Author

Admin - page 88

Admin has 1608 articles published.

Rekuiem për Teatrin/Florian Vlashi

in A(rt)ktivizëm/Teatër by

Videon e goditjes e kam parë shumë herë, si për të dashur të kap një shenjë para frymës së fundit. Fadroma me pamje dinozauri e godet godinën mu në mes, pikërisht tek germat “Komb…”

Florian Vlashi

Kafka shkruan se momenti më i rrezikshëm i ditës është zgjimi. Mëngjesin e së dielës 17 Maj, në orën 4:30 kish filluar shembja e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Pamjet të kujtonin skenën e rrëzimit të kinemasë së vjetër tek “Cinema Paradiso” por, ndryshe nga filmi i Tornatore-s ku njerëzit rrinin në heshtje plot respekt e nostalgji ndaj asaj salle që u kish dhënë aq shumë, në qendër të kryeqytetit shqiptar ekzekutimi ishte shumë më dramatik; sulm i beftë i forcave speciale në errësirë, nxjerrja me forcë e artistëve dhe aktivistëve të ngujuar për mbrojtjen e godinës, protestat e njerëzve jashtë që sa vinin e shtoheshin dhe e gjitha kjo në kohën e mbylljes së pandemisë.

Dhe, më e trishtueshmja, për të shembur Teatrin u zgjodh një eskavator, një vdekje sa e ngadaltë aq dhe torturuese në agoninë e saj. Videon e goditjes e kam parë shumë herë, si për të dashur të kap një shenjë para frymës së fundit. Fadroma me pamje dinozauri e godet godinën mu në mes, pikërisht tek germat “Komb…”. Dhe ajo rrëzohet pak sa nga e majta. Zhurma e rrëzimit prej 11 sekondash është e padeshifrueshme, si gjuha sekrete të dallgëve në breg:

sssssshqptrtmtrdhtnprshprtmdjtmjuuuuuuu…

Kush ishte Teatri Kombëtar

Intuita më thotë se informcionin më të saktë mbi historikun e kësaj ndërtese si dhe atë që ajo simbolizon, në vend që ta marr nga politikanët, pra, nga ata që firmosën zhdukjen e saj, po u drejtohem më mirë specialistëve të fushës. Njëri prej tyre është profesori erudit Aurel Plasari. Ai e cilëson ndërtesën e Teatrit si “një monument të shumëfishtë historik, – të historisë kulturore, të historisë artistike, të historisë sociale, të historisë së albanologjisë, të historisë politike të shtetit shqiptar.”

Duke lexuar historikun e saj mësojmë se godina u projektua nga arkitekti i njohur italian Bertè në fund të viteve 30′. Aty u krijua fillimisht “Qarku Italo-shqiptar Scanderbeg”, kinema-teater Savoja, u vu baza e Institutit të Studimeve shqiptare ku u hodhen themelet e Fjalorit të Gjuhës dhe të Enciklopedisë shqiptare,

U dhanë koncerte nga “Divat” e kohës si Tefta Tashko-Koço, Marie Kraja, Kristaq Antoniu, me Lola Gjokën e Tonin Guraziun në piano. Po ashtu dhe ekspozita pikture si ajo e dy motrave piktore Zengo. Gjatë periudhës së pushtimit gjerman aty vazhdonin koncertet me orkestrën që drejtonte Maestro Fioli. Pas luftës, filmave italianë e gjermanë, ia zunë vendin ata sovjetikë, anglezë dhe amerikanë. Ndërkohë vazhdonin koncertet e orkestrës së Radio Tiranës drejtuar nga Umberto Oscari si dhe koncertet vokale të drejtuara nga Kostandin Trako.Nga faqet e zeza historikë janë proceset e gjyqeve famëkeqe të diktaturës. Aty filloi dhe Grupi Teatral Profesionist i Shtetit që u shndërrua më pas në Teatrin Kombëtar. Aty kanë fillimet e tyre të gjitha figurat emblematike të artit skenik shqiptar.

Është thuajse e pamundur të gjendet një ndërtesë e asaj kohe në Shqipëri ku të mbajë brenda kaq shumë histori. A mund të prishej një ndërtesë e tillë vetëm me justifikimin se do ndërtohej një e re sepse kjo nuk i plotësonte kushtet për të qenë selia e Teatrit Kombëtar? Për fat të keq, prej shumë kohësh, ajo ishte e braktisur në pikë të hallit nga e gjithë politika shqiptare. Në një intervistë me shkrimtaren Arlinda Guma*, në Gusht, 2018, i pyetur mbi godinën e Teatrit, u përgjigja se

Jam absolutisht kundra prishjes së Teatrit dhe absolutisht pro ndërtimit të një teatri të ri. Nuk ka pse lindja e të dytit duhet të presupozojë vdekjen e të parit. Një teatër i ri e modern është më i nevojshëm se kurrë në Shqiperi. Por janë urbanistët ata që duhet të mendojnë për një vend të përshtatshëm. Teatri i vjetër është pjesë e historisë së artit shqiptar; të ruhet, të rinovohet dhe, nëse nuk do të funksionojë më si teatër, mund të kthehet në muze apo arshivë. Në Buenos Aires kam visituar një teatër té kthyer në librari me emrin Ateneo, sipas gazetës The Guardian është nga dy libraritë më të bukura në botë. Dhe vazhdoj: “Kam qenë edhe kundër shdërrimit të sheshit të Durrësit dhe heqjes së shatërvanit projektuar nga arkitekt Sotiri. Atëhere shkruajta se gjërat nuk është e thënë të jenë të bukura për t’i dashuruar. Ato duhen sepse, pa e kuptuar, bëhen pjesë e jetës tënde. Për fat të keq ti e kupton këtë gjë vetëm atëherë kur i humb përgjithmonë.” 

Do ishte e pa imagjinueshme prishja e Teatro Rosalia (S. XIX) në La Coruña për të ndërtuar teatrin e ri të Operas. Apo të prishej Salón Teatro në Santiago, thuajse moshatar me Teatrin e Tiranës, për të ndërtuar Auditorin e ri. Po të kërkosh në Google “prishjet e teatrove”, e para që del është ai i Palmirës në Siri i shkatërruar nga ISIS.

Nuk e harroj Sallën e Artë (Musikverein) në Vienë kur luajta aty me Simfoniken e Galicisë. Shkëlqimi i saj më la pa fjalë, por ajo që më preku ishte parketi i vjetër i skenës, plot gërvishje, gropa e shenja si një memorial intim. Po ashtu karriget e muzikantëve, të shtrembëruara e me këmbët të prera për t’u përshtatur niveleve të skenës. Sallat e vjetra kanë shpirt. Janë të mbushura plot fantazmat të bukura. Kanë memorie, ndaj janë të shenjta.

