Maria Callas: Opera fillon shumë më përpara se të ngrihet perdja dhe mbaron shumë më vonë pasi ajo të ketë rënë

in Muzikë by

Nuk jam as engjëll as djall. Jam grua-Maria Callas

Maria Callas lindi më 2 Dhjetor, 1923. Ndoshta më e rëndësishmja këngëtare lirike e shekullit të shkuar, që ende adhurohet nga miliona fanatikë, tridhjetë e nëntë vjet pas vdekjes së saj. E dashuruar me grekun më të famshëm, Aristotel Onassis, një personalitet i një rëndësie të njëjtë. Opera e saj më e mirë ishte jeta e saj. Përrallore, melodramatike dhe tragjike, përmes udhëtimit të saj mahnitës nga ngritja deri në rënie.

Është fillimi i viteve 50-të. Maria Callas është në kulmin e lavdisë së saj dhe po ndjek një shfaqje në një kabare në Monte Karlo. Spektakli rrjedh normalisht. Por vjen çasti kur shpallet një artiste si “Maria Callas e striptizës.” Në atë çast, Maria Callas e vërtetë ngrihet nga vendi i saj dhe zhduket në errësirën e natës. Ditën tjetër, gazetat shkruajnë se ajo ishte shumë e zemëruar. Ajo tha se u largua për shkak se shfaqjaiu duk e mërzitshme. Më vonë, në një intervistë me Times, tha për incidentin në Monte Karlo: “Gazetat në mbarë botën e konsideruan këtë ngjarje më të rëndësishme se premierën e “Polyeuktos”. Kaq shumë kemi humbur ndjenjën e vlerave. “Kjo ndjenjë e humbur e vlerave ishte edhe ndjenja e humbur e masës për Maria Callas. Kjo masë që mungonte në manifestimet e admiruesve të saj, tek gazetarët, paparacët, në përgjithësi te mediat në çdo shfaqje të saj në skenë, por edhe jashtë saj.

Kush ishte Maria Callas?

Maria Anna Sofia Cecilia Kalogeropoulos u lind më 2 ose 4 Dhjetor, nuk është e sigurt data, në Spitalin Flower në Nju Jork, në mes të një furtune të tmerrshme dëbore. Ndoshta kjo ishte një shenjë e jetës së stuhishme që ajo do të jetonte. Ishte fëmija i tretë i familjes. Prindërit e saj, George dhe Evangelia Kalogeropoulou, emigrantë në Amerikë nga Meligalas e Peloponezit, kishin edhe dy fëmijë. Xhakin dhe një djalë që e humbën në moshën tre vjeçare. Babai i saj punonte si nëpunës dhe në vazhdim hap farmacinë e tij, duke i siguruar familjes mjaft kushte të mira financiare. Gjë që ra pas krizës financiare të vitit 1929. Gjatë viteve të Amerikës, familja u zhvendosë rreth shtatë herë në Hells Kitchen, Manhattan, në Riverside Drive. Më në fund përfundojnë në një apartament të rehatshëm në Walsington Heigts në Manhatan. Nëna e saj ishte një grua me një karakter shumë dinamik dhe është ajo që zbulon dhuratën hyjnore të zërit të vajzës së saj në një moshë mjaft të re. “Nuk mbaj mend fare tashmë, në ç’moment kuptova për herë të parë se vajza ime, Maria, kishte një zë për t’u ëndërruar. Në moshën katër vjeç më befasoi. Kishim një piano të vogël, të cilën Maria adhuronte ta dëgjonte. Atë ditë, Xhaki ishte në shkollë dhe unë isha në kuzhinë duke bërë bukën, kur dëgjova pianon dhe vrapova në sallon për të parë se kush luante. Ishte Maria, e cila ishte nën piano dhe shtypte pedalet e pianos me duart e saj, sepse ishte ende shumë e vogël për t’u ulur në stol dhe t’i arrinte me këmbë. Dëgjonte muzikën që nxirrte, me gojën gjysmë të hapur dhe sytë e saj të zinj