Gjeni, mohues gjenocidi, apo të dyja bashkë?

in Letërsi by

Peter Handke, shkrimtari austriak që fitoi çmimin Nobel në Letërsi këtë vit është akuzuar se ka falsifikuar historinë dhe ka lavdëruar kriminelët e luftës. Dhe ndërsa vende të ndryshme (përfshirë Shqipërinë) kanë vendosur të bojkotojnë ceremoninë, disa shkrimtarë, përfshirë Carl Ove Knausgaard dhe Elfriede Jelinek thonë se nuk shohin zgjedhje më të mirë të mundshme

Alex Marshall dhe Christopher F. Schuetze, New York Times

Peter Handke, shkrimtari austriak që mori Çmimin Nobel në Letërsi të Martën më 10 Dhjetor, tha së fundmi se ai i urrente opinionet.

“Mua më pëlqen letërsia,” shtoi ai, në një sherr të zhvilluar gjatë një konference për shtyp në Stokholm javën e shkuar.

Për fat të keq për Handken, 77 vjeç, shumë njerëz kanë opinione. Disa e shohin si gjeni që shtyu kufijtë e asaj që romanet dhe dramat mund të jenë. Të tjerë janë shumë më pak pozitivë.

Handke është akuzuar se ka mohuar gjenocidin dhe ka ngritur pikëpyetje mbi ngjarjet gjatë Luftërave të Ballkanit në vitet 1990 – përfshirë masakrën e Srebrenicës, në të cilën 8 mijë burra dhe fëmijë myslimanë u vranë. Ai është kritikuar gjithashtu se ka mbajtur një eulogji në funeralin e Sllobodan Millosheviçit, politikanit serb që u gjykua në Hagë për krime lufte.

Që nga 10 Tetori, kur Akademia e Suedisë shpalli Handke-n si nobelistin për vitin 2019, ka pasur një stuhi rreth tij.

Sava Stanisic, një shkrimtar boshnjako-gjerman që u arratis nga lufta kur ishte fëmijë, tha në një e-mail se vendimi ishte “një grusht në stomak” për viktimat e konfliktit. “Ishte një dështim estetik dhe moral,” shtoi ai.

Edhe një anëtar i Akademisë së Suedisë, organizatës që zgjedh të laureuarit e Nobelit në letërsi, protestoi. Më 5 Dhjetor, shkrimtari Peter Englund tha se nuk do të marrë pjesë në asnjë nga aktivitetet e këtij viti. “Është çështje ndërgjegjeje për mua,” tha Englund në një e-mail.

Por disa nga shkrimtarët më të rëndësishëm mendojnë se ai është gjithsesi zgjedhje e mirë. “Unë nuk mund të mendoj për ndonjë nobelist më të mundshëm se sa ai,” tha shkrimtari norvegjez Karl Ove Knausgaard, duke shtuar se Handke ka shkruar kryevepra në çdo dekadë të karrierës së tij.

“Poeti i madh Handke ka fituar Çmimin Nobel 10 herë,” tha në një deklaratë Elfriede Jelinek, shkrimtare austriake që e fitoi Nobelin në vitin 2004.

Por shumë pak vetë kanë pasur mundësinë të pyesin vetë Handke-n në detaje mbi shkrimet apo qëllimet e tij. Më 10 Tetor ai u takua me gazetarët në shtëpinë e tij pranë Parisit, por përfundoi në një konferencë të improvizuar për shtyp, pasi u pyet mbi shkrimet e tij mbi luftërat në Ballkan. “Unë jam shkrimtar. I kam rrënjët te Tolstoi, i kam rrënjët te Homeri, i kam rrënjët te Servantesi,” tha ai. “Më lini të qetë dhe mos më bëni pyetje të tilla.”

Në një konferencë për shtyp në Stokholm, Handke veçoi një letër nga The New York Times në të cilën i kërkohej një intervistë për këtë artikull; ai e refuzoi kërkesën, duke thënë se nuk dëshironte t’upërgjigjej pyetjeve “boshe dhe injorante”. (Botuesi i tij ka refuzuar sakaq shumë kërkesa të tjera për intervista.)

Handke ka lindur më 1942, në Grifen, një qytezë e vogël në Austri. Nëna e tij ishte me prejardhje slovene, ndërsa babai ishte një zyrtar gjerman me të cilën e ëma pati një lidhje dashurore. Deri në moshën 18, Handke supozonte se njerku i tij – një burrë që bëhej i dhunshëm pasi pinte, ishte babai biologjik i tij. Kjo është çfarë ka shkruar Handke.

“Ai u rrit në kushte shumë të varfra, në një rajon të largët provincial,” tha Malte Herwig, një gazetar që ka shkruar një biografi mbi Handke-n. “Ishte shumë vështirë. Ai ishte i vetmi që shkoi në universitet e kështu me radhë.”

