Look Who’s Back, komedia gjermane si një thirrje për reflektim ndaj ndikimit të ekstremit të djathtë dhe degjenerimit të medias

in A(rt)ktivizëm/Kinema by

Përballë një perversiteti të tillë, ku media arrin dhe e nxjerr Hitlerin edhe në një emision gatimi, me dy neonazistë duke prerë mish, ata presin që e vetmja audiencë që mund të ankohet të jetë ndonjë majtiste

Arbjona Çibuku

Pak kohë më parë pashë një film gjerman satirik, të vitit 2015, me regjisor David Wnendt dhe me një aktrim tepër të mirë nga Oliver Masucci, i cili luan rolin kryesor. Filmi titullohet “Look who’s back”, është i  bazuar në romanin më të shitur të Timur Vermes me të njëjtin titull, “Shiko kush është kthyer”.

Për sa i takon filmit, bëhet fjalë për vitin 2014  dhe ai nis me një supozim të thjeshtë: Po sikur Adolf Hitler të rishfaqet papritur dhe pashpjeguar në një park dhe të endet rrugëve të Berlinit duke pretenduar se është ai, Adolf Hitler?

Unë filmin e pashë në dy këndvështrime, sipas meje filmi është një kritikë ndaj thellimit të ekstremit të djathtë kudo në botë dhe një kritikë ndaj medias.

Rrritja e ekstremit të djathtë

Një element që më tërhoqi, ishte ai që filmi përmbante edhe elemente eksperimentalë, duke marrë reagime reale të njerëzve, sesi do të reagonin nëse do të kishin përballë Adolf Hitlerin, i cili më pas do u drejtojë edhe disa pyetje, nga të cilat do të kuptojë se nuk ka ndryshuar shumë që nga koha që ai e la Gjermaninë. Fillimisht, Hitleri (supozuar se është i vërteti) është i irrituar se nazizmi kishte rënë, por mendimi i tij ndryshon kur ai nis e flet me njerëzit, të cilët i mësojnë atij sesi ta shfrytëzojë këtë botë të re e të guximshme.

Hitleri qarkullon dhe flet me njerëzit në Gjermani dhe i pyet se çfarë i shqetëson ata më shumë këto kohë. Përgjigjet janë ato që të frikësojnë, ata ankohen për azilkërkuesit, ankohen se fëmijët e emigrantëve i shqetësojnë dhe se janë të pasjellshëm, dikush i ankohet duke i thënë se me ardhjen e të huajve është ulur ndjeshëm IQ-ja. Pikërisht në bisedat e tij me qytetarët, shfaqen nota nacionalizmi të skajshëm, antisemitizmi, islamofobie apo ksenofobie. Hitleri në film, kupton aty se gjendet mes tyre, dhe shprehet se kështu ishin gjermanët edhe në vitin 1930.

Hitleri më pas shkon në shesh ku pozon si aktor dhe reagimet janë sërish të frikshme; njerëzit përballë tij gjenden komod, qeshin me të, vrapojnë të bëjnë fotografi me të, dhe fotot shpërndahen masivisht në rrjetet sociale ku aty gjen një simpati edhe më të madhe.

Media si mjet promovimi i antivlerave

Kritika e filmt ndaj medias mendoj se jepet në momentin kur Hitleri sheh nje televizor në dhomën e tij të hotelit. Pasi ndez televizorin, ai sheh një emision gatimi dhe habitet sesi një mjet i tillë komunikimi mund të përdoret për të promovuar emisione gatimi. Pikërisht aty, ai vëren se fuqia e teknologjisë kishte arritur aq përpara, por përdorej për emisione gatimi. Hitleri aty zbulon mjetin e shkëlqyshëm të propagandës.

Një tjetër moment goditës i filmit është futja e Hitlerit në media. Gjithçka nis me gjetjen e personazhit të Hitlerit nga një gëzetar i thjeshtë, i cili punon në një nga televizonet më të mëdhenj kombëtar, i keqpaguar, të cilin e pushojnë nga puna. Fabiani (gazetari) gjen papritur Hitlerin dhe realizon një reportazh, duke e parë këtë si mundësi për t’u rikthyer në punë. Ai e prezanton Hitlerin tek drejtuesit e televizionit, të cilët mahniten nga gjetja dhe vendosin ta përfshijnë personazhin e tij në një nga shfaqet më të ndjekura.