i ndrisnin … “, shkruan nëna në librin “Callas, bija ime”, botuar në vitin 1960. Babai i saj rrëfen se bija e tij këndonte që në djep, “duke bërë ushtrime vokale dhe nota të larta, aq të pazakonta për një fëmijë, sa që edhe fqinjët mbesnin pa gojë.” Nëna e Marias ishte admiruese e operës dhe mundi lehtë të kuptojë thesarin që fshihte vajza e saj. Kështu që vendosi, pa i bërë presion, të kultivojë talentin e saj unik. “Sapo ajo kuptoi aftësitë e mia vokale, vendosi të më bëjë një fëmijë mrekulli”, thoshte Maria. Në jetën e vajzës së talentuar hyjnë menjëherë mësuesit e zërit dhe shkollat e muzikës, duke mënjanuar të gjitha aktivitetet e tjera të moshës. Zëri i saj karakterizohet unik. Është lloji i sopranos sfogato, domethënë zëri i lartë që shfrytëzon të gjithë spektrin dinamik të tre oktavave. Dashuria e Marias për muzikën është e natyrshme. Operat që veçon: “Aida” dhe “Tosca”. Përshtypjet për karizmën e Marias nuk vonojnë të shfaqen. Mësuesi i saj në Wadsworth Avenue të New York-ut, thotë për studenten e tij: “Ka një bilbil në qafë”, ndërsa shokët e klasës nënshkruajnë në albumin e saj urime “për këngëtaren e ardhshme të madhe.” Callas thotë se vetëm kur këndon ndjen se e duan. “Motra ime ishte e mirë, e bukur e miqësore dhe nëna ime e preferonte gjithmonë. Unë isha rosaku i shëmtuar. Nëna ime nuk kujdesej për mua dhe kurrë nuk më tha një fjalë të mirë. Për ta bërë të interesohej për mua duhej të këndoja. E dija se kisha zë të bukur dhe më bënte mirë të provokoja admirim kur këndoja. Kështu, kënga u bë progresivisht ilaçi kundër komplekseve të inferioritetit që ndieja “, tha në një intervistë në revistën Time “në vitin 1956. Maria ishte zeshkane, e shëndoshë dhe jo veçanërisht e bukur, dhe ky fakt e bënte të ndihej rivale me më të madhen dhe të bukurën Xhaki. Megjithatë, marëdhëniet mes nënës dhe vajzës bëhen komplekse që herët, si rezultat Callas shkëput të gjitha lidhjet me nënën e saj. “Nuk do ta fal kurrë që më privoi fëmijërinë time. Të gjitha ato vite që duhej të rritesha duke luajtur, ose këndoja, ose të fitoja të holla. Çdo gjë që ata bënë për mua ishin në thelb të këqija.”, thotë në “Time“. Me babain e saj kishte marrëdhënie të mira. “Gjithmonë mbaja anën e tij. Isha e preferuara e tij, kur isha fëmijë. Ndoshta dhe gjithmonë. Më kujtohet, babai më ka thënë se kur po kalonim përpara një kioske me akullore, unë u ndala befas dhe tërhiqja xhaketën e tij pa thënë një fjalë. Shikoja atë dhe akulloret. Pas pak e kuptoi, por ende luante lojën dhe më pyeti: “Çfarë do? Nuk do më thuash? Dhe nuk i thosha asgjë. Vetëm e shikoja tmerrësisht me këmbëngulje. “Kur në vitin 1937, Evangelia Kalogeropoulos braktis George Kalogeropoulos-in dhe kthehet në Greqi, duke marrë me vete vajzat e saj, mes Marias dhe nënës së saj ndodh një krisje që nuk do të ndreqet kurrë. Në Athinë ku vendosen fillon mësime kënge në Teatrin Kombëtar me mësuese Maria Trivella dhe shumë shpejt fiton vëmendjen e sopranos së famshme spanjolle të mesluftës, Elvira de Idalgo, e cila jetonte në Athinë. Ajo e fut Callas-in në sekretet e artit të madh të këngës, duke formuar shijet e saj muzikore. Këndon