Author

Admin - page 87

Admin has 1865 articles published.

Një punëtor lexon historinë-Bertolt Brecht

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Një punëtor lexon historinë-Bertolt Brecht

 

Kush i ndërtoi shtatë portat e Tebës?
Librat janë të mbushur me emra mbretërish.
A ishin mbretërit ata që tërhoqën blloqet e ndezur prej guri?
Dhe Babilonia, aq shumë herë e shkatërruar.
Kush e ndërtoi qytetin çdo herë? Në cilën prej shtëpive të Limës?
Ai qytet që shkëlqen me ar, a jetuan ata që e ndërtuan?
Në mbrëmje kur muri kinez mbaroi
Ku shkuan muratorët? Roma perandorake
është plot me harqe triumfi. Kush i rriti? Mbi kë?
A triumfuan Çezarët? Bizanti jeton në këngë.
Ishin të gjithë pallatet e saj të banesave? Dhe, madje, edhe në Atlantis të legjendës.
Natën detet u turrën brenda,
burrat që po mbyteshin, ende bënin thirrje për skllevërit e tyre.

Aleksandri i ri pushtoi Indinë.
Ai i vetëm?
Çezari mundi galët.
As një kuzhinier nuk kishte në ushtrinë e tij?
Filipi i Spanjës qau se flota e tij
ishte fundosur dhe shkatërruar. A nuk kishte lot tjetër?
Frederiku i Madh triumfoi në Luftën Shtatë Vjetore.
Kush triumfoi me të?

Çdo faqe një fitore.
Në kurriz të kujt është topi i fitores?
Çdo dhjetë vjet një njeri i madh.
Kush e pagoi tubacionin?

Kaq shumë të dhëna.
Kaq shumë pyetje.

 

Përktheu: Irfan Ajvazi

KATER FEMIJE-JULIA GJIKA

in Letërsi/Tharm by

KATËR FËMIJË-JULIA GJIKA

 

Atë natë,
nuk mund të flija.
Kisha parë një fotografi,
me diciturën: Qytet i zbrazur
pas bombardimeve.
Edhe një tjetër,
kur nëpër gërmadha
luanin katër fëmijë.
Katër fëmijë, të mbetur
nën qiellin e hapur, pa strehë, jetimë.
Për çudi ndjeva aromë dheu
përzier me aromë frymësh.
Katër djelmoshë luanin.
Aromë djerse dhe
erëra që bënin korrente!
Kishte rënë mbrëmja.
Nga pluhuri i hënës,
fytyrat e tyre herë ndiçoheshin
e herë nuk dalloheshin mirë…
Katër djelmoshë flisnin me yjet,
ngroheshin në kurrizet e njeri-tjetrit.
Sa të gdhijë!
Kur bota do të shohë
plagët, që një komb i hap kombit tjetër.
Deri kur?

Pse shkruaj?/Blerta Derhemi

in Letërsi/Pse shkruaj? by

Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.

Përgjigjia e radhës erdhi nga Blerta Derhemi.

Vijon më poshtë.

Pse shkruaj?-Blerta Derhemi

Si e perceptoj të shkruarin?

Të shkruarit është aftësia për të zhbërë dhe ribërë hapësirën, kohën dhe vendin ku ndodhesh, duke e transformuar të zakontën në të pazakontë. Për më tepër të shkruarit është liri, është arratisje, është fluturim, është udhëtim, madje nga ato udhëtime ku nuk të shpie asnjë biletë apo avion, sado pasuri materiale të kesh. Ndaj shkrimin e shoh si ikje dhe ardhje. Ikje nga vetja dhe realiteti, ikje nga e shkuara dhe e tashmja për kah e ardhmja. Ardhje, ardhje drejt dhe përballë vetes. Ky mund të jetë nga destinacionet më të vështira të shkrimit udhëtim.

Pse shkruaj?

