Mbaji mend-Yehuda Amichai
Mbaji mend ca vogëlsira. Mbaje mend si vishet
njeriu që ti do,
në mënyrë që një ditë, pasi ta kesh humbur, të dish të
thuash se ç’rroba mbante, xhaketën kadife, shapkën e bardhë.
Mbaji mend ca vogëlsira. Se nuk kanë fytyrë
dhe shpirti u rri strukur, e dënesa e tyre
i ngjan gazit të tyre,
dhe heshtja e tyre ka fuqinë e britmës së tyre
dhe temperatura e trupit të tyre vërtitet mes 98 dhe 104 gradëve
dhe s’marrin dot frymë jashtë kësaj hapësire të ngushtë
dhe nuk ua ka gdhendur njeri pamjen, a diç të ngjashme, s’i kujton njeri
dhe mbajnë në dorë gota plastike kur festojnë,
gota nga ato që përdoren veç një herë.
Mbaji mend ca vogëlsira. Pasi bota
është përplot me njerëz të lënë pa gjumë,
që s’kanë kënd afër t’i qajë një hall,
që ndryshe nga kafshët jetojnë
të strukur në strofullat e tyre dhe vdesin
përqafe në fushëbeteja
dhe spitale.
Dhe toka do t’i përpijë, të tërë,
qofshin të mirë a të këqinj, siç bëri me pasuesit e Korahut*,
gjithë ata që rreken t’i kundërvihen vdekjes,
që duan ta thonë diçka – deri në çastin më të mbramë,
duke u lutur apo mallkuar në një
klithmë vetmitare. Përpiqu de, mbaji
mend ca vogëlsira.
_____
* Personazh biblik, i njohur për kryengritjen e udhëhequr ndaj Mojsiut, e që bashkë me ndjekësit e vetë u dënua i përpirë nga toka (Numrat 16:1-40)
Përktheu: Edon Qesari
Dy këngë në ranishtën e Cesaresë-Yehuda Amichai
Dy këngë në ranishtën e Cesaresë-Yehuda Amichai I. Detin e mirëmban kripa. Jerusalemin e mirëmban