E ndjeva thellë trishtimin e tim ati kur e lajmërova për shembjen e Teatrit. Eh, një jetë dedikuar skenës. Ai nuk foli. Nga dritarja shikonte i heshtur oqeanin. Ndërsa mami, e cila ka punuar mësuese, qau. Dhe kur qan një mësuese diçka e rëndë ka ndodhur…

Justifikimi

Kryeministrit shqiptar Edi Rama, siç e pohon edhe vetë, ka mbi 20 vjet që mendonte ta rrëzonte godinën e Teatrit si të pavlerë. 20 vjet! E çuditshme kjo ide fikse. Ky obsesion si kapiteni Ahab me balenën e bardhë. Por, a do jetë Teatri “Moby-Dick”-u i tij politik? Personalisht kam vlerësuar kulturën e tij të gjerë, shumë punë që realizoi kur ishte Kryetar Bashkie apo talentin si piktor. Por ndonjëherë më duket se ai mendon se Tirana apo Shqipëria është thjesht një tabllo e tij ku mund të pikturojë ç’të dojë. Por nuk është kështu. Nuk duhet të jetë kështu. Atdheu është “tablloja” e të gjithëve. Ndaj, mbeta i zhgënjyer kur rastësisht dëgjova një intervistë të tij në Euronews Albania tri ditë pas shembjes së Teatrit.

Justifikonte prishjen e godinës se vjetër duke folur me përbuzje për mbrojtësit e saj dhe duke e cilësuar ndërtesën si “magazina me tallash e teneqe të ndërtuara për të argëtuar ushtarët italianë”. Ndër të tjera tha: “Në Francë është prishur gjysma e një lagjeje historike në zemër të Parisit për t’u ndërtuar Qendra Pompidou. Kur ka ndodhur kjo, në France është bërë nami.” Me sa di unë, faktet janë krejt ndryshe. E para, nuk është prishur një lagje historike, por është ndërtuar në një zonë të zbrazur ku dikur kish qenë pjesë e tregut “Les Halles”. Presidenti Pompidou propozoi të ndërtohej një qendër e madhe multikulturore për t’i dhënë disi jetë e gjallëri asaj zone. E dyta, zhurmë u bë për tjetër gjë, u bë për të kundërshtuar projektin e Renzo Piano-s dhe Richard Rogers pse ishte tepër modern për vitet 70′, si nga të parat ndërtime të stilit industrial high-tech. Aty janë librat, apo siç thonë në Spanjë: “hemeroteka e mallkuar”.

I vetmi rast në historinë e Shekullit të XX-të që është dhënë urdhër për t’u hedhur në erë ndërtesat historike të Parisit ka qenë urdhëri i Hitlerit me 24 Gusht 1944 për gjeneral Von Choltitz, urdhër që, për fatin e njerëzimit, nuk u zbatua nga ky gjeneral. Dhe Hitleri e vlerësonte shumë Parisin sepse, jo vetëm se “ish i lexuar”, por ishte marrë dhe me pikture.

Historia e njerëzimit është e mbushur me drama të tilla në të gjitha regjimet totalitare. Nuk ka asnjë justifikim të shkatërrosh një ndërtim me histori për të ngritur një të ri “mbi gërmadhat e së vjetrës”; nuk mund të djegësh apo të ndalosh libra për të shkruar të tjerë më të “shëndetshëm”; nuk mund të shkatërrosh vepra arti në emër të një “arti të ri”; nuk mund të hedhësh në erë objektet e kultit si kisha e Shën Mërisë së Vaut të Dejës e shekullit XIII për një “fe tjetër”, apo të zhdukësh identitetin e një qyteti për një tjetër më moderne. Për at´Zot, kush mban përgjegjësi për masakrën urbane, për plazhin e Durrësit, betonimin e arkeologjisë, mbulimin e mozaikëve 2000 vjeçarë, eliminimin e parqeve, mbylljen e librarive, zhdukjen e kinemave historike të Tiranës apo vilat e vjetra…? Pjesa dërmuese e restaurimeve që janë bërë deri tani ndodhen jashtë “Suazës së artë” Tiranë-Durrës, ku lufta me “dinozaurët e natës” është thuajse e humbur. Me sa duket, fati i monumenteve historikë, ashtu si fati i njerëzve, varet shumë nga koordinatat gjeografike ku lind.

Ndaj mënyra e vetme është të vendosin vetëm ekspertët, të përbërë nga historianë, urbanistë, bibliotekarë, specialistë shkencorë, etj., të gjithë jashtë influencës së politikës. Po qe nevoja, të bëhen referendume. Ishin shumë emocionuese reagimet për ngjarjen në gjithë shtypin ndërkombëtar. Ndërsa ajo që ndodhi në Kosovë ditën e rrëzimit të Teatrit Kombëtar, anullimi i të gjitha shfaqeve teatrale në solidaritet me zërat që e mbrojtën, ishte gjesti më nobel që pa dyshim do mbetet në librat e historisë. Nga ana tjetër, sa i shëmtuar vulgariteti dhe fyerjet ndaj atyre që mendojnë ndryshe, qoftë nga një krah ashtu dhe nga krahu tjetër. Më duket se është e Voltaire-it thënia e madhe “ Nuk jam dakort me çfarë thua, por do jepja jetën për të drejtën tënde që ta thuash.” Dhe Voltaire diçka dinte mbi të Drejtën dhe Arsyen njerëzore.

Vendimet historike nuk mund të jenë kapriço të politikanit të radhës në pushtet. Kjo do të ishte jo vetëm e padrejtë, por edhe e rrezikshme, sepse dalin fjalët e hidhura të Simón Bolivar-it: “Ikni nga ai vend ku fijet e pushtetit i drejton një njeri i vetëm; është vend skllevërish.”

Shtëpia e gjetheve

Në kryeqytetin shqiptar është një ndërtesë e quajtur “Shtëpia e gjetheve”. Ajo ka qenë baza e Sigurimit të Shtetit gjatë diktaturës. Tani është restauruar dhe është kthyer në muze. Për gati gjysëm shekulli aty janë thurur dramat më të paimagjinuara të mendjes së djallit. Artistët, aktorët, regjisorët, skenografët, muzikantët, poetët e dramaturgët e Teatrit ishin preja e parapëlqyer e “Shtëpisë së gjetheve”. Sepse, ndërmjet Artit dhe Diktatures ishte dueli i përjetshëm i Dritës me Errësirën, i së Mirës me të Keqen, i Zotit me Djallin “ku fusha e betejës është shpirti jonë” sipas Dostojevskit. Tek “gjethet” ishin 212,145 dosje – shumë më tepër sesa drama e komedi të shkruara për Teatrin; ishin listat e 120.000 bashkëpunëtorëve të Sigurimit – shumë më tepër se të gjithë shkrimtarët, muzikantët e artistët shqiptarë bashkë; ishin 32.000.000 faqe të hartuara nga policia e fshehtë – shumë më tepër se e gjithë krijimtaria artistike, e shkruar dhe e luajtur brenda mureve të brishtë të Teatrit tonë. Nëse dikush ka kaluar pranë “Shtepisë së gjetheve” natën e 17 Majit, në oren 04:30, do ketë dëgjuar një zhurmë të frikshme gjethesh, e ngjashme me kristalet e thyera…

***

Këto ditë më sillet në mendje një tregim i rrallë i shkrimtarit Augusto Monterroso. Është vleresuar si tregimi i shkurtër më i mirë i historisë së letërsisë. Janë vetëm shtatë fjalë, sa një univers i tërë kafkjan:

Kur u zgjua, dinozauri ishte akoma aty.