për herë të parë arie, të tilla si “Norma” dhe “Bedtime” të Bellini-t. Opera që do ta bëjnë atë të famshme më vonë. Nëna e saj shkruan në librin e saj: “Baritoni Nikos Moschonas, i cili kishte kënduar në Metropolitan Opera në New York dhe kishte dëgjuar “Aida” më tha: “Madam Callas, pas katërmbëdhjetë vitesh, vajza juaj do të jetë e famshme dhe ju do të notoni në ar”. Në të njëjtin vit me ndihmën e Idalgo-s punësohet në Operën Kombëtare dhe në vitin 1941 këndon për herë të parë në mënyrë profesionale në operetën “Boccaccio” të Souppe. Një vit më vonë, interpreton rolin kryesor në “Toska” të Puccini-t. “Në verën e vitit 1941 angazhuar si aktore e trupës së Teatrit Mbretëror. Ishte vetëm 17 vjeçe! Më të vjetrit në moshë anëtarë të trupës, kryesisht gra, ishin tërbuar nga zemërimi dhe do ta vrisnin me kënaqësi. Maria nuk bëri asnjë përpjekje për t’i qetësuar, pasi grindej vazhdimisht me to”, thotë nëna e saj. Maria është proagoniste në “Fidelio” të Beethoven-it dhe suksesi i saj është i madh. Megjithatë, rivaliteti, lufta e kolegëve dhe mediokriteti i shfaqjeve e çon në vendimin për të braktisur Greqinë dhe të ribashkohet me të atin e saj në Amerikë. Callas gjendet më në fund në vendin e bollëkut pas urisë së pushtimit. “Nga Greqia u largova e hidhëruar. Ekspertët nuk donin ta njihnin talentin tim aq sa me të vërtetë meritonte. E gdhija duke studiuar, por nuk i interesonte askujt. Sidoqoftë, nuk kam inat asnjë”, deklaronte Callas. Thuhet, se i tha drejtorit të Metropolitan Opera-s: “Unë jam këngëtarja më e madhe në botë, dhe një ditë do të më bini në gjunjë duke m’u lutur që të këndoj, por unë prapë nuk do të pranoj!” Ajo kohë është ku Maria Kalogeropoulou bëhet Maria Callas. Dëgjimi i saj nga Edward Johnson, drejtor i Operas, sjell ofertën për dy role në veprat “Fidelio” nga Beethoven-i dhe “Madame Butterfly” nga Pucini. Callas i refuzon rolet. Nuk dëshiron të këndojë “Fidelio” në anglisht, ndërsa ndihet shumë e shëndoshë për të interpretuar eleganten “Butterfly”.

Njohja e saj me drejtorin artistik të Arenës në Verona, Giovanni Tzenatello e çon në Itali. Aty, më 3 Gusht, 1947 bën debutimin e saj në Arenën e Veronës me “Mona Lisa” të Amilkare Ponkieli. Në të njëjtin vit interpreton Isolde-n në “Tristan dhe Isolde”, në Venecia, nën drejtimin e maestro Toulios Serafini-t. Në të njëjtin vit e kërkojnë për dëgjim në rolin “Gioconda” të Ponkieli-t, e cila do të ngjitej në verën e të njëjtit vit në arenën e madhe romake në Verona. Veterani Toulios Serafin është regjisor i orkestrës që Callas e admiron që nga fëmijëria. Bëhet mentori i saj dhe e ndihmon të përsosë zërin. Shfaqja e saj e parë në Verona shënon dhe hyrjen në jetën e saj të muzikëdashësit dhe industrialistit italian Giovanni Batista Menegini. Ajo tha se ra në dashuri me të me shikim të parë, duke sfiduar njëzet e dy vitet që i ndanin. Callas-in e tërheqin burra të moshuar që janë mbrojtës ndaj saj. Pak para fundit të jetës së thotë: “E kam dashur Meneginin, por më shumë si vajza që do babanë e saj”. U martuan më 21 Prill, 1949. Ai bujar dhe simpatik, bëhet sipërmarrësi i saj personal dhe ushtron ndikim