Author

Admin - page 89

Admin has 1899 articles published.

Poezia e Szymborska-s në tavolinën time/DANA STEVENS

in Letërsi by

Edhe njohuritë e saj rreth përkohshmërisë së ekzistencës njerëzore, ndonjëherë mund të tingëllojnë pothuajse gazmore

     DANA STEVENS

  Përktheu: Arlinda Guma

Për më shumë se shtatë vjet, që kur e grisa atë nga një botim i dhjetorit të vitit 2004 të revistes “The New Yorker“, unë kam pasur të njëjtën poezi të Wislawa Szymborska-s ngjitur në tavolinën time.
Është kjo:

ABC

Unë tani nuk do të mundem kurrë ta zbuloj
Çfarë mendoi A. për mua.
Nëse B. arriti të më falte në fund.
Pse C. u shtir sikur gjithçka ishte në rregull.
Çfarë roli luajti D. në heshtjen e E.
Çfarë priste F., nëse kishte pritur ndonjë gjë.
Pse G. e harroi kur e dinte aq mirë.
Çfarë H. duhej të fshihte.
Çfarë I. donte të shtonte.
Nëse prania ime kishte kuptim
për J. dhe K. dhe pjesën tjetër të alfabetit.

Asnjëherë nuk lodhem nga thjeshtësia dhe kompleksiteti i njëkohshëm i kësaj poezie të vogël e të përsosur, nga mënyra sesi personifikimi i saj i gjallë i alfabetit, bashkëjeton me një meditim të mprehtë mbi historitë e pafundme e të pazgjidhura që përmban secila jetë e fundme njerëzore.
Ashtu si shumë nga poezitë e Szymborska-s (dhe nuk mund të pretendoj ta njoh mirë punën e saj; unë kam lexuar vetëm një antologji, “Pamje me një kokërr rëre”, përkthyer nga polonishtja nga Stanislaw Baranczak dhe Clare Cavanagh, si dhe poezi si kjo, që u publikua në revistën që lexova), “ABC” është një poezi çuditërisht e përshtatshme për t’u rilexuar me rastin e vdekjes së Szymborska-s, në shtëpinë e saj në Krakov, në moshën 88 vjeç.
Për çfarëdolloj gjëje tjetër për të cilën flasin poezitë e Szymborska-s (një skelet dinosauri, disa gjëra antike të para në një muze, një mace e paaftë të kuptojë pse pronari i saj është zhdukur), ato kanë të bëjnë pothuajse gjithmonë edhe me vdekjen, papërhershmërinë dhe kalimin e kohës. E megjithatë zëri i saj nuk mund të ishte më pak argëtues, melodramatik apo serioz me veten. Edhe njohuritë e saj rreth përkohshmërisë së ekzistencës njerëzore, ndonjëherë mund të tingëllojnë pothuajse gazmore. Në “Pafundin e argëtimit”, një poezi e shkruar nga këndvështrimi i perëndive që shikojnë me një dashuri zbavitëse në jetën njerëzore, ajo shkruan: “Vazhdoni, pra, edhe pse vetëm për një çast/aq sa i duhet një galaktike të vockël për të pulitur sytë! “
Puna e Szymborska-s është kthjelltësisht, shkëlqyeshëm argëtuese, me një sy të mprehtë për detajet e kësaj bote të jetës së përditshme; mbase kjo për shkak se ajo e ndjeu kalimin e kohës aq fort sa vuri re aq shumë dhe e regjistroi atë me aq saktësi dhe kënaqësi në dukje. Në poezinë “Panairi i Mrekullive” (gjithashtu titulli i një koleksioni të përkthyer nga Joanna Trzeciak) Szymborska shënon një listë të mrekullive të nënvlerësuara “të mullirit”: “një mrekulli minus cilindrin dhe pikat: /shpërhap pëllumbat e bardhë.” Poezia e saj ka të njëjtin kombinim paradoksal të mbingarkesës dhe thjeshtësisë.
Për herë të parë kam dëgjuar për Szymborska-n kur ajo fitoi çmimin Nobel për Letërsi në vitin 1996 dhe e lexova vetëm me ndërprerje pas kësaj, megjithë vendin e nderit që zë poezia “ABC” në hapësirën time të punës (për një vlerësim më të plotë të punës së saj, unë do të rekomandoja përkujtimin e bukur të Adam Gopnik-ut në faqen e The New Yorker-it). Por një pasdite, verën e shkuar, u gjenda në seksionin e poezive të Librarisë Moe në Berkeley, papritmas e shpuar tej për tej nga zëri i saj unik poetik; çdo poezi që shfletova rastësisht, dukej më e fuqishme dhe e ndërtuar më me përpikmëri se e fundit. Falë shkrimit të shkëlqyer të Boston Globe-t, tani e di që Szymborska shkroi edhe një kolonë të famshme në një gazetë polake për dekada – titulli i saj karakteristikisht modest: “Lexim jo i domosdoshëm”, është edhe emri i një koleksioni të përkthyer të prozës së saj gazetareske, që mezi pres te lexoj.
Unë nuk mund të flas për J.-në apo K.-në apo për pjesën tjetër të alfabetit, por qëndrimi i shkurtër i Wislawa Szymborska-s në planet, patjetër që i tha diçka D.-së.

Marrë nga: The New Yorker

Përkthimi: © Arlinda Guma

Kukullat në pushim-Martin Camaj

in Letërsi/Tharm by

Kukullat në pushim-Martin Camaj

 

– Motiv për një pikturë naive –

Në visin në mjedis malit e qytetit
âshtë vetëm një teatër kukullash.
Gjatë ditëve të javës dalin heret
me tesha të lulme në ballkon
e rreziten në diell.

Mbasdite enden dora-dorë
kopshtijeve rreth pëllazit të vèt.
Me shputa kambësh gjigante e të lehta
si vesa
mbulojnë mbarë dhenë.

Po në muzg, kur shkelin ato kryevogla
nuk del mâ bár.

