Poezi nga Mahmut Dervish (Palestinë)
Për dy duart; gurin dhe temjanin.
Ahmadit, harruar mes dy fluturash.
Retë ikën dhe më lanë të pastrehë,
malet hoqën mantelin e tyre për të më mbuluar.
…Që nga rrjedha e plagës së vjetër
der‘ në konturet e tokës nga ku unë rrjedh,
vitet shënuan ndarjen e detit nga qytetet që u bënë hi,
dhe unë isha vetëm.
Oh, vetëm?
Përsëri vetëm.
Dhe Ahmadi
mes dy plumbave,
i dëbuari përtej detit.
Një kamp rritet dhe u jep jetë luftëtarëve e thimjanit.
Një krah bëhet i fortë në harresë.
Kujtimet vijnë nga trenat e ikur,
nga hekurudhat që janë bosh nga pritjet
dhe nga jaseminat.
Në makina,
nëpër dete,
në netët e vetmisë në qelinë e vogël të burgut,
në kërkimin e së vërtetës gjendej zbulimi i vetvetes.
Në çdo gjë Ahmadi gjeti të kundërtën e asaj që kërkonte.
Për njëzet vjet ai pyeti.
Për njëzet vjet ai kërkoi.
Për njëzet vjet… ndërkohë që nëna ia dha jetën vetëm në një çast nëpër gjethet e bananeve,
u nda për të kërkuar veten dhe ngeci në vullkan.
Retë u larguan dhe më lanë të pastrehë.
Malet hoqën mantelin e tyre për të më mbuluar.
– Jam Ahmadi, arabi, – tha ai, – jam plumbat, portokallet dhe kujtimet.
Përktheu nga anglishtja: Kleida Peçulaj
( Përkthyen nga arabishtja: Omnia Amin dhe Rick London)
Shtetrrethimi-Mahmoud Darwich (Palestinë)
Shtetrrethimi-Mahmoud Darwich (Palestinë) Këtu, në rrëpirat e bregoreve nga perëndon dielli. Ku koha ndihet fare bosh.