“Një Dashuri Transatlantike”- letrat që “e ndërtojnë” Simone de Beauvoir-in më qartë se të gjithë librat studimorë shkruar për të/Arlinda Guma

in A(rt)ktivizëm/Feminizëm/Letërsi/Tirana Review by

Tani vrasim algjerianë, është një rresht i përsëritur në letrat e saj… Dhe një ndër detajet që më tërheq më shumë në këtë libër është këndvështrimi i saj kritik madje edhe brenda kauzave për të cilat ajo lufton. Se si Simone de Beauvoir-i i përshkruan disa prej të majtëve, shokë të kauzës së përbashkët… Se si ata, thellë-thellë nuk besonin që algjerianët të ishin të aftë të drejtonin vendin pas fitimit të pavarësisë, ata mendonin se atyre u duhej sërish një “i bardhë” si drejtues. Supremacia e “të bardhëve” duket se mbisundonte edhe brenda një kauze aq të lartë dhe Simone de Bauvoiri është e pamëshirshme me këtë të vërtetë. Ndoshta këtë libër duhej ta kishin lexuar më me vëmendje ata që ideuan Pranverën Arabe, sepse nuk duket të ketë ndryshuar gjë që prej atyre kohërave.

      Arlinda Guma

Të shkruash për librat që nuk të lënë indiferente, është disi e ndërlikuar; sa më shumë gllabërohesh prej tyre, po aq e vështirë është të gjesh fjalët e duhura për ta përshkruar qartë të gjithë atë përfshirje.

“Një Dashuri Transatlantike”, siç tregon edhe vetë titulli, vërtitet rreth një marrëdhenieje dashurie, megjithatë është shumë më shumë se kaq.

Vepra ka në qendër marrëdhënien e dashurisë midis shkrimtares franceze Simone de Beauvoir dhe shkrimtarit amerikan Nelson Algren dhe është ndërtuar e gjitha nëpërmjet letrave intime që Simone de Beauvoir-i i dërgonte të dashurit të saj amerikan (bisedat telefonike në ato kohëra kushtonin shumë), ndërkohë që përgjigjet e të dashurit të saj mungojnë në libër, por lexuesi megjithatë përpiqet t‘i marrë me mend si në një puzzle që e mban të mbërthyer mbi fletë.

Kur nisa ta lexoja këtë libër, kisha rezervat e mia per Simone de Beauvoir-in si prozatore. Kisha lexuar poezitë e saj dhe më kishin pëlqyer, por kisha lexuar gjithashtu romanin e saj (të bujshëm, për shkaqe tërësisht joletrare): “She Came to Stay”, i cili në shqip është përkthyer me titullin: “Mikesha” dhe, e thënë pa diplomaci, më ishte dukur i varfër letrarisht. E në këndvështrimin tim, subjektiv ndoshta, të gjitha këto përforcoheshin edhe prej një bindjeje times të hershme se letrat e dashurisë të njerëzve më të spikatur nëpër kohëra, nuk rezultojnë të kenë ndonjë vlerë letrare kushediçfarë. (Vite më parë, kur lexova disa letra që shkrimtari Franz Kafka ia dërgonte të dashurës së tij, u zhgënjeva shumë prej normalitetit të gjeniut; m‘u dukën aq të zakonshme, sa, pikërisht në njërin prej romaneve të mi shkruhet: “Dashuria, njerëzit e e zakonshëm i shndërron në të mëdhenj, ndërsa njerëzit e mëdhenj, në të zakonshëm.”

Kafka i padashurur më dukej një gjeni, Kafka i dashuruar më dukej një burrë i zakonshëm.)

Kështu nisa ta lexoja unë romanin “Një Dashuri Transatlantike”. Me të gjitha këto ndjesi; disi me mosbesim po dhe me disa grimca pezmi për faktin se që në fillim të romanit dukej sikur vërtetohej klisheja e stërdëgjuar, e padrejtë, që edhe gruaja më e mençur e botës, kur vjen puna te sentimentet nuk është edhe aq e kthjellët…

Por ky ishte vetëm fillimi…

Sepse më pas, faqe pas faqeje, kjo vepër filloi të më ndillte… Jo aq për historinë e dashurisë, sesa për sfondin politiko-social mbi të cilin zhvillohej. Për Parisin e pasluftës, për njerëzit që hyjnë e dalin nëpër këtë skenë, herë si aktorë rolesh episodikë, e herë si aktorë rolesh kryesore, në ato vite kur gjaku i Europës sapo kish nisur të ripërterihej pas rënies së nazizmit.