Martin Camaj i ende i pazbuluem-Hans-Joachim Lanksch/Fragment nga libri

in Letërsi by

Hans-Joachim Lanksch

Mâ shumë se ndamja prej vendlindjes atë e dëshpëronte fati i poezive të tij. Në periudhën e “kthesës” në Shqipëri ai tha: “Në Shqipëri kanë filluar të interesohen për poezitë e mia”. Ky interesim e gëzonte dhe e turbullonte. “Nuk e di nëse ishte mâ mirë kur poezitë e mia ishin të ndalueme. Tash të gjithë munden me i lexue ato. Dhe kanë me fillue me i interpretue”. Ai i urrente interpretimet e poezive të tij, sidomos ata që u veshnin atyne nuanca politike.

Në nji prej poezive të tij bâhet fjalë për një kukull me nji pê të kuq në qafë, tek nji monument herët në mëngjes. Nji interpretues shkruente: “Peri i kuq është komunizmi”. Martin Camaj u zemërue dhe tha, shkurt e prerë, siç e kishte zakon: “Peni i kuq âsht nji pê i kuq”.

Martin Camaj nuk ishte nji poet politik. Ai ka shkrue shumë pak poezi me tematikë politike. Në to ai nuk pozicionohet por merret me temën e dhunës. Ai ishte nji njeri fund e krye paqësor. Për vite me radhë ai vinte çdo javë tek unë-edhe kjo asht tipike për Martin Camajn: profesori dhe mësuesi shkon tek nxanënësi-dhe nuk ka pasur asnjiherë grindje! Camaj nuk i ka thurur lavde komunizmit si shumë të tjerë, dhe nuk ka shkrue poezina urrejtjeje ndaj komunizmit si shumë të tjerë.

Camaj nuk ka kenë nji poet kombtar, lirika e tij përfshin tema psikologjike dhe filozofike. Ai ban pjesë tek ato raste të jashtëzakonshne lirikësh shqiptarë, të cilët, si Lasgush Poradeci, nuk i thurin vargje tematikës kolektive kombtare, por trajtojnë tema individuale dhe universale e në të njëjtën kohë tue mbetë në mënyrë imanente e të pashembullt autorë shqiptarë.

Në mbyllje edhe diçka në lidhje me klishenë që e konsideron Camajn si nji tradicionalist të vjetruem dhe poet idilik atdhetar. Tue futë vargun e lirë, shkallën e naltë të abstraksionit dhe të simbolikës, Martin Camaj-bashkë me Zef Zorbën-ishte i pari poet modern në letërsinë shqiptare.

Tue u mbështetë mbi inventarin tradicional-mbi metrikën e kangëve popullore shqiptare dhe mbi koloritin e pejsazhit malor shqiptar- Camaj shkroi lirikë moderne. Në poezitë e tij nuk gjen vetëm koloritin e malit dhe të shkambit, por edhe një spektër të gjanë motivesh dhe temash, që nga kanuni e deri tek ambienti urban.

Natyra dhe pejsazhi në poezitë e Camajt, me disa përjashtime të pakta, janë kërcënuese. Vargjet e Fatis Arapit, i cili gjithashtu asht shkëputë prej vargut të rimuem, të ftojnë të shtriqesh në detin Jon të poezive të tij të bukura. Në pjesën dërrmuese të poezive të Camajt mbi natyrën nuk ka rehati. Apo do të kërkonit prehje nëpër Qafa malesh përreth/të mbylluna me dhambë uhqish/n’jerm?

Botuar nga Shtëpia Botuese “Albas”.

Nga lajmet e mbrëmjes-Arlinda Guma

in A(rt)ktivizëm/Letërsi/Tharm by

Nga lajmet e mbrëmjes-Arlinda Guma

“Peshqit migrojnë me delfinët,
për t’u mbrojtur nga peshkaqenët…”
“Izraeli sulmoi sërish Palestinën…”

Nënat palestineze, i shkëmbyen sot foshnjat e tyre,
me foshnjat e nënave të lagjeve të tjera… disa shënjestra më larg,
të mos shuhen të gjithë
nëse bombardohet shtëpia…

kush ka më shumë fëmijë,
i shpërndan në sa më shumë shtëpi…

Me ç’formulë e caktojnë nënat palestineze
cili nga bijtë do të rrijë e cili do të largohet?
Ç’mekanizëm punon në mendjet e tyre ato çaste,
që gjithë matematicienët e botës nuk do ta gjenin dot…
ndërsa shënjestra e armëve
nuk u largohet foshnjave prej tëmthave të butë…

Po nënat izraelite, ç’formulë propabiliteti zbatojnë?…
Para tyre, vetë Ajnashtajni do të ngrinte duart lart i dorëzuar…

“Peshqit migrojnë me delfinët,
për t’u mbrojtur nga peshkaqenët…”
“E vërteta e divorcit të Bill Gates-it…”
“Katër ushtrime për të patur të pasme të hatashme…”

“Peshqit migrojnë me delfinët,
për t’u mbrojtur nga peshkaqenët…”
“E drejta e popullit izraelit për t’u vetëmbrojtur…”
Dhe ja, flamurin e kombit tim e kanë rreshtuar sërish kah më të fortit…
sepse… peshqit duhet të migrojnë me delfinët për t’u mbrojtur nga peshkaqenët…

Pas bombardimit,
një vogëlushe vrapon
duke qarë
e duke shtrënguar në kraharor një fletore vizatimi të shqyer…

Pas bombardimit,
“Benjamin Netanyahu falënderon aleatët…
“E drejta e kombit izraelit për t’u vetëmbrojtur…” (nga fletoret e vizatimit…)

“Peshqit migrojnë me delfinët,
për t’u mbrojtur nga peshkaqenët…”
“E drejta e kombit izraelit për t’u ve-të-mbroj – …”
“Studiuesit ngrenë alarmin:
Po plaket popullsia e planetit…”

foshnjat refuzojnë të vijnë në jetë,
në një botë që ua bombardon fletoret e vizatimit…

19 Maj, 2021

______

Kushtuar nënave të vendeve në  luftë…

©Arlinda Guma

Botuar në revistën greke “Teflon”.

Poezia e lexuar nga Arlinda Guma:

Ora katër e mëngjesit-Wislawa Szymborska

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Ora katër e mëngjesit-Wislawa Szymborska

 

Ora nga nata në ditë.
Ora e përpëlitjes nga njëri krah në tjetrin.
Ora e atyre që i kanë kaluar të tridhjetat.

