Intervistë me George Saunders, fitues i Man Booker Prize, 2017

in Letërsi by

Intervistë me George Saunders, fitues i Man Booker Prize, 2017

Stephanie Valente: Si përballeni me bllokimin e shkrimtarit?

 George Saunders: Më pëlqen ideja e David Foster Wallace-it se bllokimi i shkrimtarit ndodh kur ai vendos një stekë tepër të lartë për veten. E dini, shkruani një rresht që nuk e përmbush “standartin e kryeveprës” , e fshini të turpëruar, shkruani një rresht tjetër, e fshini. Shpejt kalojnë orë të tëra dhe ti je një dështak që ke qëndruar për shumë orë para ekranit bosh të kompjuterit. Ilaçi, për mua, ka qenë të ndjerit mirë me procesin e rishikimit, duke i parë rreshtat të dobët në fillim si pikënisje. Nëse e njihni rrugën që ju çon nga e dobëta tek më e mirë dhe pastaj tek e mira, nuk tronditeni nga rrëmuja e fillimit. Kështu, të shkruarit lind prej teje, por nuk je ti. Kemi këtë luftën e përjetshme mes dy pikëpamjeve: 1. Shkrimi i mirë letrar është hyjnor dhe zbret nga lart përnjëherësh, dhe 2. Shkrimi i mirë letrar zhvillohet, me anë të rishikimit, dhe nuk është proces i formulimit të papritur, të pandryshueshëm, por proces i vazhdueshëm hulumtimi. Parapëlqej dhe mbështes  pikëpamjen e dytë dhe në të vërtetë më duket emocionues fakti që zbulojmë atë që mendojmë duke u përpjekur (pa ia dalë fillimisht) për të shkruar. Dhe jemi ne që marrim me qindra vendime të vogla, për detaje nga më të ndryshmet, sipas asaj që na dikton shija jonë letrare.

Cilat janë ato vepra jo-letrare të kulturës: film, shfaqje televizive, pikturë, këngë, pa të cilat nuk e përfytyroni dot jetën tënde?

Komedia “Monty Python dhe Graali i Shenjtë”. Përdor si lëndë të parë një material që të jep shumë dorë, politikën, dhe pavarësisht nga kjo, përsëri bëhet argëtuese nëpërmjet ironisë, duke çjerrë maskën e vetes, dhe me marrëzinë. Për mua, kjo komedi përbën një zbulim për librin tim të parë, pasi tek ai munda të bëj njësh dashurinë time plot pasion për këtë film, me dëshirën për të “qenë letrar”. Kuptova se dallimi mes “argëtimit” dhe “letërsisë” në nivele të larta, nuk kishte kuptim, nëse biem dakord që qëllimi i vërtetë është përcjellja e realitetit të çastit. Skena më e bukur për mua është ajo kur mbreti kalon hipur mbi kalë afër dy fshatarëve dhe ndodh ky dialog:  “Nga e di ti që ai është mbret? – pyet njëri. “Se nuk është për ibret” përgjigjet tjetri. E përsosur!

Cila është këshilla më e mirë që ju kanë dhënë për të shkruarit?

Dikur, kur isha student, takova në një cep të sallës ku organizohej një mbrëmje, mentorin dhe heroin tim Tobias Wolff. E sigurova që nuk shkruaja më komedi fantastiko- shekncore dhe se po shkruaja “letërsi të vërtetë.”  Ai siç duket e parandjeu se 1. se nuk ishte kjo qasja që do bënte të shkruaja veprën time letrare më të mirë, por 2. Nuk donte të më kundërshtonte (vetëm koha do të tregonte nëse kisha pasur të drejtë. Por ai thjesht më tha: “Mos e humb magjinë.” Kjo është ajo që bëra për afro katër vjet.  “Këshilla” u bë pjesë e plotë e imja ditën kur bëra zbulimin që do të çonte në librin tim të parë, domethënë atëherë kur magjia (më në fund) u kthye.

Ajo që shkrova më pas ishte zbavitëse dhe me gjasë e këndshme. Lindi prej lënde letrare të gëzueshme dhe ngacmuese, jo prej materiali letrar të ngurtë dhe nuk u shkrua duke bërë kontroll të rreptë të procesit. Kur m’u kujtua papritur këshilla e tij ajo shërbeu si një përshpejtuese e shkrimit dhe nuk e harrova kurrë më pas se “magjia” duhet të jetë fjala kyçe, e cila e shpie prozën diku për të bërë diçka që nuk ke mundur ta parashikosh në fillim.

Kështu, ky parimi i procesit të shkrimit, që zhvillohet jo duke u drejtuar nga koka (idetë, konceptet, planet) por nga zemra (duke ecur para rresht pas rreshti, duke i besuar, duke u përpjekur të komunikosh dhe të argëtosh një lexues të përfytyruar, duke e pranuar atë që humbet (madje duke e parë këtë si tregues se historia do të jetë më shumë se ajo që kam në mendje) është parim që e kam pasur gjithmonë si orientues dhe më ka bërë të arrij në përfundimin që kur tërhiqet vetja, është diçka tjetër që rend t’ia zërë vendin, dhe kjo gjë është më e zgjuar, më e këndshme dhe thjesht më e besueshme se vetja, p.sh. vetja që ne krijojmë me anë të kontrollit dhe reflektimit.

