Si u krijua një flamur?- Yehuda Amichai
E zëmë se në fillim
qe diçka e plotë që
u shqye më pas në dy pjesë, të dyja të mëdha sa duhej
për dy ushtri armike.
Ose,
edhe pëlhura e ronitur me vija
e një poltrone plazhi të braktisur
në kopshtin e vogël të fëmijërisë sime,
që përplaset në erë,
mund të shërbejë si një flamur
që të bën ta ndjekësh ose të dënesësh ndanë tij,
ta tradhtosh ose ta harrosh.
Nuk e di po, në luftërat e mia
asnjë flamurmbajtës nuk marshoi në ballë
të ushtarëve gri, zhytur në re pluhuri dhe tymi.
Kam parë gjëra që nisin me vrull,
e katandisen në tërheqje të ngutshme,
në duna të zbehta.
Tani jam shumë larg prej gjithë asaj, si dikush
që në mes të një ure
harron të dy skajet e saj
dhe mbetet aty në këmbë,
i përkulur mbi kangjella
për të parë rrjedhën e ujit nën të:
Edhe ajo është një flamur.
Solli në shqip: Ajkuna Daklli
Tjetër gjë qenkësh fëmija-Yehuda Amichai
Tjetër gjë qenkësh fëmija-Yehuda Amichai Tjetër gjë qenkësh fëmija Zgjohet një pasdite dhe menjëherë është