Ora e caktuar për këngën e gjelave.
Ora kur toka na mohon.
Ora kur fryn erë prej yjeve të shuar.
Ora e kushedi-nëse-do të mbetet-diçka-nga-ne.

Ora e zbrazët.
E shurdhët, e kotë

Fundi i çdo ore tjetër.

Askush nuk ndihet mirë në orën katër të mëngjesit.
Nëse milingonat ndihen mirë në katër të mëngjesit,
– tri brohoritje për to. Dhe arrifshim
orën pesë,
po qe se do vazhdojmë të jetojmë.

 

Përktheu: Arlinda Guma

Fragment nga libri “Ç’është kinemaja?”-Andre Bazin

in Kinema by

ONTOLOGJIA E IMAZHIT FOTOGRAFIK

       Andre Bazin

Psikoanaliza e arteve plastike mund ta konsideronte praktikën e balsamimit si një fakt themelues të ngjizjes së këtyre arteve. Në origjinën e pikturës dhe skulpturës do të gjente “kompleksin” e mumies. E drejtuar e tëra kundër vdekjes, feja egjiptiane e vinte mbijetesën nën varësinë e përjetësisë materiale të trupit. Kënaqte kësisoj një nevojë themelore të psikologjisë njerëzore: mbrojtjen prej kohës. Vdekja nuk është gjë tjetër veçse triumfi i kohës. Duke ia fiksuar artificialisht dukjet mishtore, e shkëpuste qenien prej lumit të kohësisë: ia ngjishte jetës. Bëhej e natyrshme t’i shpëtoje këto dukje qoftë dhe tek vetë i vdekuri, në mishin dhe eshtrat e tij. Statuja e parë egjiptiane ishte ajo e njeriut lëkurëregjur dhe ngurtësuar në karbonat natriumi. Por piramida dhe labirintet nuk ishin garanci e mjaftueshme kundër dhunimeve të mundshme të varrit; duhet të merreshin masa të tjera kundër rastësisë, të shumëfishoheshin mundësitë e ruajtjes. Ndaj dhe vendoseshin pranë sarkofagut, bashkë me miellin që do t’i shërbente si ushqim të vdekurit, statuja balte, lloj mumiesh zëvendësuese në rast se trupi shkatërrohej. Kështu zbulohet në vetë origjinat fetare të statujës funksioni i saj fillimor: ta shpëtosh qenien përmes dukjes. Dhe, pa dyshim, mund të merret si aspekt i të njëjtit projekt, sipas modalitetit të tij aktiv, ariu prej argjili i dendur me shigjeta në shpellën parahistorike, zëvendësues magjik i njësuar me bishën e gjallë që i jep mbarësi gjuetisë.
Është e qartë se evolucioni paralel i arteve dhe qytetërimit i çliroi artet plastike prej këtyre funksioneve magjikë (Luigji XIV nuk balsamoset: ai mjaftohet me portretin që i përgatit Lebrun). Por ky evolucion vetëm sublimon në dobi të një mendimi logjik nevojën e pashtershme për ta qëruar kohën. Nuk besohet më në identitetin ontologjik mes modelit dhe portretit, por pranohet që i dyti na ndih të kujtojmë të parin, pra ta shpëtojmë nga një vdekje e dytë shpirtërore. Fabrikimi i imazhit u çlirua edhe nga çdo utilitarizëm antropocentrik. Nuk bëhet më fjalë për mbijetesën e njeriut, por, më përgjithësisht, për krijimin e një universi ideal me imazh realiteti dhe i pajisur me një fat kohor autonom. “Ç’fodullëk është piktura” po nuk shquam nën admirimin tonë absurd nevojën tonë primitive për ta mposhtur kohën përmes jetëgjatësisë së formës! Nëse historia e arteve plastike nuk është vetëm ajo e estetikës së tyre, por së pari ajo e psikologjisë së tyre, atëherë ajo mbetet të jetë thjesht histori e ngjashmërisë, ose po të duam, ajo e realizmit.

Të vendosura në këtë perspektivë sociologjike, fotografia dhe kinemaja e shpjegojnë krejt natyrshëm krizën e madhe shpirtërore dhe teknike të pikturës moderne që zë fill në mesin e shekullit XIX. Është e vërtetë se piktura universale realizoi ekuilibra të larmishëm mes simbolizmit dhe realizmit të formave, por në shekullin e XV piktori perëndimor nisi t’i shmangej merakut të vetëm kryesor të realitetit shpirtëror të shprehur me mjete autonome me qëllim që të kombinonte shprehjen me imitimin pak a shumë të plotë të botës së jashtme. Pa dyshim, ngjarja vendimtare qe shpikja e sistemit të parë shkencor dhe, në njëfarë mënyre, tashmë mekanik: perspektiva (dhoma e errët e Da Vinçit parafiguronte atë të Niepces). I lejonte artistit të krijonte iluzionin e një hapësire me tri dimensione ku objektet mund të vendosen tamam si në perceptimin tonë direkt. Këtej e tutje piktura u shkapërda mes dy aspiratash: njëra mirfilli estetike – shprehje e realiteteve shpirtërorë ku modeli gjendet i transhenduar prej simbolizmit të formës –, tjetra që është vetëm dëshirë psikologjike për të zëvendësuar botën e jashtme me kopjen e saj. Kjo nevojë iluzioni, tek rritej me shpejtësi, përpiu pak nga pak artet plastike. Megjithatë, duke qenë se perspektiva zgjidhi vetëm problemin e formës dhe jo atë të lëvizjes, realizmit iu desh të përzgjatej natyrshëm me kërkimin e shprehjes dramatike brenda çastit, soj dimensioni i katërt, i aftë të sugjeronte jetë në palëvizshmërinë e torturuar të artit barok.
Sigurisht që artistët e mëdhenj e realizuan sintezën e këtyre dy prirjeve: i hierarkizuan ato duke dominuar realitetin dhe duke e përthithur në art. Por mbetemi në prani të dy fenomeneve thelbësisht të dallueshëm, të cilët një kritikë objektive di t’i ndajë për të kuptuar evolucionin pikturor. Nevoja e iluzionit nuk resht së punuari pikturën së brendshmi që prej shekullit XVI. Nevojë krejt mendore, në vetvete inestetike, që do t’ia gjenim zanafillën vetëm në mendësinë magjike, por që si nevojë efikase prodhon megjithatë një tërheqje që e çorganizon thellësisht ekuilibrin e arteve plastike.
Konflikti i realizmit në art procedon prej këtij keqkuptimi, prej konfuzionit mes estetikës dhe psikologjisë, mes realizmit të vërtetë, që është nevoja e shprehjes njëherësh konkrete dhe thelbësore e botës, dhe pseudorealizmit të trompe-l’oeil (ose të mashtrimit të shpirtit, trompe-l’esprit) që kënaqet me iluzionin e formave. Ja përse, për shembull, arti mesjetar nuk duket se e përvuan këtë konflikt: njëherësh dhunshëm realist dhe lartësisht shpirtëror, nuk e njeh atë dramë që zbuluan më pas mundësitë teknike. Perspektiva ishte mëkati zanafillor i pikturës perëndimore.