Përmes të shkruarit përpiqem të materializoj përjetimet, emocionet dhe gjurmët e lëna prej tyre në të ndërgjegjshmen apo të pandërgjeshmen time. Në përpjekjen për këtë materializim, sado çuditshëm mund të tingëllojë, fjala nuk është e para. Shkrimi, por sidomos poezia, fillimisht vjen në trajtën e një imazhi të cilin më duhet ta “pikturoj”, jo me penela por me fjalë. Nuk mbaron me kaq, sepse ky imazh në sajë të ngjyrave që mbart ka aftësinë të luajë një melodi të caktuar (edhe pse nuk kam fare vesh muzike), melodi e cila pret të shkruhet, jo me nota muzikore por me fjalë. Ndaj fjalën e shoh si një instrument kaq të fuqishëm.
Leximi i fjalës më jep ndjesinë se jam në gjendje të prek ndjenjat dhe emocionet. Perceptimi i tyre bëhet kaq konkret dhe real, del jashtë mendjes dhe zemrës dhe rri aty mbi fletën e bardhë duke pritur që ta kundroj, ta ledhatoj, ta kritikoj apo mbase dhe ta urrej?! Këtu më duhet të shtoj me domosdo faktin që të shkruarit përmes procesit të brendshëm të reflektimit e frymëzimit, më ka ndihmuar të rritem, të arrij një pjekuri të caktuar mendimi, të ruaj thelbin tim pa u tunduar nga rrethanat e jashtme, të pastroj veten nga mëritë, duke ma lënë ndjesinë e urrejtjes gjithnjë jashtë vatrës ku digjem, shuhem dhe rindizem, përsëri me fjalën e shkruar.

Si e përjetoj procesin e të shkruarit?

Që fëmijë më kanë magjepsur flokët e dëborës. Në orvatjen e tyre për t’iu afruar tokës, më ngjasonin si fluturza kristali frymë-pezull përpara se të thërrmoheshin e të njëtrajtësoheshin në një vel të bardhë. Po si ishte e mundur që thërrmoheshin aq qetësisht?! Ndoshta kjo magjepsje më bën ta përjetoj të shkruarin si një thërrmim të asaj që jetoj përditë, të përballjes me të bukurën dhe të shëmtuarën, të çasteve të ëmbla dhe të hidhura, të dashurive të shuara dhe të atyre ende në frymë… Magjia nis kur thërrmijat fillojnë e zgjohen nëpër qelizat e mia duke endur, jo tisin e bardhë të dëborës, por pëlhurën e poezisë. Kjo pëlhurë merr trajtat e përrallave të treguara e të lexuara prej gjyshërve, të qëndismave dhe dandellave thurur prej gjysheve, fillon merr shkëlqimin e syve të sime mëje, nis frymon me ritmin e zemrës së të vegjëlve të mi, ngroh zemrën e dashuruar miturisht, merr trajta resh, yjesh, ëndrrash… E gjithë kjo gjendje më lejon të përjetoj kthimin e shpirtit tek vetja në gjëndjen e vet të kulluar, të pandotur prej asgjëje, prej aty jam unë që i jap ngjyrat që dua çdo grimce të jetuar.

Mëhallat e botës-Jani Ricos

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Mëhallat e botës-Jani Ricos

 

Maria thoshte: “Mos kij frikë, do lulëzojnë pemët.”
A, po, do lulëzojnë. Ja, në prag të derës
tek është ulur Pranvera. Mos kij frikë.
Dashuria e bardhë e një pjate në tryezë.
Pak bukë që e ndajnë dy veta.
Një ëndërr që e ndajnë të gjithë.
Rafti i pjatave bëhet një shkallë e vogël
ku hypën e zbret i heshtur kujdesi për shtëpinë.
Ah sikur të ish e qetë zëmra e njeriut,
t’ishin të qetë në mbrëmje  yjet përmbi heshtjen,
siç janë gotat e lara përmbi raft!
Do duhej të dashuroheshim shumë,
sepse ka shumë vdekje nëpër shtëpitë e rrugët
dhe kurdoherë ka një vdekje brënda në hijen tonë
dhe nesër mund të jetë vonë që të thuash “të dashuroj.”
Po shokët arrijnë t’i thonë “këtu” shpresës së botës,
valëvitnin zemrën e tyre si bombë dore në surrat të vdekjes
dhe kurdoherë kishte kohë për gjithë jetën e për gjithë dashurinë.

