Liria e shtypit-George Orwell

in A(rt)ktivizëm/Letërsi/Përkthim by

Në këtë vend frika intelektuale është armiku më i keq me të cilin duhet të përballet një shkrimtar apo gazetar, dhe mua nuk më duket se ky fakt ka pasur diskutimin që meriton.

    George Orwell

Parathënie e Orwell-it për romanin “Ferma e kafshëve”, viti 1945

Ky libër u mendua për herë të parë dhe ideja e tij themelore lindi në vitin 1937, por nuk u shkrua deri në fund të vitit 1943. Deri në kohën kur më në fund u shkrua ishte mëse e  qartë se do ishte shumë e vështirë të botohej (pavarësisht mungesës së madhe të librit, gjë që garanton se çdo gjë që përshkruhet si libër do të “shitet”), por prapëseprapë u refuzua nga katër shtëpi botuese. Vetëm njëra prej tyre nuk pranoi për motive ideologjike. Dy prej tyre kishin botuar libra anti-rusë për vite me radhë, dhe e katërta nuk kishte shfaqur anësi të dukshme politike. Njëri nga botuesit në fillim pranoi ta botonte librin, por pasi ndërmori hapat fillestarë të procesit të botimit, ai vendosi të konsultohej me Ministrinë e Informacionit, e cila duket se e kishte paralajmëruar ose më e pakta; e kishin këshilluar që në asnjë mënyrë të mos e botonte. Ja një fragment i letrës së tij:

“Ju përmenda reagimin që pata nga një zyrtar i rëndësishëm në Ministrinë e Informacionit në lidhje me “Ferma e Kafshëve”. Duhet t’ju rrëfej se shprehja e opinionit të tij më ka bërë seriozisht të mendoj.. Tani e kuptoj që libri mund të shihet si diçka, botimi i të cilit ishte një këshillë tepër e keqe tani për tani. Nëse fabula do t’i drejtohej diktatorëve dhe diktaturave në përgjithësi, atëherë botimi do të ishte në rregull, por fabula ndjek, siç po e kuptoj tani, pikë për pikë përparimin e rusëve sovjetikë dhe dy diktatorëve të tyre, dhe se është e vërtetë vetëm për Rusinë, duke përjashtuar diktaturat e tjera. Edhe diçka tjetër; do të ishte më pak fyese nëse kasta mbizotëruese në fabul nuk do të ishin derra. [*] Mendoj se zgjedhja e derrave si kasta në pushtet, padyshim që do të përbënte fyerje për shumë njerëz, dhe veçanërisht për këdo që preket shpejt, siç ndodh padyshim me rusët.”

Kjo gjë nuk është shenjë e mirë. Natyrisht askush nuk do që një departament qeveritar të ketë pushtet censure mbi librat që nuk sponsorizohen zyrtarisht (përveç censurës për shkak të sigurisë, të cilën askush nuk e kundërshton në kohë lufte). Por rreziku kryesor për lirinë e mendimit dhe fjalës në këtë moment nuk është ndërhyrja e drejtëpërdrejtë e Ministrisë së Informacionit ose ndonjë organi zyrtar. Nëse botuesit dhe redaktorët përpiqen që libra me tema të caktuara t’i pengojnë të shtypen, kjo nuk ndodh sepse ata i frikësohen ndjekjes penale, por sepse i frikësohen opinionit publik. Në këtë vend frika intelektuale është armiku më i keq me të cilin duhet të përballet një shkrimtar apo gazetar, dhe mua nuk më duket se ky fakt ka pasur diskutimin që meriton.

Çdo person me gjykim të paanshëm dhe me përvojë gazetareske e pranon që gjatë kësaj lufte censura zyrtare nuk ka qenë edhe aq e bezdisshme. Ne nuk i jemi nënshtruar cenusurës së llojit të “bashkërendimit totalitar” që afërmendsh ishte e arsyeshme të pritej. Shtypi ka disa ankesa të arsyeshme, por në përgjithësi Qeveria ka vepruar mirë dhe ka qenë çuditërisht tolerante ndaj mendimeve të minoriteteve. Fakti kobzi për censurën e fjalës së shkruar në Angli është se ajo në pjesën më të madhe është vullnetare.