Niepce dhe iluministët qenë shëlbyesit. Duke përmbyllur barokun, fotografia çliroi artet plastike prej manisë së tyre për ngjashmëri. Sepse piktura përpiqej në fund të fundit më kot të na jepte iluzion, iluzion që i mjaftonte artit, ndërkohë që fotografia dhe kinemaja janë zbulimet që kënaqin përfundimisht dhe në vetë thelbin e tij maninë e realizmit. Sado i aftë të ishte piktori, vepra e tij mbetej gjithnjë hipotetike nga fakti i një subjektiviteti të pashmangshëm. Për shkak të pranisë së njeriut dyshimi binte mbi imazhin. Ndaj dhe fenomeni thelbësor, në kalimin nga piktura baroke te fotografia, nuk qëndron në përsosjen e thjeshtë materiale (fotografia do të mbetet për shumë kohë e ulët përpara pikturës për sa i përket imitimit të ngjyrave), po në një fakt psikologjik: ngopja e plotë e urisë sonë për iluzion falë riprodhimit mekanik prej të cilit përjashtohet njeriu. Zgjidhja nuk qëndronte tek rezultati, por tek origjina.
Për këtë arsye konflikti i stilit dhe ngjashmërisë është një fenomen relativisht modern, gjurmët e të cilit nuk i gjejmë aspak në shpikjen e pllakës së ndjeshme. Duket qartë se objektiviteti i habitshëm i Chardinit nuk i përket aspak fotografit. Vetëm në shekullin XIX fillon me të vërtetë kriza e realizmit, krizë që ka për mit sot Pikason dhe që do të rihedhë në diskutim njëherazi kushtet e ekzistencës formale të arteve plastike dhe themelet e tyre sociologjikë. I çliruar nga kompleksi i ngjashmërisë, piktori modern ia lë popullit ta njësojë këtej e tutje ngjashmërinë nga njëra anë me fotografinë dhe nga ana tjetër me atë pikturë që vazhdon të merret me ngjashmërinë.

Origjinaliteti i fotografisë në lidhje me pikturën qëndron pra në objektivitetin e saj thelbësor. Aq sa grupi i thjerrëzave që përbën syrin fotografik, zëvendësues i syrit njerëzor, merr emrin “objektiv”. Për herë të parë, mes objektit fillestar dhe përfytyrimit të tij, nuk vendoset asgjë tjetër veçse një tjetër objekt. Për herë të parë imazhi i botës së jashtme formohet automatikisht pa ndërhyrjen krijuese të njeriut, por prej një determinizmi të ashpër. Personaliteti i fotografit hyn në lojë vetëm për zgjedhjen, orientimin, pedagogjinë e fenomenit: sado i dukshëm në veprën përfundimtare, ai nuk figuron si personaliteti i piktorit në veprën e pikturës. Të gjithë artet themelohen prej pranisë së njeriut: vetëm te fotografia ne kënaqemi prej mungesës së tij. Kjo mungesë ndjehet prej nesh si një fenomen “natyror”, si lulja apo kristali i borës tek të cilët s’mund të ndash bukurinë prej origjinave vegjetale apo telurike.
Kjo ngjizje automatike e tronditi rrënjësisht psikologjinë e imazhit. Objektiviteti i fotografisë i autorizon një fuqi besueshmërie që i mungon çdo vepre pikturore. Cilatdo qofshin kundërshtitë e shpirtit tonë kritik, jemi të detyruar të besojmë ekzistencën e objektit të paraqitur, efektivisht të para-qitur, domethënë i bërë i pranishëm në kohë dhe hapësirë. Fotografia gëzon transfertën e realitetit nga gjëja te riprodhimi i saj. Vizatimi më besnik mund të na japë më tepër informacione mbi modelin, por nuk do të zotërojë kurrë, megjithë shpirtin tonë kritik, pushtetin irracional të fotografisë që fiton besimin tonë. Pra piktura mbetet kështu vetëm një teknikë inferiore e ngjashmërisë, një ersatz i procedurave të riprodhimit. Vetëm objektivi na jep për objektin një imazh të aftë të “çndrydhë” prej thellësisë së pavetëdijes sonë nevojën për ta zëvendësuar objektin me kalk më të mirë se përafrimi: vetë objektin, por ta çliruar prej kërkesave të kohës. Imazhi mund të jetë i paqartë, i shformuar, i çngjyrosur, pa vlerë dokumentare, por rrjedh sajë vetë ngjizjes së vet nga ontologjia e modelit; ai është modeli. Prej ku dhe joshja e fotografive të albumit. Hije gri ose sepie, fantomatike, pothuaj të palexueshme, nuk janë më portretet familjarë tradicionalë, të jetëve të ndalura në kohësitë e tyre, të çliruar prej fateve të tyre, jo falë prestigjit të artit, por prej virtytit të një mekanike gjakftohtë; sepse fotografia nuk krijon përjetësi si arti, ajo e balsamos kohën, ia heq kohën vetëm shprishjes së saj.