 

Përktheu: Spiro Çomora

1961

ENDE-JULIA GJIKA

in Letërsi/Tharm by

ENDE-JULIA GJIKA

 

Dekada të tëra,
luftuan për ditën fatlume.
Një jetë ishin barkas.
Egërsia e shtypësit
me qesëndi i pyeste:
Doni të ngriheni?!
Mendoni se ju erdhi radha?!
Sa pikëpyetje,
sa pikëçuditëse,
mbetën në shpirtrat e sfilitur.
Në shpatullat e rrëzuara
nga mundimet,
ende vajton kukuvajka.

Prill, 2021.

Deklaratë e së ardhmes-Dahlia Ravikovitch

in Letërsi/Tharm by

Deklaratë e së ardhmes-Dahlia Ravikovitch

 

Një njeri i uritur
apo i pavendosur
do të bëjë kompromise,
ose gjëra
për të cilat nuk ka ëndërruar
kurrë në jetën e tij.

Papritmas, përkul kurrizin,
ç’i ka bërë vallë kurrizit
për ta patur kaq të kërrusur?
Humbja e krenarisë.
Dhe e qeshura i ngrin
sheh duart e tij
të fëlliqta,
tek prekin objekte të lagura
të cilave nuk mund t’u shpëtojë.

Dhe ai nuk ka zgjedhje
ose të paktën kështu mendon,
e pabesueshme si mundi
të mungojë gjithë këto vite,
dhe t’i gdhendte ato,
njëri pas tjetrit,
në brendësi të jetës së tij.

 

Përktheu: Leda Kushova

Miting për Enver Hoxhën-Frederik Rreshpja

in Letërsi/Tharm by

Miting për Enver Hoxhën-Frederik Rreshpja

 

Ulërijnë servilët dhe injorantët: hosana!
Turma pa tru të bie ndër këmbë
Si popull i mallkuar fisi i arbrit
I bie më gjunjë urdhrit tënd.

Asnjëri s’e sheh gjakun që rrjedh
Anës tribunave si lumë
Fantazmat e martirëve që ti vrave
Dëshpërohen mbi kokat e turmës.

Por do të vijë një ditë kur bronxin tënd
Turma do ta shqyejë me egërsi.
Dhe, do të gdhendë për malkim
Bronxin e ndonjë diktatori të ri.

1982

Pse shkruaj?-Marsela Neni

in Letërsi/Pse shkruaj? by

Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.

Përgjigjia e radhës erdhi nga poetja Marsela Neni.

Vijon më poshtë.

