Milan Kundera
– Ju e dini Johan, – thotë Hemingueji, – as unë s’u kam shpëtuar pretencave të tilla të vazhdueshme. Në vend që të lexojnë librat e mi, ata shkruajnë libra rreth meje. Thonë se s’i doja gratë e mia. Se s’jam marrë mjaftueshëm me djalin. Se i kam thyer turinjtë një kritku. Se s’kam qenë i sinqertë. Se kam qenë fodull. Se kam qene maço. Se jam mburrur për 230 plagë lufte, kur kisha vetëm 206.
– Kështu është pavdekësia, – i thotë Gëtja. – Pavdekësia është një proces i përjetshëm.
– Nëse është një proces i përjetshëm, do të duhej një gjykatës i vërtetë. Dhe jo një mësuese katundi e pajisur me një fshikull.
– Fshikulli i vërvitur prej një mësueseje fshati, ky është proces i përjetshëm. Ç’gjë tjetër kishit imagjinuar Ernest?
– Asgjë s’kisha imagjinuar. Shpresoja vetëm që pas vdekjes të jetoja i qetë.
– Keni bërë gjithçka për t’u bërë pavdekshëm.
– Budallallëqe. Thjesht shkruaja libra. Kaq
– Pikërisht, – u gajas Gëtja.
-S’kam asgjë kundra që librat e mi të jenë të pavdekshëm. I kam shkruar në atë mënyrë që s’mund t’u ndryshosh një fjalë. Kam bërë gjithçka që t’u rezistojnë kohëve të vështira. Por mua si njeri, si Ernest Hemingueji, s’më bëhet vonë për pavdekësinë.
– Ju kuptoj Ernest, por duhej të ishit treguar më i kujdesshëm kur ishit gjallë. Tash e tutje s’ke ç’bën më.
– Më i kujdesshëm? Është aludim për mburrjet e mia? Po, në rini isha si kaposh. Lija nam. Dëfrehesha me historitë që qarkullonin për mua. Por besomëni, sado vanitoz të kem qenë, nuk isha monstër dhe nuk ëndërroja fare për pavdekësinë. Më ka kapluar paniku ditën që kuptova se ishte ajo që po më përgjonte. Njëqind herë i kam porositur njerëzit të mos përzihen në jetën time. Por sa me shumë i porositja, aq më keq ishte. U vendosa në Kubë për t’u shpëtuar. Kur më dhanë çmimin Nobël refuzova të shkoj në Stokholm. Nuk më rruhej për pavdekësinë, po jua them, madje mund t’ju them edhe më: ditën që konstatova se më shtrëngonte në krahët e saj, tmerri që kam ndier ka qenë edhe më i keq se tmerri prej vdekjes. Njeriu mund t’i japë fund jetës, por s’mund t’i japë fund pavdekësisë. Po ju mori njëherë në bord, s’mundeni më kurrë të zbrisni, edhe nëse ia hiqni trurit si unë, do të mbeteni në bord me vetëvrasjen tuaj, dhe kjo është e tmerrshme, Johan, është e tmerrshme. Isha i vdekur, dergjur mbi urë, rreth meje shikoja të katër gratë e mia. Të ulura sheshazi, duke shkruar gjithçka dinin rreth meje, mbrapa tyre ishte im bir, që gjithashtu shkruante, si dhe Gertrude Steini, magjistarja plakë, ishte aty dhe shkruante, ishin aty dhe të gjithë miqtë e mi, të cilët dëftonin të gjitha thashethemet, të gjitha shpifjet që kishin dëgjuar rreth meje, si dhe njëqind gazetarë që shypeshin pas tyre, me mikrofona të drejtuar, ndërsa në universitetet e Amerikës, një ushtri profesorësh e klasifikonte të gjithë këtë, e analizonte, e zhvillonte, duke fabrikuar mijëra artikuj dhe qindra libra.
Përktheu: Balil Gjini