Cili ishte libri i parë me të cilin u dashuruat?

Ishte Johnny Tremaine me autore Esther Forbes-in. Mësuesja ime e klasës së tretë, motër Lynett-a ma dha fshehtas të tjerëve, duke më thënë se e kishte marrë për mua në bibliotekë, sepse ajo e kishte kuptuar që për mua librat e mësimeve ishin të mërzitshëm, por (dhe kjo ishte më e rëndësishmja), murgeshat e tjera nuk ishin të kënaqura me veprimin e saj sepse mendonin se libri do të ishte “shumë i vështirë” për mua. Sa tërheqëse! Ishte libri i parë që lexoja dhe që kishte vërtetë stil, e ndieja që Forbes-i i kishte kushtuar vëmendje çdo rreshti dhe e ndieja edhe sa shumë i dobishëm mund të ishte për mua. Kur e shfletoja librin, të ngjallte një ndjesi që nuk e kisha përjetuar më parë. Mund të shihja një dhomë, të ndieja aromën e ushqimit dhe gjërave që nënkuptoheshin në rrëfim dhe përfytyroheshin prej meje sikur të ishin aty, një puhizë e lehtë, një personazh që largon flokët që i kanë rënë mbi sy ndërsa fliste. Kështu, kjo ishte hera e parë kur ndjeva deri-diku se vëmendja ndaj fjalisë ndikonte në mënyrë të drejtpërdrejtë në aftësinë e lexuesit për t’u përhumbur në botën e përfytyruar. Pra, fjalia e krijonte botën, nuk bënte thjesht përshkrimin e saj.

Një gjë tjetër që më ndodhi ishte se nisa të mendoj me gjuhën e Forbes-it dhe bota ndryshoi pas kësaj, e shihja ndryshe, por edhe ishte ndryshe. E vija re ndryshe, nëpërmjet gjuhës, ndërsa u përpoqa ta imitoj. (Murgeshat çapiteshin mbi beton, këmbët mezi kapeshin nga syri, ndërsa retë dyndeshin poshtë.) Atëherë kuptova se stili nuk është sipërfaqësor, mendimi e krijon botën, dhe këtë imitova. Kohët e fundit, hasa një kopje të Mr. Cub, autobiografinë e Ernie Banks, bashkëautore me Jim Enright, dhe duke e lexuar kuptova se sa shumë kishte të bënte me zhvillimin tim si individ duke e pasur Banks si model. Një njeri i tillë bujar, pozitiv, që e kishte kuptuar se kishte shumë përgjegjësi në këtë lëmë dhe gjithmonë përpiqej të gjente më të mirën tek të tjerët.

A keni ndonjë libër të një autori tjetër që do të donit ta kishit shkruar ju?

Do të doja të kisha shkruar “Palltoja” të Nikolaj Gogolit. Ndjeshmëria e asaj historie është e përsosur. Gogoli në njëfarë mënyre ia del të na bëjë që ne të ndiejmë simpati për personazhin kryesor pa qenë nevoja të ketë karakterin e një shenjti. E vë në lojë atë, por njeherësh duke e dashur. Ai qelbet erë, është nga ata që nuk do të doje ta kishe rrotull teje, por prapëseprapë ndiejmë se duam t’i dalim zot.

Mendoj se Gogoli e modelon prozën me një lloj dashurie kristiane, në njëfarë mënyre na edukon me atë ndjenjën që kemi vërtet, vërtet ta besojmë se të gjithë jemi vëllezër dhe motra. Dhe ai e bën këtë duke na bërë të duam dikë që me të vërtetë është “më pak i ngjashmi me ne”, i papëlqyeshëm, pedant, nga ata që bëjnë çmos të jenë të padukshëm dhe, ne e ndiejmë se ai mund të mos jetë i këndshëm as për dikë që i përket një shtrese më të ulët se ai në hierarkinë shoqërore, duke qenë ndoshta i prapambetur. Pra përbën një sukses letrar që kërkon fuqi dhe guxim krijues. Dhe kurrë nuk ngjan predikues, porse i vetvetishëm, argëtues dhe formalisht shumë eksperimentues, duket sikur po mbaron dhe pastaj vijon sërish rrëfimi më i gjallë se më parë.

Është po ashtu intriguese që Gogoli, si individ, ishte shumë i ndërlikuar. E mbylli jetën politikisht si konservator kritik duke iu kundërvënë veprave gjeniale të mëparshme. Pra, më pëlqen kjo ideja që ne nuk jemi qenie të pandryshueshme, ndryshojmë gjatë gjithë jetës sonë, dhe do të krijojmë veprën tonë më të mirë, ndoshta në një kohë dhe vend që nuk e zgjedhim ne dhe jo sipas ndonjë kredoje krijuese, por në të vërtetë ndodh vetvetishëm duke lindur ajo-që-s’e-dimë, diçka për të cilën do të na vijë keq më pas.

Përktheu: Granit Zela

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top