Simone de Beauvoir
Tani do të them disa histori të vogla për Çmimin Goncourt. Këtu është bërë zakon që kur merr çmimin, shkon në drekën e Goncourtit dhe falënderon jurinë, pastaj botuesi shtron një kokteil të madh ku mblidhen të gjithë gazetarët dhe bëjnë pyetje, foto – besoj i ke përjetuar me çmimin Pulitzer. Në SHBA është e detyrueshme, fundja, këtu bën si të duash, e ke vetë në dorë. Në fakt shkrimtarët gjithmonë pranojnë të marrin pjesë, sepse u pëlqen të bien në sy. Mua personalisht jo. Mbi të gjitha, sepse këtu gazetat janë të fëlliqura, gjithmonë shkruajnë gjëra të pavërteta për mua dhe Sartrin. Tashmë, që nga libri Seksi i Dytë, në Francë më njohin të gjithë. Pastaj… Nuk më pëlqen të jem si majmun cirku, që e vështrojnë të gjithë. Kështu që ia nisa një loje kukafshehti me gazetarët. Dy ditë para dhënies së çmimit, ata zunë vend në një lokal të vogël në anën tjetër të rrugës, përballë shtëpisë sime dhe vështronin derën. Të shtunën në mbrëmje gjeta një dalje të fshehtë dhe ika pa u ndjerë. Shkova në një banesë, të qetë, të cilën, ma kishte gjetur një mik. Banesa i përkiste një gjenerali mizor, i cili po vriste njerëz në Algjeri, por ishte një strehë e mirë. Mund të hyja dhe të dilja pa dyshuar njeri për ndonjë gjë. Kështu, bashkë me Sartrin, Olgën, Bostin, në ditën e madhe organizuam një mbrëmje të bukur me pije, si dhe një tjetër festë në një vend të fshehtë. Gazetarët rrinin ulur gjithë kohës te shkallët brenda shtëpisë në La Bûcherie; e kaluan gjithë ditën aty duke ngrënë sanduiç, me veshët hapur për çdo zhurmë, sigurisht, isha atje dhe duhej të dukesha. Një nga ata i telefonoi portieres: “Jam Sartri. Të lutem, brenda 5 minutave do vijë një djalë dhe duhet ta lësh të hyjë në dhomën e zonjushës de Beauvoir”. Por, portierja e luajti rolin: “Derën e hap vetëm nëse më thotë vetë zonjusha de Beauvoir”. “Ajo sapo doli jashtë dhe derën e do hapur”. “Duhet të ma thotë me gojën e saj”. Kështu, ajo fitoi. Gazetarët i bënë fotografi, brenda një jave të gjitha gazetat flisnin për të, ishte shumë krenare. Shkruan edhe për pastruesen (ajo që te të brendshmet, shkruante S.B.)! “Kur ha drekë zonjusha de Beauvoir!” “Zonjusha nuk ha kurrë drekë” Është e vërtetë, zakonisht punoj deri në 3 ose 4 pasdite dhe pastaj ha shumë lehtë, darkën e ha vonë. Kjo ua preu shpresat.
Shefat e mëdhenj, e kam fjalën për drejtuesit, ishin të acaruar për shkak se e gjithë kjo nënkuptonte që fundja nuk mendoja se ata janë aq të fuqishëm. Mund t’ia dilja edhe pa ata. Një nga ata ishte aq i acaruar, sa në revistën e tij botoi një foton time false, mori një të bukur dhe e prishi qëllimisht, duke vënë hije poshtë syve dhe gjithandej. Dukesha aq e mplakur dhe e shëmtuar, sa kush më njihte, nuk po kuptonte seç po ndodhte. Për fat të mirë, në gazeta të tjera u shfaqa me foto të bukura. Më duhet të them se pothuajse të gjitha kritikat ishin dashamirëse, libri vazhdon të shitet, madje më tepër se me Goncourt. Marr shumë letra. Është gjë e bukur, sepse njerëz të harruar prej kohësh shfaqen për pak minuta e të përshëndesin thjesht me një “Si je?” Miq dhe shokë shumë të vjetër, të kohës kur isha vogëlushe, studente, apo edhe nxënësit e parë kur isha mësuese. Letra e ardhur nga Zhënéja ishte e bukur; e falënderoj që ma dërgoi1). Dua të di se si do të pritet libri nga kritika në SHBA. Knofi më shkroi një letër tërë zemërim, sepse romanin tim ia besova një botueseje, por, ajo nuk pranonte përpara Gouncourti dhe e botoi ai. Do të doja të dija mendimin tënd. Të gjithë e lëvdojnë pjesën American love story. Ç‘është e vërteta, nuk është historia jonë reale dhe s’mund të jetë. Për ta bërë sa më origjinale një dashuri midis një burri që ngjan me ty dhe një gruaje që ngjan me mua, i shtova pak nga jona. Të dy i përshkrova mjaft bukur dhe lexues të shumtë këtu shprehen që ia dola me sukses. Do të doja përshtypjen tënde.
Mirë, më duhet të kryej diçka me rëndësi; të përzgjedh nga Krahu i artë pjesën për botim për numrin e Marsit, kështu që më duhet të të them mirupafshim. Më shkruaj së shpejti, edhe po qe se duhet të shkosh në vende të largëta për të ndjekur fantazma. Për mua, kurrë nuk do të jesh fantazmë.
Simona jote
Botim nga: “Shtëpia e Librit”, 2019
Përkthimi nga: Alda Bardhyli