Disa fragmente nga një intervistë e filozofes dhe shkrimtares SIMONE DE BEAUVOIR dhënë për The Paris Review, viti 1965

in A(rt)ktivizëm/Feminizëm by

SIMONE DE BEAUVOIR

Është shumë e vështirë ta rishikosh të shkuarën pa mashtruar paksa. Dëshira ime për të shkruar ka nisur shumë herët. Kam shkruar tregime në moshën tetë vjeçare, por plot fëmijë e bëjnë këtë. Kjo nuk do të thotë se ata kanë një vokacion për të shkruar. Ndoshta, në rastin tim, vokacioni mund të jetë forcuar sepse kisha humbur besimin fetar. Është gjithashtu e vërtetë që, kur lexoja libra që më preknin thellë, si p.sh. The Mill on the Floss, të George Eliot-it, doja me të gjithë forcën e shpirtit që të isha si ajo, dikush librat e së cilës do të lexoheshin, librat e së cilës do t’i preknin lexuesit.

***

Studimi i anglishtes ka qenë një nga pasionet e mia që nga fëmijëria. Ekziston një pjesë e letërsisë për fëmijë në anglisht, shumë më simpatike se ajo që ekziston në frëngjisht. Më pëlqente të lexoja Alice in Wonderland, Peter Pan, George Eliot-in dhe madje edhe Rosamond Lehmann-in.

***

E kisha zili jetën universitare angleze. Unë jetoja në shtëpi. Unë nuk kisha një dhomë timen. Në fakt, nuk kisha asgjë fare. Dhe megjithëse ajo jetë nuk ishte e lirë, ajo lejoi privatësinë dhe kjo më dukej e mrekullueshme.

***

Më pëlqeu shumë A Room of One’s Own, ku flet për gjendjen e grave. Është një esé e shkurtër, por që u bie në kokë gjërave. Ajo shpjegon shumë mirë pse gratë nuk munden të shkruajnë. Virginia Woolf është një nga gratë shkrimtare që më ka interesuar më së shumti. Keni parë ndonjë foto të saj? Një fytyrë jashtëzakonisht e vetmuar… Në njëfarë mënyre, ajo më intereson më shumë se Colette. Në fund të fundit, Colette është shumë e përfshirë në lidhjet e saj të vogla të dashurisë, në çështjet shtëpiake, lavanderi, kafshët shtëpiake. Virginia Woolf është shumë më e gjerë.

***

Studimet më dhanë vetëm një njohuri shumë sipërfaqësore të filozofisë, por e mprehën interesin tim për të. Përfitova shumë nga të qenit mësuese—domethënë nga aftësia për të shpenzuar shumë kohë duke lexuar, shkruar dhe duke edukuar veten. Në ato kohë, mësuesit nuk kishin një program shumë të rënduar. Studimet më dhanë një bazë solide, sepse për të kaluar provimet e shtetit duhet të eksplorosh fusha për të cilat nuk do të shqetësoheshe nëse do të merreshe vetëm me kulturën e përgjithshme. Ato më dhanë një metodë të caktuar akademike, që ishte e dobishme kur shkrova The Second Sex dhe që ka qenë e dobishme, në përgjithësi, për të gjitha studimet e mia. Dua të them, një mënyrë për të kaluar nëpër libra shumë shpejt, për të parë se cilat vepra janë të rëndësishme, për t’i klasifikuar ato, për të refuzuar ato që janë të parëndësishme, për të përmbledhur, për të shfletuar.

***

Në kohën time ishte e pazakontë të botoheshe kur ishe shumë i ri. Sigurisht, kishte një ose dy shembuj, si për shembull Radiguet, i cili ishte një mrekulli. Vetë Sartri nuk u botua deri sa ishte rreth tridhjetë e pesë vjeç, kur dolën Nausea dhe The Wall. Kur libri im i parë, pak a shumë i botueshëm, u refuzua, u shkurajova pak. Dhe kur versioni i parë i She Came to Stay u refuzua, ishte shumë e pakëndshme. Pastaj mendova se më duhej kohë. Njihja shumë shembuj shkrimtarësh që ishin të ngadaltë në fillimin e tyre. Dhe njerëzit gjithmonë flisnin për rastin e Stendhal-it, i cili nuk filloi të shkruante deri në moshën dyzetvjeçare.

***

Duke shkruar She came to stay, sigurisht që u ndikova nga Hemingway, pasi ishte ai që na mësoi njëfarë thjeshtësie të dialogut dhe rëndësinë e gjërave të vogla në jetë.

Përktheu: Arlinda Guma

Marrë me shkurtime nga The Paris Review

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top