Njerëz mbi urë-Wislawa Szymborska-Nobel 1996

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Njerëz mbi urë-Wislawa Szymborska-Nobel 1996

 

Një planet i çuditshëm, me njerëz fort të çuditshëm
që janë subjekte të kohës, pa dashur ta pranojnë.
Mes mjeteve të tjera të shprehjes së këtij refuzimi,
ata bëjnë piktura, si kjo që vijon:
Në pamje të parë s’ka asgjë të veçantë.
Duket uji.
Duket njëri nga brigjet.
Një barkë, mundimshëm, lundron kundër rrymës.
Mbi ujë ka një urë dhe mbi urën ca njerëz.
Duket qartë që njerëzit ngutin hapat
sepse prej një reje kanosëse
ka nisur shiu litar.
Kleçka është se asgjë s’lëviz, se asgjë nuk ndodh.
Reja nuk ndërron as formë, as ngjyrë.
Shiu mbetet ashtu, as pushon, as shtohet.
Barka lundron pa lëvizur.
Dhe njerëzit mbi urë po vrapojnë
në të njëjtin vend si më parë.
E pamundur të shmangësh ndonjë koment.
Kjo pikturë nuk është aspak e pafajshme.
Koha është ndalur.
Dhe ligjet e saj nuk pranohen më.
I është mohuar çdo ndikim mbi rrjedhën e gjërave,
është nëpërkëmbur e poshtëruar.
Për shkak të dorës rebele
të njëfarë Hiroshige Utagawa
(person tashmë i vdekur ashtu siç duhet),
kohës iu morën këmbët dhe u rrëzua.
Mund të jetë thjesht një rreng,
një akord në rangun e ndonjë galaktike,
por, që të jemi brenda, le të shtojmë
edhe një koment të fundit:
Breza të tërë
e kanë gjykuar të drejtë
ta vlerësojnë lart këtë pikturë,
ta ardhurojnë e të emocionohen.
Ka madje nga ata që s’mjaftohen me kaq.
Shkojnë aq larg sa dëgjojnë zhurmën e shiut,
ndiejnë ftohmën e pikave në qafë e në shpinë,
shohin urën dhe njerëzit mbi të
si të qenkëshin ata vetë,
në po atë vrap që s’do mbërrijë kurrkund,
në po atë udhë pa fund që mbetet për t’u bërë.
Dhe kanë guximin të këmbëngulin në të tyren
se në të vërtetë ndodh pikërisht kështu.

 

Përktheu: Alket Çani

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top