Këpucët e përbaltura, nga Odiseu i Homerit tek Uliksi i Xhojsit-Zhuljeta Grabocka Çina

in Letërsi by

Tregim për këpucët e përbalturaNatasha Lako

Nga këpucët e përbaltura,
trupi niste përpjetë,
atje lëkura jote e bardhë,
përkundte si në djep
një copë lëkurë të vrarë, të zezë.

Ti heshtje,
unë zhvishja baltën shpejt e shpejt, nuk shihja
më këpucë, por dy kafshë të vogla, të therura.
që nuk flisnin më.

O, i kam dashur më shumë se ty,
ato dy kafshëza të vrara, që të ndjekin pas.
Nga një kalë i vjetër dhe i lodhur, ose nga hamshor i zi,
ka mbetur diçka te ti prej të gjithë centaurve.

Tani më kanë mbetur prej teje
vetëm ata dy këlyshë të heshtur, të vegjël.

Zhuljeta Grabocka Çina

Narracioni lirik ka qënë e mbetet pjesë e përjetimeve jo vetëm të rrëfimtarit epik, por edhe i përjetimeve të unit lirik. Detaji përgjithësues, që objektohet në këto raste, i ngjan një trupi shumëplanësh demostrues universial. Nuk ishte një rastësi që një titull poezie i Natasha Lakos “Tregim për këpucët e përbaltura” do të më grishte në reflektimin e pasurisë së labirinteve të teknikave narrative. Pasuria e tyre janë djepi ku përkundet materia letrare që nga “Odiseu” i Homerit, deri tek “Uliksi i Xhojsit”, poezi e prozë. Së bashku me këto teknika, edhe koncepti i pasqyrimit të lëvizjes në kohë e hapësirë ka evoluar në raport me rrjedhën e tij natyrale. Imazhet tona të lëvizjeve në fantazinë fëminore janë hapëruar nëpërmjet të tashmes tregimtare të prozodisë sonë popullore e asaj botërore. Formulat e tyre hyrëse, të ndërtuara me foljen e përsëritur të së tashmes tregimtare të tipit “ec e ec / ose /shko e shko…” etj., përveç konçizitetit të shprehjes, realizojnë mjeshtërisht, jo vetëm lokalizimin e veprimit, por të përfshijnë në magjinë e aventurës, me të cilat heronjtë tregimtarë kanë mbetur në agun e formimit letrar të çdo individi. Formula hyrëse ka rolin e sinjaleve të veçanta të kalimit nga rrëfimi i zakonshëm në një rrëfim të organizuar artistik. Ato janë të pasura e sendërsojnë segmente të caktuara kohe, hapësire e personazhe përgjithësuese.
Në ecjen e tij letrare njeriu i rikthehet herë pas here këtij pragmalli fëminor. Atëhere kur i rënduar në vite e përvoja me një kthjelltësi të mahnitshme i nënshtrohet dëshirës për të medituar në mënyrë filozofike. Kjo nuk është vetëm një dëshmi ekzistence e realizimit jetësor të tij, por është dëshmia e një narracioni epik që nuk mund të ketë as fillim e as fund. I cili sa herë që vjen do të na imponohet instiktivisht, herë dhunshëm e herë plot delikatesë e brishtësi pafajësie ekzistenciale. Poezia e Natasha Lakos me “narrativitetin” e saj të moderuar të përfshin në konkretësi e ndjesi poetike.
Në strofën e parë të poezisë së saj, pranëvënia e këpucës prej lëkure e të përbaltur, me lëkurën e bardhë të trupit, fillon trolljen e një pete brumi pasi e ka gjetur aperativin e tij poetik:
/përkundte si në djep/ .
Epiteti “të vrarë” i bashkon dhimbshëm të dyja lëkurat, të dyja pamjet e gjasat. Lexuesi tejkohor e ndjen nëntekstin socialestetik në të cilin e përkund djepi i jetës dhe e nënkupton më shumë se sa një dhimbje fizike këtë konstatim. Në jetë s’mbetet njeri pa e vrarë këpuca. Epiteti i dytë përforcues që përshkallëzohet në atributin e mbiemrit “të zezë”, të kujton dhjetra vargje popullore përgjithësuese të rrugëtimit njerëzor të tipit:
/O jetë e zezë, qëndro qëndro/ o zemër zezë, mos u dorëzo!
…ku më shumë se disfata ndihet trimfi e qëndresa gjithëshpirtërore, lartësohet stoicizmi historik i mbijetesës së qënies njerëzore që prej gjeneze.
Nën veshjen e këtij tisi bardhë e zi pas metaforave foljore të së kryerës së thjeshtë / trupi niste përpjetë/, dhe…/unë zhvishja baltën/, foljet “niste”, “zhvishja” që tregojnë një veprim të plotë të së shkuarës, por që bëjnë aktualizimin e përjetimit të ligjërimit poetik tek lexuesi. Me lehtësinë e natyrshmërisë përshkruese në strofën e dytë, vijnë menjëherë përballë dy botë dhe dy gjendje meditative psikologjike:
Ti heshtje…dhe… dy kafshë të vogla…nuk flisnin më/. Një heshtje dyplanshe nënshtruese e përvuajtëse! Në zinxhirin biologjik të jetës njeriu është i justifikuar në veprimin therorizues mbi botën shtazore në emër të instikteve të ekzistencës. Pa harruar flijimin njerëzor me qetësi sublime në botën e miteve olimpike. Por kurrsesi njeriu në përgjithësi e lexuesi në veçanti në epitetin “të therura” nuk mund të jetë indiferent ndaj lidhjes shpirtërore midis këtyrë dy botëve, që dashurohen dhe nuk urrehen a përjashtohen edhe pse rrezikohen prej njëri – tjetrit.

