Paul Valéry/Ligjëratë në Pen Club

in Letërsi by

I konsideroj Greqinë dhe Romën si kombe thjesht pak më tepër larg nesh se të tjerët. Homeri është vetëm disa miliona kilometra larg prej këtej. Le ta falim, nga ky shkak, që nuk ndodhet sonte mes nesh.

Paul Valéry/Ligjëratë në Pen Club

… Nuk kisha asnjë dijeni, deri para pak ditësh, për ekzistencën e Pen Klubit. E admiroj këtë takim të mrekullueshëm, ku shoh njerëz të tillë si Galsworthy, Pirandello, Unamuno, Kuprin dhe kaq shkrimtarë nga të gjitha kombet, përmes shumë shkrimtarëve francezë.

Por më lejoni t’ju them se ç’mbresë të çuditshme po provoj sërish, ç’ide e habitshme më vjen në mendje teksa këqyr kuvendin tuaj.
Ky takim më duket gati i pashpjegueshëm. Ka në të diçka paradoksale.
Letërsia është arti i gjuhës, është arti i mjeteve të kuptimit të dyanshëm.
Merret me mend se gjeometrat, ekonomistët, fabrikantët e çdo lloji mund të mblidhen në mënyrë të dobishme, ngaqë ata u janë kushtuar studimeve, janë lidhur me interesa që kanë një objekt të vetëm e identik.
Po shkrimtarët!… Këta njerëz, zanati i të cilëve mbështetet drejtpërsëdrejti në gjuhën e tyre amtare, arti i të cilëve synon të zhvillojë atë çka ndan më qartas – ndoshta më mizorisht – një popull nga një popull tjetër!?… Ç’domethënie ka ky takim i atyre që, në çdo komb, punojnë medoemos për ruajtjen, forcimin, përsosjen e pengesave më të ndjeshme, e dallimeve më të shqueshme e më të qarta që e veçojnë çdo komb nga gjithë kombet e tjerë? Si bëhet vallë i mundur ky takim?
Në këtë pikë, na duhet të thërrasim mrekullinë. Dhe kjo është, natyrisht, një mrekulli dashurie.
Letërsitë e ndryshme kanë rënë në dashuri me njëra-tjetrën. Dhe kjo mrekulli nuk po ndodh sot. Virgjili prirej nga Homeri. Dhe ne, francezët, ç’nuk kemi dashuruar! Italinë me Ronsard-in, Spanjën me Corneille-in, Anglinë me Voltaire-in, Gjermaninë dhe Lindjen e Afërt me Romantikët, Amerikën me Baudelaire-in, dhe, në rrjedhë të shekujve, si dashnore që s’të nginjin kurrë, Greqinë dhe Romën. I konsideroj Greqinë dhe Romën si kombe thjesht pak më tepër larg nesh se të tjerët. Homeri është vetëm disa miliona kilometra larg prej këtej. Le ta falim, nga ky shkak, që nuk ndodhet sonte mes nesh.
Këto letërsi të dashuruara e kanë kërkuar dhe dëshiruar me furi njëra-tjetrën; por dashnorët përqafojnë gjithmonë atë që nuk njohin, e ndoshta nuk do kishte aspak dashuri pa këtë mosnjohje thelbësore që është e vetmja gjë që i jep një çmim të pakufishëm objektit të dashuruar.
Sado shkëlqyeshëm ta njohim një gjuhë të huaj, sado thellë të depërtojmë në intimitetin e një populli që nuk është populli ynë, besoj se është e pamundur të miklojmë veten se perceptokemi gjuhën dhe veprat letrare si të ishim dikush prej atij vendi të huaj. Ka gjithnjë një copëz kuptimi, një kumbim të brishtë a të skajshëm që nuk mund ta kapim dot: nuk mund të jemi kurrë të sigurt për një zotërim tërësor e të pakundërshtueshëm.
Midis këtyre letërsive që përqafohen, mbetet përherë një tis i paprekshëm. Mund ta zvogëlosh atë gjer në pafundësi, ta katandisësh sa një fije, por nuk mund ta këputësh dot. Por, për mrekulli, ledhatimet e këtyre letërsive të padepërtueshme nuk janë më pak pjellore. Përkundrazi, ato janë shumë më pjellore sesa po të kuptoheshin mrekullisht. Keqkuptimi krijues vepron duke formuar një përftim të pacak vlerash të paparashikuara… Shakespeare-i ynë nuk është Shakespeare-i i anglezëve; e madje, Shakespeare-i i Voltaire-it nuk është ai i Victor Hugo-it… Ka njëzet Shakespeare-ë në botë që shumëfishojnë Shakespeare-in e parë, duke shtjelluar kështu thesarë të papritur lavdie.
Ja një rrjedhojë mjaft e admirueshme e mungesës kuptimore…
Por, nga ana tjetër, ja edhe se me çfarë e përligjim ne këtë takim që po më dukej aq i habitshëm qëparë.
Përveç kësaj, atë mund ta këqyrim nga një pikëpamje krejt tjetër që është pa dyshim e një niveli pak më të ngritur.
Një kuvend i tillë shkrimtarësh të të gjitha racave, i mbajtur kësaj here në Paris, ma shpie mendjen tek vetë struktura e Francës. Nuk ka komb në botë më heterogjen se ky yni, e megjithatë ne kemi një unitet të kryer. A nuk është Franca një lloj parafytyre e asaj se si do mund të ishte një Europë e bashkuar?
Më lejoni që, duke e mbyllur, t’ju kujtoj mendimin e një njeriu që e kam admiruar pa cak. Mallarmé-ja, që ju e dini me ç’thellësi i ka parë gjërat e letërsisë, kish krijuar një metafizikë të tërë të artit tonë. Këtë art, ai nuk e shihte thjesht si një argëtim që shkrimtarët i jepnin publikut. Por mendonte me gjithë shpirt se universi nuk mund të ketë tjetër objekt, përveç shprehjes së plotë të vetvetes. Bota, thosh ai, është bërë për të përfunduar në një libër të bukur… Nuk i jepte botës tjetër kuptim dhe mendonte se gjithçka duhet të përfundojë duke u shprehur; të gjithë ata që shprehin, të gjithë ata që rrojnë me rritjen e fuqive të ligjërimit, punojnë në këtë vepër madhore, duke ekzekutuar secili nga një pjesë të vogël…
Ky libër është i të gjitha gjuhëve.
Për këtë libër të bukur po ngre një dolli.

[Nga libri Një mbrëmje me Zotin Test, përkthyer nga Alket Çani]

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top