Fjala e violinistit shqiptar Florian Vlashi gjatë bisedës së tij mbi Inteligjencën Artificiale me kompozitoren Sofia Oriana Infante në La Coruña, Spanjë

in A(rt)ktivizëm/Muzikë by

AGIM APO MUZG
Muzika bashkëkohore dhe Inteligjenca Artificiale

Florian Vlashi

Gjithmonë kam qenë i tërhequr ndaj së resë në Art, pra ndaj artit modern. Që nga fëminia, kur vizitoja te biblioteka e shtëpisë atë pjesën sekrete të artit të ndaluar, e deri sot e kësaj dite. E njëjta joshje. Ndoshta është e reja që befason, që thyen, që rrezikon, që sakrifikon por që hap rrugën.
Jam i sigurt se kur njeriu primitiv i shpellave të Altamirës u tregoi pikturat e bizonëve anëtarëve të tjerë të fisit, këta të fundit kanë qeshur. I gjithë arti ka qenë në fillim kontemporan (bashkëkohor). Dhe pikërisht për këtë arsye, kurrë nuk është pranuar me lehtësi.

Po citoj disa shembuj në muzikë:

1- “Njerëzit janë çmendur. Rregullat e reja e bëjnë muzikën të pakëndshme për veshin.”

2- “… aq e shëmtuar, me shije kaq të keqe dhe kaq të parëndësishme në konceptimin e saj… e një imagjinatë e mangët estetike larg çdo ndjenje të bukur.”

3- “Një monstruozitet i pafytyrë, i kryer kurrë më parë në gjithë historinë e muzikës… I njëjti ritëm mbi të cilin tingëllon, me përsëritje të paturpshme, një melodi kabareje e një vulgariteti befasues…”

Duken si tekste për kompozitorët aktualë. Por nuk është krejt ashtu. Dokumenti i parë është i vitit 1600, shkruar nga L´Artusi kundër krijuesit të operës, Claudio Monteverdi. I dyti është i vitit 1861, kundër Korales së Simfonisë 9 të Beethoven-it , ndërsa i treti është i vitit 1932, kundër Boleros së Ravel-it.
Duket sikur ajo e qeshura nga shpellat e Altamirës vazhdon si jehonë deri sot, megjithëse kanë kaluar 20.000 vjet…

Grupo Instrumental Siglo XX

Le të kthehemi tek “Orquesta Sinfónica de Galicia”. 28 vite më parë ne krijuam “Grupo Instrumental Siglo XX”. I jemi përkushtuar në veçanti muzikës moderne që nga fillimi i shekullit të 20-të e deri në ditët e sotme. Dhe, nëse kam mësuar diçka gjatë këtyre viteve, është kjo: muzika e re duhet të futet në shkolla që në moshë shumë të hershme. Fëmijët nuk janë të “kontaminuar”; Ata i pranojnë gjërat e reja në mënyrë më të natyrshme dhe pa komplekse. Një pikë tjetër e rëndësishme është se si prezantohet repertori modern. Ne kemi kërkuar mënyra të ndryshme për të kombinuar muzikën e re me poezinë, teatrin, kërcimin, videot dhe artet pamore. Po ashtu kemi luajtur edhe jashtë sallave të koncerteve. Kemi luajtur muzikën e Xenakis-it për fëmijë ose veprën e Steve Reich-it: “Different Trains” në stacionin e trenit në A Coruña. Çuditërisht, ishte një sukses i madh dhe u publikua në faqe e parë të gazetave – një moment historik ky për një grup dhome, e aq më tepër për një grup të muzikës bashkëkohore. Ja pra, që djalli nuk ishte aq i zi.
Djalli nuk ishte aq i zi … deri tani.

Inteligjenca Artificiale, Mahler-i dhe Rilke

Kohët e fundit mbi muzikën ka një hije kërcënuese. Quhet Inteligjenca Artificiale. Specialistja mbi Inteligjencën Artificiale, Sofía Oriana Infante mendon se pas përhapjes së mjeteve të Inteligjencës Artificiale fshihet një qëllim kapitalist dhe tregtar për të bërë muzikë në një kohë të shkurtër dhe me pak pará. E vlerësoj shumë Sofinë dhe kemi filluar të bashkëpunojmë për koncertet e ardhshme. Jam dakort me të që ka, padyshim, një anë komerciale. Është arti i shpejtë, i lehtë, sipërfaqësor, zbavitës, “i tretshëm”, pa shumë enigma, art masiv, art konsumi… Muzikë “prêt-à-porter”. Por, të dashur miq: Arti i vërtetë nuk është i lehtë; përkundrazi, është i vështirë dhe i thellë, na bën të mendojmë, si një libër i Kafkës apo një film nga Fellini. Në këtë kuptim, nuk mund të jetë popullor. Shumë herë shija e masës është e ndryshme, përfshin “kitsch-in” vulgaritetin, diktaturën e klikimeve, konsumin në internet që sjell “Brain rot” (fjala e vitit nga Oxford University Press). Është “Lehtësia e padurueshme e qenies”që vret artin.