Idetë jopopullore mund të mbyten, dhe faktet e papërshtatshme të mbahen të fshehta, pa qenë e nevojshme për ndonjë ndalim zyrtar. Kushdo që ka jetuar për një kohë të gjatë në një vend të huaj, i di shumë mirë sa e sa raste kur artikujt dhe lajmet e bujshme për gjëra që do të zinin me meritë vendin e titujve kryesorë në media – mbahen larg nga shtypi britanik, jo sepse Qeveria ndërhyn, por për shkak të një marrëveshjeje të përgjithshme të heshtur që “nuk do të ishte mirë” ta bënim publik atë fakt të veçantë.

Nëse flasim për gazetat e përditshme, kjo kuptohet menjëherë. Shtypi britanik është jashtëzakonisht i centralizuar, dhe pjesa më e madhe ka pronarë të pasur që kanë çdo motiv të jenë të pandershëm për tema të veçanta të rëndësishme. Por e njëjta lloj censure e maskuar vepron edhe për librat dhe organet periodike, ashtu si dhe për shfaqjet në teatër, filmat dhe në radio. Ekziston gjithmonë një ortodoksi, një organ idesh të cilat supozohet se të gjithë njerëzit që mendojnë si duhet, i pranojnë pa diskutim. Nuk është hapur e ndaluar të thuash këtë apo atë, por “nuk duhet ta themi”, ashtu si në mes të periudhës Viktoriane nuk duhej të përmendeshin pantallonat e burrave në prani të një zonje. Kushdo që sfidon ortodoksinë mbizotëruese e gjen veten gojëmbyllur me një efektshmëri befasues. Një mendim realisht jo në modë, gati asnjëherë nuk dëgjohet aq sa i takon, as në gazeta të përditshme dhe revista, as në organet e shtypit elitar.

Në këtë moment ajo që kërkohet nga ortodoksia sunduese është admirimi jokritik i Rusisë Sovjetike. Këtë e dinë të gjithë dhe thuajse të gjithë veprojnë sipas saj. Çdo kritikë serioze për regjimin sovjetik, çdo zbulim i fakteve që qeveria sovjetike do të preferonte t’i mbante të fshehura, është dera tjetër që të bën të pabotueshëm. Dhe ky komplot mbarëkombëtar për të kënaqur aleatin tonë, çuditërisht zhvillohet në sfondin e një tolerance të mirëfilltë intelektuale. Sepse megjithëse nuk të lejohet të kritikosh qeverinë sovjetike, të paktën je deri diku i lirë për të kritikuar tonën. Vështirë se dikush do të botojë çfarë përbën sulm ndaj Stalinit, por je mëse i sigurt të sulmosh Çërçillin, kurdoqoftë në libra dhe revista. Dhe gjatë pesë viteve të luftës, dy apo tre prej të cilave po luftonim për mbijetesë kombëtare, libra të panumërt, pamflete dhe artikuj që mbështesin një paqe kompromisi u botuan pa ndërhyrje. Për më tepër, ato u botuan pa ngjallur shumë pakënaqësi. Për sa kohë që nuk bëhet fjalë për prestigjin e Bashkimit Sovjetik, parimi i fjalës së lirë është mbështetur në mënyrë të arsyeshme. Ka tema të tjera të ndaluara, dhe do t’i përmend disa prej tyre tani, por qëndrimi mbizotërues ndaj BS-së është shenja paralajmëruese më serioze. Është e tillë, sepse këto tema ishin spontane dhe ndalimi nuk ishte pasojë e veprimit të ndonjë grupi presioni.

