ENRIKE ANDERSON IMBERT
(Argjentinë, 1910 – 2000)
U ktheva në shtëpi ndaj të gdhirë, me sytë që më mbylleshin nga gjumi. Kur hyra, ishte krejtësisht terr. Për të mos zgjuar kënd, eca në majë të gishtave deri te shkalla kërmill që të çon në dhomën time. Sapo vura këmbën në shkallaren e parë, më kapi dyshimi nëse ishte apo jo shtëpia ime ajo. A thua ishte një shtëpi tjetër identike me timen?! Ndërsa ngjitja shkallët, më kapi frika se një djalë tjetër, i njëjtë si unë, do të ishte duke fjetur në dhomën time dhe ndoshta po më shihte në ëndërr pikërisht mua duke ngjitur shkallët kërmill. Ngjita shkallaren e fundit, hapa derën dhe ja tek ishte ai, ose unë, i ndriçuar plotësisht prej dritës së Hënës, ulur në shtrat, me sytë e zgurdulluar. Ngelëm një çast duke këqyrur vëmendshëm njëri-tjetrin. Buzëqeshëm. Ndjeva se buzëqeshja e tij ishte e njëjta që peshonte në buzët e mia: si në një pasqyrë, njëri prej nesh ishte i rremë. “Kush po e sheh në ëndërr kë?”, thirri njëri nga ne, ose ndoshta të dy njëherazi. Në atë çast dëgjuam hapa në shkallën kërmill: me një hop u futëm te njëri-tjetri dhe ashtu, të shkrirë në një, nisëm të shihnim në ëndërr atë që po ngjitej në shkallë, i cili isha sërish unë.
Përktheu: Erion Karabolli