Padyshim që Simone de Beauvoir-i, në mënyrë krejt të pandërgjegjshme, me këtë vepër i ka lënë botës një pasuri të çmuar. Ky roman është si një arkiv dhe ka vlera të jashtëzakonshme dokumentareske për pikat kyçe me vendimtare të historisë së njerëzimit. Një arkiv, i pakompromis, me asgjë dhe askënd. Në këtë libër Simone de Beauvoir-i i drejtohet njeriut të zemrës dhe është kaq e vërtetë në ato që shkruan…

Në foto Simone de Beauvoir

Nëpërmjet këtyre letrave intime, Simone de Beauvour-i shpreh pa rezerva këndvështrimet e saj për shumë ngjarje të rëndësishme të atyre kohëve, gjë që jam e sigurt që nuk i ka shprehur kaq “të qëruara”, kaq të papërpunuara, kaq politikisht jokorrekte, në asnjë gazetë, revistë apo emision televiziv, vende këto ku intervistat e saj madje edhe shtrembëroheshin prej drejtuesve mediatike spekullues apo prej atyre që mbështeteshin prej pushtetit të Charles de Gaulle-t, e që përpiqeshin thuajse gjithmonë ta vendosnin de Beauvoir-in në një dritë të keqe për publikun.

“Një Dashuri Transatlatike” është një vepër që kapërcen letërsinë, ajo artikulon me zë të lartë, me fraza “të qëruara”, të paekuivokshme, fakte që politika ndërkombëtare kurrë nuk i ka pranuar e njohur zyrtarisht.

Gjëja që me ka intriguar më shumë në këtë liber është roli që ka luajtur qeveria e atëhershme amerikane dhe FBI-ja, ndaj zhvillimeve më të rëndësishme politiko-shoqërorore në Europën e pasluftës dhe sidomos në Francë. Aty lexuesi zbulon se si intelektualëve më të spikatur të majtë dhe më ndikues në Francë, Ambasada Amerikane e atyre kohëve u refuzonte vizën për të udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Se si kjo ambasadë kishte regjistruar detaje nga më të imëtat të jetës personale të këtyre intelektualëve, deri edhe tek një firmë e shkujdesur që Simone de Beeauvoir-i kishte hedhur dikur, pa u menduar shumë, në një peticion të shumë viteve më parë, atëherë kur boshti i saj ideologjik nuk nuk ishte konturuar ende. Se si për të marrë një vizë, dekanes së ekzistencializmit, feministes, fitueses së Çmimit Goncourt në Francen e lirive, i duhej të betohej se nuk ishte komuniste. Se si dashurisë së saj, Nelson Algren-it, fituesit të Çmimit Pulitzer, i refuzohej pasaporta amerikane. (Në vitin 1950 Algren-i kishte aplikuar për të marrë pasaportën, për të bërë një udhëtim në Paris dhe për të takuar de Beauvoir-in, por pasaporta iu refuzua. Edhe pse Algren-i kishte deklaruar se nuk ishte pjesë e Partisë Komuniste, shefi i FBI-së ato kohë kishte një dosje 500 faqëshe mbi pikëpamjet politike dhe veprimtaritë e tij si anëtar i grupeve të ashtuquajtura subversive.)

