Fjalimi i shkrimtarit Ernest Hemingway me rastin e marrjes së Çmimit Nobel

in Letërsi by

Ernest Hemingway

Duke mos e pasur dhuntinë e shkrimit të ligjëratave dhe pa e zotëruar oratorinë apo ndonjë lëmë të retorikës, dëshiroj të shpreh falënderimin tim për administruesit e bujarisë së Alfred Nobel-it për këtë Çmim.

Askush prej shkrimtarëve, të cilët e dinë se shumë prej shkrimtarëve të mëdhenj nuk e kanë marrë këtë Çmim, nuk mund të mos e pranojë atë veçse me përvujtni. Nuk është e nevojshme për t’i renditur emrat e këtyre shkrimtarëve. Kushdo prej atyre që janë këtu mund të bëjë listën e vetë sipas njohurive dhe ndërgjegjes së tij.

Do ta kisha të pamundur t’i kërkoja Ambasadorit të vendit tim të lexonte një ligjëratë, në të cilën, një shkrimtar ka thënë të gjitha gjërat që janë në zemrën e tij. Gjërat mund të mos jenë menjëherë të dukshme në lidhje me atë që shkruan një shkrimtar, dhe për këtë nganjëherë duhet pak fat; por përfundimisht ata janë krejtësisht të qartë dhe për këto dhe shkallën e alkimisë që ai zotëron, ai do të qëndrojë ose do të harrohet.

Shkrimi, në rastin më të mirë, është jetë e vetmuar. Organizatat e shkrimtarëve mund të lehtësojnë vetminë e shkrimtarit por unë dyshoj se mund të përmirësojnë veprën e tij. Ai rritet në sytë e publikut tek hedh dritë mbi vetminë e tij dhe shpesh kjo bën që vepra t’i shkatërrohet. Kjo ndodh ngase e shkruan veprën në vetmi dhe nëse është shkrimtar i mirë duhet të përballet me përjetësinë, ose në të kundërt, me mungesën e saj, ditë pas ditë.

Për një shkrimtar të vërtetë çdo libër duhet të jetë një fillim i ri ku ai përpiqet vazhdimisht të arrijë diçka që është përtej të arritshmes. Ai duhet që të përpiqet gjithmonë për atë që s’e ka bërë kurrë më parë ose të tjerët janë përpjekur dhe nuk kanë mundur. Pas kësaj, po të ketë fat, do t’ia dalë mbanë.

Sa i thjeshtë do të qe shkrimi i letërsisë nëse do të ishte i nevojshëm vetëm të shkruarit ndryshe nga ajo që është shkruar mirë. Janë shkrimtarët madhorë arsyeja se përse një shkrimtar udhëton thellë në të kaluarën, gjer ku mund të mbërrijë, atje larg ku askush nuk mund t’i ndihë.

Kam folur më gjatë se ç’duhet të flasë një shkrimtar. Shkrimtari duhet të shkruajë atë që ka për të thënë dhe jo të flasë për të.

Faleminderit sërish!

Përktheu: Granit Zela

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top