Nga kjo perspektivë kinemaja duket si përmbyllja në kohë e objektivitetit fotografik. Filmi nuk mjaftohet më të ruajë objektin e rrëmbyer prej çastit të tij, ashtu siç ruhet trupi në qelibar, i paprekur prej insekteve të një kohe të shkuar. Ai e çliron artin barok prej ngërçit muskulor. Për herë të parë imazhi i gjërave është dhe ai i kohërrjedhjes së gjërave, mumifikim i ndryshimit të tyre.
Kategoritë e ngjashmërisë që specifikojnë imazhin fotografik përcaktojnë gjithashtu dhe estetikën e tij në lidhje me pikturën. Virtualitetet estetikë të fotografisë qëndrojnë në zbulimin e realitetit. Shqimi në stofin e botës së jashtme, i reflektimit në trotuarin e lagur apo i gjestit të fëmijës, nuk vareshin nga unë; vetëm ftohtësia e objektivit, tek e zhvesh objektin nga zakonet dhe paragjykimet, nga gjithë lyra shpirtërore me të cilën pështillej perceptimi im, mund ta kthente objktin të virgjër në vëmendjen time, me këtë rast dhe në dashurinë time. Mbi fotografinë, imazh natyror i një bote që as nuk e dinim dhe as nuk mund ta shihnim, natyra më në fund bën më tepër se imitim arti: ajo imiton artistin.
Madje, mund ta tejkalojë në fuqi krijuese. Universi estetik i piktorit është i tjetër natyre nga ajo e universit që e rrethon. Kuadri mbërthen një mikrokozmos substancialisht dhe thelbësisht të dallueshëm. Përkundrazi, ekzistenca e objektit fotografik merr pjesë në ekzistencën e modelit si gjurmë gishtash. Kështu që ajo i shtohet realisht krijimit natyror në vend që ta zëvendësojë me një tjetër.
Surrealizmi e kishte ndjerë kur kishte nevojë për xhelatinën e pllakës së ndjeshme për të realizuar teratologjinë e tij plastike. Sepse për surrealizmin qëllimi estetik është i pandashëm prej ndikimit mekanik të imazhit mbi shpirtin tonë. Dallimi logjik midis imagjinares dhe reales priret për nga zhdukja. Çdo imazh duhet të ndjehet si objekt dhe çdo objekt duhet të ndihet si imazh. Fotografia përbënte pra një teknikë të privilegjuar të krijimit surrealist sepse realizonte një imazh që merrte pjesë në natyrë: një halucinacion të vërtetë. Përdorimi i trompe-l’oeil dhe saktësia e hollësishme e detajeve në pikturën surrealiste është dhe konfirmim i dytë.
Fotografia shfaqet pra si ngjarja më e rëndësishme e historisë së arteve plastike. Njëherazi çlirim dhe përmbushje, ajo i lejoi pikturës perëndimore të qetohet përfundimisht nga mania realiste dhe të rigjejë autonominë e vet estetike. “Realizmi” impresionist, me alibitë shkencore, shkon në të kundërt të trompe-l’oeil. Ngjyra nuk mund ta përpinte më formën, për sa që kjo e fundit nuk kishte më asnjë rëndësi për imitimin. Dhe kur te Cezanne forma do ta rizotërojë telajon, kjo gjë nuk do të ndodhë më sipas gjeometrisë iluzioniste të perspektivës. Duke iu kundërvënë pikturës me një forcë që kapte, përtej ngjashmërisë baroke, identitetin e modelit, imazhi mekanik e detyronte të kthehej në objekt.
Në fodullëk kthehet këtej e tutje dhe dënimi paskaljan, pasi fotografia na lejon të admirojmë origjinalin në riprodhimin e tij, gjë që sytë tanë s’do të kishin ditur ta dashuronin, dhe të admirojmë tek piktura një objekt të kulluar, të cilit i ka reshtur aftësia për të gjetur arsyen e vet te referenca e natyrës.

Nga ana tjetër kinemaja është gjuhë.

Përktheu: Elvis Hoxha

Zenit Editions

Ditën kur robotët do fillojnë të qajnë-Petraq Risto

in Letërsi/Tharm by

Ditën kur robotët do fillojnë të qajnë-Petraq Risto

 

Ditën kur robotët do fillojnë të qajnë, ne do ndihemi të mundur
dhe një Krisht, klonuar nga drita, do na ftojë të pimë në pijetore,
të dehemi me mundjen tonë,
mbi tryezat tërë lyrë, të ngrëna nga bërrylat dhe sherret e baballarëve.
Në mëngjes qielli s’është lule vjollcë, do na thonë robotët
dhe ajri do vërtitet rreth nesh, me gjithfarëlloj pyetjesh të gatshme:
Po ç’është atëherë zhgënjimi nga shpejtësia e dritës?
Ç’është një Shekspir naiv, që kërkon të mbytet
në një lumë, krijuar nga çmenduria e Ofelisë?
Pse ëndrrat janë lënë të shkrumbohen nën Diell
e ne, pse joshemi me kokallat e tyre?…
Ditën kur robotët do fillojnë të qajnë ne do ndihemi të mundur
dhe një Krisht, klonuar nga njolla e gjakut, do na ftojë të pimë në pijetore…

28 Janar, 2007

(Botuar në vëllimin “Hallelulja”, 2007)

Herrizon Bergron-Kurt Vonnegut

in A(rt)ktivizëm/Letërsi/Tharm by

Kurt Vonnegut

Ishte viti 2081 dhe më në fund, të gjithë njerëzit ishin krejt të barabartë. Tashmë, nuk ishin të barabartë vetëm para Zotit dhe ligjit. Por ishin të barabartë edhe në çdo aspekt tjetër. S’kishte më njeri që të ishte më i zgjuar se një tjetër. Asnjë nuk ishte më i pashëm se një tjetër. Asnjë nuk ishte më i zgjuar apo më i shpejtë se një tjetër. Gjithë kjo barazi vinte si detyrim i zbatimit të Amendamenteve 211, 212 dhe 213 të Kushtetutës, si dhe të vigjilencës së agjentëve të Departamentit të Përgjithshëm të Handikapit në Shtetet e Bashkuara.