Se si FBI- ja i paguante të rinjtë francezë për të spiunuar te ajo shokët e tyre me bindje komuniste… Është një fragment diku, ku njëri prej tyre i thotë shokut të tij të ngushtë: – Më vjen keq, por më duhet të të raportoj!…

Në këte libër kemi të qendërzuar një histori dashurie, e cila në pamje të parë të jep përshtypjen se është stërmunduese pikërisht për shkak të largësisë, por, ndërsa ngjarjet përparojnë, ti kupton se ajo është stërmunduese për shkak të një diference të madhe, humnerike do të thosha, midis mendësisë europiane dhe asaj amerikane. Simone de Beauvoir-i nuk e nxjerr askund këtë përfundim; nga përgjigjet që u kthen letrave të Algren-it kuptojmë se ajo i ka thënë atij se nuk e lë dot Parisin për Amerikën për shkak të të shkruarit, por një lexues inteligjent dhe i vëmendshëm do të arrinte vetë në një përfundim tjetër pasi ta mbaronte së lexuari librin.

Në foto Simone de Beauvoir dhe Nelson Algren

Nelson Algren-i kërkonte një marrëdhënie dashurie tradicionale, ku burri të ishte dominuesi, por një të tillë nuk mund ta kishte me feministen më të madhe të botës. Ai diku është shprehur madje se e gjithë marrëdhënia e tij me Simone de Beauvor-in ishte dominuar vazhdimisht prej marrëdhënies po aq dominuese Sartre-de Beauvoir.

Me njëfarë shpotie dhe ironie, shpesh edhe autoironie, apo me nota përkëdhelëse, në mbyllje të letrave që i dërgon të dashurit të saj (së shumti virtual), Simone de Beauvoir-i përdor shpesh për Amerikën shprehje si: “vendi yt i poshtër”, etj… Nelson Algren-i, të cilin, në ato kohëra të trazuara të Luftës së Ftohtë nuk e kishte lënë indiferent Çështja “Rosenberg”, duket se u përgjigjet këtyre letrave me një lloj baraslargimi racional. Këtë lexuesi vetëm sa mund ta hamendësojë sipas letrës tjetër vijuese të de Beauvoir-it. Në të vërtetë, diferenca midis dy mendësive dallohet disi edhe në review-të që i janë bërë këtij libri në gazetat amerikane, ndonjëra prej tyre e ka quajtur madje fëminor stilin e këtyre letrave, gjë me të cilën nuk bie aspak dakord – gazeta nënvizon midis të tjerash se lexuesi nuk do të gjente aty asgjë mbi teoritë e Simone de Beauvor-it mbi feminizmin apo ekzistencializmin – por, hej, në këtë libër Simone de Beauvoir-i i drejtohet të dashurit të saj, nuk është duke mbrojtur disertacion. Askush nuk flet me relacione akademike në një marrëdhënie dashurie…

Në atmosferën ku zhvillohet kjo dashuri e pazakontë dhe aspak konvencionale, lexuesi do të gjejë të përmendur edhe emrat e shumë prej personaliteteve më të spikatur të kulturës botërore, dhe indirekt të njihet edhe me jetët e tyre. Si për shembull do të gjejë shpesh herë të përmendur mirëbërësin Sartre, i cili mban me pará gjithë miqtë artistë të papunë, dhe ndonjëherë, për të mos u lënduar krenarinë, u thotë se paratë që ata marrin prej tij rregullisht, vijnë nga burime të tjera që nuk kanë asnje lidhje me të. Se si ai shkruan një dramë të tërë vetëm e vetëm që një mikja e tij, aktore e papunë, të ketë një rol në të për të siguruar mbijetesën. Flitet vazhdimisht për Giacometti-n, Picasso-n, e shumë e shumë të tjerë. Njerëz që kanë shenjuar kulminacione të historisë së artit botëror.

Lexuesi në këtë libër do të mësojë gjithashtu se Europa e pasluftës ishte më vëllazërore dhe më solidare se ç’është sot. (Dhe kjo, kryesisht meritë e spektrit të majtë.)

Është një Paris i tëri i çmendur dhe i etur për jetë.