Servilizmi me të cilin pjesa më e madhe e shtresës intelektuale (inteligjencës) ka gëlltitur dhe përsëritur propagandën ruse nga viti 1941 e më pas do të ishte mjaft befasues nëse nuk do të kishte vepruar njësoj në shumë raste të tjera më të hershme. Në disa çështje të diskutueshme, njëra pas tjetrës, pikëpamja ruse është pranuar pa shqyrtim dhe më pas është bërë publike me mospërfillje të plotë ndaj të vërtetës historike ose dinjitetit intelektual. Për të përmendur vetëm një shembull, BBC festoi njëzet e pesë vjetorin e Ushtrisë së Kuqe pa përmendur Trockin. Kjo ishte gati njësoj si të përkujtosh betejën e Trafalgar-it pa përmendur Nelson-in, por nuk ngjalli protestë në radhët e shtresës intelektuale angleze. Në betejat e brendshme të vendeve të ndryshme të pushtuara, shtypi britanik gati në të gjitha rastet mbante anën e krahut që mbështesnin rusët dhe shpifnin për krahun kundërshtar, duke mos bërë publike prova materiale për çfarë shkruanin. Një rast veçanërisht domethënës ishte ai i kolonel Mihailovich-it, udhëheqësi çetnik jugosllav. Rusët, të cilët kishin beniaminin e tyre jugosllav; Mareshallin Tito, e akuzuan Mihailovich-in për bashkëpunim me gjermanët. Kjo akuzë u rimor menjëherë nga shtypi britanik; mbështetësve të Mihailovich-it nuk iu dha asnjë mundësi për t’iu përgjigjur akuzës, dhe faktet që e kundërshtonin atë thjesht nuk u botuan.

Në Korrik të vitit 1943 gjermanët ofruan një shpërblim prej 100.000 kurorash ari për kapjen e Titos, dhe një shpërblim të ngjashëm për kapjen e Mihailovich-it. Shtypi britanik “shpërtheu” duke shkruar për shpërblimin për Titon, por vetëm një gazetë përmendi (duke e shkruar me shkronja të vogla mezi të lexueshme) shpërblimin për Mihailovich-in ndërsa akuzat për bashkëpunim me gjermanët vazhduan. Gjëra shumë të ngjashme kanë ndodhur gjatë luftës civile spanjolle. Edhe atëherë, ndaj fraksioneve në anën republikane, të cilat rusët ishin të vendosur t’i shtypnin, u botuan shpifje në mënyrë të pamatur në shtypin e majtë anglez [sic], dhe çdo deklaratë në mbrojtje të tyre edhe në formë letre, nuk u pranua të botohej. Aktualisht, jo vetëm që kritikat serioze për BS-në konsiderohen të dënueshme, por edhe fakti i ekzistencës së një kritike të tillë në shumë raste mbahet sekret. Për shembull, pak para vdekjes së tij, Trocki kishte shkruar një biografi të Stalinit. Dikush mund të hamendësojë se nuk ishte libër krejt i paanshëm, por padyshim që ishte libër që do të shitej. Një botues amerikan kishte marrë masat për ta botuar dhe libri ishte në shtyp, besoj se kopjet ishin hedhur në treg atëherë kur BS hyri në luftë. Libri u tërhoq menjëherë. Asnjë fjalë në lidhje me këtë nuk u shkrua ndonjëherë në shtypin britanik, megjithëse qartë ekzistenca e një libri të tillë, dhe shtypja e tij, ishte një lajm me vlerë për t’i kushtuar disa paragrafë.

Është e rëndësishme të bëhet dallimi midis llojit të censurës që inteligjenca letrare angleze ia imponon vullnetarisht vetes, dhe censura që nganjëherë mund të imponohet nga grupet e presionit. Për fat të keq, tema të caktuara nuk mund të diskutohen për shkak të “interesave të posaçme.” Rasti më i njohur është ai i ilaçeve mrekullibërëse. Përsëri, Kisha Katolike ka ndikim të madh në shtyp dhe mund t’ia mbyllë gojën deri diku kritikës ndaj saj. Skandalit që përfshin një prift katolik nuk i bëhet publicitet gati kurrë, ndërsa një prift anglikan që futet në telashe (p.sh. rektori i Stiffkey-t) përbën lajmin kryesor. Është shumë e rrallë që ndonjë gjë me një prirje antikatolike të dalë në skenë ose ta shohësh në një film. Çdo aktor mund t’ju tregojë se një shfaqje ose film, i cili sulmon ose bën humor me Kishën Katolike do të bojkotohet në shtyp dhe ka gjasa të dështojë. Por kjo është e padëmshme ose të paktën është e kuptueshme. Çdo organizatë e madhe kujdeset për interesat e veta sa më shumë të jetë e mundur, dhe propaganda e hapur nuk është një gjë për ta kundërshtuar. Askush nuk do të priste më që “Daily Worker” të publikojë fakte të pafavorshme për BS-në, ashtu si nuk pret që “Catholic Herald” të denoncojë Papën. Kjo sepse çdo person që mendon se di se pse botohen “Daily Worker” dhe “Catholic Herald”. Shqetësuese është se kur bëhet fjalë për BS-në dhe politikat e saj, nuk mund të presim kritikë inteligjente, madje, në shumë raste, as ndershmëri të madhe nga shkrimtarët dhe gazetarët liberalë që nuk janë nën asnjë presion të drejtpërdrejtë për të falsifikuar opinionet e tyre. Stalini është fetar (sakral) dhe disa aspekte të politikës së tij nuk duhet të diskutohen seriozisht.

