DIKUSH-JORGE LUIS BORGES

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

DIKUSH-JORGE LUIS BORGES

 

Një njeri i rrahur prej kohës,
një njeri që nuk pret më as vdekjen
(statistika janë provat e vdekjes
dhe s’ekziston askush që të mos e ketë fatin
të jetë i pavdekshmi i parë),
një njeri që ka mësuar t’i jetë mirënjohës
lëmoshës së thjeshtë të ditëve:
gjumit, rutinës, shijes së ujit,
një etimologjie të beftë,
një vargu latin apo sakson,
kujtimit të një gruaje që e ka braktisur
shumë vite më parë
dhe që sot pa brengë mund ta kujtojë,
një njeri që e di se e tashmja
është e ardhmja dhe harresa,
një njeri që ka qenë i pabesë
dhe që nga të tjerët ka vuajtur pabesi,
ndien papritur, teksa kalon rrugën,
një lumturi të mistershme
që s’vjen prej bregut të shpresës
por prej një pafajësie të hershme,
prej rrënjës së vet apo të një zoti të përtretur.

E di se nuk duhet ta këqyrë nga afër,
sepse ekzistojnë arsye më të tmerrshme se tigrat
që do t’i tregojnë detyrimin e tij
për të qenë një fatkeq,
por përulësisht e pranon
këtë dallgë lumturie.

Ndoshta në vdekje përgjithmonë do të jemi,
kur pluhuri të bëhet pluhur,
ajo rrënjë e padeshifrueshme,
prej së cilës përherë do të rritet,
i drejtë apo mizor
qielli a ferri ynë i vetmuar.

 

Përktheu: Erion Karabolli

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top