E kam njohur Musolinin. Askush s’e pëlqente atëherë. As mua s’më pëlqente. Ishte personazh i keq. – Ernest Hemingway – Ata të gjithë bënë paqe: Çfarë është paqja? – 1923.
Jennifer Theriault
Ernest Hemingway dhe Benito Mussolini kishin disa gjëra të përbashkëta. Të dy u plagosën në mbrojtje të Italisë gjatë Luftës së Parë Botërore; Musolini në vitin 1917 ndërsa luftonte me ushtrinë italiane në frontin e Carso-s dhe Hemingway në vitin 1918 afër zjarrit të mortajave austriake ndërsa shpërndante cigare dhe çokollatë për ushtarët italianë si vullnetar i Kryqit të Kuq. Të dy u shëruan në spitalet përkatëse të Kryqit të Kuq në Milano, dhe më vonë u dekoruan nga qeveria italiane për heroizmat gjatë luftës.
Të dy ishin gjithashtu gazetarë para luftës, Musolini redaktoi gazetën socialiste “Avanti” ndërsa themeloi: “Popolo d’Italia”. Me energji të freskëta pas mbarimit të shkollës së mesme, Hemingway filloi punë si reporter në “Kansas City Star”. Pas luftës e vazhdoi karrierën e gazetarisë si korrespodent i huaj për “Toronto Daily Star” me qendër në Paris.
Hemingway dhe Musolini u takuan për herë të parë në Milano në vitin1922, kur i pari po shijonte një muaj të vonuar mjalti me gruan e parë, Hadley. Sapo reporteri 23-vjeçar dëgjoi që Musolini, udhëheqësi i atëhershëm i Partisë Fashiste Kombëtare, ishte gjithashtu në qytet, tundi letrat kredenciale të “Daily Star” dhe i caktuan një intervistë.
Artikulli që pasoi: “Partia Fashiste gjysmë milioni”, u botua në “Daily Star” në 24 qershor 1922. Në të, Musolini u mburr nga Hemingway: “Fashistët tani janë gjysmë milioni të fortë” dhe “kanë forcë të mjaftueshme për të rrëzuar çdo qeveri që mund të përpiqet të na kundërshtojë ose shkatërrojë.” Pavarësisht nga një forcë e tillë tronditëse, Hemingway paraqiti anën më të butë të Musolinit duke shkruar se ai ishte ulur në “karrigen e redaksisë” në zyrat e Milanos të “Popolo d’Italia” “duke ledhatuar veshët e qenushit ujk”. Ndoshta duke parë diçka nga vetja në fytyrën “intelektuale” të udhëheqësit fashist, i vetëdijshëm që edhe Musolini “qe ushtruar në gazetari” dhe ishte “vlerësuar për trimëri” në luftë, Hemingway mendoi se Musolini “ishte atdhetar mbi të gjitha dhe se “i kishin bërë akuza të padrejta”. “Përbënte befasi të madhe. Nuk është përbindëshi që kishin portretizuar”.
Kur gjashtë muaj më vonë u takuan përsëri në Konferencën e Paqes në 1923 në Lausanne, simpatia e Heminguejit për Musolinin, i cili tani ishte “Il Duce” (“Udhëheqësi”) po zhdukej pas orkestrimit të grushtit të shtetit të marsit në Romë. “Nëse Musolini do të më nxirrte përjashta dhe do të më qëllonte të nesërmen në mëngjes, prapë s’do ta besoja e do ta shihja si blof”, shkroi Hemingway në një artikull të janarit të vitit 1923, në “Daily Star” me titull, “Musolini, blofuesi i premtimeve të Evropës”.