Ky rregull është vënë re se zbatohet thuajse në mënyrë universale që nga viti 1941, por ai ka vepruar, në një masë më të madhe se sa është kuptuar ndonjëherë dhjetë vjet më përpara. Gjatë gjithë asaj kohe, kritika ndaj regjimit sovjetik nga e majta mund të dëgjohej me vështirësi. Kishte krijim në masë të letërsisë anti-ruse, por gati e gjitha ishte nga këndvështrimi konservator dhe dukshëm i pandershëm, i vjetër dhe i aktivizuar nga motive të neveritshme. Nga ana tjetër, ekzistonte një vërshim po aq i madh dhe thuajse po aq i pandershëm i propagandës pro-ruse, e cila çonte në bojkotimin e kujtdo që përpiqej të diskutonte me pjekuri çështje shumë të rëndësishme për të gjithë. Me të vërtetë mund të botojë libra anti-rusë, por kjo të garantonte shpërfilljen ose keqparaqitjen nga thuajse i gjithë shtypi elitar. Si publikisht ashtu edhe privatisht të paralajmëronin se ishte më mirë “të mos e bëje”. Ajo që shkruaje ndoshta ishte e vërtetë, por ishte “joopurtuniste” dhe vërtitej në sferën e këtij apo atij interesi të kundërt. Ky qëndrim zakonisht mbrohej me arsyetimin se kështu e kërkonte situata ndërkombëtare dhe nevoja urgjente për një aleancë anglo-ruse dhe dukshëm ky ishte shpjegim i arsyeshëm. Inteligjenca angleze ose një pjesë e madhe e saj, kishin ushqyer një besnikëri nacionaliste ndaj BS-së, dhe me zemër menduan se çdo dyshim i ngjallur për mençurinë e Stalinit ishte një lloj blasfemie. Ngjarjet në Rusi dhe ngjarjet diku tjetër duhej të gjykoheshin me standarde të ndryshme. Ekzekutimet e pafundme gjatë spastrimeve në vitet 1936-1938 u duartrokitën nga kundërshtarët e përjetshëm të dënimit me vdekje, dhe u mendua se ishte po aq e përshtatshme bërja publike e krizës së urisë në Indi ndërsa kjo u fsheh kur ndodhi në Ukrainë. Dhe nëse kjo ishte e vërtetë para luftës, atmosfera intelektuale tani nuk është më e mirë.

Por tani të rikthehemi tek ky libër i imi. Reagimi ndaj tij për shumicën e intelektualëve anglezë do të jetë mjaft i thjeshtë: “Nuk duhet të ishte botuar.” Natyrisht, ata recensentë që e kuptojnë artin e denigrimit nuk do ta sulmojnë mbi baza politike por mbi ato letrare. Ata do të thonë se është libër i mërzitshëm, pa kuptim dhe shpenzim i turpshëm letre. Kjo mund të jetë e vërtetë, por padyshim nuk është e tërë historia. Dikush nuk thotë se nuk duhej të ishte botuar një libër thjesht sepse ai është libër i keq. Në fund të fundit, hektarë me gjepura shtypen çdo ditë dhe askush nuk shqetësohet. Inteligjenca angleze ose shumica e tyre do ta kundërshtojnë këtë libër, sepse ai përgojon Udhëheqësin e tyre dhe (siç e kuptojnë ata) i bën dëm kauzës së përparimit. Nëse do të bënte të kundërtën, ata nuk do të kishin asgjë kundër tij, edhe nëse gabimet e tij letrare do të ishin dhjetë herë më të ndritshme se sa janë. Suksesi i Klubit të Majtë të Librit, për shembull, brenda një periudhe katër apo pesë vjeçare, tregon se sa të gatshëm janë ata të tolerojnë shkrimin shkel e shko, me kusht që t’u rrëfej ato që duan të dëgjojnë.

