Jeta jonë në duart e një të çmenduri. Dhe ne bëjmë sikur nuk kuptojmë/Dmitry Glukhovsky

in A(rt)ktivizëm/Esé by

    

Dmitry Glukhovsky

Dmitry Glukhovsky është shkrimtari më i shitur në Rusi në 10 vitet e fundit, një autor shumë i njohur në mesin e adoleshentëve për shkak të një sage post apokaliptike, nga e cila u realizua një videolojë shumë e suksesshme. Për të është lëshuar një urdhër arresti, ai akuzohet për diskreditim të Ushtrisë Ruse: një krim i dënueshëm me një dënim që varion nga dhjetë deri në pesëmbëdhjetë vjet burgim. Ky është teksti i artikullit të tij të fundit.

Brezi im nuk i njohu represionet dhe spastrimet masive, nuk dëshmoi në gjyqet farsë në të cilat turma e zemëruar kërkonte pushkatimin e tradhtarëve të atdheut, nuk mori frymë në atmosferën e tmerrit universal, nuk mësoi të ndryshonte nga mbrëmja në mëngjes bindjet e tij, për të besuar me urdhër si në pabesinë e aleatëve të djeshëm ashtu edhe në synimet e mira të armiqve historikë, me të vetmin qëllim për të justifikuar një luftë vëllavrasëse.
Brezi im nuk ishte i pranishëm gjatë prodromeve morale dhe ushtarake të dy luftërave botërore.
Bashkimi Sovjetik që ne kemi njohur tashmë ishte shndërruar në një pakidermë të qetë: tanimë ai nuk i dënonte më me vdekje ata që refuzonin të besonin gënjeshtrat e tij themelore, përkundrazi, i lejonte qytetarët të hapnin debate private mes tyre, të ulur të qetë në kuzhinë. As nuk kërkoi më brohoritje kur u prenë kokat e atyre që ishin akuzuar si “armiq të popullit”.
Megjithatë, të gjithë ata që e kishin njohur të shkuarën nuk ishin aspak të kënaqur ta kujtonin dhe tani po e kuptojmë pse. Sepse mbijetesa në rrethana të tilla kërkonte mbi të gjitha një kompromis me veten, me ndërgjegjen e tij.
Po, na u desh të kthenim shpinën, po, duhej të duartrokisnim, madje dikush u detyrua të ekzekutonte dënime me vdekje kundra deshirës, për të mos përfunduar vetë në trekëmbësh. Njerëzit nuk duan t’i mbajnë mend këto gjëra dhe më konkretisht, nuk duan të pranojnë se kanë ndodhur. U desh guxim jo vetëm për të protestuar, por edhe për të abstenuar dhe duhet guxim për të kujtuar më vonë sesi edhe ti një herë – dhe ndoshta më shumë se një herë – zgjodhe të veprosh kështu për t’i shpëtuar kërcënimit që të rrinte mbi kokë.
Dhe sot, për ne, për ata të brezit tim, po ndodhin gjëra drejtpërdrejt në televizion që nuk do ta kishim imagjinuar kurrë se do t’i dëshmonim.
Lajmet më të fundit për luftën në Ukrainë.
Po grumbullojmë një përvojë befasuese: mundësinë për të kuptuar pse gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë heshtën dhe duruan, pse kombe të tëra ranë në humnerën e çmendurisë, pse popujt i kanë mbyllur të dy sytë para tiranëve që bënin luftëra botërore, pse disa u ngjitën në trekëmbëshin e varjes pa thënë asnjë fjalë dhe të tjerë pranuan detyrën e ekzekutimit të tyre.
Sot ne shohim me sytë tanë sesi t’i çnjerëzojmë qeniet e tjera njerëzore përpara se t’i asgjësojmë: përmes talljes, shpifjes, gjymtimit të fjalëve dhe motivimeve të tyre, duke u mohuar atyre dinjitetin për t’u ndjerë dhe vepruar si njerëz.
Ne e dimë mirë sesi grabitqarët kamuflohen: ujku merr gëzofin e deles që sapo e ka bërë copë-copë dhe e përdor për t’u maskuar. Ne po mësojmë të kultivojmë në shpirtin tonë indiferencën ndaj padrejtësisë kur kjo po ndodh qartë mu para sytë tanë: kjo nuk na shqetëson dhe ndoshta nuk do t’i vuajmë pasojat, ne thjesht mbajmë distancën për të mos luajtur me zjarrin.