Marrë nga: Mundoclasico.com

_____

Bisedën e gjeni këtu: 

Nuk i përshtatesh ti shijes së publikut, por i ofron publikut atë që ti mendon se duhet të njohë nga arti i ri/Bisedë me violinistin Florian Vlashi

Dhomë në Gjermani-Yehuda Amichai

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Dhomë në Gjermani-Yehuda Amichai

 

Reshje. Shiu përherë bie
nga e shkuara në të ardhme. Ashtu si fjalët.
Trinia e Shenjtë rri faqe meje në dhomë:
Krisht, mirëdita, i vdekur në Jerusalem,
ashtu si unë do thosha.

Pallto të hedhura përmbi varëse,
u flas si të ishin njerëz.
Mbi gjithë atë tryezë të drunjtë vera e derdhur në gotë kujton
gjithë jetën e saj, si njeriu para vdekjes,
në çastin e epërm, që nga pjergulla der në këtë ditë.

Përjashta bie shi, teksa brenda avulli trazohet me njerëz,
se veç avull është njeriu.

 

Përktheu: Edon Qesari 

_____

Piktura: Martin Lewis, “Little Penthouse”, 1931

Look Who’s Back, komedia gjermane si një thirrje për reflektim ndaj ndikimit të ekstremit të djathtë dhe degjenerimit të medias

in A(rt)ktivizëm/Kinema by

Përballë një perversiteti të tillë, ku media arrin dhe e nxjerr Hitlerin edhe në një emision gatimi, me dy neonazistë duke prerë mish, ata presin që e vetmja audiencë që mund të ankohet të jetë ndonjë majtiste

Arbjona Çibuku

Pak kohë më parë pashë një film gjerman satirik, të vitit 2015, me regjisor David Wnendt dhe me një aktrim tepër të mirë nga Oliver Masucci, i cili luan rolin kryesor. Filmi titullohet “Look who’s back”, është i  bazuar në romanin më të shitur të Timur Vermes me të njëjtin titull, “Shiko kush është kthyer”.

Për sa i takon filmit, bëhet fjalë për vitin 2014  dhe ai nis me një supozim të thjeshtë: Po sikur Adolf Hitler të rishfaqet papritur dhe pashpjeguar në një park dhe të endet rrugëve të Berlinit duke pretenduar se është ai, Adolf Hitler?

Unë filmin e pashë në dy këndvështrime, sipas meje filmi është një kritikë ndaj thellimit të ekstremit të djathtë kudo në botë dhe një kritikë ndaj medias.

Rrritja e ekstremit të djathtë

Një element që më tërhoqi, ishte ai që filmi përmbante edhe elemente eksperimentalë, duke marrë reagime reale të njerëzve, sesi do të reagonin nëse do të kishin përballë Adolf Hitlerin, i cili më pas do u drejtojë edhe disa pyetje, nga të cilat do të kuptojë se nuk ka ndryshuar shumë që nga koha që ai e la Gjermaninë. Fillimisht, Hitleri (supozuar se është i vërteti) është i irrituar se nazizmi kishte rënë, por mendimi i tij ndryshon kur ai nis e flet me njerëzit, të cilët i mësojnë atij sesi ta shfrytëzojë këtë botë të re e të guximshme.

Hitleri qarkullon dhe flet me njerëzit në Gjermani dhe i pyet se çfarë i shqetëson ata më shumë këto kohë. Përgjigjet janë ato që të frikësojnë, ata ankohen për azilkërkuesit, ankohen se fëmijët e emigrantëve i shqetësojnë dhe se janë të pasjellshëm, dikush i ankohet duke i thënë se me ardhjen e të huajve është ulur ndjeshëm IQ-ja. Pikërisht në bisedat e tij me qytetarët, shfaqen nota nacionalizmi të skajshëm, antisemitizmi, islamofobie apo ksenofobie. Hitleri në film, kupton aty se gjendet mes tyre, dhe shprehet se kështu ishin gjermanët edhe në vitin 1930.

Hitleri më pas shkon në shesh ku pozon si aktor dhe reagimet janë sërish të frikshme; njerëzit përballë tij gjenden komod, qeshin me të, vrapojnë të bëjnë fotografi me të, dhe fotot shpërndahen masivisht në rrjetet sociale ku aty gjen një simpati edhe më të madhe.

Media si mjet promovimi i antivlerave

Kritika e filmt ndaj medias mendoj se jepet në momentin kur Hitleri sheh nje televizor në dhomën e tij të hotelit. Pasi ndez televizorin, ai sheh një emision gatimi dhe habitet sesi një mjet i tillë komunikimi mund të përdoret për të promovuar emisione gatimi. Pikërisht aty, ai vëren se fuqia e teknologjisë kishte arritur aq përpara, por përdorej për emisione gatimi. Hitleri aty zbulon mjetin e shkëlqyshëm të propagandës.

Një tjetër moment goditës i filmit është futja e Hitlerit në media. Gjithçka nis me gjetjen e personazhit të Hitlerit nga një gëzetar i thjeshtë, i cili punon në një nga televizonet më të mëdhenj kombëtar, i keqpaguar, të cilin e pushojnë nga puna. Fabiani (gazetari) gjen papritur Hitlerin dhe realizon një reportazh, duke e parë këtë si mundësi për t’u rikthyer në punë. Ai e prezanton Hitlerin tek drejtuesit e televizionit, të cilët mahniten nga gjetja dhe vendosin ta përfshijnë personazhin e tij në një nga shfaqet më të ndjekura.

Me shfaqjen e Hitlerit në media, ndërlidhen ndjenjat raciste me përdorimin e medias për qëllime përfituese. Gjithçka është e qartë, drejtuesit e medias duan  audiencë dhe nuk u intereson nëse përballë gjithë popullit gjerman po del një personazh i veshur si Hitleri, e për më tepër, duke mbajtur fjalimet e tij reale, duke folur për racën e pastër gjermane dhe duke nxitur urrejtje ndaj të huajve.

Ato që ai thotë në fjalime janë mendimet e tij për vizionin e Gjermanisë, të njejta me ato çka Hitleri i thoshte popullit gjerman në vitin 1930, dhe feedback-u që ai merr është i njëjtë. Njerëzit e duan Hitlerin e ri dhe ajo që Hitleri (personazhi në film) thotë, është se në të vërtetë ata i pëlqejnë fjalimet e tij dhe atë vetë, pasi ata mendojnë si ai. Unë gjendem brenda jush, nuk jam larguar asnjëherë, shprehet Hitleri.

Pas suksesit me shfaqjen e parë, media kalon një hap më tej dhe vendos ta fusë Hitlerin në çdo emision, ku sërish audienca vijon të jetë e lartë. Të gjithë fillojnë të flasin për këtë personazh, por ajo që frikëson është se njerëzit pëlqejnë dhe bien dakord me ato çka ai thotë.

Hitleri kthehet një një yll shfaqjesh, i dashur për publikun, ky i fundit pohon me kokë kur ai mban fjalimet. Ajo që ti pret është momenti kur ndonjë autoritet do të trokasë në derë të televizionit për t’i paralajmëruar mbylljen.