/O, i kam dashur më shumë se ty,
ato dy kafshëza të vrara, që të ndjekin pas.

“Këpucët” detaj realizojnë vetërrëfimin në planin individual e konkretizues, por dhe në planin universial historik e estetik legjendarizues.
Pasthirma ”O” e pasuar me shkallën sipërore ndajfoljore, “më shumë se ty”, e tejkalon momentin relaksues reaskapitës. Ky çast epifanik godet e zbulon domethëniet e fshehura brenda ndjenjave, të cilat e ndryshojnë plotësisht mënyrën e të menduarit të unit. Kjo formë shprehjeje është një lloj arratisje e Natasha Lakos për të shpëtuar nga jeta e vjetër e skllavëruese me dëshirën për të ndërtuar një jetë të re. Ajo është në kërkim, brenda unit për të shtjelluar ide të reja duke kapërcyer ylberin e të gjitha ngjyrave të jetës, që lidhen me shkallët e rritjes së njeriut, nga fëmijëria, adoleshenca e deri tek pjekuria e plakja. Është pikërisht kjo që “Odiseja” vazhdon të lexohet në greqishten homerike dhe të përkthehet në gjuhët moderne në mbarë botën. Pavarësisht se ajo u shkrua apo u mblodh prej aedëve më shumë për t’u dëgjuar se sa për t’u lexuar! … dhe përmban 12.110 rreshta heksametri daktilik. Natasha Lako këtë arratisje në kohë e shpreh nëpërmjet dy vargjeve befasuese me imazhin e tre pranëvënieve:
/Nga një kalë i vjetër dhe i lodhur, ose nga një hamëshor i zi/ ka mbetur diçka te ti prej të gjithëve centaurve/.
Ky këndvështrim, pra ecja metonimike e këpucëve kulmon në dualizmin mitik të centuarve kuajve – njerëz. Poezia ka priviligjin e përgjithësimeve të mëdha. Fjala e ngarkesa figurative e saj luan bukur dhe nënteksti flet. Nga një kalë i vjetër e i lodhur, tek një hamshor të zi, i ushqyer e i fortë, i papërmbajtur përballë dy këlyshve të heshtur e të vegjël. Përdorimi i nënvetëdijes në një narracion poetik të tillë është cilësi themelore e modernitetit të letërsisë botërore. “Uliksi”i Xhejms Xhojsit është një sprovë e suksesshme e saj. Edhe tek poezia e Natasha Lakos, realiteti, objekti, veprimi, reflektimi, vijnë prej ndjesive të fshehura në psikikë. Fijet e fjalëve, imazheve dhe nocioneve, të cilat duken kaotike dhe kontradiktore kanë vlerë nominale, e përshkruajnë botën si qenie njerëzore, dhe e perceptojnë dhe interpretojnë atë, jo si të ishte një e “vërtetë jetësore”, por një e “vërtetë poetike” që shërben për të shprehur tjetërsimin e njeriut modern, pas humbjes së iluminizmit dhe sigurisë në progresin njerëzor. Këto karaktere të pikëlluara, Xhojsi dihet se i ka shkëputur jo vetëm nga jeta fizike, por edhe nga jeta shoqërore. Edhe përshkrimi i poetes në këtë plan të duket asocial por është civilizues. Koha e brendshme e përjetimit tek “Tregim për këpucët e përbaltura” shuan hendekun mes kohës kronologjike dhe kohës së brendshme. Në vend që të ndjekë rrjedhën lineare të ndodhive në mënyrë tradicionale, ajo lëshohet në krahët dhe impresionin e unit. Mbyllja me imazhin e një prej rasteve më të mistershme të miteve të vjetra, siç është ajo e Centaurëve, njerëz-kuajve, që besohet se banonin shumë pranë nesh në malet e Arkadisë e Pindit, a thua janë në kërkim të këpucës së Hirushes së bukur të ndëshkuara nga njerka! Pse jo, poezia e proza janë të zgjedhura prej princeshave!

Zhuljeta Grabocka Çina 13 Maj, 2019

Në foto: Natasha Lako

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top