“Ai ka ende gjurmë të kësaj,” shtoi Herwig. “Nëse shikon thonjtë, zakonisht ka pisllëk poshtë tyre.”

Familja jetoi shkurtimisht në Berlin, pastaj u kthye në Grifen më 1948. Gjatë udhëtimit, motra e Handke-s u mbajt në një çantë, shkroi ai më pas te libri: “Një trishtim përtej ëndrrave,” një kronikë e hidhur e jetës dhe vetëvrasjes së nënës së tij, libër që u botua më 1972.

Lufta e Dytë Botërore dhe periudha menjëherë pas saj pati një efekt të qartë mbi të, tha Herwig. “Ai ishte fëmijë shumë i ndjeshëm,” tha ai për Handke, duke e përshkruar atë si “nervoz që zemërohej shpejt, ose gëzohej lehtë” dhe “njeri krejtësisht i gabuar në pozicionin e gabuar.”

Handke e bëri fëmijërinë e tij temë të leksionit të Nobelit, duke thënë se rrëfenjat e nënës së tij – mbi jetën tragjike të një mjelësje “idiote” dhe  vdekjes së vëllait të saj – i kishin “dhënë impetusin për pothuajse një jetë të tërë karrierë prej shkrimtari.”

Pothuajse që nga fillimi, Handke shtyu kufijtë e letërsisë. Ai shkroi një dramë pa fjalë – Ora kur ne nuk dinim asgjë mbi njëri-tjetrin – teksti i të cilës përbëhet pothuajse tërësisht nga përshkrimet e personazheve që ecin nëpër skenë. (“Dikush si KAMARIER, shfaqet shkurtimisht, zbraz një enë me akull që kërcëllin me zhurmë.”)

Drama më e rëndësishme e Handkes e vitit 1996, “Të fyesh shikuesit,” përfundon me aktorët që shajnë turmën. (Shikuesit duket sikur e pëlqejnë këtë, në disa raste i kthejnë sharjet pas.)

Përgjatë viteve 1970 dhe 1980, shumica e punës së Handkes u lavdërua. E përditshmja gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung e quajti atë “dashuria e kritikës në Gjermaninë Perëndimore.”

Një fotografi pa datë e Handkes jashtë një fabrike në Kragujevaç, Serbi, e cila u shkatërrua nga bombardimet e NATO-s.

Nëse Handke u kritikua para viteve 1990, kjo ishte në përgjithësi nga figura letrare konservatore të cilët nuk pëlqenin tendencat e tij avandgardiste. Kur ai publikoi dy esé në janar 1996 mbi një udhëtim në Serbi (publikuar më pas si libër Një udhëtim në lumenj, drejtësi për Serbinë”), kritikët nuk ishin më vetëm nga faqet e librave letrarë. Ai u denoncua nga politikanë, gazetarë dhe grupime për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Herwig tha se gjatë Luftërave në Ballkan, Handke lexonte lajmet në shtëpinë e tij në Francë dhe u mërzit sepse ato në mënyrë dërrmuese e portretizonin Serbinë si kriminelin e konfliktit, pa diskutuar shkaqet komplekse. Instinkti i parë i Handke-s ishte të mos i pranonte këto lajme si të sakta, shtoi Herwig: “Është si të thuash: ‘Dakord, por kjo nuk mund të jetë e gjithë e vërteta.’”

“Unë dua të di se si shpjegohet dhe u krye një masakër e tillë,” shkroi Handke mbi Srebrenicën. Ai shkoi në Serbi dhe në pjesët e Bosnjës të kontrolluara nga Serbia dhe foli me vendasit. Në esetë që pasuan, të mbushura me shpërfillje ndaj gazetarëve, duhet se ai shkoi shumë përtej kërkimit për kontekst dhe, në vend të kësaj nënvlerësoi apo ngriti pikëpyetje përmes lojërave letrare.

Herwig tha se Handke kishte qenë i pandjeshëm ndaj viktimave të luftës mes myslimanëve të Bosnjës dhe lejoi që ai të instrumentalizohej nga nacionalistët serbë – por pavarësisht kësaj e meritonte çmimin Nobel.

Scott Abbott, një amerikan përkthyes që e shoqëroi Handken në një prej vizitave në Serbi, tha në një intervistë telefonike se autori ishte joshur nga vendi për shkak të trashëgimisë slovene të familjes së tij. (Slovenia dhe Serbia ishin pjesë e Jugosllavisë deri më 1992.)

Handke udhëtoi nëpër Jugosllavi, dhe shkroi “disa esé të shkëlqyera” mbi këto udhëtime, tha Abbott, të tilla si njëra për një llustraxhi në Kroaci dhe një tjetër për larmishmërinë e mbulesave të kokës që pa në Maqedoni.

