Parabola e Budës me shtëpinë që digjet- Bertolt Brecht
Gautama Buda predikonte
Mbi doktrinën e rrotës së lakmisë, pas së cilës gjendemi të lidhur, dhe këshillonte
Që të zbrazemi prej çdo dëshirimi dhe asisoj
Të pastër prej dëshirave të hyjmë në asgjësendin që e quante Nirvana.
E një ditë njëri nga nxënësit e tij pyeti:
“Si është ky asgjësend, o Mësues? Të gjithë ne do të
Zbrazemi prej dëshirave, siç na këshillon ti, por tregona
Mos vallë ky asgjësend ku më vonë do të hyjmë
Ngjan me momentin kur bëhesh një me gjithë krijesën,
Kur shtrihesh mbi ujë, me trupin e papeshë, në mbrëmje,
Kur thuajse pa asnjë mendim, shtrihesh me përtesë mbi ujë,
Apo kur kotesh në shtrat, pa e vënë re se po i rrudhos mbulojat,
Ndërkohë që fle – pra vallë ky asgjësend
Është i këtij lloji, lumturisht, një asgjësend i kënaqshëm apo
Mos ndoshta asgjësendi yt është më asgjë se kaq, i ftohtë, pa ndjenja dhe
I zbrazët?”
Për kohë të gjatë Buda heshti, pastaj foli me shpërfillje:
“Për pyetjen tënde s’ka përgjigje.”
Por në mbrëmje, kur patën shkuar të gjithë
Buda ende i ulur nën pemën e bukës iu foli të tjerëve,
Atyre që nuk e kishin pyetur, dhe u rrëfeu këtë parabolë:
“Para do kohësh pashë një shtëpi. Po digjej. Flaka
Ia lëpinte kulmin. Shkova pranë dhe vura re
Se kishte ende njerëz brenda. Hyra në derë dhe vikata
Për t’u thënë se çatia kish marrë flakë, duke i nxitur
Të dilnin menjëherë. Por këta njerëz
Nuk dukej ta kishin shumë me nxitim. Njëri prej tyre,
Tashmë qepallëpërzhitur prej flakëve të zjarrit
Më pyeti se si ishte gjendja jashtë, se a kishte
Ndonjë shtëpi tjetër për ta, e të tilla gjëra. Pa u përgjigjur
Dola sërish jashtë. Këta njerëz, mendova
Duhet të përcëllohen gjersa të vdesin që të mos bëjnë më pyetje.
Me të vërtetë miq,
Për ata që dyshemeja nuk i djeg aq shumë sa që menjëherë
Ta lënë atë e të jenë të gatshëm ta këmbejnë me çfarëdoqoftë më mirë se sa të rrinë, për ata njerëz
Nuk kam asgjë për të thënë.” Kështu foli Gautama Buda.
Por edhe ne, që nuk merremi më me artin e nënshtrimit
Por me atë të mos-nënshtrimit, dhe që japim
Propozime tjetërsoj, me natyrë tokësore, dhe që lusim njerëzit
T’i rrëzojnë torturuesit e tyre njerëzorë, edhe ne besojmë se atyre
Që përballë skuadronëve bombardues në rritje të kapitalit, vazhdojnë të pyesin shumë gjatë
Se si propozojmë që të bëhet kjo, e se si parashikohet ajo
Dhe çka do të ndodhë me kursimet e tyre, dhe me pantallonat e ditës së diel pas një
Revolucioni
Nuk kemi se ç’t’u themi.
1949
Përktheu: Arbër Zaimi

Motto-Betolt Brecht
Motto-Betolt Brecht Në kohërat e errëta A ka me pasë dhe këngë? Po, ka me pasë