Lindur në vitin 1941, Darwish u bë shpejt zëri i popullit palestinez, duke fituar çmime të shumta, deri në vdekjen e tij në vitin 2008 në Hjuston, pas disa ndërlikimeve të një operacioni në zemër.
Duke derdhur zemrën dhe shpirtin e tij në poezi; shkrimtari botoi afërsisht tridhjetë përmbledhje me poezi dhe prozë, të cilat janë përkthyer në më shumë se njëzet e dy gjuhë (edhe pse, nëse do të tregoheshim të sinqertë, ato bëjnë efekt të ndryshëm në arabisht.)
Për dashurinë e tij me izraeliten Rita, ai do të shprehej :
“Unë të dua, pavarësisht mërisë së fisit dhe qytetit tim. Por kam frikë se nëse i shes të gjithë, ti do më shesësh dhe unë do të kthehem me zhgënjime”.
Kur u zbulua se e dashura e tij punonte për inteligjencën izraelite Mossad, ai tha:
“U ndjeva sikur atdheu im u pushtua përsëri. Dreqin!”
Ja disa nga shprehjet e tij më të bukura:
Mahmoud Darwish
1. “Pas teje asgjë nuk ikën dhe asgjë nuk kthehet.”
2. “Ata më pyetën: ‘a e do deri në vdekje?’ Unë u thashë: ‘flitni për të mbi varrin tim dhe shikoni sesi ajo më rikthen në jetë”.
3. “Ajo thotë: “Kur do të takohemi?” Unë them: “Pas mbarimit të luftës.” Ajo thotë: “Kur përfundon lufta?” Unë them: “Kur të takohemi.”
4. “Në tren ne këmbyem vendet, ti doje të shikoje nga dritarja dhe unë doja të të shikoja ty.”
5. “Ti po më vret dhe po më pengon të vdes. Kjo është dashuria.”
6. “Imazhi i dashurisë e zbulon veten atje; në një mungesë thellësisht të pranishme.”
7. “Dhe ti bëhesh si kafeja, në shije, në hidhësi dhe në varësi.”
8. “Dashuri! Ne nuk kemi qëllim tjetër përveçse të mundemi prej luftërave të tua.”
9. “Të gjitha rrugët të çojnë tek ti, edhe ato që kam marrë për të të harruar.”
10. “Dikur thamë se vetëm vdekja do na ndante. Vdekja u vonua dhe ne u ndamë.”
11. “Dashuritë e para nuk vdesin, por dashuria e vërtetë vjen për t’i varrosur ato për së gjalli.”
12. “Unë nuk mund të të harroj, jo sepse kam kujtesë të fortë, por sepse kam një zemër që nuk i mohon kurrë ata që u strehuan në të dikur.”
13. “Të kam dashur në një mënyrë që do të doja që dikush të më donte mua”.
14. “Nuk ka asgjë në botë si aroma e të dashurve tanë, edhe po të shtrydhet e gjithë Franca në një shishe parfumi”.
15. “Më pëlqen të flas me ty, edhe nëse nuk kam asgjë për të thënë”.
16. “Një diplomë universiteti, katër libra e qindra artikuj dhe unë ende bëj gabime kur lexoj. Ti më ke shkruar ‘mirëmëngjes’ dhe unë e kam lexuar ‘Të dua'”.
17. “Nuk do ta gjesh të njëjtin person dy herë, madje as tek i njëjti person.”
18. “Po të ishte një copë letër, do ta grisja, po të ishte një shishe, do ta thyeja, po të ishte mur, do ta shembja. Por është zemra ime.”
19. “Malli im qan për çdo gjë. Ai më godet; për të më vrarë apo për t’u vrarë.”
20. “Si mund të them që më ka marrë malli në një mënyrë të tillë që ty të të dhembë zemra ashtu siç më dhemb mua?”
Përktheu: Arlinda Guma