Po minjtë e kanaleve flenë natën -Wolfgang Borchert

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Wolfgang Borchert                                       

Zgavra e dritares tek muri i vetmuar gomësinte në ngjyrë të kaltërt në të kuqe nën diellin e plotë të mbrëmjes që po binte. Retë e pluhurit vezullonin midis mbetjeve të oxhaqeve të lartësuar përpjetë. Shkretëtira e gërmadhave dremiste.

Ai i kishte mbyllur sytë. Papritur u bë akoma më errët. Vuri re se dikush kishte ardhur dhe po qëndronte para tij; errësirë, qetësi. Tani më mbërthyen! mendoi. Por kur i kapsalliti pak sytë, pa vetëm dy këmbë në pantallona të vjetra. Qëndronin shumë të shtrembra para tij, saqë mund të vështronte përmes tyre. Guxoi të hidhte një vështrim të shkurtër përpjetë këmbëve në pantallona dhe dalloi një burrë të vjetër. Ky kishte një thikë dhe një shportë në dorë. Dhe majat e gishtërinjve të bëra pak pis me dhé.

– Mos po fle këtu, apo çfarë? – e pyeti burri dhe hodhi sytë poshtë tek kaçubet e flokëve. Jyrgeni kapsalliti sytë nga dielli midis këmbëve të burrit dhe tha: – Jo, nuk po fle. Më duhet të bëj roje këtu.

Burri pohoi me kokë: – Ah kështu, me siguri prandaj e paske hurin e gjatë aty?

– Po, – u përgjigj Jyrgeni me guxim dhe e shtrëngoi hurin fort.

– Po çfarë po ruan xhanëm?

– Këtë nuk mund të ta them. I mbante duart të shtrënguara fort rreth hurit.

– Mos vallë po ruan pará, apo çfarë?

Burri e uli shportën dhe e fshiu thikën duke e fërkuar tek këmbët e pantallonave.

– Jo, aspak parátë, – tha Jyrgeni me përçmim. – Po bëj roje për diçka krejtësisht tjetër.

– Epo, për çfarë xhanëm?

– Nuk mund ta them. Thjesht diçka tjetër.

– Epo mirë, jo. Atëherë edhe unë s’po ta them natyrisht se çfarë kam këtu në shportë.

Burri e goditi me këmbë shportën dhe e mbylli thikën.

– Pah, e marr me mend se çfarë ka në shportë, – tha Jyrgeni me mospërfillje, ushqim për lepujt. – Uau, po! tha burri i habitur, po ti qenke një djalë i shkathët. Sa vjeç je ti?

– Nëntë.

– Oha, pa shih, pra nëntë. Atëherë ti e di gjithashtu sesa bëjnë tre herë nëntë, sa?

– E qartë, – tha Jyrgeni dhe për të fituar kohë tha akoma: – Po kjo është fare e lehtë dhe pa përmes këmbëve të burrit. -Tre herë nëntë, apo jo?- pyeti edhe një herë, – njëzeteshtatë. Këtë e dija menjëherë.

– Saktë, – tha burri, tamam kaq lepuj kam unë.

Jyrgeni ngeli i shtangur me gojë hapur: – Njëzeteshtatë?

– Mund t’i shohësh. Shumë prej tyre janë akoma të vegjël. Do që t’i shohësh?

– Prapëseprapë nuk mundem. Po mua më duhet të bëj roje, – tha Jyrgeni i pasigurt.

– Pa pushim? – pyeti burri, – edhe natën?

– Edhe natën. Pa pushim. Gjithmonë. Jyrgeni ngriti sytë përpjetë tek këmbët e shtrembra. – Që nga e shtuna tashmë, – pëshpëriti ai.

– Por nuk shkon fare në shtëpi?Duhet të hash sidoqoftë.

Jyrgeni ngriti një pllakë guri. Aty gjendej një gjysmë buke. Dhe një kuti llamarine.                                                                                                               – Ti pike duhan?- e pyeti burri, a ke edhe çibuk?

Jyrgeni e mbërtheu fort hurin dhe tha i druajtur: – E pi të dredhur, s’e pëlqej çibukun.

Burri u përkul tek shporta, gjynah, do kishe mundur t’i shihje në qetësi lepujt. Para së gjithash më të vegjlit. Ndoshta do kishe zgjedhur ndonjërin për vete. Mirëpo ti s’mund të largohesh prej këndej.

