Eva Kantûrková

in Letërsi by

Eva Kantûrková (1930-)

Romanciere, tregimtare dhe eseiste, Eva Kantûrková u lind në Pragë. Në vitin 1956 u diplomua në filozofi dhe histori në Charles University dhe filloi karrierën si shkrimtare në gazetë Mladá fronta. Romani i saj i parë Ceremoni mortore (Smuteĉvi Slavnost,1967) u pasua nga dy romane shtesë: Pas përmbytjes (Po potope, 1969) dhe Trashëgimia e zotit Abel (Pozustalost pana Abela, 1971). Të dy u ndaluan në Çekosllovaki. Në vitin 1981, Kantûrková u arrestua me akuzën e rebelimit dhe u dënua me një vit burgim në burgun e Ruzynês. Kaloi njëmbëdhjetë muaj në izolim para se të lirohej për mungesë provash. Libri i saj i ndaluar i asaj periudhe Shoqet e mia në shtëpinë e zymtë (Přitelkynĕ z domu smutku, 1984, botimi në anglisht, 1987), u shqua para së gjithash për vëmendjen ndaj bashkëvuajtësve femra. Libri fitoi çmimin e njohur “Tom Stoppard”. Para katër vjetësh, ajo kishte botuar intervista me dymbëdhjetë gra të burgosura për arsye politike, Dymbëdhjetë biseda (Dvanáct rozhovaru, 1989). Kanturkova ishte bashkëthemeluese e Forumit Qytetar në vitin 1989, u zgjodh në Kuvend në vitin 1990 dhe drejtoi Këshillin e Shkrimtarëve në vitin 1994-1996.

Shoqet e mia në shtëpinë e zymtë-Tregim

Dy roje gra na urdhëruan të hiqnim rrobat dhe kërkuan imtësisht me duar nëpër rrobat që hoqëm. Çdo sekret i çmuar i fshehur në gjimbajtëse ose në pantollona të shkurtra u zbulua në mënyrë të pamëshirshme. Mikja ime kishte fshehur letra të të dashurit të saj (madje as mua nuk ma kishte dhënë privilegjin të dëgjoja çfarë shkruante), kurse tani roja që ne e quanim Marena filloi t’i lexonte letrat me zë të lartë në zërin e saj të dehur. – Epo, s’më kishte shkuar mendja! – bërtiti ajo.  Kjo qenka çfarë qenka! E sigurt që është letër dashurie po çfarë letre se! Ajo na buzëqeshi paturpësisht gjithë vetëkënaqësi. Një bjonde e fryrë si thes, ajo ishte nga ata tipat sentimentalë që i llastonte nipërit e mbesat dhe i jepte të birit pará për të blerë makinë të re. – S’keni ndonjë gjë më të mirë për të bërë? – plotësoi roja tjetër. Fytyrëpatatja ishte emri që i kishim vënë. – Janë si kurva që digjen, kështu janë. Mikës sime iu desh të provonte që letra kishte ardhur nëpërmjet postës zyrtare dhe ishte censuruar nga autoritetet e burgut, edhe pse kjo ishte e dukshme, dhe prova që nuk ishte futur fshehurazi. Ndërkohë, e vëzhguar nga një oficer i burgut, një roje tjetër kishte shkuar nëpër qelinë tonë duke shkalafitur gjithçka si një derr i egër që rrëmon dheun. Ne i mbanim dollapët e vegjël, të pastër dhe tani letrat tona, gjërat e tualetit, ushqimi nga shtëpia ishin flakur të gjitha në dyshemenë e qelisë, dhe me gishtat e pistë ajo kishte rrëmuar nëpër biskotat e Krishtlindjeve që shoqet e mia kishin gatuar që unë t’ia dërgoja tim shoqi. Shtretërit u vunë mbi njëri-tjetrin, ndërsa dyshekët, çarçafët, batanijet dhe jastëkët u hodhën kuturu. S’mund të thoshe se cilat gjëra ishin të njërit dhe cilat të tjetrit, tryezat, stolat ishin kthyer përmbys mbi sheqerin, lëmshat e pambukut, sapunët, librat dhe letrat. Nuk ishte një kontroll qelie, por ishte dikush që ishte pushtuar nga tërbimi i një vullneti të mbrapshtë…

Marrëdhëniet dashurore në burg janë të kufizuara tek fjala e shkruar, e folur ose fjalët e thëna me zë të lartë, me përjashtim të atyre pak shpirtrave të guximshëm që provonin të zhvisheshin në oborrin e stërvitjes, ndërsa i dashuri këqyrte nga qelia. Pas një skene të tillë dashurie na dënonin të gjithëve duke na detyruar të veshim vetëm këmisha, por edhe kominoshe të pista në ditët më të nxehta të verës. Puritanizmi ekstrem i autoriteteve shkoi aq larg sa një roje e re që po më shoqëronte korridoreve të burgut për tek qelia e marrjes në pyetje në një ditë me vapë mbytëse më nxori jashtë sepse e kisha përveshur këmishën mbi bërryl. I dashuri i Majss i kërkonte me ngul që ajo të zhvishej për të por ajo nuk pranonte. Nuk është gjë “e bukur” dhe “Si do të mund të të shihja në fytyrë më pas?” – I shkruajti ajo me fjalë të ndjera, duke qeshur gjatë gjithë kohës.

Ishte një vajzë në korridorin tonë e cila tha se kishte arritur ta bënte me të shpejtë në ashensor me një të besuar të kuzhinës që po sillte ushqimin në qelitë tona. Askush nuk e besoi, por nga ana tjetër, rojet e shërbimit të natës dihej se merrnin një vajzë të re dhe të bukur, e çonin në një qeli të zbrazët, për ta paguar me cigare. Kjo nuk shihej si dashuri, por si një marrëdhënie e pastër përfitimi. Për shkak se ishte aq e kufizuar, dashuria u përhap në mënyrë të papërmbajtshme. Veronika, në qelinë ngjitur me tonën, ishte arrestuar me të dashurin, e cila ishte tani në një qeli në anën e kundërt të oborrit. Sapo zgjohej, ajo ngjitej në dritare, siç e kërkonte rituali i dashurisë dhe bërtiste: “Zdenĕčk i dashur, i dashuri im i shtrenjtë, mirëmëngjes, unë të dua, si fjete mbrëmë?….

Përktheu: Granit Zela

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top