Ama, disa gjëra që kishin të bënin me jetesën nuk ishin rregulluar ende. Prilli, për shembull, vazhdonte t’i çmendte njerëzit, duke e vonuar pranverën. Dhe pikërisht në atë muaj të freskët dhe të lagësht, punonjësit e DPH-së arrestuan Herrizonin, djalin 14 vjeçar të Xhorxhit dhe Hezelit.
Ishte tragjike, vërtet, por Xhorxhi dhe Hezeli s’kishin fuqi të mendonin shumë. Hezeli kishte një inteligjecë tipike mesatare, që do të thotë se nuk mund të mendonte asgjë, përveç se në çaste shumë të shkurtra. Ndërsa Xhorxhi kishte inteligjencë mbi normalen dhe për këtë kishte të instaluar në vesh një radio handikape mendore. Ligji e detyronte që ta mbantë gjithë kohës. Ajo lidhej me një transmetues qendror qeveritar. Çdo 20 sekonda e ca, transmetuesi lëshonte një tingull të mprehtë që të mos e linte Xhorxhin dhe të tjerë si ai që ta shfrytëzonin trurin e tyre.

Xhorxhi dhe Hezeli po shihnin televizor. Lotët filluan të rrjedhin në faqet e Hezelit, por ajo kishte harruar se pse po ndodhte kjo.
Në ekranin e televizorit ishin shfaqur balerinat.
Në kokën e Xhorxhit u lëshua zhurma. Mendimet e tij fluturonin sa andej-këndej, si hajdutët sa bie alarmi kundra vjedhjes.

– Sa kërcim i bukur ishte. Kërcyen bukur, – tha Hezeli.
– Hë? – pyeti Xhorxhi.
– Ai kërcimi, ishte i bukur, – tha Hezeli.
– Ëhë, – tha Xhorxhi.

Xhorxhi u përpoq të mendonte pak për balerinat. Ato nuk ishin as të mira e as më të mira se ndonjë tjetër gjithsesi. U kishin vënë pesha në brez dhe çanta me saçme e në fytyra mbanin maska, sepse, edhe sikur dikush të shihte një gjest lirie, hijeshie apo qoftë edhe një fytyre të bukur, nuk do t’i dukej se thjesht ra nga qielli. Xhorxhi po bluante në mendje faktin se ndoshta kërcimtaret s’duhej të ishin handikape. Por nuk shkoi shumë larg me mendimet, sepse i erdhi menjëherë një sinjal nga radioja në veshin e tij dhe ia shkartisi mendimet.
Xhorxhi u drithërua. Po ashtu edhe tetë balerinat.
Hezeli e pa teksa drithërohej. Duke mos pasur handikap mendor, asaj iu desh të pyeste Xhorxhin për tingullin e fundit.
– Më ngjau sikur dikush përplasi një shishe qumështi me një çekiç, – tha Xhorxhi.
– Mendoj se do ishte shumë interesante të dëgjoje tinguj të ndryshëm, – tha Hezeli gjithë zili. Çfarë s’u shkon ndër mend?!
– Hëm.
– Vetëm se, nëse do isha shefe e departamentit të Handikapit, a e di çfarë do bëja? – tha Hezeli.
Hezeli në fakt kishte shumë ngjashmëri fizike me Drejtoreshën e Departamentit të Handikapit, një grua që quhej Dajana Hënëulësja.
– Të isha në vend të Dajana Hënëulëses, – tha Hezeli, – do lëshoja vetëm tringëllima zilesh të dielën, vetëm tringëllima zilesh. Në njëfarë mënyre, në nder të besimit.
– Po mendoja, sikur të kishte vetëm tringëllima zilesh.
– Do t’i lëshoja me zë të lartë, – tha Hezeli. – Mendoj se do isha një shefe e mirë handikape.
– Po aq e mirë sa të gjithë, – tha Xhorxhi.
– Kush e di më mirë se unë se ç’është normalja? – tha Hezeli.
– Po, – tha Xhorxhi.
Ai filloi të mendonte për djalin e tij anormal, që tashmë ishte në burg… për Herrizonin. Por menjëherë në kokën e tij i erdhi një përshëndetje mitralozi.

– Bobo! – tha Hezeli, – kjo ishte se ç’ishte, apo jo?
Ishte aq e fortë sa Xhorxhi u zbardh në fytyrë dhe po dridhej dhe sytë e tij të kuq u mbushën me lot. Dy nga tetë balerinat ishin rrëzuar në dyshemenë e studios dhe kishin vënë duart në tëmtha.

– Krejt papritur, po më dukesh i lodhur, – tha Hezeli. – Pse nuk shtrihesh pak në divan, zemra ime, që të mund të mbështetësh edhe çantën e handikapit mbi jastëkë?
Ajo e kishte fjalën për një çantë 20 kilogramëshme të mbushur me saçme, që i varej Xhorxhit në qafë. “Shtrihu, pusho pak e ule çantën”, i tha ajo. “S’dua t’ia di nëse nuk je i barabartë me mua vetëm për pak”.
Xhorxhi peshoi çantën në duar.
– S’e kam problem, – tha ai. – S’po e vë re më. Më është bërë pjesë e imja.
– Ke qenë shumë i lodhur kohët e fundit, – tha Hezeli. – Sikur të gjeja një mënyrë që të bënim një vrimë në fund të çantës dhe të hiqnim ca prej atyre topave. Vetëm pak.
– Dy vite në burg dhe 2000 dollarë gjobë për çdo top që heq, – tha Xhorxhi. – S’më duket edhe aq pazar i mirë.
– Po sikur të hiqje vetëm pak, kur të kthehesh në shtëpi nga puna, – tha Hezeli. – Shiko, këtu s’ke pse krahasohesh me njeri tjetër. Vetëm rri ulur.
– Nëse e provoj unë ta heq, atëherë do mundohen edhe të tjerë ta bëjnë këtë dhe shumë shpejt do ktheheshim në epokën e errët, ku të gjithë konkurronin me njeri-tjetrin. S’do të të pëlqente kjo, apo jo?
– Ua, do ta urreja atë gjë. – tha Hezeli.
– Ja pra, – tha Xhorxhi. – E sheh ç’ndodh me shoqërinë kur qytetarët shkelin ligjin?