Në fund të fundit, si mund t’ia dalësh të kesh ndjeshmëri dhe dhembshuri për të gjitha qeniet njerëzore në këtë tokë! Po mësojmë të mos simpatizojmë viktimën, por agresorin. Nëse rreshtohesh në anën e grabitqarit, atëherë do të ndihesh sikur je në anën e tij, përkrah tij, pranë tij. Është sikur të qëndrojmë të lidhur me peshkaqenin: nuk ka asgjë për t’u frikësuar, përkundrazi, ne mund të përfitojmë nga një copë mishi që i shpëton dhëmbëve të tij të mprehtë.
Ne po mësojmë të mbyllim sytë para spirales së çmendurisë që ka pushtuar pushtetarët tanë dhe të bashkëndajmë qëndrimet e tyre.
Ashtu si ordinanca tek “Ushtari i mirë Schweik” i Jaroslav Hašek-ut, i cili përthithi marrëzitë e komandantit dhe i bëri të tijat, edhe ne i kemi pirë teoritë e tyre perverse konspirative në atë masë sa jemi mësuar me shijen e tyre, saqë sot bërtasim fort për të marrë një dozë e re.
Dhe në fund të fundit, nëse nuk u besoni atyre, kujt duhet t’i besoni? A nuk është më mirë të hani mut sesa të shkoni në shtrat duke menduar se jeta juaj është në duart e një të çmenduri? A ekziston ndoshta një fenomen i quajtur çmenduri kolektive?
Po, tani dimë ta mbajmë gojën mbyllur, të kthejmë shpinën, të përkulim kokën dhe t’i mbajmë mendimet për vete, por edhe duhet të mësojmë sesi t’i largojmë ato me forcën tonë. Për të mos jetuar me frikë, për të mos u ndjerë frikacakë apo skllevër, duhet të mësojmë të besojmë fort në atë që deri vonë të gjithëve na dukej si një gënjeshtër.
Ne duhet të mësojmë të marshojmë së bashku, të duartrokasim me komandë, plotësisht të bindur, duke brohoritur kur armiqtë e kombit vriten dhe të ndiejmë një drithmë kënaqësie kur dëgjojmë fjalimet e pushtetarëve tanë. Ne duhet të brohorasim luftëra, të festojmë gjakderdhjen. Të gjejmë shpjegime dhe e justifikime, të dehur nga tradhtia e vëllezërve tanë dhe raprezaljet brutale që u bënë ndaj tyre.
Duke u shtirur se nuk e kuptojmë dhe mbase vërtet nuk e kuptojmë më, sesi vendi ynë është nisur drejt diktaturës fashiste, duke ndjekur gjurmët e veta, drejt një fati që, mjerisht, ne e dimë shumë mirë.
Nuk kemi dashur ta hetojmë të shkuarën, sepse jemi të sigurt që e kemi lënë pas. Menduam se ato ndjesi torturuese dhe të tmerrshme do të mbeteshin përgjithmonë të varrosura në faqet e librave të historisë. Megjithatë, numri i fantazmave që ushqehen me inate, që i shmangen ligjit dhe ngrenë pretendime ndaj nesh po rritet dita-ditës.
Ata i grisin faqet e atyre librave dhe nga e shkuara e vdekur dhe e varrosur zvarriten përpara për të minuar botën e të gjallëve. Ata pretendojnë gjak dhe pinë gjakun e atyre që jetojnë këtu dhe tani. Me gjakun tonë, të kuq e të nxehtë, në vend të atij të zi e të tharë.
Do të duhet të mësojmë të mendojmë në unison dhe të ecim të kornizuar, të frikësuar nga kurioziteti i fqinjit dhe zhurma e një makine në mes të natës; të mësojmë të puthim duke u pështjelluar ikonat dhe portretet e udhëheqësve tanë, duke besuar me besnikëri në gjithçka që do të shpallet nga Solovievët dhe Tolstojtë e kësaj bote si e vërtetë e pastër dhe legjitime, duke e mbajtur kokën ulur në tmerrin e vazhdueshëm të kësaj mosjetës sonë: të mësojmë t’i bëjmë të gjitha këto…
Ose të mësojmë të bëjmë të kundërtën: të ruajmë kujtesën tonë dhe të mendojmë për të ardhmen, duke hequr dorë nga ndryshku e të refuzojmë të jetojmë si të burgosur të së shkuarës. Të mos besojmë gënjeshtrat dhe të pretendojmë gjithmonë të vërtetën. Të ngremë zërin, të argumentojmë, të besojmë dhe të luftojmë për dinjitetin tonë.
Deri tani nuk kemi mësuar asgjë nga përvoja e atyre që jetuan dhe vdiqën para nesh për t’i bërë gjërat ndryshe. Kjo është pikërisht arsyeja pse ne kemi ende kaq shumë për të mësuar.

Përktheu: Arlinda Guma

Marrë nga: Corriere della sera

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top