Çfarë ndodh me artin nëse ai u gjunjëzohet influencerave për shkak të numrit të madh të ndjekësve?/Florian Vlashi

in A(rt)ktivizëm by

Çfarë ndodh me artin nëse ai u gjunjëzohet influencerave për shkak të numrit të madh të ndjekësve? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa njerëzve të artit dhe të mendimit Shqipëri dhe jashtë saj.
Përgjigjia e parë erdhi nga Spanja, prej violinistit Florian Vlashi.
Vijon më poshtë:

Arlinda Guma: Në Festivalin e Filmit të Berlinit, aktori Ethan Hawke rrëfeu diçka që më tërhoqi vëmendjen. Ai tha se sa herë që është duke xhiruar një film të ri, ndonjë prej bashkëpunëtorëve të tij e këshillon: “Merr X-in si aktore kryesore!”. “Dakord”, përgjigjet ai, “por a ka kryer ndonjë shkollë aktrimi?” “Jo”, vazhdon bashkëpunëtori, “por ajo ka një numër të madh ndjekësish në median sociale.” Ç’mendim keni ju për këtë? A nuk ju duket se po rrëshkasim “natyrshëm” në këtë realitet të ri të çuditshëm? Si të thuash në një tjetër “Reality Bites”? Mos po biem në një rreth vicioz dhe po i japim masës atë që ajo do dhe bluan më lehtë, në vend që ta edukojmë me shijen e artit të mirë që e bën të mendojë? (Dhe dihet që arti që të bën të mendosh nuk i tërheq dhe aq turmat.) Ku do përfundojë arti cilësor pas kësaj? Nëse protagonistë të tij në çdo fushë do të bëhen influencerat?

Florian Vlashi: Ethan Hawke është një aktor i jashtëzakonshëm. Ai u bë i njohur me filmin “Klubi i Poetëve të Vdekur” (Dead Poets Society) pa mbushur të njëzetat dhe vinte nga dy tentativa ku pat dështuar. Pra, ai vetë karrierën e ka nisur nga 0 dhe kapi majën atëherë kur nuk e njihte kush; nuk kishte as famë, as ndjekës e as rrjete sociale jo që jo. Por rruga e tij në “Artin e shtatë” si aktor, regjisor, skenarist, shkrimtar bashkë (të mos harrojmë edhe universitetet që ka kryer), është një shembull dinjiteti, talenti dhe pune kolosale drejt suksesit. Tani, imagjinoni nënqeshjen e tij ndaj propozimit në fjalë…
Hawke duhet të jetë idhulli ndikues te të rinjtë që aspirojnë t’i dedikohen artit. Njerëz si ai duhet të jenë influencerat e vërtetë. Fjala influencer ka marrë sot ngjyrime negative, si të thuash, është bërë pis nga njerëz bosh, pa vlera e shumë herë të famshëm nga idiotësitë apo nga vulgariteti që shfaqin në publik pa kurrfarë druajtjeje. 

Ju e quani me të drejtë rrëshkitje në këtë realitet të çuditshëm. Unë do ta quaja një “Show business” të rrezikshëm që e ndesh kudo, që nga kanalet televizive të rëndomta që janë në kërkim frenetik të audiencës e deri te “Oval office” ku një tragjedi e përmasave botërore trajtohet me të gjithë elementet e një spektakli “Big Brother”.

Ndërsa për sa i përket artit të masave është një temë shumë e gjerë dhe mjaft e hershme. Më lejoni të jap disa shembuj në atë fushë që unë njoh më mirë: Muzikën. Arti i madh, ai i vërteti, ai i gjenive, nuk e ka pasur rrugën fushë me lule. Ai, jo vetëm që nuk është pranuar menjëherë, por edhe është përçmuar e tallur. Ja, sonte në mbrëmje, në Festivalin e Bilbaos këtu në Spanjë, do të luajmë Boleron e Ravel-it, një nga veprat gjeniale të shekullit XX. Por premiera e saj në Paris ka qenë një skandal i vërtetë ku njerëzit ulërisnin: “Kjo është një çmenduri!” Po ashtu ndodhi edhe me njërën prej veprave madhore që tronditi artin e deriatëhershëm: “Pranvera e Shenjtë” e Stravinski-t apo veprat e Schoenberg-ut. Ky i fundit, i dërrmuar nga dështimet publike, u detyrua të krijonte “Shoqërinë Private të Koncerteve” ku ndaloheshin kritikët dhe duartrokitjet. Arti duhej të ishte i lirë si pikturat prehistorike të shpellave në Altamira. 
Natyrisht, kjo s’do të thotë se çdo vepër që dështon në premierë është një kryevepër e panjohur. Aspak! Por, sa të drejtë kishte Leonardo kur thoshte se askush nuk ka të drejtë të dojë apo të urrejë diçka pa e njohur mirë në thellësi. Në atë thellësi nuk mund të hyjë çdokush. Prandaj Nietzche shkruan se arti i vërtetë është për të zgjedhurit. Dhe këtu është dilema e përjetshme: t’i tregosh publikut rrugën apo t’i shkosh atij pas fijes? Secili bën zgjedhjen e vet. Vetëm, dua të kujtoj se historinë nuk e bëjnë të dytët. Shijet e masës janë të diskutueshme e të ndryshme; shpesh kanë brenda atë që quhet “kitsch”.
Është dhe një fjalë  latine që e shpjegon fare qartë këtë ide: “vulgus”, që do të thotë diçka e zakonshme e njerëzve popullorë me pak njohuri. Nga aty vjen fjala “vulgar”. Vulgariteti dhe kitsch-i janë  armiqtë më të mëdhenj të Artit. 

Prandaj, ju me revistën e mrekullueshme që drejtoni me pasion, sakrificë e plot kulturë, i bëni një shërbim të rrallë edukimit të shijeve të lexuesve. Ju nuk keni lejuar të hyjë vulgu në faqet tuaja. Ju mund t’i kishit mbushur faqet me reklama, me shtypin rozë apo me interesa partiake dhe padyshim mund të kishit fituar shumë pará e ndjekës. Por nuk e bëtë… 
Kjo lloj rezistence është për t’u falënderuar dhe për t’u admiruar! Ashtu si ai grupi i muzikantëve në vitin 1882 që nuk pranuan të luanin muzikë vulgare për të zbavitur publikun nëpër kafené e pista patinazhi, por vendosën të dilnin më vete, ta zgjidhnin ata drejtuesin e të luanin muzikën që donin. Ajo orkestër është sot më e mira në botë. Quhet Berliner Philharmoniker

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top