katalitik në karrierën e saj. Brenda disa viteve, Maria Callas bëhet sopranoja më e famshme me miliona admirues në mbarë botën. Menegini e vendosë në një dietë rraskapitëse në mënyrë që të heqë kilet e tepërta që i rëndojnë siluetën dhe e privojnë nga çdo marrje me punë me mbështetjen financiare që i ofron. Callas shndërrohet në një diva të mahnitshme. Ajo rrëfen: “Një kritik italian shkroi, pas një performance të” Aida-s” që dhashë në Verona, se e kishte të pamundur të gjente ndryshimin mes këmbëve të elefantëve që ishin në skenë, dhe këmbëve të “Aida-s” , të cilën e luaja unë. Kam qarë me lot të hidhur për shumë ditë kur lexova këtë artikull. Ishte shumë i ashpër. I pështirë. Mbaj mend që në të njëjtën kohë kisha nënshkruar një kontratë për të kënduar në “Lucia di Lamermour” dhe miqtë e mi shpesh qeshnin dhe thoshin: “Ti Lucia?” Por kjo është e pamundur. Ti je shumë e trashë. Kështu që u drejtova te një mjek specialist i mirënjohur në Paris, i cili më bëri një seri injeksionesh dhe masazhesh elektrike. Ishte një proces i dhimbshëm që kërkonte sakrifica, por kisha vendosur të dobësohesha dhe ia dola. “Ndryshimi dramatik në pamje,  në kombinim me personalitetin dhe talentin e saj të madh, e bënë të preferuarën e vip-ave ndërkombëtarë. Në të njëjtin vit, Callas performoi shfaqje artistike në Buenos Aires dhe në vitin 1950 në Meksikë. Më 7 Dhjetor, 1951, Callas hap sezonin në “Skala” të Milanos me “Sicilian Ever”. Është një shfaqje që i sjell njohje të madhe. Për shtatë vitet e ardhshme, Scala do të jetë skena e triumfit më të madh të saj në një gamë të gjerë rolesh. Në vitin 1955 performon në shfaqjen historike të “Traviata-s” të Verdit, me regji nga Lukino Visconti. Shfaqet në Covent Garden, Metropolitan Opera dhe Scala, regjistroi për EMI. Thashethemet e duan primadonën shumë kërkuese. Më 27 Tetor, 1956, shfaqet në Metropolitan Opera House në Nju Jork si “Norma” të Belleville. Nëpërmjet ndërlidhjeve të ndryshme kozmike që rregullon Menegini, dhe më konkretisht, përmes gazetares dhe kozmikes, Elsa Maxgouel, takon burrin i cili luajti një rol vendimtar në jetën e mëvonshme të saj dhe njohja e tyre do të zhvillohet në një prej marrëdhënieve më të diskutuara në histori. Aristotel Onassin. Një vit më vonë, u kthye në Athinë dhe u paraqit në Konservatorin Herod Atticus si pjesë e Festivalit të Athinës. “Në venat e mia rrjedh gjak grek”, deklaron Callas … Në Qershor, 1960, kryhet në Alabama divorci i Aristotel Onassis dhe Tina Livanos. Në të njëjtën verë, manjati dhe diva e Operës, zhvendosen në Monte Karlo dhe sillen si të sapomartuar. Disa biografë të Onassis pohojnë se lidhja e tyre filloi në Londër. Peter Evans në librin e tij “Onassis”, thotë: “Maria dhe Onassis kishin rregulluar (për kruazierën) disa javë më parë, një takim të fshehtë në Londër, ku dhe u bënë dashnorë.” Disa vite më vonë, një gazetar e përshkruan këtë kruazierë si një “udhëtim të mallkuar”. Menegini kujton fillimin e këtij udhëtimi duke thënë: “Kështu filloi një aventurë tragjike” Më 24 Gusht, 1960, Maria Callas interpreton në Teatrin e lashtë të Epidaurus, Normën e Vincenzo Bellini-t. Në