krim më të madh sesa të largohesh-Bertolt Brecht

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

S’ka krim më të madh sesa të largohesh-Bertolt Brecht

 

S’ka krim më të madh sesa të largohesh.

Te miqtë, në ç’gjë mbështetesh? Jo tek ajo që bëjnë.

Se kurrë nuk mund ta dish se çfarë do bëjnë. Jo tek ajo që janë.

Ajo

Mund të ndryshojë. Vetëm tek kjo: tek fakti që nuk do të largohen.

Ai që s’mundet të largohet, nuk mundet as të rrijë. Ai që ka një pasaportë

Në xhep – a do të rrijë kur t’ia nisë mësymja? Ndoshta

Nuk do të rrijë.

Në shkofshin gjërat keq me mua, ndoshta do të rrijë. Por nëse gjërat

Shkojnë keq me të, ndoshta do të largohet.

Luftëtarët janë njerëz të gjorë. Ata nuk munden të largohen. Kur

Sulmi

Nis ata nuk mund të largohen.

Ai që rri njihet. Ai që u largua nuk u njoh. Çka u largua

Ishte e ndryshme prej asaj çka ishte këtu.

Para se të shkojmë në betejë unë duhet të di: mos vallë ke një pasaportë

Në xhep të xhaketës? Mos vallë po të pret ndonjë aeroplan ndanë

Fushëbetejës?

Sa humbjeve je gati t’u qëndrosh? A mund të të të dërgoj

Diku tjetër?

Epo mirë pra, le të mos shkojmë në betejë.

 

Përktheu: Arbër Zaimi 

Ngjarje që s’ndodhin-Sueton Zhugri

in Letërsi/Tharm by

Ngjarje që s’ndodhin-Sueton Zhugri

 

A i humbet dot gjërat që kurrë nuk i pate?
Për shembull këtë puthje që nuk e dhe,
këtë ledhatim që nuk e more,
këngën që përmendsh nuk e mësove,
kockën e këmbës që nuk e theve,
sëmundjen e ligë që nuk e përcolle,
netët që nuk fjete mbi trotuar,
pështymat e përçmimit që nuk t’i verbuan ndjenjat,
meloditë e dasmave që nuk i vallëzove,
ujërat e syve që kurrë nuk i pive,
dhunën e rrahjes që nuk e provove,
milionat e njerëzve që nuk i takove…
Më thuaj!
A ka një lis ku lidhen
gomerët e mosdijes dhe mosqenies
të jetëve të pajetuara,
erërave të parrahura,
aty ku devotshmëria e Sfinksave
përthyhet e ngurtë mbi putra,
miliardat e spermatozoidëve të shuar që fatin e dritës së tyre ta falën ty?

Më thuaj a je i lumtur që linde?
Linde një zot; sado i vogël?

17.10.2016

Aktorit P.L në ekzil-Bertolt Brecht

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Aktorit P.L në ekzil-Bertolt Brecht

 

Dëgjo, po të thërrasim të vish. Dikur i përzënë

Tash duhet të kthehesh. Në vendin

Jashtë të cilit të nxorën dikur rridhte

Qumështi e mjalti. Tash po thirresh që të kthehesh

Në një vend që është shkatërruar.

Dhe s’kemi asgjë më tepër

Të të japim, veç faktit që ti nevojitesh.

 

I varfër a i pasur

I sëmurë a i shëndoshë

Harro gjithçka

Dhe eja.

 

Përktheu: Arbër Zaimi

1 100 101 102 103 104 190
Go to Top