Pse shkruaj?-Marsela Neni

Pse shkruaj? Në një esé të fëmijërisë, në përpjekje për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, shkruaja: ʺMos e pyesni Lizën e Luis Kerolit (Louis Carroll) pse e ndoqi pas lepurushin Beni Bani për në Botën e çudirave! Ajo, me siguri, e di se çfarë e nxiti atë ʺrrëzim fluturuesʺ, por ajo nuk e di me siguri se pse u nxit.“
Dikush që shkruan, në përpjekje për të shkruar bukur, di edhe ta kompromentojë mendimin, ndaj unë zgjedh me vetëdije t‘i përgjigjem në mënyrë të sinqertë lexuesit, sikurse do t’i përgjigjesha një fëmije, nëse do të ma drejtonte këtë pyetje, sepse fëmijët meritojnë veçse përgjigje të sinqerta.
Në botën e njëmendtë, të gjithë jemi pjesë e mekanizmit të pamëshirshëm të provokim-reagimit dhe zemreku i kohës sonë e përligj vetveten të lidhur jo vetëm me logjikën e rrjedhës së kronosit, por edhe në lidhje me shkaqet e pasojat, kështu që, që në premisë, do më duhet të ndaj dy pyetje, përgjigjet e të cilave shpesh ngatërrohen me njëra-tjetrën:
1. Pse shkruaj?
2. Përse shkruaj?
(E para më kërkon t’i zbuloj lexuesit shkaqet dhe e dyta qëllimet e të shkruarit. Në fakt, përgjigjia është goxha e vështirë dhe e komplikuar, pasi të shkruarit shihet edhe si proces edhe si produkt.)
Në fëmijëri e përfytyroja shpesh veten si Liza dhe të shkruarit ishte për mua si bota e saj e çudirave, por e rritur përpara kohe nga përvoja të ashpra jetësore, të shkruarit m’u shndërrua nga “vendi i aventurës“ në ʺqoshk parajse“, ʺkolovajzë Edeniʺ apo ʺqiej të shqepur lotësh“. Por këto sintagma nuk më mjaftojnë tani as për të përcaktuar të shkruarin as për t’i shpjeguar fillimisht vetes e pastaj të tjerëve pse dhe përse shkruaj. Mbase me kohën edhe këto që po listoj më poshtë, nuk do të mjaftojnë, sepse mistikja nuk qëndron aspak tek përgjigjet vetjake, por tek shenjtëria e pyetjes që na drejtohet.

Shkruaj sepse besoj se ky është talenti im.

Duhet të kem qenë rreth 8 vjeç, kur m’u bë një zbulim. Në një nga fletushkat që besimtarët e krishterë na vinin poshtë derës, lexova një pjesë nga Ungjilli sipas Mateut që fliste për ʺshëmbëlltyrën e talentave“. E kam lexuar atë histori dhjetëra herë dhe nuk arrija ta kuptoja pse Zoti e trajtoi aq keq shërbëtorin që i dha një talent dhe ky e groposi për ta ruajtur dhe nuk e zhvilloi dhe shumoi siç bënë shërbëtorët e tjerë. U ndjeva e ngushëlluar vetëm kur, pas disa vitesh, kuptova domethënien e asaj shëmbëlltyre: Dhuntitë janë dhurata që Zoti na ka dhënë, janë paja hyjnore, bekimi unik që Zoti ka caktuar për secilin prej nesh. Fuqia hyjnore asnjërin prej nesh nuk e ka sjellë lakuriq në këtë botë dhe me vete i ka dhënë mundësinë për të gjetur lumturinë. Ne jemi një frymë që peshojmë veçse 21 gramë, të mbarsur me një ose shumë dhunti, që banojmë në një shtëpi të gjallë e të brishtë prej mishi, uji e kockash. Por Zoti, ashtu siç është zemërgjerë dhe na ka pasuruar nga pasuria e vet, kërkon që ne ta zbulojmë cila është ajo dhunti, e, pasi ta zbulojmë, ta rrisim e ta zhvillojmë, ta bëjmë të dobishme për veten dhe të tjerët, kështu që dhe ne do t’i gëzohemi fryteve të krijimit. (Kjo shpjegon edhe pse Zoti e ndëshkoi shërbëtorin që e groposi talentin dhe shpërbleu shumëfish dhe me gëzim të tjerët.) Shpesh, atë çka kemi përpara syve dhe e bëjmë në mënyrë të natyrshme, ne e shpërfillim, dhe e sfidojmë veten në shumëçka për të zbuluar dhuntitë tona. Me kohë kuptova që poezia ishte fari im me të cilin mund ʺt’u ndritojaʺ, qoftë edhe fare pak, rrugën ʺtë humburveʺ, qoftë edhe nëse ky i humbur ishte shpirti im. Të shkruarit është një lloj vuajtjeje që të shpërblen me çlirim. Unë shkruaj, sepse besoj se rilindja e vërtetë e njeriut realizohet përmes fjalës. Fjalët kanë fuqi të na ndryshojnë.

Unë e dua gjuhën shqipe, ndaj shkruaj.