Me shfaqjen e Hitlerit në media, ndërlidhen ndjenjat raciste me përdorimin e medias për qëllime përfituese. Gjithçka është e qartë, drejtuesit e medias duan  audiencë dhe nuk u intereson nëse përballë gjithë popullit gjerman po del një personazh i veshur si Hitleri, e për më tepër, duke mbajtur fjalimet e tij reale, duke folur për racën e pastër gjermane dhe duke nxitur urrejtje ndaj të huajve.

Ato që ai thotë në fjalime janë mendimet e tij për vizionin e Gjermanisë, të njejta me ato çka Hitleri i thoshte popullit gjerman në vitin 1930, dhe feedback-u që ai merr është i njëjtë. Njerëzit e duan Hitlerin e ri dhe ajo që Hitleri (personazhi në film) thotë, është se në të vërtetë ata i pëlqejnë fjalimet e tij dhe atë vetë, pasi ata mendojnë si ai. Unë gjendem brenda jush, nuk jam larguar asnjëherë, shprehet Hitleri.

Pas suksesit me shfaqjen e parë, media kalon një hap më tej dhe vendos ta fusë Hitlerin në çdo emision, ku sërish audienca vijon të jetë e lartë. Të gjithë fillojnë të flasin për këtë personazh, por ajo që frikëson është se njerëzit pëlqejnë dhe bien dakord me ato çka ai thotë.

Hitleri kthehet një një yll shfaqjesh, i dashur për publikun, ky i fundit pohon me kokë kur ai mban fjalimet. Ajo që ti pret është momenti kur ndonjë autoritet do të trokasë në derë të televizionit për t’i paralajmëruar mbylljen.

Kjo vonon shumë derisa në ekran shfaqet Hitleri duke vrarë një qenush dhe një ankesë troket në derën e tyre, por që u falet, pasi drejtuesi mendon se shfaqja e Hitlerit është e mrekullueshme dhe se me siguri ankesën e ka dërguar ndonjë majtist i lajthitur. Përballë një perversiteti të tillë, ku media arrin dhe e nxjerr Hitlerin edhe në një emision gatimi, me dy neonazistë duke prerë mish, ata presin që e vetmja audiencë që mund të ankohet të jetë ndonjë majtiste.

Filmi mbyllet me një skenë madhështore, Hitleri i hipur në një makinë të zbuluar së bashku me drejtoren e televizionit, duke kaluar mes përmes Gjermanisë, ku qytetarët e përshëndesin, disa e shajnë, por ajo që ai thotë në mbyllje të filmit, mendoj se është fraza që të bën të mendosh dy herë pasi e ke parë filmin: -Mund të punoj me këtë, – thotë ai.

Mendoj se filmi, është një ulërimë ndaj gjithë botës, për të kthyer sytë nga rritja në mënyrë të frikshme e grupimeve neonaziste, rritja e islamofobisë, e homofobisë, e ksenofobisë, dhe fitoret e ekstremit të djathtë nëpër botë. Disa e kanë parë filmin, në kohën kur doli, edhe si një paralajmërim për fitoren e Trumput, në kuptimin që, nuk ka rëndësi nëse ai është i veshur apo jo si Hitleri, në thelb rëndësi kanë ato çka ai thotë, dhe njerëzit që i pranojnë dhe që pajtohen me ato çka ai thotë. Filmi jep një paralajmërim të qartë se duhet të kemi kujdes, pasi ai gjendet mes nesh me idetë e tij. Mjaftonte që t’i gërvishtje vetëm pak qytetarët gjermanë dhe ata nxirrnin në pah se nuk ishin shumë më ndryshe nga Hitleri.

Sakaq, publikimi i filmit u bë në një kohë kur vendi ishte i bllokuar nga një debat i ashpër mbi ardhjen masive të refugjatëve. Filmi përfshin pamjet e demonstruesve të Pegida-s që mbanin në duar pankarta kundër të huajve, si dhe kronikat e lajmeve që tregojnë sulmet e fundit me zjarrvënie në shtëpitë e azilkërkuesve.

Sakaq, për ta përmbyllur, do të sjell një reagim të regjisorit David Wnendt për filmin.

“Ideja jonë ishte të zbulonim se si njerëzit reagojnë ndaj Hitlerit sot dhe ndaj ideve të tij, si dhe të pyesnim a ka ai një shans në ditët e sotme?”, është shprehur drejtori David Wnendt për The Guardian. Përfundimi i tij?  “Për fat të keq po.”

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top