çastin që këndon arien “Casta Diva” lëshohen te orkestra dy pëllumba të bardhë, duke shkaktuar një stuhi duartrokitjesh. Entuziazmi i publikut ishte aq i madh saqë e thirrën Callas-in dhjetë herë në skenë. Dhe vjen radha e “Scala-s” së Milanos në Dhjetor. Alexis Minotis në librin e tij “Miqësitë e Largëta” shkruan: “Shumë pengesa dhe vështirësi teknike dhe psikologjike në provat e para, por kur erdhi Callas, të gjitha shkuan mirë”. “Në fund të gjithë e pranuan se kjo shfaqje ishte ndoshta më e mira bërë ndonjëherë në La Scala. Në Janar, 1964, Franco Zeffirelli bind Maria Callas-in të marrë pjesë në një prodhim të ri të “Toska-s” në skenën e Covent Garden. Një shfaqje e lavdëruar nga kritikët. Po atë vit, pason një sukses i ri artistik në Operën e Parisit me “Norma-n”. Megjithëse kishte disa probleme vokale, audienca pariziene e përshëndet ngrohtësisht. Ishte, ndoshta, roli i preferuar i këngëtares legjendare të operës … Më 5 Korrik, 1965, shfaqet për herë të fundit në opera në Covent Garden me “Toska-n” me regji të Franco Zeffirelli-t. Më 1966 lë nënshtetësinë amerikane dhe merr atë greke. Me këtë mënyrë zgjidhet dhe tipikisht martesa e saj me Meneginin. Sipas disa biografëve të Callas dhe Onassis, momenti kritik për marrëdhënien e tyre vjen në vitin 1966. Atëherë, thuhet se diva e madhe mbeti shtatzënë dhe pronari anijeve i kërkon të kryejë abort artificial, duke kërcënuar se përndryshe do të prishë marrëdhënien. Callas i bindet, por kurrë nuk e fal. Ajo donte aq shumë që të kishte një fëmijë, fëmijë nga Aristoteli. Por sipas hulumtimit të Nikos Gatzogiannis, realiteti ishte krejt ndryshe. Shoqja e saj Nadia Stansiof thotë në librin “Callas Remembered” “Në fillim nuk doja të besoja se Aristoteli e kishte seriozisht. Më tha: “Nuk dua të bësh fëmijë! Çfarë ta bëj një tjetër fëmijë? Kam dy! “Vendimi ishte torturues. Siç e di, Nadia, nuk besoj në abort. M’u deshën gati gati katër muaj për të vendosur. Sa më e plotë do të ishte jeta ime në qoftë se do tëkisha refuzuar. “Sipas Gatzogianni-t, Callas mbeti shtatzënë jo në vitin 1966, por në vitin 1969, dhe jo vetëm që nuk abortoi, por më 30 Mars të të njëjtit vit, sjell në botë djalin e Aristotelit. Për fat të keq, e humb atë nga shkaqe natyrore të njëjtën ditë. Callas është e bindur se Aristoteli Onassis do t’i kërkojë të martohen. Kjo nuk ndodhi kurrë. Gradualisht lidhja e tyre fillon të bëhet problematike dhe takimet e tyre pakësohen. Manjati ka identifikuar tashmë objektivin e tij të ardhshëm, i cili është shumë i lartë. Ai dëshiron të “pushtojë” Amerikën, të cilën e veja e presidentit amerikan përfaqëson në terma absolutë. Më 20 Tetor, 1968, manjati grek martohet me të venë e presidentit amerikan Kenedi, Jackie. Atë pasdite, Maria Callas, gruaja që dashuroi ndoshta sa asnjë tjetër Onassin, duke hapur televizorin dëgjon folësin e lajmeve duke folur rreth dasmës së Aristotelit dhe Jackie-t. Nuk do të besojë ato që dëgjon, por që janë të vërteta … Sopranoja e madhe zhytet në depresion … Në vitin 1969, braktisur nga zëri i saj, kthehet nga kinematografia. Xhiron filmin ‘”Medea” të Euripidit me regji të Pier Paolo