Më interesant apo tërheqës është lajmi kur një politikan shkon me pushime verore, se sa lajmi mbi një artist që me mundësitë e tij arrin të shkojë në një festival filmi/Bisedë me regjisorin Ibër Deari

in Biseda/Kinema by

Iber Deari është një regjisor i ri, shqiptar i Maqedonisë së Veriut. Kohët e fundit ai ka qenë anëtar jurie në një Festival Filmi në New Jork, Manhattan. I pyetur mbi këtë eksperiencë ai thotë se është një ndihmesë për të menduar larg kufijve, ndërsa në lidhje me përkrahjet e munguara institucionale ai thekson:

Kam konkuruar vazhdimisht dhe nuk kam fituar fonde, kështu që falë teknologjisë, e cila sot është shumë e lirë, si dhe falë shokëve të mi që kanë shumë pasion për filmin, ne, së bashku, jemi mbledhur dhe kemi bërë filma me buxhet që e kemi pasur vetë. D.m.th. filmat kanë qenë të vetëfinancuar. Jam i lumtur nga rezultati i tyre, pasi e kam kuptuar që shkolla e vërtetë e filmit nuk mësohet në shkollë, por në sheshxhirim.

Bisedoi: Arlinda Guma

Arlinda Guma: Një regjisor i ri shqiptar i Maqedonisë së Veriut bën pjesë në jurinë e një festivali filmi në USA. A u ekzaltuan mediat kombëtariste me këtë fakt apo kjo është diçka e zakonshme në vendin tuaj? Si ishte eksperienca juaj në atë ngjarje të kinemasë?

Ibër Deari: Unë jam mirënjohës ndaj të gjitha mediave dhe gazetarëve që japin maksimumin për t’i promovuar artistet e rinj, si në Maqedoni, por edhe ata që janë jashtë Maqedonisë… Ideja është që lajmet për kulturë, art, shkencë, etj., nuk janë lajme që kanë shumë interes tek njerëzit. Kështu që, edhe gazetarët detyrohen të shkruajnë më shumë për atë që popullit i intereson, e çka më shumë si; politika dhe showbizi. Ndërsa më interesante është që kohëve të fundit politikanët janë bërë më artistë se sa vetë artistët, aktorë super të mirë, dhe nga suksesi i tyre ne aktrim ata kane arritur të bëhen më të famshëm nga të gjithë. Dhe ky është një lajm që shitet shumë. Më interesant apo tërheqës është lajmi kur një politikan shkon me pushime verore, se sa lajmi mbi një artist që me mundësitë e tij arrin të shkojë në një festival filmi apo në një xhirim filmi jashtë vendit të tij…
Për sa i përket eksperiencës sime në këto ngjarje të kinemasë, ajo është mjaft produktive dhe ndihmon shumë në zhvillimin tim si regjisor, me kontakte të autorëve të huaj dhe me kultura të ndryshme që i takoj në festivale. Kjo të ndihmon që të mendosh më shumë dhe gjithashtu ndikon në filmbërje, në mënyrë që filmat të jenë sa më universalë, për një shoqëri më të gjerë. Duhet të mendojmë sa më larg kufijve, pasi kinemaja nuk njeh kufij.

Arlinda Guma: Duket se keni hyrë vrullshëm në botën e kinemasë, filmat tuaj kanë fituar disa çmime. Duke patur parasysh se filmat kërkojnë buxhete të konsiderueshme, sa e vështirë është për një regjisor të ri të gjejë fonde? Sa mirëkuptuese tregohet Ministria e Kulturës së Maqedonisë me të rinjtë shqiptarë të artit?