“Ai kishte ndjesinë për Jugosllavinë si një vend i pasur multikulturor që nuk kishte llojin e nacionalizmit që ai shihte në Gjermani dhe Austri,” tha Abbott. “Ishte pothuajse një vend utopik për të.”

Kur Jugosllavia u shkatërrua, Handke e pa këtë si një utopi që po zhdukej, tha Abbott.

Zarko Radakovic, një shok që pati udhëtuar në rajon me Handke-n dhe që përktheu veprat e tij, tha në një intervistë telefonike se “Jugo-nostalgjia” ishte qendrore në këndvështrimin e shkrimtarit për botën.

“Natyrisht është shumë e vështirë të shkruash për një luftë civile, tha Radakovic. Handke, shtoi ai, “donte vetëm të ishte kundërpeshë për çdo gjë që ishte shkruar dhe thënë në media. Ai shkoi atje, shëtiti dhe përshkroi.”

Radakovic dhe mbështetës të tjerë të Handkes besojnë se kritikët e tij janë përqendruar me tepri te pak fjali kontroverse në veprën e tij, por nuk kanë lexuar mjaftueshëm sa për të gjykuar motivet e autorit.

“Handke është një autor kompleks dhe i vështirë,” tha Radakovic. “Të 87 veprat e tij janë në njëfarë mënyre të ndërlidhura.”

“Unë i besoj dikujt që është kaq tërësisht i çliruar nga klishetë sa vetëm sheh botën dhe reagon,” shtoi ai.

Herwig tha se ai nuk kishte problem me kritikat e Handke-s për gjuhën gazetareske por shtoi: “Ai eventualisht bëri disa gjëra, ai akuzoi gazetarët për: anësi false, kontekstualizim fals.”

“Miqtë e tij i thanë menjëherë, ‘nëse e publikon këtë, kjo do të të hedhë në ujë të nxehtë,’” shtoi Herwig. “Dhe ai vijoi.”

Por edhe mbështetësit më të mëdhenj të Handke-s kanë vështirësi të shpjegojnë se pse ai foli në funeralin e Milosheviçit. “Shikoj ato fotot e tij aty, kundër një fotoje të madhe të Milosheviçit, dhe vetëm mendoj, ‘çfarë dreqin?’” tha Abbott.

Ai shtoi se Handke ka këmbëngulur se fjalimi i tij i funeralit nuk ishte mbështetje për Milosheviçin, por një vajtim për Jugosllavinë. “Por ai po hiqet mënjanë prej asaj ku qëndroi, kjo do të thotë diçka,” tha Abbot.

Shkrimtarë të tjerë do të ishin tërhequr përballë dënimeve të tilla, por Handke nuk u tërhoq. “Unë nuk kam nevojë të mbroj apo të tërheq as edhe një fjalë të vetme,” shkroi Handke në parathënien e botimit amerikan të Një udhëtim në lumenj. “Unë shkrova mbi udhëtimin tim përmes vendit të Serbisë saktësisht siç kam shkruar gjithmonë librat e mi, letërsinë time.”

Herwig tha se kjo nuk ishte arrogancë; “Ishte mospërfillje,” tha ai. Menjëherë pasi Handke foli në funeralin e Millosheviçit, teatri i famshëm Comèdie-Française në Paris anuloi në nga dramat e tij. Më 2006, Handke rrefuzoi një çmim letrar në gjermani pasi politikanët në qytetin e Dyseldorfit protestuan ndaj vendimit për t’ia dhënë këtë çmim. Të tjerë parapëlqyen të përqendrohen te shkrimet e tij: më 2007, Biblioteka Kombëtare e Austrisë vendosi të blejë arkivën e Handke-s për rreth 750 mijë dollarë.

Qartazi, për Akademinë e Suedisë, vepra merr precedencë. Rebecka Karde, një gazetare që këshilloi komitetin që jep çmimet, tha në një e-mail se Handke “ka thënë se ai ka shkruar dhe bërë gjëra që unë i gjej të vështira për t’u tretur.” Por, ajo shtoi, kjo nuk do të thotë se ai nuk e meriton nobelin.

Handke shkoi në Serbi “në përpjekje për të hapur botën përmes pranisë së tij letrare që është unike dhe idiosinkatrike,” tha Knausgaard. “Por ambiguiteti dhe kompleksiteti i asaj gjuhe, ngarkuar me simpatitë e Handkes, hapi kutitë e pandorës të zemërimit, trishtimit dhe dëshpërimit.”

Nëse e sheh Handke-n si një lloj figure diabolike, shtoi Knausgaard, kjo është e kundërta me atë se si janë njerëzit në shkrimet e tij. “Bota dhe njerëzit në të nuk janë kurrë të zinj, kurrë të bardhë, kurrë të mirë, kurrë të këqinj,” tha ai, “por janë të gjitha këto gjëra të kombinuara.”

Marrë nga: “Shtëpia e Librit”

Gjeni, mohues gjenocidi apo të dyja?

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top