Çështja për të cilën bëhet fjalë këtu është mjaft e thjeshtë: A ka një mendim, sado jo-popullor, sado i marrë madje, të drejtën të dëgjohet? Parashtrojeni kësisoj dhe gati çdo intelektual anglez do të mendojë se duhet të thotë “Po.” Por jepini çështjes një përmasë konkrete dhe pyesni: – Po një sulm ndaj Stalinit? A ka të drejtë kjo të dëgjohet?” dhe përgjigjjia më e shpeshtë do të jetë “Jo.” Në këtë rast, ortodoksia e tanishme ndodh që të sfidohet, dhe kështu parimi i fjalës së lirë bie. Tani, kur kërkohet liria e fjalës dhe të shtypit, nuk po kërkojmë liri absolute. Gjithmonë duhet të ketë ose sidoqoftë do të ketë gjithnjë, një farë censure, për sa kohë që do të ketë shoqëri të organizuara. Por liria, siç ka thënë Rosa Luxemburg, është “liria për bashkë qytetarin.” I njëjti parim është i vërtetë në fjalët e famshme të Volterit: – E urrej atë që thua, por do ta mbroj deri në vdekje të drejtën tënde ta thuash.” Nëse liria intelektuale, e cila pa dyshim ka qenë një nga shenjat dalluese të civilizimit perëndimor ka një kuptim, kjo do të thotë se të gjithë kanë të drejtën të thonë dhe të shtypin atë që besojnë se është e vërteta, me kusht që ajo të mos dëmtojë fare hapur pjesën tjetër të komunitetit. Si demokracia kapitaliste ashtu edhe versionet perëndimore të socializmit deri më tani e kanë marrë si të mirëqenë këtë parim.

Qeveria jonë, siç kam theksuar tashmë, sidoqoftë bën disa përpjekje për ta respektuar. Njerëzit e zakonshëm në rrugë, pjesërisht mbase sepse nuk janë të interesuar aq sa duhet për idetë sa të jenë jo-tolerantë ndaj tyre, prapë thonë deri diku jo fort të bindur: “Unë mendoj se të gjithë kanë një të drejtë të shprehin mendimin e tyre.” Është vetëm ose kryesisht inteligjenca letrare dhe shkencore, ato që duhet të jene rojtaret e lirisë, të cilat kanë filluar ta përçmojnë atë, në teori dhe në praktikë.

Një nga dukuritë karakteristike të kohës sonë është Liberali renegat. Përtej pretendimeve të njohura marksiste se “liria borgjeze” është një iluzion, tani ekziston një prirje e përhapur për të argumentuar se mund ta mbrosh demokracinë vetëm me metoda totalitare. Nëse dikush e do demokracinë, sipas këtij argumenti, duhen shtypur armiqtë e tij në çdo lloj mënyre. Dhe kush janë armiqtë e saj? Gjithmonë duket se nuk janë vetëm ata që e sulmojnë hapur dhe me vetëdije, por ata që në mënyrë “objektivisht” e rrezikojnë duke përhapur doktrina të gabuara. Me fjalë të tjera, mbrojtja e demokracisë përfshin shkatërrimin e plotë të pavarësisë së mendimit. Ky argument u përdor, për shembull, për të justifikuar spastrimet ruse. Edhe rusofili më i zjarrtë zor se besonte se të gjitha viktimat ishin fajtore për të gjitha gjërat për të cilat akuzoheshin, por duke mbajtur mendime heretike ata “objektivisht”’dëmtuan regjimin, dhe për këtë arsye ishte shumë e drejtë jo vetëm të masakroheshin, por edhe të diskreditoheshin me akuza të rreme. I njëjti argument u përdor për të përligjur gënjeshtrën mjaft të vetëdijshme që u botua në shtypin e majtë për Trockistët dhe pakicat e tjera republikane gjatë luftës civile spanjolle. Dhe sërish u përdor si kushtrim kundër habeas corpus-it kur Mosley u la i lirë në 1943.