Kjo vonon shumë derisa në ekran shfaqet Hitleri duke vrarë një qenush dhe një ankesë troket në derën e tyre, por që u falet, pasi drejtuesi mendon se shfaqja e Hitlerit është e mrekullueshme dhe se me siguri ankesën e ka dërguar ndonjë majtist i lajthitur. Përballë një perversiteti të tillë, ku media arrin dhe e nxjerr Hitlerin edhe në një emision gatimi, me dy neonazistë duke prerë mish, ata presin që e vetmja audiencë që mund të ankohet të jetë ndonjë majtiste.

Filmi mbyllet me një skenë madhështore, Hitleri i hipur në një makinë të zbuluar së bashku me drejtoren e televizionit, duke kaluar mes përmes Gjermanisë, ku qytetarët e përshëndesin, disa e shajnë, por ajo që ai thotë në mbyllje të filmit, mendoj se është fraza që të bën të mendosh dy herë pasi e ke parë filmin: -Mund të punoj me këtë, – thotë ai.

Mendoj se filmi, është një ulërimë ndaj gjithë botës, për të kthyer sytë nga rritja në mënyrë të frikshme e grupimeve neonaziste, rritja e islamofobisë, e homofobisë, e ksenofobisë, dhe fitoret e ekstremit të djathtë nëpër botë. Disa e kanë parë filmin, në kohën kur doli, edhe si një paralajmërim për fitoren e Trumput, në kuptimin që, nuk ka rëndësi nëse ai është i veshur apo jo si Hitleri, në thelb rëndësi kanë ato çka ai thotë, dhe njerëzit që i pranojnë dhe që pajtohen me ato çka ai thotë. Filmi jep një paralajmërim të qartë se duhet të kemi kujdes, pasi ai gjendet mes nesh me idetë e tij. Mjaftonte që t’i gërvishtje vetëm pak qytetarët gjermanë dhe ata nxirrnin në pah se nuk ishin shumë më ndryshe nga Hitleri.

Sakaq, publikimi i filmit u bë në një kohë kur vendi ishte i bllokuar nga një debat i ashpër mbi ardhjen masive të refugjatëve. Filmi përfshin pamjet e demonstruesve të Pegida-s që mbanin në duar pankarta kundër të huajve, si dhe kronikat e lajmeve që tregojnë sulmet e fundit me zjarrvënie në shtëpitë e azilkërkuesve.

Sakaq, për ta përmbyllur, do të sjell një reagim të regjisorit David Wnendt për filmin.

“Ideja jonë ishte të zbulonim se si njerëzit reagojnë ndaj Hitlerit sot dhe ndaj ideve të tij, si dhe të pyesnim a ka ai një shans në ditët e sotme?”, është shprehur drejtori David Wnendt për The Guardian. Përfundimi i tij?  “Për fat të keq po.”

NAIM FRASHËR DHE UOLLT UITMAN/Natasha Lako

in Letërsi by

Natasha Lako

Në hyrjet kryesore të stacionit të metrosë së Dupont Circle në Washington D.C. , nga punëtorët nëpër skela të lartësive që kushedisekur, kanë mbetur të gdhendur vargje të Uollt Uitmanit që flasin për lumturinë dhe dhimbjen. Ndoshta në nderim të kujtimeve, kur si vullnetar, ky poet botëror shërbeu për të plagosurit  e Luftës Civile në një spital, mundet aty pranë.
Në Shqipëri nuk gjendet ndonje varg naimian i gdhendur diku, thua se mund të shkruhet dhe të fshihet nëpër tabelat e dërrasave të zeza shkollore ose në ekranet e tabloideve fëminore… Sepse poezia e Naimit ngulitet në kokë në vegjëli. Dhe kaq.
Të dy i takojnë një shekulli. Atij të trenit, makinës me avull, shtypshkronjave, vështrimit nga Europa, shpërbërjeve të pazakonta të periferive të pushteteve dhe betejave kunder skllavërimit që nuk shter.
Të dy përcaktohen si burra të një force epike. Të dy punojnë përkohësisht në administratën shtetërore dhe të dy, në një formë apo në një tjetër, konsiderohen për kohën mjaft ofensivë.
Ati, vëllai, xhaxhai, si quhet deri më sot Uitmani prej poetëve amerikanë dhe aleati me çdo njeri të botës, i lindur ne 31 Maj të vitit 1819, është ndarë nga jeta në vitin 1892.
Naim Frashëri, burri i një lëngate të gjatë tuberkulare, po aq aleat me dhimbjen, me bukurinë dhe i paepur; njeriu që brenda Perandorisë Otomane i dha Kristoforidhit lejen e parë të botimit ku shfaqej gjuha shqipe, ka lindur më 25 Maj të vitit 1846. Është ndarë nga jeta në vitin 1900.
Libri “Fije bari” i Uollt Uitmanit, u botua  në vitin 1955 dhe hyri në histori, megjithëse 1000 kopjet e tij të para as nuk u shitën dhe emri i tij mbeti për një kohë të gjatë i pashkruar, deri sa u shfaq poezia për vdekjen e Linkolnit:
O kapiten, kapiten…”
 