Nëse Hezeli nuk do të përgjigjej, Xhorxhi nuk do të kishte asnjë mundësi të fliste. Në kokë i ishte lëshuar një sirenë.
– Mendoj se do të shkatërrohej, – tha Hezeli.
– Çfarë? – pyeti Xhorxhi.
– Shoqëria… – tha Hezeli me hezitim. – A nuk e the edhe ti këtë gjë?
– Kush e di? – tha Xhorxhi.

Papritur, programi televiziv u ndërpre për të dhënë lajmet. Në fillim nuk ishte shumë e qartë se përse ishin lajmet, duke qenë se prezantuesi kishte një defekt të madh në të folur. Për rreth gjysmë minuti dhe në gjendje eksitimi, drejtuesi mundohej të thoshte “Zonja e zotërinj”.
Në fund, u dorëzua dhe ia dha lajmet një balerine që t’i lexonte ajo.
– Shumë mirë, – tha Hezeli për prezantuesin, – u përpoq. Kjo është më e rëndësishme. Ai u mundua të bënte aq sa mundej, me çfarë i ka dhënë Zoti. Duhet të përfitojë një rritje rroge për gjithë atë përpjekje.

“Zonja dhe zotërinj”, tha balerina, teksa lexonte lajmet. Duhej të kishte qenë shumë e bukur, sepse maska që kishte vënë ishte e neveritshme. Mund ta dalloje fare lehtë se ishte më e mira dhe më e hijshmja nga gjithë balerinat, sepse çantat e handikapit ishin aq të mëdha, sa ato që mbajnë burrat 100 kilësh.
Iu desh të kërkonte falje për zërin, sepse ishte e padrejtë që një grua të kishte një zë të tillë. Zëri i saj ishte i ngrohtë, i qartë, si një melodi e pakohë. “Më falni”, tha ajo dhe filloi prapë, duke e bërë zërin më pak konkurrues.
“Herrizon Bergeron, 14 vjeç”, – tha ajo tek klithte fort, “sapo është arratisur nga burgu, ku mbahej nën arrest, si i dyshuar për përpjekje për të rrëzuar qeverinë. Ai është shumë i zgjuar dhe atlet, nuk ka handikap dhe duhet të shikohet si shumë i rrezikshëm.”
Një foto që i kishte bërë policia Herrizon Bergeronit dilte në ekran duke u rrotulluar sa lart-poshtë, pastaj anash-poshtë prapë dhe më pas lart. Fotoja e tregonte Herrizonin siç ishte dhe në sfond tregoheshin shkallët e matjes në cm dhe mm. Ai ishte fiks 2 metra i gjatë.
E gjithë pjesa tjetër e pamjes së Herrizonit ishte fiks si për Hallouin, madje edhe me vegla pune. Asnjë njeri s’kishte lindur me handikape aq të mëdha. Ai i kishte kaluar pengesat e vëna aq shpejt, sa nuk ua merrte mendja as atyre tipave të DH-së. Në vend të një radioje në vesh për të krijuar handikapin mendor, ai mbante një palë kufje të tmerrshme dhe syze aq të trasha saqë ngjanin si lente zmadhuese. Syzet si dylbi i ishin vënë me qëllim që jo vetëm të ishte gjysmë i verbër, por edhe t’i krijonin dhimbje koke.
Kudo në trup i varej skrap metalesh. Zakonisht, vihej re njëfarë simetrie, një rregullsi prej ushtaraku që mbyste gjithë handikapet e një njeriu të fortë, por Herrizoni dukej si një vendgrumbullim skrapi. Në ecejakjet e tij të ditës, ai mbante 135 kg mbi shpinë.
Gjithashtu, për ta plotësuar edhe më shumë pamjen e tij të bukur, punonjësit e DH-së e detyronin që të mbante gjithmonë një top të madh të kuq në hundë, të rruante vetullat dhe të mbulonte dhëmbët e tij të bardhë me mbulesa të zeza, madje me dhëmbë të rëna vende-vende.
“Nëse e shihni këtë djalë, – tha balerina, “mos u përpiqni, përsëris, mos u përpiqni të komunikoni me të.”
U dëgjua kërcitja e një dere që ishte shqyer nga varetë.
Nga televizori erdhën britma dhe klithma tmerri. Fotoja e Herrizon Bergeronit hidhej poshtë e përpjetë në ekran, sikur kërcente me ritmin e lëkundjes së një tërmeti.
Xhorxh Bergeroni e dalloi mirë tërmetin dhe me siguri do ta kishte dalluar edhe më parë – shumë veta e dinë se shtëpia e tij kishte kërcyer në të njëjtin ritëm. “O Zot”, tha Xhorxhi, “duhet të jetë Herrizoni”.
Mendimi i iku menjëherë nga mendja nga tingulli i përplasjës së dy makinave që iu përçua në kokë.
Kur Xhorxhi hapi prapë sytë, fotografia e Herrizonit nuk ishte më në televizor. Por një Herrizon i gjallë, që merrte frymë, u shfaq.

Ashtu, tek kërcëlliste, por si një kloun i stërmadh, Herrizoni qëndronte në këmbë, në mes të studios. Në dorë mbante ende dorezën e derës që kishte shqyer. Balerinat, teknikët, muzikantët dhe lajmëtarët u mblodhën kruspull e u ulën në gjunjë para tij e prisnin të vdisnin.
“Unë jam perandori!’, bërtiti Herrizoni. “A më dëgjoni? Unë jam perandori! Duhet të bëni atë që ju them unë, menjëherë!” Ai përplasi këmbën dhe studioja u trondit e tëra.
“Tek qëndroj këtu para jush”, ulëriti ai, “ i gjymtuar, i hidhëruar, i sëmurë, jam sunduesi më i madh që ka jetuar ndonjëherë në histori! Tani shihni se si do bëhem unë!”
Herrizoni shqeu lidhëset e ngarkesës së handikapit të tij, si të ishin facoleta hundësh… Shqeu lidhëset që mbanin 135 kg.
Handikapet prej teneqeje u rrëzuan në dysheme.
Ai futi gishtin e madh nën kapësen që mbante parzmoren e kokës. Ajo ra si të ishte një fletë selinoje. Pastaj, përplasi fort në mur kufjet dhe gjyzlykët.
Tërhoqi me forcë hundën prej gome dhe ja ku doli, një burrë që mrekulloi edhe Thorin, perëndinë e vetëtimave.
“Tani, unë do të zgjedh perëndeshën time!”, – tha ai dhe hodhi vështrimin tek njerëzit e trembur. “Femra e parë që do të ngrihet në këmbë, le të kërkojë vendin e saj pranë partnerit dhe fronit.”
Nuk kaloi shumë dhe një balerinë u ngrit në këmbë, dridhej si thupër shelgu.
Herrizoni ia hoqi handikapin mendor nga veshi, i hoqi edhe handikapet fizike me një delikatesë mbresëlënëse. Dhe në fund, ai i hoqi maskën.
Ajo ishte aq e bukur… të verbonte me bukurinë e saj.
“Tani, – tha Herrizoni dhe i kapi dorën. “A t’ua tregojmë njerëzve kuptimin e fjalës ‘kërcim’? Muzikë!”, bërtiti ai.