Këta njerëz nuk e kuptojnë se nëse ju mbështesni metodat totalitare, mund të vijë koha që ato të përdoren kundër jush dhe jo për ju. Bëjeni zakon t’i burgosni fashistët pa gjyq dhe procesi ka gjasa të mos ndalet tek fashistët. Pak, pasi “Daily Worker” kishte ridalë në qarkullim, po ligjëroja në një kolegj të punëtorëve në South London. Publiku përbëhej nga intelektual të klasës punëtore dhe të mesme, po ai lloj auditori që dikur takohej në degët e Klubit të Majtë. Leksioni kishte prekur çështjet e lirisë së shtypit dhe në fund, për habinë time, shumë prej prej tyre u ngritën dhe më pyetën: A nuk mendova se heqja e ndalimit për “Daily Worker” ishte një gabim i madh? Kur i pyeta pse, ata thanë se ishte një gazetë me besnikëri e dyshimtë dhe nuk duhej të tolerohej në kohën e luftës. Papritur u gjenda duke mbrojtur “Daily Worker”, e cila ka dalë nga binarët disa herë duke shpifur ndaj meje më shumë se një herë. Por ku e kishin mësuar këta njerëz këtë pikëpamje në thelb totalitare? Padyshim që e kishin mësuar  nga vetë komunistët! Toleranca dhe të qenit i njerëzishëm janë të rrënjosura thellë në Angli, por ato nuk janë të pathyeshme dhe duhet të mbahen gjallë deri-diku nga një përpjekje e vetëdijshme. Rezultati i predikimit të doktrinave totalitare është dobësimi i instinktit me anë të të cilit popujt e lirë e dinë se çfarë është ose nuk është e rrezikshme. Rasti i Mosley-t e ilustron këtë. Më 1940 ishte mëse e drejtë ta internoje Mosley-n, pavarësisht nëse kishte kryer ndonjë krim teknik. Po luftonim për jetën tonë dhe nuk mund të lejonim që një kuisling i mundshëm të ikte pa shpaguar. Por ta mbaje të izoluar, pa gjyq, në vitin 1943 përbënte shkelje. Dështimi i përgjithshëm për ta kuptuar këtë ishte një simptomë e keqe, megjithëse është e vërtetë që zemërimi kundër lirimit të Mosley-t ishte pjesërisht artificial dhe pjesërisht racionalizim i pakënaqësive të tjera. Por sa prej rrëshqitjes së tanishme drejt mënyrave fashiste të mendimit mund të gjurmohet në “anti-Fashizmin” e dhjetë viteve të fundit dhe mënyrat e paskrupullta që ai ka përdorur?

Është e rëndësishme të kuptohet që rusomania aktuale është vetëm një simptomë e dobësimit të përgjithshëm të traditës liberale perëndimore. Sikur Ministria e Informacionit të kishte ndërhyrë dhe ta kishte penguar botimin e këtij libri, pjesa më e madhe e inteligjencës angleze nuk do të kishte parë asgjë shqetësuese në këtë veprim. Besnikëria jo-kritike ndaj BS-së ndodh të jetë ortodoksia e tanishme, dhe aty ku përfshihen interesat e hamendësuara të BS-së, ata janë të gatshëm të tolerojnë jo vetëm censurën por edhe falsifikimin e qëllimshëm të historisë. Po përmendim vetëm një shembull. Në vdekjen e John Reed-it, autorit të “Dhjetë ditëve që tronditën botën” – një rrëfim i dorës së parë për ditët e para të Revolucionit Rus, të drejtat e autorit të librit kaluan në duart e Partisë Komuniste Britanike, të cilat besoj se Reed-i ia kishte lënë trashëgim. Disa vjet më vonë, komunistët britanikë, pasi shkatërruan botimin origjinal të librit aq sa mundën, nxorën një version të ngatërruar nga i cili kishin zhdukur përmendjet e Trockit dhe gjithashtu kishin harruar parathënien e shkruar nga Lenini. Nëse do të kishte ekzistuar ende një inteligjencë radikale në Britani, ky akt i falsifikimit do të ishte ekspozuar dhe denoncuar në çdo gazetë letrare në vend. Por në fakt pati pak ose aspak protestë. Për shumicën dërrmuese të intelektualëve anglezë ishte krejt e natyrshme. Dhe kjo tolerancë e qartë ndaj pandershmërisë do të thotë shumë më tepër sesa admirimi për Rusinë që është në modë tani. Me shumë gjasë kjo modë e veçantë nuk do të zgjasë. Sepse për aq sa di unë, në kohën e botimit të këtij libri, pikëpamja ime për regjimin sovjetik mund të jetë ajo e pranuara gjerësisht. Por çfarë dobie ka kjo në vetvete? Të shkëmbesh një ortodoksi me një tjetër nuk është domosdoshmërisht progres. Armiku është mendja gramafon, pavarësisht nëse dikush pajtohet apo jo me muzikën që po luhet për momentin.