Uollt Uitman
Emri i Naimit as nuk mund te guxohej të shkruhej në botimin që tronditi shqiptarët si “Historia e Skënderbeut”. Emri i tij nuk u shfaq as te revista “Dituria” e Stambollit në botimin e poezive “Fjalët e qiririt” dhe “Manushaqes” së vitit 1884, që e bëjnë të famshëm deri sot.
Dhe dihet që brenda kësaj fshehtësie shpërthyese, botimi i librit “Lulet e verës‘’ në vitin 1890, i dha emrin e tij përfundimtar. Si krijues i madh.
Të dy sfidojnë gjithë mekanizmat e ngritur, gjithnjë, qoftë në favor të një njeriu të vetëm.
Të dy me vargjet e tyre e rrëmbejnë lexuesin si në rrymat dhe gurgullimat e lumenjve shtratgjerë, që marrin me vete kumbime njerëzore. Aq sa poema “Bagëti dhe Bujqësi”, në dëshirën ngazëllyese të njerëzve, lë herë pas here të pashfaqur plotësisht në botime, revoltën e madhe të poetit për vuajtjen, padrejtësinë, varfërinë dhe pabarazinë, fije këto të lidhjeve të forta shoqërore të poetit me çdo njeri…
Të dy kanë numeracione të pafundmë, në një shkallëzim të një shpirti me një frymëmarrje të thellë.
Naimi  flet për çukat, kodrat, brigjet, gërxhet dhe lumenjtë e tij të kulluar, që thellojnë shtratin dhe herë krijojnë përmbytje të mëdha.
O kënaqësi që japin lisat, kopshti, korija, dushku, qitrat, pisha, pekani.
O të kuptosh hapësirën”, këndon Uollt Uitmani.
Të dy në enumeracione të drejtpërdrejta lidhen me çdo frymë krahine, njëri duke jetuar në botën më të vjetër, tjetri duke jetuar në botën më të re.
Me Naimin arrihen dimensione largësie, si në poezinë: “Hëna” kur ai e pyet:
Sa Sokratë na ke parë të helmuar,
Sa Josefë pre për ujqër të tërbuar.
Dhe Uollt UItmani në poezinë: “Themeli i gjithë metafizikës”, këndon:
Pasi studiova e shpjegova Kantin, Fichte, Shilling, Hegelin,
Shpjegova dijen e Platonit e të Sokratit, më i madh se Platoni.”
Dhe më pas Naimi thotë:
Mendja ime, që s’gjen prehje, bën kërkime,
Dhe rropatet me aq pyetje e mërmërime
Kush? Pse? Çfarë? Ku e kur? E si e sa?
Por më kot se nga çdo anë tallje ka.”
Dhe lexuesit i duket se përsëri po flitet për ditet e sotme.
Dhe nëse Naim Frashëri mbetet demokrati i parë i shqiptarëve, Uollt Uitmani mbetet demokrati i paparashikuar i gjithë botës.
Uollt Uitmani mund të përgjigjet, sikur të ketë parë edhe emigranten e sotme shqiptare, që sa i ka rënë llotaria amerikane.
“Eja muzë kalo prej Greqisë dhe Jonisë,
Të lutem fshiji ato llogaritë e vjetra të paguara shtrenjtë.”
Edhe në qoftë se ju miqtë e mi nuk e shihni, unë e shoh emigranten e shkëlqyer,
E pamërzitur nga ujësjellësit dhe gazometat e plehërat kimike,
Buzëqeshur e kënaqur me dëshirën që të rrijë,
Ja tek është e vendosur në mes enëve të kuzhinës.
Dhe ai e vë, si asnjeri tjetër, në një pozitë të re lirie shoqërore, edhe gruan që lëpin zemrën e një burri me kraharor të zbuluar.
E ndërsa Uollt Uitmani, ky i pashtershëm në zgjerimin e një vëllimi të vetëm, thotë: “Dielli im ka një diell dhe dielli im vërtitet me bindje rreth tij“, ai punon njësoj si ata piktorët që e shpërthejnë temën e tyre, duke krijuar një gjithësi të papërseritshme dhe duke krijuar një leksik jashtëzakonisht të pasur dhe përtëritës.
Ndërsa, Naimi, diejt e tij të vegjël i shpërndan deri në tekstet shkollore, me misionin e madh të një gjuhe të pauzurpuar.
Të dy panteistë sa më s’ka dhe transhedentalë sa më s’ka, vetëm në raste të rralla mund ta përqendrojnë figuracionin në një objekt të përcaktuar, pasi ai niset të shtrijë krahët për të  përmbledhur gjithë botën. Dhe Naimi është gati të bëhet natyrë çdo çast, së bashku me Uollt Uitmanin.
Dhe kështu dy poetë që nuk u njohën kurrë, takohen me njëri-tjetrin në këtë pambarimësi. Dhe dimensionet e kësaj dashurie për njeriun dhe jetën janë aq të beftë dhe të freskët në poezinë e Uollt Uitmanit, njësoj si gaforet e tij poetike të saponxjerra prej detit.
Dhe Naim Frashëri te poezia “Deti”, këndon.
O ti det që t’ep flladitje e gëzim!
Te ti gazin më gjen zemra shpirti im.
Pika jote është e ujërave moria,
Ato Krishti, kurse ti je ShënMëri.”
Nuk ka poet tjetër që mund ta shihte detin si një bark mëmësor dhe morinë e ujërave si një Krisht i porsalindur dhe ndoshta njëkohësisht i posakryqëzuar.
Si mund t’i përgjigjet poeti Uollt Uitman, pjesëmarrës nëpër ngjarje, së bashku me breshkën dhe pelën qimekuqe, nuk dihet.
Por ne mund të lexojmë së bashku disa vargje nga “Këngë për veten time”.
Në procesin falik, kërcej rrugëve, jam gjysmë sofist i përmbajtur,
I ashpër në gjirin e pyjeve,
Me kafkë unë pi mjaltë t’egër, nderoj Shastat dhe Vedat, mbaj Kuranin,
Hipi në teokallet të lyera me gjak nga gurët dhe thikat,
trokas me daulle me lëkurë gjarpëri.”
Romantizmi  ka krijuar gati një oqean me kryevepra, prej të cilit duket sikur për herë të parë, nuk derdhen po burojne dy lumenjtë poetikë realë, që fillojnë të kërkojnë njeriun që deri atëherë as nuk është vëne re. Dhe kjo sjell një pranim të pafund.
Aq sa deri te “Këngë e vdekjes“, Uollt Uitman këndon.
O nënë e zymtë që gjithnjë na afrohesh me çap të butë,
S’të ka kënduar kush një këngë miradije të përzemërt.”
Dhe ja, lozonjar deri edhe me vdekjen është Naimi te poezia “Zonja e fatit kur thotë”:
Qesh njëherë moj leshra krënde,
Me të qarë nuk u dënde.”
Deri tani për Naimin është thënë shumë pak.
Madje janë rrekur ta vënë përballë madhështisë së zhbirimeve, humbjes së shpresës  dhe demontimeve estetike të poetëve të tjerë të atij fundshekulli, që ndryshe nga Uitmani dhe ai vetë, jetonin në shoqëri me organizime të pjekura, të lëna si dhurata që të velnin.
Dhe mendoni sikur bota të fillonte të velej nga poezia e Uollt Uitmanit, vetëm e vetëm për hir të dashurisë së pakufishme për veten. Dhe mendoni sikur në ShBA-në e pafund të Uollt Uitmanit, të gjithë ata njerëz që kanë parë fluturimet kozmike dhe jetojnë para ëndrrës për të shkuar në Mars, të mendonin se mund te vjetërohej poezia e Uollt Uitmanit madje edhe vetë himni i amerikanëve, njësoj si kujtohemi ne për të bërë kapërcime të Naimit, për hir të një moderniteti dhe postmoderniteti të kohës së instaliacioneve kolektive.
Por është e pamundur të kapërcesh në çdo krijimtari të sotme, pa befasinë e vargut shpërthyes dhe të brendshëm, qoftë të Uitmani qoftë te Frasheri, pa atë zgjerim të pafundmë në marrëdhënien me botën dhe historinë e njeriut, në të tillë plotëri, që ta sjell vetëm e ardhmja dhe besimi te liria njerëzore.
Ndoshta Naim Frashëri dhe Uollt Uitmani mbeten dy poetët më zemërgjerë të botës, të cilët nuk bashkohen vetëm nëpërmjet periudhave historike dhe idealeve të barazisë, por edhe nëpërmjet artit të madh.
Për shqiptarët, të pamësuar edhe me fjalën demokraci, ndonjëherë mbeten edhe të pakuptueshëm.
Dhe vargjet e tyre bëhen edhe më çlirues.
Dhe takimi i tyre është më se tronditës.
Sepse edhe sikur të mos ekzistonte i gjithë korpusi, gati i pafund  i secilit, ata i kanë lënë përjetësisht botës, qoftë edhe dy poezi të vogla, ku ata mund të shohin njëri-tjetrin si në një pasqyrë.
Dhe ja ç’thotë Uitmani në poezinë: “E para lule radhiqe”:
E freskët e thjeshtë dhe e bukur,
E çliruar prej robërisë së dimrit,
Sikur të mos kishte në botë modë,
As politikanë, as punë paresh,
Nga një skaj i ngrohur nga dielli në bar,
E rimë, e qetë, e artë si agimi,
E para luleradhiqe e pranverës,
Shfaq fytyrën e saj miturake.
Dhe ja ç’thotë Naimi’, mes kataklizmave e trazirave të mëdha… me poezinë: “Lulja”:
N’atë kohë kur ky diell si fener, si dhe toka edhe hëna ish eter,
Dhe kur toka, hëna dielli shkëlqimtar,
U bën avull dhe u mbushën plot me zjarr,
Dhe nga dielli na u ndanë tokë dhe hënë,
Pa u nda dhe hëna shpejt nga toka nënë.
Dhe çdo njeri na u bë në hapësirë,
Yll i zjarrtë që ndriçoi në errësirë,
gjatë kohës, pra, që ndodhën kaq çudi,
O moj lule, ku qe fshehur vallë ti.”
Naimi i dashur më lejon të rrëmbej për këtë poezi të gjitha pasthirrmat e Uollt Uitmanit.
Të them se po flas për dy nga poezitë më të bukura të botës, ku përmblidhet e thjeshta, e vërteta, e pashmangshmja për të jetuar me të gjithë forcën e vet.
Por nuk mund të flas para Uollt Uitmanit, që duket sikur flet vetë me një poet, të cilin, po të mos e thonë shqiptarët, nuk mund ta thotë bota.
Por Uollt Uitmani duket sikur e ka ditur, kur shkruan:
Shok po të jap dorën!
Po të jap dashurinë q’është më e shtrenjtë se floriri,
Po të jap veten time, në vend të predkut dhe ligjit.
A ma jep ti veten tënde?A vjen të udhëtosh me mua?
A do që të qëndrojmë bashkë tërë jeten?”
Më bukur që nuk diheshin këta dy poetë. Sepse bota duket edhe më e madhe.
25 Maj, 2020