Pasolini-t. Filmi, për fat të keq, nuk pati fat në kinema. Më 25 Maj, 1970 transferohet në spital dhe thuhet se u përpoq të kryejë vetëvrasje duke marrë një dozë të madhe ilaçesh. Në vitin 1973 regjison në Torino me Giuseppe Di Stefano veprën “I Vespri Siciliani” dhe të njëjtin vit fillon me të një turne global artistik. Më 8 Dhjetor, Callas këndoi në Operën e Parisit, ku audienca e ktheu 10 herë. Shfaqja e saj e fundit ishte në qytetin japonez të Sapporo më 11 Dhjetor, 1974. “Kam jetuar për artin, kam jetuar për dashurinë”, ishte motoja e Callas-it nga aria e saj e preferuar. Kur e braktisën dhe të dyja, përse të jetonte më? Maria Callas kalon në përjetësi më 16 Shtator, 1977, në Paris. Funerali i saj bëhet më 20 Shtator. Sipas doktorëve italianë të zërit Franco Fusi dhe Nick Paolilo, diva legjendare e operës, vuante nga dermatomiositi, një sëmundje degjenerative që dëmton muskujt dhe indet, duke përfshirë laringun. Kjo mund të shpjegojë rënien e vazhdueshme në shkëlqimin e zërit të saj, që kishte filluar të ndihej që nga fillimi i viteve 1960. Sipas raportit mjekësor zyrtar, vdekja e saj ndodhi për shkak të arrestit kardiak. Të dy shkencëtarët italianë shpjeguan se trajtimi për dermatomyositis bazohej në barna me bazë kortizonin dhe imunosupresantë, të cilëtka të ngjarë që shkaktuan gradualisht problemet me zemrën. Dëshironte që trupi i saj të digjej. U deshën pothuajse dy vjet derisa hiri i divës legjendare, të gjejë shtëpinë e saj të fundit. Dhe shpërndahet në Egje … Aty … Në detin, që ishte skena e dashurisë së saj të madhe me Onasin. Pak kanë dhënë aq shumë në artin e tyre si diva e parë e këngës lirike. Një grua me talent olimpik, simpatike, me një jetë personale që pasqyron rrjedhën tragjike të heronjve që ajo mishëronte. Thënie të mëdha të Maria Callas-it: … Ose je artist i lindur ose nuk je. Dhe mbetesh artist, i dashur, edhe nëse zëri yt është më i ulët se fishekzjarret. Artisti është gjithmonë aty.” “Kur muzika dështon të bjerë dakord me veshin, për të zbutur veshin, zemrën dhe shqisat, atëherë ka humbur objektivin.” “Mos më fol për rregulla. Kudo që shkoj, unë i bëj rregullat.” “Nuk jam engjëll dhe nuk pretendoj se jam. Nuk është një nga rolet e mia. Por nuk jam as djall. Jam një grua dhe një artiste serioze, dhe kështu do të doja të gjykohem.” “Kam qenë gjithmonë shumë e pjekur për moshën time, dhe jo shumë e lumtur. Nuk kisha miq fëmijërie. Do dëshiroja të kthehesha në ato ditë. Në qoftë se do të mundesha të rijetoja gjithçka përsëri, sa do të doja të luaja dhe të isha e lumtur me shoqe të tjera! Sa budallaqe kam qenë…” “Nuk e di se çfarë më ndodh në skenë. Diçka tjetër duket se më pushton.” “Një opera fillon shumë më përpara se të ngrihet perdja dhe mbaron shumë më vonë pasi ajo të ketë rënë. Fillon në imagjinatën time, bëhet jeta ime, dhe mbetet pjesë e jetës sime për një kohë të gjatë pasi kam lënë shtëpinë e operës. “Do të doja të jem Maria, por ekziston Callas-i që kërkon të mbaj dinjitetin e saj.” “Nuk kam nevojë për pará i dashur. Punoj për artin”.

Përktheu: Shpendi Shakaj

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Muzikë

Go to Top