Ibër Deari: Është e vështirë të gjesh fonde dhe akoma më e vështirë të gjesh përkrahje nga institucionet kulturore. Unë jam nga ata regjisorë të rinj që nuk pres përkrahje nga agjencia e filmit. Kam konkuruar vazhdimisht dhe nuk kam fituar fonde, kështu që falë teknologjisë, e cila sot është shumë e lirë, si dhe falë shokëve të mi që kanë shumë pasion për filmin, ne, së bashku, jemi mbledhur dhe kemi bërë filma me buxhet që e kemi pasur vetë. D.m.th. filmat kanë qenë të vetëfinancuar. Jam i lumtur nga rezultatit i tyre, pasi e kam kuptuar që shkolla e vërtetë e filmit nuk mësohet në shkollë, por në sheshxhirim. Pastaj kemi arritur disa çmime mirënjohjeje dhe “shëtitje” nëpër festivale dhe në këtë mënyre kemi krijuar më shumë raporte me artistë të tjerë, si dhe kemi nxitur motivimin për të vazhduar me më shumë filmbërje.

Arlinda Guma: Si ndahen çmimet në Maqedoni? (Apo gjithkund Albanian Style… Kap për xhakete disa të njohur dhe pastaj katapultohesh drejt e në Olimp?)

Ibër Deari: Nëse është fjala për festivalet e filmave apo në përgjithësi edhe për ngjare të tjera kulturore, nuk di si të përgjigjem, është një kohë e gjatë që nuk kam qenë pjesëmarrës në ndonjë festival garues në Maqedoni, por mund të them se këtu tek ne nuk kap askënd për xhakete, por ata të kapin ty dhe mundohen të të ngrenë lart drejt e në Olimp. Sigurisht, nëse ti je ndokush tek i cili ata kanë interes… Ёshtë krijuar një “elitë” njerëzish që vendosin (për interesat e tyre) se kush duhet të ngjitet më lart, ata të cilët mundohen dhe vendosin që vetëm fëmijët dhe të afërmit e tyre të lartësohen. Si për interesat e tyre familjare, si për interesat e tyre politike.
Jam i lumtur që nuk vij nga një familje artistësh, dhe se filmin, artin, e kam mësuar vetë, ashtu siç e dua unë, të jem i lirë në atë që dua ta konsumoj, e nuk e kam të imponuar as nga familja e as nga profesorët. Artisti duhet të jetë i lirë në vizionin e tij, pasi arti i imponuar nuk komunikon më larg se në familje!

Arlinda Guma: I shihni filmat e regjisorëve të Shqipërisë së viteve të fundit? Nëse po, ç’mendim keni? Po filmat e hershëm shqiptarë, i shihni?

Ibër Deari: Nga Shqipëria, ne, çdo herë presim SHUMЁ filma të mirë. Filmat e hershëm shqiptarë, pa marrë parasysh propagandën që kanë pasur, janë filma të realizuar shumë mirë, filma qe kemi parë që fëmijë, dhe po t’i shikosh edhe sot kane fuqi imazhi. Kurse një gjë më pengon te filmat e rinj ose autorët e rinj, do të doja nga ata të jenë më të pavarur… të kenë një zë të tyre, nuk e di sa mundem të jem i qartë me këtë përgjigje, por të marrim si shembull filmin kosovar; ata janë shumë më të suksesshëm, pasi kanë krijuar shumë dhe kanë gjetur një zë autorial.

Arlinda Guma: Keni qenë ndonjëherë i ftuar në ndonjë eveniment kulturor në Shqipëri? Sa bashkëpunuese janë ministritë përkatëse në këtë drejtim?

Ibër Deari: Jo nuk mbaj në mend të kem qenë i ftuar në ngjarje kulturore, mendoj që mungon një bashkëpunim apo një përkrahje… Ftesat e mia në Shqipëri kanë qenë ato të mediave, emisioneve. Kam qenë në Shqipëri në Festivale Filmi si “Tirana Film Fest” apo në ndonjë workshop si në Balkan Film Market dhe kam kaluar shumë mirë, kam qenë i mirëpritur nga organizatorët. Mendoj se Ministria e Kulturës mund të bëjë diçka më shumë për artistët, regjisorët e rinj që janë në Maqedoni, nuk jemi shumë.