Nëntë shënime për ballinat e librave/Orhan Pamuk

in Letërsi by

Orhan Pamuk

 

  1. Nëse romancieri mund ta përfundojë një libër pa ëndërruar ballinën e tij, ai është i mençur, i harmonishëm dhe i rritur, plotësisht i rritur, por po kështu ka humbur pafajësinë, e cila para së gjithash e bëri romancier.

 

  1. S’mund t’i kujtojmë librat që duam më shumë pa kujtuar gjithashtu ballinat e tyre.

 

  1. Të gjithë do të dëshironim të shihnim më shumë lexues që blejnë libra prej ballinave të tyre dhe më shumë kritikë që përbuzin libra të shkruar me të njëjtët lexues në mendje.

 

  1. Përshkrimet e hollësishme të heronjve në ballinat e librave nuk fyejnë vetëm imagjinatën e autorit, por edhe të lexuesit të tij.

 

  1. Kur krijuesit e ballinave vendosin që një libër me titullin “E kuqja dhe e zeza” meriton një xhaketë të kuqe dhe të zezë, ose kur zbukurojnë libra me titull “Shtëpia blu” ose “Kështjella”me ilustrime të shtëpive blu ose me kështjella, na japin ndjesinë se s’janë treguar besnikë ndaj tekstit, por na bëjnë të vrasim mendjen nëse e kanë lexuar.

 

  1. Nëse, vite pas leximit të një libri, hedhim një vështrim mbi ballinën e tij, kthehemi sakaq tek ajo ditë, kur shumë kohë më parë, u ulëm me atë libër në një qoshe, për të hyrë në botën e fshehur brenda tij.

 

  1. Ballinat e suksesshme të librave shërbejnë si përçuese, duke na frymëzuar dhe çuar larg botës së zakonshme në të cilën jetojmë, për të na futur në botën e librit.

 

  1. Sa joshëse është një librari varet jo nga librat që ka, por nga shumëllojshmëria e ballinave të librave të saj.

 

  1. Titujt e librave janë si emrat e njerëzve: Na ndihmojnë të dallojmë një libër nga miliona të tjerë të ngjashëm. Por ballinat e librave janë si fytyrat e njerëzve: Ose ata na kujtojnë lumturinë që përjetuam dikur ose premtojnë një botë të lumtur që pret të zbulohet. Kjo është arsyeja pse shikojmë ballinat e librave me po aq pasion sa fytyrat.

         

          Përktheu: Granit Zela

Të verbrit në protestë-Petraq Risto

in Letërsi/Tharm by

Të verbrit në protestë-Petraq Risto

 

Të verbër… 

Errësira na ka mbledhur në një shesh për protestë

të tjerëve u dukemi kuaj pak orë para vrasjes

Do të na flas një i verbër tjetër

Thonë Dritës do t’i bëjë ftesë:

të paktën ta shohim në Parajsë.

Nëse dhe në Parajsë do të jetë kështu:

Qytete me rrugë të kthyera në bastunë

nëse në Parajsë s’do të përkthehemi në blu 

dhe drita s’do na kthehet në furtunë

atëherë merreni Zotin tonë

futeni në një labirint drite

të mos verbohet nga errësira.

Solstice-Merita Paparisto

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Solstice-Merita Paparisto

 

O dhimbje e ëmbël

vjen e shkon si erë

ngre vrunduj gjethesh të thara

në pranverë…

e asnjëherë s’dihet nga ç’grykë del

ajme,

ish’ kaq e dhimbshme të mbyteshin në syte e mi

zogjtë e nëntokës ku nuk ka qiell

është vjeshtë e vonë, çdo kohe atje

diamante të ndezur janë yjet dhe sytë

në një sfond të errët, mavi.

Po shtegton dhe ti shtërg i qiellit,

në anën e errët të hënës

klith, ngjyhesh në të zi,

me sheh mendueshëm dhe shkruan.

 

____

Librin e gjeni në Amazon:

https://www.amazon.ca/dp/B088XXPJ3P/ref=sr_1_1?keywords=merita+paparisto+solstice&qid=1590095272&sr=8-1

Kur shkrimtari rrezikon jetën e tij për paqen

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

Alber Kamy (Albert Camus) ishte shkrimtari që dashuronte paqen dhe që njëkohësisht kuptonte dhe pranonte pashmangshmërinë e luftës në periudha të caktuara, si fjala vjen, përballë nazistëve gjermanë. Por në vitin 1956, Kamyja, i cili vetëm një vit më vonë fitoi Nobelin në letërsi, i vendosi vetes një detyrë të pamundshme. Ai kërkoi të vendoste paqe mes dy atdheve të tij, Algjerisë, vendi ku lindi e u rrit dhe Francës, shtetit të cilit i përkiste.

Kjo ishte periudha kur shteti francez dhe një forcë rebele e njohur si Fronti Kombëtar për Çlirim të Algjerisë, ishin angazhuar në një betejë, në të cilën, të dyja palët përdornin terrorin mbi popullsinë civile reciproke si mjet lufte. FKÇ kërkonte pavarësinë e Algjerisë ndërsa Franca, një fuqi dikur e madhe koloniale që po rrënohej, refuzonte me çdo kusht duke e quajtur Algjerinë France d’outre-mer (Thjesht Franca e përtej detit).

