Çfarë ndodh me artin nëse ai u gjunjëzohet influencerave për shkak të numrit të madh të ndjekësve? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa njerëzve të artit dhe të mendimit në Shqipëri dhe jashtë saj.
Përgjigjia e radhës erdhi nga Maqedonia e Veriut, prej regjisorit Ibër Deari.
Vijon më poshtë:
Arlinda Guma: Në Festivalin e Filmit të Berlinit, aktori Ethan Hawke rrëfeu diçka që më tërhoqi vëmendjen. Ai tha se sa herë që është duke xhiruar një film të ri, ndonjë prej bashkëpunëtorëve të tij e këshillon: “Merr X-in si aktore kryesore!”. “Dakord”, përgjigjet ai, “por a ka kryer ndonjë shkollë aktrimi?” “Jo”, vazhdon bashkëpunëtori, “por ajo ka një numër të madh ndjekësish në median sociale.” Ç’mendim keni ju për këtë? A nuk ju duket se po rrëshkasim “natyrshëm” në këtë realitet të ri të çuditshëm? Si të thuash në një tjetër “Reality Bites”? Mos po biem në një rreth vicioz dhe po i japim masës atë që ajo do dhe bluan më lehtë, në vend që ta edukojmë me shijen e artit të mirë që e bën të mendojë? (Dhe dihet që arti që të bën të mendosh nuk i tërheq dhe aq turmat.) Ku do përfundojë arti cilësor pas kësaj? Nëse protagonistë të tij në çdo fushë do të bëhen influencerat?
Ibër Deari: Ka kohë që po diskutohet se çfarë po ndodh me industrinë e filmit, dhe Ethan Hawke e tha shumë qartë: sot një aktor nuk përzgjidhet gjithmonë për talentin apo për shkollimin e tij, por për numrin e ndjekësve që ka në rrjetet sociale.
Kjo reflekton një realitet të hidhur të industrisë së sotme të filmit, sidomos në Hollywood. Jo vetëm Ethan Hawke, por edhe shumë filmbërës të tjerë po e shohin këtë si një shqetësim, pasi producentët po i detyrojnë të marrin influencerë në filmat e tyre. Nëse dikur për të qenë aktor duhej talent dhe shkollim, sot shpesh herë mjafton një numër i madh ndjekësish në rrjetet sociale. Në Hollywood, trendi i filmave shpesh sugjeron aktorë për një rol jo për shkak të aftësive të tyre, por për shkak të followers-ave që ata kanë. Por edhe te ne, trendi i filmave të vetëfinancuar nga bizneset private dhe nga televizionet po shkon në të njëjtën rrugë, për rolet kryesore zgjidhen më shumë këngëtarë dhe persona nga showbizi sesa aktorë me akademi filmi dhe me përvojë të gjatë në skenën e filmit. Arsyeja është e qartë: është më e lehtë të mbushësh kinematë me një këngëtar që ka shumë ndjekës, sesa me një aktor që nuk ka rrjete sociale.
Filmat janë biznes, kjo dihet. Gjithmonë studiot kanë preferuar aktorë të njohur për të tërhequr publikun. Por dallimi sot është se fama nuk matet më me role të suksesshme, por me numrin e ndjekësve në Instagram, TikTok apo YouTube. Kjo është arsyeja pse shpesh shohim influencerë që marrin role kryesore, edhe kur nuk kanë ndonjë bazë të fortë aktrimi.
A është kjo diçka e re? Po, dhe është e pashmangshme. Por a do të thotë që arti i vërtetë po zhduket? Jo. Historia ka treguar se gjithmonë ka pasur dy drejtime në film: KOMERCIAL dhe ART. Ata që kërkojnë kinema me vlerë do ta gjejnë, pavarësisht trendit të momentit. Dhe si çdo herë, trendet nuk zgjasin shumë. Kemi plot shembuj ku një numër i madh filmash po dështojnë, sidomos ata ku imponohet aktori, imponohen temat, apo trendet e momentit, këta filma thjesht nuk kanë jetë të gjatë. Publikut mund t’i imponohet diçka përkohësisht, por në fund vetëm filmat me vlerë të vërtetë mbijetojnë!
Filmat që ndërtohen mbi marketingun dhe imponime harrohen shpejt. Filmat që krijohen me pasion, me histori të forta dhe aktorë të vërtetë, mbesin përjetësisht. Kjo është arsyeja pse ne ende flasim për The Godfather, Pulp Fiction ose Taxi Driver, e jo për filma që u krijuan thjesht për të ndjekur një trend.
Nëse flasim për kinemanë e vërtetë, ajo sigurisht që nuk ka nevojë për influencerë apo për persona të famshëm nga rrjetet sociale. Kinemaja e vërtetë ka nevojë për aktorë që ndikojnë te publiku përmes vlerave dhe lojës së tyre.
Kur influencerët marrin role kryesore, kinemaja e humb vlerën përkohësisht, duke paraqitur një model që nuk bazohet në talent dhe përkushtim, por në popullaritetin e momentit. Në të njëjtën kohë, ky trend mohon dhe zhduk hapësirën për aktorët e vërtetë, ata që e kanë ndërtuar karrierën mbi mjeshtërinë dhe përvojën artistike.
Brenda dhjetë viteve, shumica e influencerave do të jenë harruar, përveç atyre që me të vërtetë kanë talent dhe përkushtim për këtë art.
– Është e rëndësishme të sqarojmë një gjë: nuk po themi që dikush që është i famshëm në Instagram, TikTok apo YouTube nuk mund të arrijë sukses në kinematografi. Historia ka treguar se shumë figura nga fusha të tjera: muzikantë, sportistë, madje edhe njerëz të panjohur kanë hyrë në industrinë e filmit dhe kanë pasur ndikim të madh. Por ajo që i bashkon të gjithë ata që kanë lënë gjurmë në kinematografi është përkushtimi dhe talenti i tyre i vërtetë.
Dallimi qëndron te mënyra sesi një person hyn në këtë industri dhe se çfarë jep ai për të!
Edhe influencerët mund të arrijnë sukses në film, por jo thjesht sepse kanë miliona ndjekës, ata duhet të investojnë në veten e tyre, të studiojnë, të praktikojnë dhe të kenë përkushtim të njëjtë si aktorët profesionistë.
Problemi lind kur fama zëvendëson talentin. Kur dikush përzgjidhet për një rol vetëm sepse ka ndjekës në rrjete sociale, pa pasur aftësi të vërteta aktrimi, atëherë kinemaja rrezikon ta humbasë cilësinë dhe të bëhet thjesht një mjet marketingu. Kjo është e ndryshme nga rastet e atyre që, edhe pse nuk ishin aktorë të trajnuar, e fituan vendin e tyre në kinema me punë dhe pasion.
Fama nuk t’i bën rolet, është talenti ai që i bën. Mund të kesh miliona ndjekës në rrjetet sociale, por kjo nuk të bën automatikisht një aktor të mirë. Nëse një aktor nuk ka aftësinë të sjellë një personazh të gjallë në ekran, të krijojë emocione dhe ta bëjë publikun të ndiejë diçka të vërtetë, atëherë popullariteti i tij është i padobishëm në kinema. Në fund të fundit, publiku nuk mban mend sa ndjekës kishte një aktor në Instagram, por si e bëri të ndihej kur e pa në ekran!