Arlinda Guma: Në filmat tuaj, ka më shumë prioritet skenari apo ju jeni i shkollës së Godard-it?

Ibër Deari: Skenari është baza, pa një skenar të mirë nuk e di si mund të kemi një film. Por është edhe një gjë që unë fort e besoj; koncepti dhe ideja se si do ta realizosh atë skenar. Se ka shume regjisorë që kanë në dorë një skenar brilant dhe në fund e bëjnë një film të keq. D.m.th. jo çdo herë skenari i mirë është film i mirë, skenari pa një imazh dhe koncept interesant të regjisorit mund të mbetet vetëm një skenar i shkruar mire…

Arlinda Guma: A ja qëllojnë gjithmonë regjisorët kur i shkruajnë vetë skenarët? A mund të jesh një regjisor i mirë pa qenë domosdoshmërisht një regjisor autor i mirë?

Ibër Deari: Nuk e di sa ia qëllojnë, por mendoj se është mirë tek ne që regjisorët t’i shkruajnë skenarët vetë, pasi i dinë kushtet se sa kanë mundësi për ta realizuar atë skenar… Unë, si regjisor, jam ai që dua të rrëfej një tregim dhe dua të jetë tregimi im. Nuk e di sa mund të më pëlqejë një skenar i ndokujt tjetër nëse nuk e fus pak veten time aty. Unë, duke e shkruar skenarin, mendoj muzikën, skenën dhe montazhin, kjo ndoshta është një arsye pse çdo herë insistoj të jem edhe vetë skenarist apo bashkëskenarist.
Mund të jesh regjisor i mirë pa qenë edhe regjisor autor, por kurrë nuk do mund të jesh një regjisor i madh, do të mbetesh vetëm i mirë.

Arlinda Guma: Ç’mendim keni për filmin që trajton një temë të angazhuar? Ku qëndron rreziku i dështimit me këtë temë?

Ibër Deari: Unë kam frikë nga temat e angazhuara. Rreziku qëndron tek sinqeriteti i autorit dhe tek mungesa e shpirtit të tij. Nëse autori nuk është i sinqertë, çfarë pret të shikosh nga ai film.

Arlinda Guma: Cilët janë autorët tuaj të preferuar në letërsi?

Ibër Deari: Vazhdimisht lexoj letërsi për film, nga autorë të huaj për filmbërje dhe masterclass, por këtu do të ndaj 3 vepra ndryshe që kam lexuar së fundmi.
1. Merkuna e Zezë nga Agron Tufa – nga veprat që kisha pasur dëshirë ta realizoj në film.
2.Profeti – Khalil Gibran
3.Tjetri si unë – Jose Saramgo

Arlinda Guma: Cilët janë regjisorët që ju kanë frymëzuar më së shumti? Nëse do të ishit duke biseduar me ta me një gotë vere përpara, cilat do të ishin pyetjet që do të donit t’u bënit?

Ibër Deari: Nga regjisorët e parë është SERGIO LEONE, e pastaj vazhdojmë me Tarantinon dhe plot të tjerë. Nuk më kujtohet ndonjë pyetje momentale, por sigurisht bisedë e gjatë për filmat e tyre dhe filmat e të tjerëve. E sigurt që biseda jonë do të kishte zgjatur me ditë të tëra!

Arlinda Guma: A është Maqedonia një vend filmik? Dua të them; harmonioz me celuloidin…

Ibër Deari: Mendoj që po, ka mjaft vende të bukura ku mund të bëhen xhirime…

Arlinda Guma: Më përshkruani një vend piktoresk të qytetit tuaj, për të cilin nuk do ta linit kurrë Maqedoninë…

Ibër Deari: Edhe po të ishin Piramidat në Maqedoni, unë prapë do ta lija… Sigurisht që ka vende të bukura, por për të jetuar këtu duhet diçka më shumë se e bukura.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Biseda

Go to Top