Sipas Kamysë, rebelimi i vërtetë mbart tension të lartë. Rebelimi mban fort qendrën morale, duke i bërë rezistencë shtypjes, ndërsa paralelisht, duke i rezistuar tendencës së vetë rebelit për të shtypur të tjerët.

Dhe ndërsa nacionalistët algjerianë dhe francezët bënin masakra të tmerrshme me vrasje të burrave, grave e fëmijëve, siç ishte rasti i popullsisë koloniste franceze në një fshat ku u therën 100 njerëz nga fqinjët arabë apo në politikën e “përgjegjësisë kolektive” ndjekur nga ushtria franceze dhe milicitë që vrisnin gra, burra e fëmijë. Nuk ishin vetëm algjerianët që po vdisnin, mendonte Kamyja, por vetë Algjeria.

Për këtë arsye, në pasdreken e së Dielës, më 22 Janar, pak pas orës 4, një Kamy nervoz u ngrit në podiumin e Cercle du Progrès, (Rrethi i Progresit), një ndërtesë nën pronësinë e myslimanëve në qendër të Algjerit. Lindur dhe rritur në një lagje punëtorësh të Algjerit, Kamyja ishte i ndarë mes dy botëve dramatikisht të ndryshme. Nga njëra anë ishte lidhja njerëzore me njerëzit dhe vendet e Algjerisë franceze; në anën tjetër, ai kishte një angazhim po aq të fortë për idealet e lirisë, barazisë dhe vëllazërisë së Francës republikane.

Fillimisht gazetar investigues dhe më pas shkrimtar e eseist, karriera e të cilit u kurorëzua me Nobelin, Kamyja luftoi për zgjerimin e këtyre idealeve mes tetë milionë arabëve dhe berberëve që jetonin në sundimin e Francës. Dhe ndryshe nga shumë francezë të tjerë të Algjerisë, Kamyja ishte i tmerruar nga historia e disikriminimit de jure dhe de facto kundër arabëve dhe berberëve. Duke besuar se “Algjeria Franceze” mund të mbetej franceze dhe njëkohësisht të bëhej demokratike, Kamyja këmbënguli që francezët e algjerisë dhe arabët ishin “të dënuar të jetonin bashkë.”

Por më 1956, frika ishte se në fakt ata ishin të dënuar të vrisnin njëri-tjetrin. Mundësia për gjakderdhje të pafund, ushqyer nga aktet e terrorizmit kundër popullsisë civile, ishte diçka e padurueshme. Algjeria, i tha ai një miku, “më është vënë në grykë.” Me një dozë po njësoj të lartë guximi dhe dëshpërimi, në fund të vitit 1955, Kamyja shkroi një seri opinionesh në revistën L’Express, në të cilën kërkonte një paqe për civilët. Një traktat mes Parisit dhe FKÇ-së dukej i pamundur; dhuna nuk kishte rrugëdalje. Por a mundeshin të dyja palët që së paku të binin dakord të kursenin civilët? Nëse kjo nuk ndodhte, argumentoi ai, “Algjeria shpejt do të jetë një vend ku banojnë vetëm vrasës dhe viktima. Vetëm të vdekurit do të jenë të pafajshëm.” Dhe i vetëdijshëm që kjo ishte tepër e dobët si përpjekje e kryer nga Parisi, Kamyja vendosi të flasë publikisht, me një rrezik të vet personal, në qytetin e tij të lindjes, Algjer.

Algjeria nga ana e saj po priste. Rreth 1,500 vetë u mblodhën për ta dëgjuar, francezë dhe myslimanë, intelektualë dhe tregtarë. Atmosfera ishte e tensionuar, ndërsa një turmë kërcënuese kolonistësh francezë kundërshtonte takimin dhe ishte grumbulluar jashtë ndërtesës. Kamyja i tha audiencës se ishte detyra e tij, si francez i Algjerisë dhe si shkrimtar, të bënte një thirrje të thjeshtë “për humanizmin tonë.” Ai bëri thirrje për armëpushim ndaj civilëve.

“Nuk kam ardhur t’ju kërkoj të hiqni dorë nga çfarëdolloj bindjeje që keni,” u tha ai të pranishmëve. Pavarësisht se çfarë situatash historike, ideologjike apo politike ekzistojnë, “asnjë kauzë nuk e justifikon vdekjen e njerëzve të pavarur.”

Ai shtoi se nuk kishte iluzion se zgjidhja e situatës ishte e mundshme për momentin. Por ai u kërkoi pjesëmarrësve në konflikt “të heqin dorë nga ajo që e bën situatën të pafalshme, konkretisht, masakrimi i të pafajshmëve.”

Megjithatë masakrimi i të pafajshmëve vijoi edhe për gjashtë vite të tjerë. Dhe ndërsa Kamyja nuk e kishte mbaruar ende fjalën, turma jashtë, e zemëruar nga “tradhtia” që ai po i bënte Algjerisë Franceze, bëri thirrje për linçimin e tij. Por Kamyja përballë këtij rreziku refuzoi të largohej pa mbaruar çfarë kishte për të thënë. Ai arriti të shpëtojë nga ndihma e miqve.

Në javët që pasuan, Kamyja zbuloi se fjalimi i tij nuk i kishte bërë përshtypje asnjërës prej palëve. Ai nuk foli më kurrë për Algjerinë. U desh një dekadë luftë, pothuajse e pandërprerë, që Franca të arrinte marrëveshje paqeje me Algjerinë. Por telashet nuk mbaruan me marrëveshjen e paqes.

Ekstremistët francezë vijuan të kërkonin luftë e madje tentuan atentate për të vrarë Charles de Gaulle, njeriu që nënshkroi paqen. Në Algjeri, pala fitimtare imponoi një qeveri me një parti që vijon të sundojë vendin me një nga diktaturat më të egra në planet.

Kamyja kuptonte se dhuna ishte e tjerrur në mënyrë të pandashme në mishin e jetës së përditshme. Megjithëse ai ishte pacifist, e kishte të qartë se dhuna, në çaste kritike kishte rëndësi thelbësore për të ruajtur humanizmin tonë. Ky ishte rasti i Gjermanisë hitleriane dhe arsyeja se pse Kamyja ishte një eksponent i fortë i rezistencës franceze. Në vitin 1943 ai iu drejtua një miku imagjinar gjerman që ishte bashkuar me nazizmin dhe nihilizmin. Në një esé ai shkroi: “ushtrimi i dhunës është më i natyrshëm për ty nga sa mendon. Por kërkohet një përpjekje shumë më e madhe të luftosh ndërkohë që e urren luftën.

Sipas Kamysë, Njeriu i Revoltuar ka për qëllim “t’i shërbejë drejtësisë dhe jo të shtojë padrejtësinë në gjendjen njerëzore si dhe të këmbëngulë në përdorimin e gjuhës së thjeshtë në mënyrë që të mos shtojë gënjeshtrat në botë.”

Marrë nga blogu: Shtëpia e Librit

Kur shkrimtari rrezikon jetën e tij për paqen

Një javë e ngarkuar-Alain Bosquet

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Një javë e ngarkuar-Alain Bosquet 

 

Çdo të hënë revoltohem:

si mund të jesh një njeri

veç në kometat?

