Sistemet arsimore që vrasin mendimin kritik/Arbjona Çibuku

in A(rt)ktivizëm by

Institucionet arsimore sipas Illiç-it dhe arsimi në Shqipëri

Arbjona Çibuku

Ivan Iliç tek “Shoqëria pa shkolla”, shkruan mbi mënyrën se si nxënësit dhe studentët edukohen në lidhje me arsimin, që konstaton tek të nxënit dhe tek të mësuarit. Shumë studentë, veçanërisht ata që janë të varfër, e dinë intuitivisht se çfarë ofrojnë shkollat për ta. Shkollat na “shkollojnë”, por produkti final që ne marrim është konfuzioni.

Iliç-i më tej shpjegon se sapo këto gjëra bëhen të paqarta, supozohet një logjikë e re; sa më shumë trajtim të ketë, aq më të mira janë rezultatet; me pak fjalë përshkallëzimi çon në sukses. Kështu, nxënësi “shkollohet” për të ngatërruar në kokën e tij dy proceset që unë përmenda më sipër, pra të nxënit dhe të mësuarit. Sakaq studenti do të ngatërrojë edhe konceptin e të diplomuarit me kompetencën dhe aftësinë për të thënë ose bërë diçka të re, diçka ndryshe! Kjo mund të vihet re qartë edhe në sistemin arsimor që ne kemi në Shqipëri. Sa të vështirë e kanë nxënësit që në fillore – kjo më pas ndikon edhe tek studenti në universitet -, që të dalin nga perdja e errët e vendosur nga sistemi arsimor dhe të jenë kritik ndaj asaj që formacioni ekonomiko-shoqëror i ushqen. Kjo shihet qartë edhe tek sistemi i vlerësimit që kanë shkollat dhe universitetet tona, që detyrojnë studentët që të memorizojnë artikuj dhe libra përmendësh, të cilat nuk e nxisin aspak mendimin kritik dhe aq më pak logjikën.

Si pasojë studentët ulen 3 ditë para sezonit, memorizojnë përmendësh materialet dhe pas provimit ajo çka ata kanë mësuar është një hiç. Kjo mënyrë e të projektuarit të sistemit arsimor çon drejt shuarjes së mendimit kritik të studentit dhe e bën këtë të fundit vetëm një kërkues të notës. Imagjinata e tij është “e shkolluar” për të pranuar shërbimin në vend të vlerës.

Shkollimi, pra prodhim-riprodhimi i njohurive, tregtimi i tyre, çka përkthehet në shkollë, e tërheq shoqërinë në grackën e të menduarit se dija është homogjene, e pastër, e respektueshme, e prodhuar nga kokat “e mençura” njerëzore dhe e grumbulluar në atë mënyrë që të shërbejë për “progresin e shoqërisë”.

Kësisoj kjo mënyrë e të projektuarit të shkollës, e bën këtë të fundit të detyrueshme. Kështu njerëzit, ashtu sikurse edhe Iliç-i shkruan në librin e tij, rriten me idenë e të menduarit se individi i vetëmësuar duhet të diskriminohet, që mësimi dhe rritja e aftësive njohëse kërkojnë një proces të konsumit të shërbimeve të paraqitura në një formë industriale, të planifikuar dhe “profesionale”. Sakaq, dija kthehet në një gjë që mund të matet, posedimi i së cilës është një masë e produktivitetit të individit brenda shoqërisë konsumeriste të globalizuar.

Sakaq, ajo që Iliç-i thotë së i takon institucioneve, është se shoqëritë moderne duket se krijojnë gjithnjë e më shumë burokraci – dhe një pjesë e madhe e mënyrës se si ne jetojmë jetët tona bëhet e institucionalizuar. “Ky proces minon njerëzit – zvogëlon besimin e tyre në vetvete, zhduk dalëngadalë aftësitë krijuese dhe venit aftësinë e tyre për të zgjidhur problemet. Ai e vret njeriun si një parazit apo tumor që e shkatërron atë nga brenda”, shkruan autori.

Si përfundim mësimi kthehet në produkt, dhe si çdo mall ai nis të tregtohet, e për pasojë bëhet i pakët. Mes të tjerash Iliç-i, duke i bërë jehonë fjalëve të Karl Marksit, vë në dukje mënyrën në të cilën një mungesë e tillë errësohet nga format e ndryshme që merr arsimi. Tendenca e shoqërive moderne, është që njerëzit të fokusohen rreth posedimit të objekteve materiale, duke iu qasur kësisoj mësimit, pra shkollimit si një produkt që shitet dhe rrjedhimisht blihet. Si rrjedhojë e të gjitha këtyre, ajo që ne kërkojmë nga shkolla, pra dija, kthehet në një mall dhe aspak një aspekt i të qenurit në këtë botë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top