Në një kohë kur dakordësimi perëndimor po mbështeste fuqinë e Musolinit për të rehabilituar Italinë e pasluftës, Hemingway e quajti Duçe “frikacaku” me aftësi gjeniale “për të veshur ide të vogla me fjalë të mëdha”. Pastaj e zvogëloi metaforën e “veshjeve” në një fyerje të mirëfilltë duke i quajtur “Këmishëzinj”. (Këmishëzinjtë-camicie nere ose squadristi– ilët ishin forcë paraushtarake e fashizmit): “Ka diçka të gabuar, edhe historikisht, me një njeri që mban uniformë të bardhë me këmishë të zezë”. Por për Heminguejin, një nga shembujt më zbulues të karakterit tinëzar të Musolinit erdhi kur spiunoi Duçen në një konferencë shtypi ndërsa ishte zhytur në leximin e një libri: “U përkula pas tij për të parë se çfarë libri po lexonte me një interes të tillë aq të madh. Ishte një fjalor frëngjisht-anglisht, të cilin e mbante kokë poshtë”.
Në një letër të vitit 1951 drejtuar biografit të tij Carlos Baker, Hemingway pohoi se përçmimi i tij për Musolinin dhe taktikat e ashpra të fashizmit pa mëdyshje ishin bërë edhe më të egra në vitin 1924, pas rrëmbimit dhe vrasjes në qershor të ligjvënësit socialist dhe kritikut të tërbuar të Musolinit dhe fashistëve: Giacomo Matteoti. Asnjë provë s’u gjet kurrë, e cila lidhte Musolinin drejtpërdrejt me vrasjen, por për Hemingway-n dhe shumë të tjerë incidenti i panjohur kishte gjurmët e gishtave të “Il Duce”-s.
Pasi Hemingway u largua nga “Daily Star” për t’iu përkushtuar vetëm veprimtarisë krijuese, lindi një medium i ri për të shprehur antifashizmin e tij. Më 1927, revista “New Republic” botoi tregimin e shkurtër të Hemingway-it: “Che Ti Dice La Patria”, në të cilin jepet kronika e një udhëtimi që shkrimtari bëri nëpër Italinë fashiste me mikun e tij, Guy Hickok. Në qytetin Ligurian të La Spezia-s, një vakt në restorant ndërpritet nga kamerierët, të cilët përfitojnë nga ndalimi i bordellove prej Musolinit dhe bëjnë edhe prostitutën (“Vajza që mori porosinë tonë e vendosi krahun përreth qafës së Guy-it ndërsa po shikonim menunë”.) Duke lënë pas qytetin, të dy burrat tronditen nga polici fashist, i cili u thotë se makina e tyre e kishte targën e bërë pis. (“Makina juaj është e ndotur, por edhe ju jeni bërë pis”, thotë polici.) “Në një udhëtim aq të shkurtër”, arsyeton Hemingway, “nuk kemi pasur mundësi të shohim se çfarë po ndodhte me vendin apo njerëzit”.
Po të kemi parasysh tonin përbuzës të Heminguejit për Musolinin, nuk ishte aspak befasi që romani i tij i vitit 1929, “Lamtumirë armë” u ndalua në Itali. I mbështetur në përvojat e Luftës së Parë Botërore të Hemingway-t, portretizimi nga autori i kaosit brenda radhëve të ushtrisë italiane u quajt trillim dhe u perceptua si sulm ndaj karakterit italian. Vetëm në vitin 1945, pas vdekjes së Musolinit dhe përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, romani u botua përfundimisht në Milano, ku Hemingway dhe Il Duce ishin takuar për herë të parë.
Musolini mund të mos e ketë admiruar librin e Hemingway-t, por sipas një rrëfenje të pavërtetuar asnjëherë thuhet se ai ishte i mahnitur nga koka-trofe e një antilope afrikane që Hemingway e kishte vrarë gjatë një udhëtimi për gjueti kafshësh të egra në Tanganyika të Tanzanisë në vitin 1934. Thuhet se Musolini i dërgoi Hemingway-it një çek bosh për trofeun me udhëzime për ta plotësuar me çfarëdo shumë parash që të donte. Sapo e mori, Hemingway shkroi shpjet e shpejt në çek: “Shko vrite vetë” dhe ia ktheu mbrapsht.
_____
Shënim: Hemingway-t i pëlqente të luante me fjalët dhe t’u vinte njerëzve nofka. Atij ia vunë nofkën “Papa” që kur ishte gazetar në Paris.
Përktheu: Granit Zela