Gjuha është lënda me të cilën zihet brumi letrar. Bukëpjekësi e vlerëson bukën jo thjesht nga masa e saj, por më tepër nga cilësia e miellit të përdorur. Po kështu gjuha është lënda që na përcakton individualisht dhe kombëtarisht. Ajo është thesari më i madh i përbashkët i të gjithë shqiptarëve. Si një thesar që më përket, unë kam një detyrë të shenjtë ta ruaj atë, jo ta gropos, siç groposen e fshihen thesaret, por duke u ushqyer prej saj, duke shuar etjen me të, duke e latuar, pastruar e shkëlqyer me kujdes të rrallë, duke folur me të, duke luajtur me të, duke e dashuruar atë. Shkrimtarët vdesin kur lënda krijuese në veprat e tyre nuk gjallon më. Çdo ditë përpiqem të mësoj të paktën një fjalë të re. Përpiqem ta përdor në shkrimet e mia, edhe kur ajo është ʺmjaft plakëʺ për të gjalluar në sistemin eptimor të shqipes. Ky shërbim i vogël është një prej pesë gjuhëve të dashurisë me të cilën unë komunikoj me gjuhën e nënës sime. Ky është shërbimi më i denjë që mund t’i bëj atdheut.

Të shkruarit është protesta ime, qëndresa ime, guri im i varrit.

Sipas mendimit tim, shkrimtari, para së gjithash, duhet të jetë njeri, një njeri që ka një zë, një njeri që ka një zë dinjitoz e të fuqishëm. Poezia është forma ime e protestës. “Unë protestoj, pra jam.” Në një realitet ku hierarkia e vlerave është bërë hierarkia e turpit, ku dashuria është e gënjeshtër dhe mashtrimi e vërteta, ku dija është korruptuar dhe ndershmëria konsiderohet virtyt i budallait, ku gjithçka i ngjan një teatri të madh për të fjeturit dhe katarsasi i vetëm është larja e trurit, të shkruarit është një mekanizëm për t’i shpëtuar kthetrës së marionetave të pushtetit, çmendurisë dhe për t’iu arratisur vdekjes së shpirtit. Liria është e shenjtë për atë që bën art të vërtetë. Ndaj shkruaj, për një copëz liri, për të mos harruar, për të qenë një gjurmë në shkëmb që dallga mos ta fshijë dhe nga direku i anijes së shpirtit tim, përmes këngës sime, të dëshmoj: ʺUnë isha këtu!ʺ.

Nuk ka më as bukë-Nurie Emrullai

in Letërsi/Tharm by

Nuk ka më as bukë-Nurie Emrullai

 

Duhet të iki. Kjo është e pashmangshme.
Prita që dikush të më kërkonte,
andaj rrija gjithnjë gati.

Asgjë s’erdhi në jetën time të lëmuar dhe shkëlqyese si teh thike.

Ndryshova veten deri në rrënjë.
Nuk ma kërkoi kurrë asnjë. Sa e dhimbshme!
E ndryshimi i rrënjëve i than gjethet.
Nuk ka më as filiza. Nuk ka më as pranvera.
Nuk ka zogj që vijnë dritares sime;
unë vrisja vetminë, ata donin bukën time. Nuk ka më as bukë.

Ngulmoja që dikush ta sillte çelësin e burgut tim.
Dikush do ma ndërronte racionin e ushqimit në mendim.
Dikush a diçka do jetë e vetmja ndodhi imja. E unë do kem më n’fund…

Sa e gabuar, të mos dallosh. Do të pres dhe pres (këto lexohen nën zë.)

Një karrocë po ma ndal mendimin,
vrapon kali sikur t’i digjen këmbët në zjarrin e ferrit.

Heshtja na ngrin si bora mbi qafë varfënjaku.

Jo, jo, duhet të iki. Kjo është e pashmangshme.
Në fund të fundit është rruga ime.

Karroca u ndal. Njeri në të s’kishte.

1 85 86 87 88 89 187
Go to Top