Çdo të martë pyes veten:

ç’mund të bëj për të kuptuar lumin,

për të rritur catalpa-në?[1]

Të mërkurave ëndërroj për ekuilibrin

midis dyshimit dhe arsyes,

midis frikës dhe kthjelltësisë.

Çdo të enjte akuzoj të ngjashmit e mi:

“Ju jini një hiç, madje as dhe një fije e çmendur bari

as dhe një merimangë.”

Të premtet janë ditë të trishta:

«Përse duhet të jetosh

përse duhet ta pastrosh këtë shpirt?

Të shtunat janë ditë mungese:

«Kurrë nuk kam lindur në një ditë të tillë»,

nuk jam më askushi,

hiçi më përshtatet, as ngrohtë as ftohtë.

Ndërsa të dielave, në hambarin tim

para librave që dekompozohen

i ndershëm e i pastër shkoj të var veten:

Në këtë mos shihni tragjedinë:

ajo që ka rëndësi,

në javën time

të përrallave dhe të poezive

është dita e tetë.

 

Përktheu: Luan Rama

_____

[1] Pemë e madhe ornamentale me lule të bardha që gjendet në Amerikën veriore, Azinë perëndimore dhe në Francë.

Dy minitregime-Jorge Luis Borges

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

JORGE LUIS BORGES

 

ROBI

Këtë histori e tregojnë në Hunin ose në Tapalken. Pas një sulmi indian u zhduk një fëmijë. Thanë se e kishin rrëmbyer indianët. Më kot e kërkuan prindërit e tij. Vite e vite më pas, një ushtar që vinte nga thellësia e vendit, tregoi për një indian me sy të kaltër që afërmendsh duhej të ishte biri i tyre. Më në fund, ata e hasën birin e humbur (rrethanat si e qysh i ka përpirë historia dhe nuk dua të sajoj për atë që nuk e di) dhe besuan se e njohën. Njeriu, i rritur në shkretëtirë dhe i përshtatur me jetën barbare, tashmë nuk i kuptonte më fjalët e gjuhës së nënës, por, indiferent dhe i bindur u drejtua dhe shkoi vetë deri te shtëpia e lindjes. Aty u ndal, ose ndoshta e ndalën të tjerët. Shikoi portën e shtëpisë, sikur të mos e njihte. Pastaj, menjëherë, uli kokën, bërtiti, kapërceu pragun me shpejtësi dhe, duke rendur, përshkoi të dy oborret e gjatë dhe u fut në kuzhinë. Pa hezituar aspak, futi dorën në një vazo të vjetër e të nxirë dhe nxori andej thikën me bisht briri, të cilën e kishte fshehur aty qysh kur ishte i vogël. Sytë i ndritën prej gëzimit, ndërkohë që prindërit, të bindur se e kishin gjetur birin e humbur, nuk i mbajtën dot lotët.
Kushedi, pas kësaj ai kujtoi edhe gjëra të tjera, por, tashmë indian, nuk mundi të jetonte midis mureve dhe një ditë iku në kërkim të shkretëtirës së tij.
Unë doja të dija se çfarë ndjeu në atë çast marramendës, kur iu ngatërrua e kaluara me të tashmen. Doja të dija nëse ky bir i humbur rilindi dhe vdiq në atë ekstazë apo nëse, si një krijesë apo edhe si një qen, a thua arriti të rinjohë prindërit dhe shtëpinë?

KURTHI

Tmerri i tij i vërtetë ishte, kur Çezari, tek këmbët e statujës, i rrethuar dhe i goditur prej thikave të pandalshme të miqve, mes fytyrave dhe teheve zbulon atë të Mark Brutit, të preferuarit të tij, e pse jo birit të tij, dhe atëherë dorëzohet e thërret: “Tu quoque, Brute, fili mi?” (Edhe ti, Brut, biri im?!); një klithmë patetike kjo që e kanë rrokur Shekspiri dhe Kevedoja.
Fatit i pëlqejnë përsëritjet, variantet, simetritë; nëntëmbëdhjetë shekuj më vonë, në jug të provincës së Buenos Airesit, një fshatar sulmohet nga disa fshatarë të tjerë dhe, kur rrëzohet, njeh birin e tij të adoptuar dhe i thotë me qortim të butë dhe habi të plogët (këto fjalë duhen dëgjuar, jo lexuar): “Pero, che!” (Edhe ti, ore?!). Pastaj e vrasin dhe ai nuk e di se po vdes që të përsëritet një skenë.

Përktheu: Bajram Karabolli

______

Shënim: “Kurthi” është një nga ato minitregimet e famshëm të Borgesit, të cilët janë tejet lakonikë, art puro. Por dua të qëndroj te shprehja “Pero, che!”, për të cilën vetë Borgesi thotë: “Këto fjalë duhen dëgjuar, jo lexuar”. Dhe e ka fjalën për një lexues vendas (argjentinas), lëre më, një i huaj. Personazhi i Borgesit ndodhet në të njëjtën situatë, si Jul Çezari dhe njësoj si ai shqipton vetëm ato dy fjalë aq lakonike.
Por në këtë rast, fjala është tjetërkund. Te vështirësia e përkthyesit, që, nganjëherë, është gati e pakapërcyeshme.
Che (çe) është një fjalë që përdoret vetëm në Argjentinë dhe Uruguai dhe në asnjë vend tjetër spanjishtfolës. Në dy vendet e mësipërme, kështu i drejtohen një të afërmi, një shoku, një miku, qoftë mashkull apo femër. Është një mënyrë e veçantë të drejtuari që shpreh afëri, ngrohtësi, intimitet. Argjentinasi i famshëm, Ernesto Gevara (Ernesto Guevara) njihet Çe Gevara (Che Guevara), vetëm se në Meksikë, ku ishte student për mjekësi, u drejtohej shokëve dhe miqve të tij: Ej, Çe! Ç’kemi, Çe? Tungjatjeta, Çe!… Dhe të tjerët që s’e përdornin këtë fjalë apo nuk e njihnin këtë mënyrë të drejtuari, nisën ta quanin Çe dhe jo Ernesto.
“Pero, che!” Kaq thotë personazhi i Borgesit dhe i lë që ta vrasin. Ad literam, do të përkthehej: Po ti, ore! Por, një lab, në një situatë të tillë do të thoshte: “Edhe ti, more derëbardhë?!”, apo: “Po ti, ç’pate, a tu shoftë?!”, etj. Një shkodran mund të thoshte: “Ç’ban, o nieri i mirë?!”. Po ka shprehje nga më të ndryshmet për të shprehur njëherazi, habi, dhimbje, lëshim, falje, e ku di unë, ama, kurrsesi mallkim, në një situatë të tillë.
Të gjithë e njohin shprehjen e famshme italiane: Traduttore, traditore. Sepse, në njëfarë mënyre, përkthyesi, patjetër do të tradhtojë dikë; ose autorin, ose lexuesin; ose gjuhën origjinale, ose gjuhën tjetër, në të cilën e shpie origjinalin. Dhe kjo është një dilemë e madhe për të.

Bajram Karabolli

1 86 87 88 89 90 161
Go to Top