Muzikantët u kthyen nxitimthi nëpër karriget e tyre dhe Herrizoni ua hoqi edhe atyre handikapet. “Luani, luani si kurrë më parë”, u tha atyre, “dhe unë do ju bëj baronë, dukë, kontë.”
Filloi muzika. Ishte aq normale në fillim, pak si kot, si false. Por Herrizoni i tërhoqi dy muzikantë zvarrë dhe i tundi e shkundi, si të ishin shkopinj dirigjenti, me notat e muzikës që donte vetë. Pastaj i përplasi prapë në karriget e tyre.
Muzika filloi përsëri dhe ishte më mirë.
Herrizoni dhe perëndesha e tij thjesht dëgjonin muzikën që i përshkonte lehtë në trupat e palëvizur, sikur donin të përshtatnin rrahjet e zemrës me atë muzikë.
E gjithë pesha u arriti te gishtat e këmbëve.
Herrizoni vendosi dorën e tij të madhe në belin e hollë të vajzës, teksa e bënte të ndjente lehtësinë e peshës që do ishte shumë shpejt tërësisht e saja.
Më pas, në ajër shpërtheu kudo gëzimi dhe hijeshia.

Jo vetëm që nuk u respektua asnjë ligj i tokës, por as ligjet e gravitetit apo të fizikës.
Ata silleshin e hidheshin, e spërdridheshin, e kërcenin, e rrotulloheshin…
Kërcenin në ajër si drerët nën dritën e henës.
Tavani i studios ishte 9 metra i lartë dhe sa herë që hidheshin, kërcimtarët i afroheshin gjithmonë e më shumë.
Madje, i vunë qëllim vetes të puthnin tavanin.
Ata e puthën tavanin.
Me pas, duke e lënë gravitetin me gjithë dashurinë dhe vullnetin e tyre të pastër, ata qëndruan të varur në ajër, shumë pak poshtë tavanit dhe u puthën me njeri-tjetrin për një kohë të gjatë, shumë të gjatë.

Në atë çast, Dajana Hënëulësja, Drejtuesja e Handikapëve, hyri në studio me një shotgan dhjetësh me dy tyta. Ajo qëlloi dy herë dhe Perandori e Perandoresha vdiqën, pa rënë në dysheme.
Dajana Hënëulësja e mbushi armën prapë. Ua drejtoi muzikantëve dhe u tha se kishin dhjetë sekonda kohë që të vinin prapë handikapët.

Pikërisht në atë çast, u fik edhe televizori i Bergeronëve.
Hezeli u kthye nga Xhorxhi që të fliste për këtë. Por Xhorxhi kishte shkuar në kuzhinë të merrte një kanaçe birrë.
Xhorxhi u kthye bashkë me birrën, ndaloi pak, pasi e shkundi mirë një sinjal që mori nga handikapi. Më pas u ul prapë.
– Paske qarë, – i tha Hezelit.
– Po, – tha ajo.
– E përse? – e pyeti ai.
– Harrova, – tha ajo, – ishte diçka e trishtë në televizor.
– Çfarë ishte? – pyeti ai.
– Më është bërë lëmsh në kokë, – tha Hezeli.
– Harroji gjërat e trishtueshme,  – i tha Xhorxhi.
– Ashtu bëj gjithmonë, – tha Hezeli.
– Ashtu, të lumtë., – tha Xhorxhi. Ai u drithërua. Këtë herë i kishte ardhur si sinjal në kokë një armë që shkrepej.
– O Zot, kjo ishte se ç’ishte, – tha Hezeli.
– Po, ta thuash me plot gojën, – tha Xhorxhi.
– O Zot, – tha Hezeli, – kjo ishte se ç’ishte.

Përktheu: Sidita Hoxhiq

Fotografia e 11 Shatorit-Wislawa Szymborska

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Fotografia e 11 Shatorit-Wislawa Szymborska

 

Ata u hodhën nga katet që shpërthyen flakë
një, dy, ja edhe njëri
sipër tyre, nën ta.

Fotografia i fiksoi të gjallë,
dhe tani i ruan
mbi tokë, drejt tokës.

Secili është ende i gjithi
me fytyrën e vet
dhe gjakun e fshehur mirë.

Ka mjaftueshëm kohë
para se t’i shprishen flokët
dhe nga xhepat t’i bien
monedhat, çelësat.

Qëndrojnë ende në shtjellën e ajrit,
në perimetrin e vendeve
që sapo kanë hapur.

Unë, vetëm dy gjëra mund të bëj për ta;
ta përshkruaj atë fluturim
pa e shtuar fjalinë e fundit.

 

Përktheu: Arlinda Guma

Bashkë me gjërat e humbura-Eraldo Hatija

in Letërsi/Tharm by

Bashkë me gjërat e humbura-Eraldo Hatija

 

Fund dite:
Shkojmë darkojmë
dhe hamë gjellën,
kafshojmë bukën,
hamë ditët.

E njejtë si në haur
kujtimet nisim ripërtypim.

Fund dite:
Shkojmë të darkojmë
dhe ditët na hanë,
orët, minutat,
kujtimet na bluajnë ngadalë
dhe si mallkim
hirin nga një urnë
nëpër kohë na e shpërndajnë
nëpër hapësirë
ku fantazmagorisht
enden orët, ditët dhe kujtimet.

1 87 88 89 90 91 190
Go to Top