– Jo, tha Jyrgeni i trishtuar, jo, jo.

Burri mori shportën dhe drejtoi trupin. – Epo, meqë duhet të qëndrosh këtu, – gjynah dhe u rrotullua.

– Nëse ti nuk më spiunon, – tha Jyrgeni atëherë shpejt, po qëndroj për shkak të minjve të kanaleve.

Këmbët e shtrembra bënë një hap prapa: – Për shkak të minjve të kanaleve?

– Po, ata ushqehen me të vdekurit. Me njerëz. Prej tyre jetojnë ata.

– Kush e thotë këtë?

– Mësuesi ynë.

– Dhe ti ruan minjtë e kanaleve? – e pyeti burri.

– Po jo ata! E pastaj tha me zë shumë të ulët: – Vëllai im ndodhet pikërisht aty poshtë. Atje. Jyrgeni tregoi me hu muret e rrëzuara. – Shtëpia jonë u godit nga një bombë. Menjëherë u shua drita në strehim. Edhe ai gjithashtu. Ne vazhduam ta thërrisnim. Ai ishte shumë më i vogël se unë. Veçse katër vjeç. Duhet të jetë ende këtu. Po ai është shumë më i vogël se unë. Burri vështroi që nga lart kaçubet e flokëve. Por pastaj tha befas: – Po mësuesi juaj nuk ju ka thënë xhanëm se minjtë e kanaleve flenë natën?

– Jo, pëshpëriti Jyrgeni dhe u duk menjëherë tërësisht i lodhur, s’e ka thënë këtë gjë.

– Epo, – tha burri, çfarë mësuesi qenka, kur nuk di as këtë gjë.

– Po minjtë e kanaleve flenë natën. Natën mund të shkosh i qetë në shtëpi. Natën flenë ata gjithmonë. Qysh kur errësohet.

Jyrgeni bëri me hurin e tij gropa të vogla në hirin e gërmadhave. Veçse krevate të vegjël janë këto, mendoi, të gjitha krevate të vegjël. Në këtë çast burri tha (dhe këmbët e tij të shtrembra po dridheshin fort): – A e di se çfarë? Unë po i ushqej shpejt lepujt e mi dhe kur të erret po vij të të marr. Mbase sjell edhe një lepur. Një të vogël apo si mendon ti?

Jyrgeni bënte gropa të vogla në hirin e gërmadhave. Veçse lepuj të vegjël. Me ngjyrë të bardhë, të hirtë, të hirtë të çelët.

– Nuk e di, – tha me zë të ulët dhe vështroi këmbët e shtrembra, – nëse ata flenë me të vërtetë natën.

Burri kapërceu mbetjen e murit dhe doli në rrugë. – Natyrisht, – tha që atje, – mësuesi juaj duhet të mbledhë plaçkat, kur nuk e di as këtë.

Atëherë Jyrgeni çohet dhe pyet: – Po sikur të marr një lepur? Ndoshta një me ngjyrë të bardhë?                                                        – Do të përpiqem, – thirri burri duke u larguar tani, – por ti duhet të presësh këtu derisa të kthehem. Pastaj do shkoj me ty në shtëpinë tënde, e more vesh? Duhet t’i them babait tënd, sesi ndërtohet një kafaz lepujsh. Xhanëm këtë duhet ta mësoni.

– Po, thirri Jyrgeni, – po pres. Sidoqoftë më duhet të bëj roje, derisa të ngryset. Do të pres me siguri. Dhe thirri: – Ne kemi edhe dërrasa në shtëpi. Dërrasa arkash, – thirri ai. Por burri nuk e dëgjoi më këtë. Ai po ecte me këmbët e shtrembra në drejtim të diellit. Ky ishte tashmë i përflakur nga mbrëmja dhe Jyrgeni mundej ta shikonte sesi shkëlqente përmes këmbëve, kaq të shtrembra ishin ato. Kurse shporta lëkundej e shqetësuar tutje e tëhu. Ushqim për lepuj kishte aty brenda. Ushqim i gjelbër për lepujt, që ishte bërë disi gri nga hiri i gërmadhave.

Përktheu nga gjermanishtja:  Gaqo Karakashi

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Librashitësi-Rozafa Shpuza

Librashitësi-Rozafa Shpuza Kapakë historish të zverdhunastivon përditë n’thembër t’bulevardit, e njajtë me
Go to Top