Unë i njoh mirë të gjitha argumentet kundër lirisë së mendimit dhe fjalës – argumentet që pretendojnë se ajo nuk mund të ekzistojë, dhe njoh edhe argumentet që pretendojnë se nuk duhet. U përgjigjem thjesht se nuk më bindin dhe se civilizimi ynë për një periudhë katërqind vjeçare është mbështetur në besimin e kundërt. Për një dekadë të gjatë kam besuar se regjimi ekzistues rus është një gjë posaçërisht e keqe, dhe pretendoj se e kam të drejtën ta them këtë, pavarësisht nga fakti se ne jemi aleatë me BS-në në një luftë të cilën unë dua ta shoh të fituar. Nëse do të më duhej të zgjidhja një tekst për të përlighur veten, do të zgjidhja vargun nga Milton-i:

Sipas rregullave të njohura të lirisë antike.”

Fjala “antike” thekson faktin se liria intelektuale është një traditë me rrënjë të thella, pa të cilën ekzistenca e kulturës sonë të dallueshme perëndimore do të vihej në dyshim. Shumë nga intelektualët tanë po shihet qartë se po ia kthejnë shpinën kësaj tradite. Ata e kanë pranuar parimin që një libër duhet të botohet ose shtypet, lavdërohet ose mallkohet, jo për meritat e tij, por sipas dobisë politike. Dhe të tjerët që nuk e mbrojnë  këtë mendim e pranojnë vetëm e vetëm prej frikës. Një shembull i kësaj është dështimi i pacifistëve të shumtë dhe të zhurmshëm anglezë për ta ngritur zërin kundër adhurimit mbizotërues të militarizmit rus. Sipas atyre pacifistëve, çdo lloj dhune është e keqe, dhe ata na kanë nxitur në çdo fazë të luftës të dorëzohemi ose të paktën të bëjmë një paqe kompromisi

Por, sa prej tyre kanë sugjeruar ndonjëherë se lufta është gjithashtu e keqe kur zhvillohet nga Ushtria e Kuqe? Me sa duket, rusët kanë të drejtë të mbrohen, por nëse edhe ne veprojmë [kështu] ky është mëkat i tmerrshëm. Kjo kundërthënie mund të shpjegohet vetëm në një mënyrë; domethënë nga një dëshirë frikacake për të pasur marrëdhënie të mira nga pjesa më e madhe e inteligjencës, patriotizmi i së cilës drejtohet nga BS më shumë se drejt Britanisë. Unë e di se inteligjenca angleze ka shumë arsye për ndrojtjen dhe pandershmërinë e tyre, me të vërtetë unë i di përmendësh argumentet me të cilat ata justifikohen. Por të paktën le të mos bëjmë më asnjë marrëzi në mbrojtjen e lirisë kundër fashizmit. Nëse liria ka ndonjë kuptim ajo është e drejta për t’u thënë njerëzve ato që nuk duan të dëgjojnë. Njerëzit e thjeshtë ende pajtohen deri riku me këtë doktrinë dhe veprojnë sipas saj. Në vendin tonë liria nuk është e njëjta gjë si në të gjitha vendet; nuk ishte ashtu në Francën republikane dhe nuk është kështu në SHBA sot – janë liberalët ata që kanë frikë nga liria dhe intelektualët që duan të hedhin baltë mbi intelektin; dhe kjo është arsyeja pse dua të vëmendjen tuaj dhe pse në të vërtetë e kam shkruar këtë parathënie.

Shënime:

[*] Nuk është plotësisht e qartë nëse ky ndryshim është ideja e vetë Zotit… apo e ka origjinën nga Ministria e Informacionit, por duket se ka paralajmërim zyrtar për të. [Shënimi i Orwell-it]

Kjo është parathënia e propozuar nga George Orwell-i për romanin “Ferma e kafshëve” (1945), e cila u botua në “Times Literary Supplement”, 15 Shtator, 1972.

 Përktheu: Granit Zela

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top