Një ndër kauzat më të rëndësishme për të cilat Simone de Beauvoir-i luftoi së bashku me Sartre-n, ishte pavarësia e Algjerisë. Lufta kundër kolonializmit. “Tani vrasim algjerianë”, është një rresht i përsëritur në letrat e saj… Dhe një ndër detajet që më tërheq më shumë në këtë libër është këndvështrimi i saj kritik, madje edhe brenda kauzave për të cilat ajo lufton. Se si Simone de Beauvoir-i i përshkruan disa prej të majtëve, shokë të kauzës së përbashkët. Se si ata, thellë-thellë nuk besonin që algjerianët të ishin të aftë të drejtonin vendin pas fitimit të pavarësisë, ata mendonin se atyre u duhej sërish një “i bardhë” si drejtues. Supremacia e “të bardhëve” duket se mbisundonte edhe brenda një kauze aq të lartë dhe Simone de Bauvoiri është e pamëshirshme me këtë të vërtetë. Ndoshta këtë libër duhej ta kishin lexuar më me vëmendje ata që ideuan Pranverën Arabe, sepse nuk duket të ketë ndryshuar gjë që prej atyre kohërave.

Simone de Beauvoir-i është kritike edhe gjatë vizitës së saj në Kinë, ku shkruan midis të tjerash me ca fijëza të imëta humori se ngado që shkonin kinezët u tregonin traktorë… Vështrim ky i një njeriu të lirë, të cilin nuk mund t’ia mjegullojë apo deformojë as kauza për të cilën ai lufton.

Këto letra “e ndërtojnë” Simone de Beauvoir-in në sytë e lexuesit më qartë se të gjithë librat studimorë shkruar për të.

Në foto Sartre dhe de Beauvoir, së bashku me Boris dhe Michelle Vian

“Një Dashuri Transatlantike” është pa dyshim një vepër frymëzuese, të cilën do t’ua sugjeroja mbi të gjitha të rinjve shqiptarë të mbytur nga apatia, nga shterpësia e ideve, parimeve dhe kauzave. Para disa kohësh, një adoleshent me një numër të përbindshëm ndjekësish në Instagram, deklaroi se të rinjtë nuk duhet të mësojnë për Luftën e Dytë Botërore, pasi, sipas tij, kjo u dëmton atyre shëndetin mendor. Ndërsa unë do të thosha se pikërisht ata duhet të mësojnë më shumë për këtë luftë; për nazizmin, kolonializmin, diskriminimin racor e gjinor, etj. Përndryshe, nëse këta të rinj do t’i anashkalonin të gjitha këto, atëherë do të përmbushej profecia e Aldous Huxley-t se pushtetet totalitare do t’ia arrijne t”i mbajnë nën fre popujt, duke i bërë këta të fundit ta dashurojnë skllavërinë e tyre. Prandaj e ndiej të nevojshme ta përsëris se do të ishte e dobishme që ky libër të përfshihej edhe në tekstet mësimore… Sepse jam e sigurt se në Shqipëri Simone de Beauvoir-i njihet së shumti (nga masa) vetëm për stilin e saj ekstravagant të jetesës. (Përpara dy apo tre vitesh, një ish-Miss shqiptare, në mënyrën më groteske të mundshme e krahasoi veten me Simone de Beauvoiri-n për shkak të marrëdhënies së saj në tre vetë, dhe ky krahasim tingëllon aq tragjikomik po të kemi parasysh faktin që bota e nderon Siomone de Beauvor-in për kauzat e mëdha për të cilat ajo luftoi bashkë me Sartre-n dhe jo për stilin ekstravagant të jetesës…)

Më duhet të pranoj se pas leximit të këtij libri dola me më shumë vlerësim për Simone de Beauvoir-in.

Por për të qenë e drejtë deri në fund, gjithmonë sipas këndveshtrimit tim; kontributi i Simone de Beauvor-it në letrat botërore në drejtim të stilit letrar është modest, ndërkohë që në të kundërt; aktivizmi, vetë jeta e saj private, është një letërsi e jashtëzakonshme…

Simone de Beauvoir-i ishte personazhi më i arrirë i veprës së saj!

Dhe për atë që mund të ketë ndonjë fije dyshimi: Po! Nelson Algren-i (dhe jo Sartre) ka qenë dashuria e madhe e jetës së saj.

©Arlinda Guma, 9 Nëntor, 2019

Arlinda Guma është autore e dy romaneve:”Bulevardi i Yjeve”-2014 dhe “Terma humanitarë si fjala bombardim”-2016, autore e faqes defekt-teknik.com, si dhe autore e disa kolonave në shtypin e shkruar të Tiranës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top