“Në partiturë është e shkruar çdo gjë, përveç thelbësores”

Ndërsa nga ana e interpretimit, nuk e di sesi mund të më ndihmojë Inteligjenca Artificiale. Unë jam një muzikant që kam filluar të luaj violinë që në moshën 6-vjeçare dhe vazhdoj të ushtrohem edhe sot me të njëjtin përkushtim; unë nuk luaj një violinë elektrike ose një të krijuar nga një robot, por një violinë franceze të shekullit të 18-të, plot me plagë dhe histori për të treguar; kam në lexhio partiturat nga Bahu e deri në ditët e sotme, me një mijë shënime me laps; unë i përgatis koncertet e mia me orë e orë studimi për muaj të tërë në kërkim të së Bukurës së fshehur brenda pentagrameve. Mahler-i ka thënë se në partiturë është e shkruar çdo gjë, përveç thelbësores. Të njëjtën gjë bëj edhe me studentët e mi, mundohem t´i edukoj ata me kulturën e punës së mundimshme dhe t´u tregoj sesi të zbulojnë të Bukurën në art. Imagjinoni dyshimet e mia kur më pyesni se nëse Inteligjenca Artificiale do të më ndihmojë… Por, nga ana tjetër, jam shumë i sigurt se, ashtu si me të gjitha përparimet teknologjike, edhe kjo ka anët pozitive dhe negative. Është Yin dhe Yang. Ne duhet të dimë të dallojmë dhe të përfitojmë nga përparimet teknologjike pa qenë skllav i tyre.

Zoti dhe Mikelanxhelo

Nuk mund të besojmë tek algoritmet në procesin e krijimit. Unë flas si interpret, por është i njëjti proces krijimi; edhe interpretuesit janë pjesë e krijimit. Nëse një vepre arti i heq emocionet, komunikimin, energjinë, humorin, dhimbjen, misterin – me një fjalë, nëse i heq gjurmën njerëzore – ajo vepër lind e vdekur.
Është një tregim i mrekullueshëm nga Rilke ku ai tregon se, kur Zoti e pyeti Mikelanxhelon se çfarë po bënte me atë bllok mermeri, gjeniu fiorentin u përgjigj: “Po të kërkoj ty”.
Makinat nuk mund ta kuptojnë kurrë këtë gjë.

Gabimi

Në momentin aktual po bëhet gjithmonë e më e vështirë të dallosh një kompozim të krijuar nga makina apo nga njeriu. Nga ana e publikut me siguri do të jetë e pamundur të dallohet. Në fakt, janë kryer eksperimentet: janë interpretuar në koncert tri vepra – një pjesë pak e njohur e Bahut, një nga një kompozitor aktual shkruar në stilin e Bahut dhe një e tretë krijuar nga makina në stil të Bahut. Askush nuk ishte në gjendje të përcaktonte se cili ishte origjinali. Kjo do të jetë një temë për ekspertët, ashtu siç ndodh kur duhet të njohësh një vepër origjinale të Caravaggio-s apo një violinë Stradivari. Dhe, a e dini se cila është shenja e parë dalluese? Është ajo shenjë që na bën njerëzorë. Gabimi!

Etika

Sidoqoftë, krijimtaria është në momentin më kritik, si kurrë më parë. Për fat të mirë, nuk është një “shah-mat” i Inteligjencës Artificiale. Ose të paktën… për momentin. Inteligjenca Artificiale është një kërcënim i madh, jo vetëm për të drejtat e pronësisë intelektuale, por edhe për shumë arsye më jetike. Shkencëtarët dhe shumë intelektualë po ngrejnë zërin për mbrojtje kundër kërcënimit të “makinave inteligjente” (makinë inteligjente – sa oksimoron i frikshëm). Ajo më e keqja, sipas specialistëve, është aftësia e makinave për t´u zhvilluar në mënyrë të pavarur nga njeriu, madje mund të arrijnë deri aty sa dhe të manipulojnë natyrën njerëzore. Pra, alarmi për mbrojtjen ndaj saj, si “Ulërima” e Edvart Munch-it, po arrin në kupë të qiellit. Dhe kjo mbrojtje fillon me një fjalë kyçe: Etikë.

Një përrallë

Për mbyllje të temës sonë mbi Inteligjencën Artificiale po ju tregoj një histori, ndoshta një rrëfim më tepër i denjë për “Divanin freudian”.
Duke kërkuar në sirtarët e bibliotekës së tim eti në Durrës, gjej një ditar të vjetër. Ndër të tjera aty shkruhej diçka që më tërhoqi vëmendjen. Kur unë isha rreth 3-4 vjeç, im atë na tregonte mbrëmjeve; mua dhe vëllait tim më të madh, nga një përrallë. Por atë natë, ai na kërkoi t´i tregonim ne një përrallë të shkurtër. Pak a shumë, përralla ime ishte kjo:

“Një ditë, bashkë me gjyshen përdore, hipëm në tren për të shkuar në Tiranë. Treni ishte i bukur, i madh e plot me njerëz. Treni filloi të ecte pak nga pak. Shpejtësia po rritej gjithmonë e më shumë. Kur, ndodhi diçka: makinisti filloi të bërtiste se nuk mund ta ndalonte dot trenin. E kështu shpejtësia vazhdonte të rritej e rritej pa pushim

E pastaj, çfarë ndodhi? – pyet im atë.
Nuk e di… – përgjigjem unë.

Në të vërtetë, duket se nuk është një përrallë për të fjetur. As Inteligjenca Artificiale nuk është për të fjetur. Është për të ndenjur zgjuar.

__________

Veprimtari e organizuar nga Fundacioni CorBI. Muzeo Domus.
11 Prill, 2025.
La Coruña, Spanjë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top